13.11.08

Grevë, patate dhe sherr vegjëlish

Greva e urisë apo patatet e Kukësit? Mirë do ishte ta quaja dilemë komike, por nuk është ashtu. Shtysa erdhi nga bisedat e bëra mes kolegësh e vëzhguesish të hollë të cdo minuti e ngjarjeje që ndodh në Shqipëri. Disa deputetë janë mbyllur në zyrat e kuvendit, kurse disa media janë më shumë të shqetësura në krye të tyre për problemin që hasin patatet e qytetit verior (jo te Hasit vetë) në tregun e c’ekulibruar. A ka ndonjë pikë ekuilibri tjetërkund në ngjarjet e ditës që na tërhoqi vëmendjen cartja a patateve?

Por as me grevën vetë nuk mund të mburret hapja e një edicioni apo një gazete. LSI ka shumë të drejtë të mos lëshojë pe në luftën e saj për të mos humbur komisionerin, pra për të mos humbur votat. Po ashtu ka të drejtë të kërkojë me ngulm vendet që i takojnë në parlament, përderisa është e aftë të tërheqë drejt vetes një sërë votuesish të lëkundur, të zhgënjyer e të paduruar, që nuk kanë c’ti shtrydhin më shpresave tek PD-ja apo tek PS-ja.

Po pse me grevë?
Kjo pyetje është bërë shpesh. Edhe vërejtja ndaj mos-ezaurimit të mundësive të tjera të negocimit po ashtu. Mund të bëhej një paralelizëm interesant në kërë rast me shqyrtimin e cështjeve që marrin komitetet e konventave për të drejtat e njeriut në OKB. Para se një cështje të shkojë atje, duhet që ajo t’i ketë kaluar më parë të gjitha shkallët e gjyqësorit në vendin e paditur. Por, në raste të vecanta, këto komitete bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh, sepse marrin parasysh eksperienca të mëparshme nga vende të caktuara, ku ezaurimi i shkallëve të drejtësisë vendase nuk do të kishte qenë efektiv edhe po të ishte provuar, prandaj ata e pranojnë cështjen për shqyrtim, megjithëse me shkelje që në dorëzimin e saj.

Rasti i grevës së urisë që po bëjnë deputetët e partive të vogla të krahut të majtë nuk është aspak rast i ndryshëm. Ilir Meta dhe ndjekësit e tij vendosën të shkojnë drejt e tek hapi i fundit i këmbënguljes për të ndryshuar situatën e refromës zgjedhore, që i lë ata pa asnjë zgjidhje. Sigurisht që duhet ta bënte një hap të tillë dhe as nuk do t’i mbushej mendja njeriu që Ilir Meta do të hiqte dorë kaq shpejt nga meritat e forcës së tij politike, po përse grevë?

Po në Shqipëri dialogu është fjalë e huaj. Mirëkuptimi ka tjetër kuptim nga ai që njohim të gjithë ne (prapskenë e ka psudonimin). Toleranca ndaj pushtetit është po ashtu mish i pangrënshëm në politikën tonë. C’ngelet atëherë? Ngelet kjo forma e pezullimit të të ngrënit, ngujuar në sallën ku merren të gjitha vendimet.

Me përpjekjet e pareshtura të LSI-së për të mos i lënë ndryshimet të ndodhin poshtë tavolinave jam dakord; me zgjedhjen e tij për t’i shtuar imazhit një grevë urie që nuk duket se i shkon fort per shtat personalitetit të tij, nuk jam e sigurtë.

Po mendoja Prodin në grevë, apo David Cameroonin, apo Royalin, apo McCainin. Po fundja as me Sekerinsken nuk më ecën imagjinata e grevistit, as me Yanevin, madje as me Haradinajn jo.

Forma, përmbajtja, përmbajtja, forma. Fajin e ka kryetarja e kuvendit që bën show në parlament. E ka kryetari i qeverisë që shëtit me një Shqipëri të ndryshuar pas shpine, ku duken ca pemë të prera në sfondin e tij të gjelbër para-elektoral. Fajin e ka kryetari i opozitës, i bashkisë, i këshillit drejtues, i hallexhinjve të pashpresë, i dogmave prej puple. Fajin e kam unë, që votoj për këta sundues manipulatorë. Fajin e ke ti, që nuk voton fare. Fajin e kemi të gjithë, që na ka zënë gjumi duke pritur se mos gjërat ndryshojnë vetë. Por edhe po ndryshuan negativisht, sërish i pranojmë, përderisa nuk jemi lodhur për t’i ndryshuar.

Faj nuk ka askush. Ka vetem Ilir Meta dhe dyzina e miqve të tij të partive të vogla, që i hoqën stomakut të drejtën e ushtrimit të funskionit të tij fisnik këto tre ditë.

Nga qindra greva urie që ka pasur në Shqipëri, a është pasyqruar fundi i ndonjërës në media? Ja të shohim c’do ndodhë me këtë.

Por, përpos të tjerave, komisioneri duhet të kthehet atje ku ishte; sepse pastaj vota ime, së bashku me tënde, edhe tënden, edhe të të tërëve bashkë, shkon për llogari të atyre që iu pëlqen shëtitja nëpër Shqipëri. Po unë nuk dua më të qeverisem nga njerëz që përpiqen kaq hapur të vjedhin ligjërisht mendimin tim elektoral.

Pse s’ka një formë tjetër kjo greva? Ose të kishte formë tjetër rrjedha e mendimeve të dy kryetarëve ‘armiq”. Mbase atëherë do të kishin përfunduar vetë ata në grevë, duke thënë “nuk jemi dakord me pretendimiet e shokut Ilir. Do rrimë edhe ne në grevë deri sa të heqë dorë ai”.

Sa shpejt erdhi kjo kriza në Shqipëri. Edhe e fillloi rrugën direkt nga shtresat e larta.

Komisionerin, PD, PS, komisionerin. E jo patate Kukësi në krye të lajmeve. Sigurisht që e përditshmja është e rëndësishme për shikuesin dhe politika është bajatisur më shumë nga c’mund të mbajë. Po patatet nuk kanë nevojë për komision.
Greva nuk është e bukur, por ngelet lajmi kryesor. Patatet po i nisim për në kuvend nëse nuk ka treg shitje tjetërkund.

3 comments:

Anonymous said...

Ne ket vjeshte te poshter, ku skam qene hic ne terezi, shkrimet e tuja me jane bere si shok qe me flet e i flas lirshem per ate cka na mundon. Thanks ! Really !
Je on the top of my RSS list :P

ET said...

T_Red ?
-PO!

Një dritare për të parë atdheun.
Nudo e Krudo. Ashtu siç është.
VIZITONI T_Red në: www.këtu.:)

Rrofsh T_Red.

t_red said...

Thank ypu mor thank you to both of you. Me bete te skuqem si i thone atij llafit...po te pakten e shfryj dufin duke pare atdheun lakuriq...atdheu s'eshte dhe aq i keq ne fakt. Po c've kembe mbi te nuk i ngjan.