1.11.08

Pabesitë e qeverisjes

“Publiku po i beson gjithmonë e më pak qeverisjes së mirë e transparencës së saj. Ai beson po ashtu më pak se qeverisja e tij është demokratike, e lirë apo e orientuar nga interesat e publikut.” Keto ishin disa nga përfundimet e fundit të publikuara nga Freedom House për gjendjen e lirive dhe besueshmërisë tek qeverisja në kohët e sotme, botuar vetem pak jave me pare.

Duke lexuar studimin, Shqipëria vinte parasysh në shumicën e shqetësimeve të ngritura aty. Edhe kur emri i saj nuk ishte i pranishëm, Shqipëria dukej sikur i përkiste të gjithë paragrafëve ku flitej për humbjen e thellë të besimit tek politika, partitë e saj, tek zyrtarët apo tek qeveritarët, që gjithmonë e më shumë po shihen si shërbyes të interesave të vetvetes, duke përjashtuar hapur dhe pa asnjë përgjegjësi publikun nga priotitet dhe axhandat.

Po c’farë e con një shoqëri në humbjen drastike të besimit tek të zgjedhurit apo zyrtarët e vet?

Pas fasadës së arritjeve të rëndësishme, në rastet e sjella në këtë studim nga Larry Diamond, (njohës i mirë i politikës së sotme në botë), shfaqen disa fenomene të ngjashme në të gjitha vendet në zhvillim apo në ato post-komuniste. Në këto vende, njëlloj si edhe në Shqipëri, demokracia vihet rëndom në rrezik dhe në dyshim për shkak të formave klasike të keq-qeverisjes, abuzimeve të ndryshme, për shkak të dominimit dhe oligarkisë në nivel lokal, të burokracive pa fund e jo-kompetente që ushtrohen në emër të shtetit, për shkak të sistemit të korruptuar apo të mbikqyrur gjyqësor dhe për shkak të arrogancës populiste me të cilën abuzojnë hapur përfaqësuesit e “elitës drejtuese”. Shpesh këta drejtues shpërfillin shtetin ligjor dhe nuk shohin përtej intersit të ngushtë të vetvetes apo familjeve të tyre.

Po deri në c’pikë është në gjendje Shqipëria të zgjedhë problemet e qeverisjes në mënyrë që ajo t’i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve për liri, drejtësi, për një jetë më të mirë dhe për një shoqëri më aktive e më të përfshirë në vendimmarrje?

Rastet kanë treguar se në momentin që shoqëritë jetojnë në të ashtuquajturat demokraci që nuk arrijnë të luftojnë në mënyrë efektive krimin apo korrrupsionin, që nuk janë në gjendje të gjenerojnë rrjedhë të qëndrueshme ekonomike, që nuk gjejnë zgjidhje për pabarazitë ekonomike brenda vendit, që nuk arrijnë të krijojnë besim për liritë e votës, të fjalës, të shpresësh për ndryshime pozitive etj, atëherë publiku e humb lehtë besimin, duke e bërë veten pre të detyruar që qoftë edhe pa ndërgjegjie të plotë, të besojë tek alternativat autoritare.

Dëshira për të mbajtur nën kontroll të gjitha llojet e pushteteve, ngadalësia në zbatimin e reformave, apatia në hartimin e strategjive, manipulimi i pamëshirshëm i publikut dhe reklamat populsite për vetveten, e ka bërë përfaqësinë e elitës politike të të gjitha kahëve në Shqipëri të duket thjesht e rrezikshme për të tashmen dhe për të ardhmen e vendit.

Në vend që t’i hapin rrugë njëri-tjetrit e të zhdukin nga qarkullimi opozitën si nocion, qeverisësit e sotëm dhe të nesërm duhet të mbajnë parasysh detyrën e tyre për të dëgjuar zërin e qytetarëve,e jo të shkojnë për monologje nën emra dialogësh, apo akoma më keq, të promovojnë një anëtarësim që nuk ka të bëjë fare me pjesëmarrjen e qytetarëve në proces.

