1.8.08

Stop dhunës ndaj grave

Revolta numer 2

Tre femra ishin viktima të dhunës ose të vrasjes brenda kësaj jave. Fatkeqësitë në emër të marrëzisë duket se nuk kanë fund në Shqipëri.

Pas vulave të zeza që solli në tetë vjet martesë nga Librazhdi një 24 vjevare, dy të tjera u bënë pre e cmendurisë së xhelozisë dhe pamendësisë mashkullore. Një bashkëshorte Pogradecare u vra në burg dhe një tjetër nga Skrapari u vra në mes të ditës me diell mu në kryeqytetin shqiptar, pranë një stacioni autobuzi.

Dhuna fizike ndaj gruas së parë është rast i përsëritur, refren që tingëllon shëmtuar sa herë që dëgjohet. Kurse vrasjet e dyfishta brenda tre ditësh ishin jo vetëm reflektim i mendësisë patriarkale mashkullore, por edhe ndikim i papërgjegjshëm i transmetimit të këtyre lajmeve sikur ato të jenë ngjarjet e mezipritura në publik.

Dhuna ndaj femrave mori përmasa të frikshme publike këtë javë. Në vend që të shohim përmirësim në respektmin e të drejtave ndaj grave, cuditërisht po ndodh e kundërta. Po ndodh hapur. Dhe po ndodh në mënyrë të përsëritur.

Nëse faji më i madh bie sigurisht mbi agresorët, një ushqim negativ dhe i pafalshëm për ta vjen nga media.Teksa gazetat e djeshme e emërtonin rastin fatkeq të vrasjes në burgun e Peqinit si “vrasje shekspiriane”, për policin e Komisariatit numër dy, e shtëna me armë mbi gruan me të cilën bashkëjetonte është dukur edhe më e lehtë, shtyrë nga notat letrare dhe zbukurimet që lexohen për të tilla ngjarje në media.

Nga ana tjetër, numri i madh i shoqatave që kanë përsipër të mbrojnë e të promovojnë mbrojtjen e të drejtave të grave, duket sikur e kanë marrë pak lehtë Korrikun e Gushtin bashkë, e as që po kujtohen të bëjnë dicka publikisht. Edhe ato po në mënyrë shekspiriane mund të promovojnë dashurinë njerëzore pa qenë nevoja të zënë në gojë aktet fatale, që duket sikur janë plot barut e të gatshme për të shpërthyer në cdo moment.

Dhuna ndaj grave është fenomen tipik i shoqërive në tranzicion. Por më tepër se kaq, në Shqipëri ajo shoqërohet edhe me një shoqëri në krizë të plotë identiteti. Nga njëra anë xhelozia ka dalë së tepërmi në modë kohët e fundit. Nga ana tjetër, forca e zakonit ngre krye mbi njerëzit e gjinisë mashkullore në Shqipëri, duke i bërë ata ndjekës të cuditshëm të ligjeve të shkruara e të pashkruara në mendësinë për trajtimin e femrës.

Femra vazhdon të shihet si pronë, si objekt, si frymore që i ka dhënë zoti gjininë për të qenë vetëm e atillë. Femrat vazhdojnë të vuajnë diskiminimin njerëzor, intelektual, inferioritetin shtetëror, shtëpiak, shoqëror, politik. Ato vazhdojnë të jenë të përfaqësuara vetëm në profesionet e lehta,teksa në krahun tjetër vazhdojnë të bëjnë punët më të rënda. Në shtëpi, në redaksi, në depratament. Drejtuesit janë të gjithë meshkuj. Vendosësit janë të gjithë meshkuj. Ose femra të kthyera në të tillë mendërisht.

Edhe për jetën e femrave vendosin po meshkujt. Për tre të tilla, ata vendosën keto ditë. Dy vdiqën, njëra nuk e di c’e pret nesër, me fëmijën larg dhe pa asnjë të ardhme të sigurtë në një shtet ku siguria e jetës është disa shkallë më poshtë sesa forca e zakonit, opinioni i përqarkut dhe neglizhimi i masës.

