1.8.08

Mjekesisht i refuzuar (versioni revoltues)

Një nënë e re doli krahë-bosh nga materniteti i Tiranës këtë javë. Ishte fëmija i saj i parë. Ishte kontakti i saj i parë me humbjen. Ishte kontakti i saj i parë me neglizhencën e pafytyrë, me shtyrjen e veprimeve në emër të parasë, në emër të kryeneçësisë fodulle të mjekëve tanë. Me mungesën totale të përgjegjësisë të njerëzve në duart e të cilëve vendosim jetën përditë.

Pati edhe ngjarje të tjera këtë javë; një grua rrihet harbutërisht nga bashkëshorti; një tjetër vritet prej tij nga xhelozia. Të tjera vuajnë kush e di se sa me fjalët nën gjuhë.
Pati edhe zhvillime politike, ndërrime në qeveri, surpriza në Kashar, delire në Tiranë, zhgënjime në Tiranë. Por asgjë nuk i ngjante vdekjes së një jete të panisur.

Nëna e re shkoi në spital në gjendje të mirë shëndetësore. Fëmija po ashtu. Edhe portofoli i babait të ri sigurisht që ishte plot. Por mjekët u ndjenë shumë të sigurt se ndërhyrja e tyre nuk ishte e nevojshme. As në fillim, as në fund të dhimbjeve që shkulën nga barku një jetë të humbur për pakujdesitë ç’njerëzore të mjekëve që vetëm bluzat kanë të bardha.

Nuk është irrituese kjo ndodhi. Është shokuese, tronditëse. Është shqetësuese, për të vënë duart në kokë, në zemër e në kuletë me këmbët drejt agjencisë më të parë të udhëtimeve që mund të të shohin sytë. Përgjegjësia zero. Humanizmi zero. Sytë e mjekëve shohin egër, shohin me shpërfillje, me inat, me mllef, me përçmim.

Si në çdo cep të jetës rastësore që shëtit në Shqipëri, edhe mjekët shohin me vështrimin “Unë jam Zoti. Mos të ta dëgjoj zërin”. Dhe nuk ia dëgjuan zërin lutës vajzës së re, që pas kaq vitesh, priste me padurim krijesën që kishte përkëdhelur në bark për nëntë muaj të tërë. Muaj ëndrrash, shpresash, dëshirash...të flakura klinikisht nga c’profsionalizmi i tërbuar mjekësor në Shqipëri.

Statistikat thonë se në të gjithë botën, përfundimi i pasuksesshëm i shtatzënisë në kurriz të nënës apo të fëmijës ndodh në mbi 90% të rasteve për keq-menaxhim të procesit të lindjes nga personeli mjekësor.

Në rastin e vajzës së re tiranase shkaku ishte vetëm ai; fudullëku i mjekëve në procesin e panumërt për ta, por të parin dhe më të rëndësishmin në jetën e kësaj nëne të mohuar.
Rasti nuk është aspak i izoluar. As nuk duket se ka gjasa të synohet për ta kthyer në të tillë.

A do të ndryshojë gjë në mjekësi, përveç personit që do të ulet në krye të saj? Është dhimbshëm e pamundur për t’u besuar. Vetëm tre ditë pas arrestimit të një mjeku urolog për mitmarrje, teksa media dhe opinioni akoma nuk e kishin marrë veten nga jehona përcjellëse e lajmit, tre herë pashë të nxirreshin kuletat nga xhepi për vizita në një ambient shëndetësor publik. Asnjë mjek nuk kërkonte para. Po as një minutë përqendrim nuk kishte mbi pacientët, nëse nuk bëhej lëvizja për ta ndryshuar situatën.
Po edhe në mos qoftë korrupsioni, nuk është fare paraja ajo që klinikisht po i përjashton jetët e shqiptarëve; është përgjegjësia, humanizmi, përpjekja e vëmendshme, komunikimi, dashuria e munguar në ushtrimin e profesionit të tyre.

E sëmurë tjetërkund fillimisht më mësuan ta njoh sëmundjen, pastaj ta luftoj atë. Shtatzënë në Tiranë, të thonë të pushosh, se “e dinë ata” ç’farë po bëjnë me shëndetin tënd dhe me jetën e pa nisur të një vocërraku fatkeq që i ra për pjesë të ngjizet e të shuhet në Shqipëri.

Kur mania e protagonzimit, shpërfilljes, mungesa totale e përgjegjësisë, morali dhe humanizmi kanë bërë dalje edhe nga mjekësia, ç’mund të pretendojmë për pazaret lart e poshtë tavolinave politike?

Askush nuk e mori vesh se një vajze të re mjekët i shkatërruan ëndrrën, s’i dhanë fëmijën, i dhunuan jetën. Kjo nuk përbën lajm. As fenomeni që vërtitet rreth tij jo. Por rreziku i hapur që na pret në dyert e çdo spitali, pas duarve të pangopura e fytyrave jo-miqësore e të padepërtueshme të shumë bluzë-bardhëve, përbën lajm, shqetësim e burim hetimi që ç’ke me të.

Po ç’ligj mund ta kthejë në jetë një fëmijë që po lindte normalisht e nuk e pati pakëz ndihmë në momentin që e kërkoi atë? Ç’hetim mund të gjente arsyet e c’humanizmit të babëzitur që është ulur këmbëkryq ambienteve shëndetësore? Ç’ndëshkim mund ta risillte në jetë njerëzillëkun?

Sa frikë. Sa turp. Ç’mallkim të jetosh kur mjekësisht je i pashpresë. Ç’mallkim!

31 Korrik 2008

1 comment:

belle_fleur said...

I'm tearing up inside and outside as i read such things that happen in "proud albania". I am sick in the stomach when i hear that the stories keep repeating every day for the past 20 years. Nothing has changed and nothing will change!

My father would be dead today if it weren't for my relatives that knew doctors in Tirana. The medical crew in Vlora would not give permission to let him go to be cured somewhere else. Its revolting and shocking when I think that the lives of people go for "dhjame qeni".