20.11.08

Perralla nga e tashmja

Zhvillim i dukshëm ekonomik; tërheqje të investitorëve të huaj; rritje të GDP-së me të paktën 6% këtë vit, që është një ndër më të lartët në Europën Lindore; reforme e plote ne arsim; rruge te shtruara kryq e terthor; nivel jetese i mahnitshem...

Me fjali të tilla na vritet gjithmonë e më shumë veshi, sa më shumë që afron periudha fatlume ku nuk do flitet për gjë tjetër veçse për zgjedhje.

Në arenën që këtë radhë është arkitektuar me kontributin e hapur e të mbyllur opozitar, qeveria e sotme mund të ngrejë me të drejtë pretendime për disa arritje që jo vetëm janë të matshme, por edhe të prekshme. Për shembull, nga një vend me të ardhura të ulëta, tashmë Banka Botërore na klasifikon tek vendet me të ardhura mesatare. I njëjti institucion u tregua zemërgjerë kur në fillim të Shtatorit e renditi Shqipërinë në 10 vendet e para që krijojnë lehtësira për legjislacionin dhe funksionimin e biznesit. (jo se BB ka ndonje interes per te ndenjur ne Shqiper, jo!)

Qeveria ka arsye të mburret sepse me rezultate të dukshme ose sekrete, reale apo fiktive, të verifikueshme apo jo, politikat e saj kanë luftuar korrupsionin, kanë ulur taksat, ka "zvogëluar" administraten qeverisëse, (dhe ashtu siç pohon edhe Banka Botërore), janë miratuar një sërë ligjesh dhe aktesh që favorizojnë biznesin.

Për fatin e kësaj qeverie, rastisi në periudhën e saj që Shqipëria të marrë ftesën për në NATO (pavarësisht i kujt është interesi apo merita) dhe pozitarëve të sotëm ju pëlqen të thonë se vitin tjetër Shqipëria do të aplikojë edhe për anëtarësim të plotë në BE.

Nga ana tjetër, ekonomia po ecën me hapa sa të mëdhenj, aq edhe të padukshëm për syrin e lirë. Për 125 milionë euro, naftë-nxjerrësi Armo ndërroi përveç gërmave, edhe pronarët, duke u kthyer në AMRA-n amerikano-zvicerane. Albtelekomi po ashtu ndërroi kombësi dhe KESH-i është në fushën e pingpongut.

Ndërtimi ka shpërthyer në të gjithë krahët; sasi, mungesë cilësie, çmime dhe anarshi. Por, sado i keq dhe i shëmtuar, ndërtimi ngelet pika kyçe e zhvillimit të sotëm ekonomik; dhe nëse bumi i ndërtimeve ndërpritet, qeveria do ta gjejë veten duke pluskuar në përrua të thatë.

Për të njëjtin ndërtim, në mënyrë shumë paradoksale kryetari i bashkisë ku pallatet ngjyra ngjyra-ngjyra i zënë frymën njëri tjetrit, ankohet për anarshinë dhe uzurpimin e zonave periferike. Zhvillimi këtu është sa i paqartë, as edhe i pa-matshëm.

Një tjetër investim kolosal ka zënë jo pak vend në zhvillimet politike dhe ekonomike dy vitet e fundit; bëhet fjalë për 600 milionë eurot dhe më pak se 200 kilometrat rrugë që do ta lidhin Shqipërinë me Kosovën e do bëjnë namin në bujqësi, turizëm e në promovimin e veriut të lënë pas dore. Kështu thonë pozitarët; kurse opozitarët e dialogut thonë se nga 600, milionët e eurove do të shtohen me ndonjë njësh përpara e askush nuk ka për të dhënë llogari.