Dhuna ndaj femrës po bërtet përditë me zërin më të lartë që ka. Askush nuk e dëgjon. As femra që kemi vënë në krye të ligj-vënësit.Nuk po e bën cështje më vete dhunën dhe diskriminimin ndaj gjinisë së saj. Të nxisë nisma në mbrojtje të tyre dhe ndëshkime për dhunuesit e të drejtave.

As shoqatat e grave nuk po e ngrenë zërin. Mbase po përpiqen. Por 24 vjecarja në Librazhd nuk e ka dëgjuar thirrjen e tyre. Zhurma duhet të shkojë cep me dep, aty ku shkojnë valët e TVSH-së, aty ku shkon cdo e përditshme shqiptare.

Publiku mashkullor duhet sensibilizuar, jo nxitur për dhunën ndaj grave. Hartimet letrare me vdekjet shekspiriane vetëm sa e bëjnë më të lehtë idenë e tyre vrastare, dhunuese apo diskriminuese. Duhen shkruar artikuj të tërë, gjithandej në media, ku të tregohen masat ndëshkuese ndaj dhunës.

Por mbi të gjitha, duhen sensibilizuar si femrat,ashtu edhe meshkujt, se e drejta e jetës, e drejta për të mos u rrahur, torturuar apo denigruar, janë të drejta themelore të të gjithë njerëzve, pa dallim gjinie, race, feje apo kombësie. Askush nuk ka të drejtë të marrë jetën e dikujt. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë mbi askënd.

Disa të drejta janë vendosur, mbrohen dhe sigurohen më ligj. Shkelësit e tyre, në mos vetë-ndëshkohen, do të bien patjetër nën fhsikullimën e ligjit.

Ja këto duhen promovuar; së bashku me numrat e telefonit ku këto viktima mund të drejtohen për ndihmë. Këtu munda ta nisim më disa prej këtyre numrave telefoni, ku gratë e dhunuara mund të kërkojnë ndihmë:

Shoqata në dobi të gruas: 04 2223 001 ; Nisma për të drejtat e grave: 04 222 56296; Qendra e Këshillimit për gra dhe vajza: 04 22 33 409; Qendra për nisma ligjore qytetare; 04 2259 795; Shoqata për gratë dhe fëmijët: 04 2352 830; Qendra shqiptare për të drejtat e njeriut; 04 2271 875.

Jo dhunës. Jo dhunës sot e përgjithmonë!

7 comments:

belle_fleur said...

T_red, te pergezoj dhe te falenderoj per kete shkrim.

Nese eshte e mundur, a mund ta postoj kete shkrim tek Fbook, sepse eshte hapur edhe atje nje grup ku suportohet kjo ide. Me pelqen se ketu jane disa numra telefoni qe mund t'i vine ne ndihme femrave.

t_red said...

Sure belle.

Vendose patjeter. Mund te jap edhe te tjere numra.

Po ta nis vete ne fb

edrus said...

T_red, që në fillim do të të lutem:mos më keqkupto, por desha të thoja që, shembujt e vrasjeve që përmëndni... nuk janë "dhunë".
Ndoshta janë shprehja më e lartë e paburrërisë dhe e pasigurisë së atyre "burrave" (dhe uroj e shpresoj që jo të jenë të paktë, por as të mos egzistojnë), por ndoshta janë dhe si rrjedhojë e një feminilizmi të kaluar përtej kufinjve të përcaktuar jo vetëm nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, por edhe në shoqëritë mjaft më të emancipuara botërore.
Natyrisht, jetën dhe vdekjen e një personi nuk pranoj që ta lejojë apo ta "heqë" një person tjetër, por nëse bëhet fjalë për "mentalitet të mykur" nga ana e burrave/meshkujve... jo aq pa gjë janë edhe femrat... që duke kujtuar se "emancipim" do të thotë të marrësh dhe imitosh ÇDO liri/trasgresion të femrave të tjera nëpër botë, harrojnë ato vlera të femrës dhe rolin e saj në shoqëri dhe familje.

t_red said...