Kërkesat e qytetarëve kanë nevojë për adresim dhe reagim. A po ndodh kjo në Shqipëri? Po të ndodhte, atëherë në disa pika, qeveria jonë e tanishme apo e ardhshme do të kishte mundësi të shkëlqente në disa pika; 1) Sheti do të kishte kapacitet të funksionontë në shërbim të qytetarëve, por kjo nuk mund të arrihet pa staf të trajnuar dhe profesional në shërbimet civile. 2) Përkushtimi ndaj interesit të publikut, që duhet rregulluar nga institucionet që shpërblejnë sjelljen jo-publike dhe dënojnë shpërdorimin e besimit të tij. 3) Transparencë dhe përgjegjësi që shteti duhet të tregojë përballë aktorëve dhe institucioneve monitoruese, qofshin këto publike, private apo përfaqësuese të shoqërisë civile. 4) Shteti i së drejtës , që mundëson qeverisjen e pavarur, efektive, me treg të mirë-funskionueshëm ekonomik, me pavarësi dhe pa-anshmëri të pushteteve, me ndikim të kufizuar ne jetën politike, sociale, ekonomike, etj. 5) Pjesëmarrje dhe dialog nëpërmjet kanaleve institucionale që ta lejojnë publikun të ketë fjalën e tij në proceset e vendimmarrjes( si p.sh në rastin e Petroliferës) dhe të promovojë gjithë-përfshirjen sociale. 6) Kapitali shoqëror, në formën e mjeteve sociale që përfaqësohet nga grupe njerëzish të cilët i bashkon besimi, përkushtmi i ndërsjelltë dhe bashkëpunimi për qëllime të njëjta.

Kapitali shoqëror hap rrugë për investime dhe është ushqimi kryesor për qytetarinë, pjesëmarrjen dhe respektin ndaj ligjit., që është edhe pika kyce e zhvillimit të qeverisjes së mirë. Po përse në Shqipëri është kaq e vështirë të kuptohet e gjitha kjo?

Për sa kohë pushteti politik do të shpërblehet mes duarsh që shtrëngohen prapaskenave e lufta për gjithë-përfshirjen e qytetarëve dhe ndryshim të kërkuar do ngelet aty, nuk ka gjasa të ketë rrugëdalje në horizont.

Qeverisja e demokarcive në zhvillim është vetë zoti dhe vetë shkopi i veprimeve të saj. Prandaj ështe e pabesë. Kaq e pabesë!

3 comments:

Julius said...

I drejtë vëzhgimi t_red. Madje të njëjtën gjë po vëreja këtej sipas postulatit "nga Selaniku e përpjetë" po përtoja të shkruja shkrim. :D
E meqë edhe tani përtoj për më gjerë... po të jap urimet edhe njëherë, and I'll be back.

edrus said...

Nuk po zgjatem, por më tërhoqi vëmëndjen pika 6 (Kapitali shoqëror, në formën e mjeteve sociale që përfaqësohet nga grupe njerëzish të cilët i bashkon besimi, përkushtmi i ndërsjelltë dhe bashkëpunimi për qëllime të njëjta.)

Për sa kohë që grupimet e vetme që kanë monopolin politik në Shqipëri të ndahen vetëm në komuniste dhe antikomuniste, dhe aq më keq, insistimi për t'i mbajtur të tilla (kuptohet, për qëllime poltronash dhe jo politike të mirëfillta) asnjëherë nuk do të kemi ato "grupime të mirfillta" që kanë për emrues të përbashkët "qëllimet e njëjta".
Mentaliteti ynë është shumë më i emancipuar se ai i politikës... p.sh: unë si komunist nuk do ta kisha fare problem që të rrija dhe diskutoja me një kulake si MoZa, qoftë sikur përpara të kishim vetëm një kafe apo një drekë, por nëse në privat dhe jashtë strukturës shtetërore egzistojnë të tilla mardhënie, nën kupolën e ideollogjizuar me partitizëm të sëmurë, do të ishte konsideruar herezi që të shikoje dy persona me bindje jotë njëjta, që mund të bashkpunojnë.

Anonymous said...

Për sa kohë pushteti politik do të shpërblehet mes duarsh që shtrëngohen prapaskenave e lufta për gjithë-përfshirjen e qytetarëve dhe ndryshim të kërkuar do ngelet aty, nuk ka gjasa të ketë rrugëdalje në horizont.

Qeverisja e demokarcive në zhvillim është vetë zoti dhe vetë shkopi i veprimeve të saj. Prandaj ështe e pabesë. Kaq e pabesë!


...DERI PROFETIKE,KJO PJESE T_RED!!!!