Për të shuar kuriozitetin opozitar, qeveritarët bëjnë be se investitorët e huaj po tregojnë interes. Italianët e Enel-it kanë rënë në dashuri me hapësirat e Karaburunit dhe mendojnë se gadishulli është mrekullia vetë për ndërtimin e qendrave të tyre elektrike, bërthamore apo edhe thjesht gadishullore, në kuadër të fqinjësisë së mirë. Kjo behet pikerisht kur shoqatat mjedisore ne Shqiperi duan ta shpallin zonen e Karaburunit "Park ujor kombetar".

Austriakët e EVN-së paskan ndër mend të ndërtojnë hidrocentrale. Pas grekëve, tani paskemi edhe miq nga Spanja që janë të interesuar për të ndërtuar fabrika çimentoje (pse jo. Ndotja s’është në asnjë listë në Shqipëri). Së fundmi, edhe nga skaji perëndimor i kontinentit paskan shfaqur interes ishullorët britanikë për të bërë porte në një vend për të cilin akoma nuk kanë përcaktuar qartësisht ndonjë politikë.

Po Shqipëria ka edhe pretendime për t’u futur në bursë, edhe pse çdo zhvillim në Amerikë ndihet më parë në xhepin shqiptar sesa në atë të amerikanëve vetë. Pavarësisht luhatjeve në çmimin e naftës në botë, në Shqipëri ajo i qëndron besnike vetëm rritjes. Shtetit i pëlqejnë makinat dhe nafta po ashtu, prandaj, arsye për ankesa nuk ka!

Mbase duhen edhe 10 vjet të tjerë që Shqipëria të hyjë në grupin e vendeve demokratike. Po ne s’kemi lënë më konventë pa nënshkruar. (Bashkë me Moldavinë).
Ama standardet i shohim akoma me dylbi, edhe pse i dimë se ku janë.

Në rrugën tonë të suksesshme për në BE dhe për në zgjedhjet e 2009-ës, udhëhiqemi nga një sistem gjyqësor që akoma nuk është eficent; nga mungesa e kulturës demokratike, çalimi në shtetin e së drejtës, krimi i organizuar (më tepër bindje e BE-së) dhe sfida e çartur e korrupsionit. Po ashtu Shqipëria është pre e shumë titujve të çuditshëm pronësi, e injorimit të kulturës plehërore dhe pasigurisë për energjinë (vitin e kaluar importet varionin nga 8-12 milionë kilovatë orë në ditë).

Turizmi mbetet kryefjala e të vërtetës dhe e abuzimeve me shifrat. Saktë dimë vetëm që kemi 362 km vijë bregdetare dhe pjesa më e madhe e saj është e pashfrytëzuar. Por ndërprerjet e energjisë, lulëzimi pa fre i plehrave dhe infrastruktura e vështirë rrugore, deri tani e kanë frenuar ritmin e zhvillimit të pretenduar disa vite me parë.

Ministri ynë i turizmit, bashkë me 10 vulat e pasaportës sime këtë verë, ka numëruar 2 milionë e 10 turistë që kanë vizituar Shqipërinë. Shifrat ndryshojnë sipas rastit të prononcimit, por vulat e të gjitha pikave kufitare janë hedhur në regjistrin fat-madh të Ministrisë së Turizmit

Deficiti tregtar i lartë, prurjet e emigrantëve në rënie, prodhim vendas s’ka (të dukshëm), ndërtimi është pa baza... pra rritja ekonomike është fiktive?

Shumë shifra e të dhëna nuk janë fort të besueshme, prandaj entuziazmi i qeverisë ndesh reflektimin e kësaj mungese të besueshmërisë kur mundohet të shesë ndonjë sapun për gjysmë kile djathë.

Por duhet pritur edhe ca kohë, deri sa të vijë rasti për të pritur edhe katër vjet të tjerë.

1 comment:

Julius said...

"""'Por duhet pritur edhe ca kohë, deri sa të vijë rasti për të pritur edhe katër vjet të tjerë."""

Në kokë i ke rënë.
... and ''fër fër'' is the best sound ever! :d