Dakord, Ed. Sigurisht qe nuk mund te gabohet ne dallimin "vrasje" dhe "dhune".

Ngjarjet e kesaj jave thjesht me dhane shtysen te reagoj ndaj ketij fenomeni qe edhe profesionalisht kam disa detyrime.

Nuk jam feministe, jo. Kurre! Por sepse kam alergji te madhe ndaj kapadaillekut qe verdalliset ne keto ane, natyrshem, pa asnje vetedije, per klasifikimin e gjinive dhe te drejtave mbi to.

edrus said...

E keqja është se, tek ne u bë një tranzicion i bërë VETËM në emër të sigurimit të lirive të personit dhe duke këmbëngulur tek Mrekullia e pronës Private.
Kështu... ndonjë grua imiton gratë e tjera që kanë parë shumë telenovela dhe pretendon që të jetë po aq e Lirë...
Natyrisht që nuk do skandalizohesha po të të shikoja TY (ose shumë të tjera)me flokë ngjyrë bizele/gurkali, me një kanatjere monospalla e me një minifund pak më të gjatë se gjërësia e rripit... sepse jam i bindur që kjo do të ishte vetëm një formë e të qënit ndryshe, diçka që ka të bëjë thjesht me shijet tuaja personale dhe s'do ta konsideroja aspak si "armë" të përdorur prej teje për të "ndjellë" nga pas një tufë me burra....
E keqja është se, mentaliteti dhe kultura jote dhe e shoqeve të tua nuk është ajo që përfaqëson nivelin kulturor të shumicës, dhe kjo "shumicë" kujton se, nëse do vishet si ti, automatikisht është e autorizuar të përdorë ç'do "armë" për të fituar edhe statusin e lumturisë tënde (që natyrisht besoj se e ke arritur me atë ç'ka ke studiuar/me ç'të kanë edukuar (të tutë)/me eksperiencën e atyre që ke parë personalisht (o në filma)).
Jo pa qëllim përdora dhe trumbetimin për "sakralitetin" e pronës private... natyrisht, të keqkuptuar dhe të keqpërdorur me vetëdije nga ata meshkuj që akoma përdorin të ngrenë dorë ndaj femrës.
E bëra bozë më duket... por nuk mund të ngelesh indiferent kur argumente të tilla ngrihen me kaq vendosmëri prej teje, dhe shpresoj që një ditë të gjithë të arrijnë të gjejnë një ekuilibër të lirive/vlerave (vlera që kujtonim se mungesa e lirisë fetare i kishte lënë të sakatuara... por edhe ky është një tjetër tast i dhimbshëm që më mirë të mos ta prekim)

Julius said...

T_red, për mendimin tim është e kotë; sado masa të merren fara është hedhur, ka zënë rrënjë dhe tani korrim frutet. Që nuk janë gjë tjetër veç egjër. Nuk ia ndryshon dot mendjen këtij brezi. Kanë firasur që kur është marrë edukata në familje. Tani ngelet të rregjistrohet numri i viktimave, këtë po bëjnë dhe gazetarët delirantë.

Nëse ka gjë që mund të bëhet është te edukimi i brezi të ri.

Nga ana tjetër largësia e identitetit aktual të shoqërisë me mesazhet që kjo shoqëri merr nga jashtë është shumë e madhe. Edhe kjo ndikon në shfaqjet ekstreme si ato më sipër.
Këto 18 vjet tranzicion, një të mirë nuk e bëri asnjë pushtetrar në këtë pikë :(.

edrus said...

http://midisnesh.wordpress.com/2008/08/02/mkgkunder-dhunes-bashkshortore/

"Tutto il mondo e paese" thonë këtej nga lagjja ime, dhe ato statistikat që jepen tek ajo lidhja e mësipërme janë pakashumë të njëjta me ato italjanet (gati 50% e krimeve nuk vijnë as nga mafja dhe as nga ekstrakomunitarët, por... në familje.