18.8.08

Miqtë e gjëmes gjeorgjiane

Pas shumë ditësh këmbëngulje në e-mail, më në fund mora sot një përgjigje pozitive nga Znj. Jeashvilli. Kemi mbajtur kontakte të rregullta që prej periudhës sonë studentore dhe pas kthimit në Tbilisi e në Tiranë, informonim njëra-tjetrën për përditshmëritë mëmëdhetare. Deri në momentin që predhat ruse shuan mijëra jetë njerëzish në Tbilisi, e njohura ime gjeorgjiane nuk kishte përmendur asnjëherë ndonjë frikë apo rrezik për atë që ndodhi.

Teksa prisja lajme për të mësuar nëse ajo dhe vajza tre vjeçare ishin akoma gjallë, më kujtohej e qeshura e saj e fshehur nën buzë kur detyrohej të fliste rusisht me ndonjë student tjetër të vendeve kaukaze. “Të më dëgjojë ndonjë gjeorgjian që unë flas rusisht, më urren për vdekje”-thoshte. Nga ana tjetër, njëlloj si edhe gjeorgjianët e tjerë që njoha më vonë, ajo fliste jo vetëm mirë, por edhe me pasion një anglishte me theks amerikan, që shprehte në çdo qelizë sigurinë dhe mirënjohjen për “vendim mik dhe të fuqishëm që na mban shumë afër”; Shtetet e Bashkuara. Miqtë e mëdhenj të gjeorgjianëve. Ata që me forcë e përsëritën dëshirën për ta ftuar Gjeorgjinë së bashku me Ukrainën në NATO që në samitin e tyre të ardhshëm. Ata që i kanë dhënë çmim qeverisë së Tbilisit si “më e mira mbështetje që mund të gjejnë amerikanët në Kaukaz”.

Të njëjtët amerikanë që mbështesin revolucionet ngjyra-ngjyra në rrethinat e Rusisë dhe bëjnë sikur nuk dinë për ç’farë flitet kur përballë iu del bluja pa asnjë jetë e syve të Putinit.

Gjeorgjia ra pre e dashurisë së madhe për mbështetësen e saj teorike. Ra pre e besimit të rremë që kishte krijuar a i kishin falur për ca pritshmëri që fatkeqësisht u shkatërruan në mënyrën më tragjikë të mundshme. As dërgimi i 2 mijë trupave në Irak, as amerikanizimi i popullsisë, as politika e hapur përjashtuese ndaj Rusisë për kënaqësinë e miqve të mirë amerikanë, as lobistët e mëdhenj dhe pagat e tyre në majme në Washington nuk mjaftuan që Gjeorgjia të kishte qoftë edhe një ndihmë të vockël konkrete nga SHBA. Qëndrimi i tyre ishte i njëjtë me atë të Francës, Gjermanisë apo edhe Andorrës, që detyra iu kërkon të dënojnë publikisht sulmet nga kushdo dhe ndaj kujtdo.

Por Gjeorgjia amerikane u la zbuluar. Dhe Amerika as që e di këtë, thjesht sepse nuk duket ta ketë parë ndonjëherë veten mbulojë të ndonjë vendi, veçanërisht nëse ai ndodh të jetë bahçe apo kopsht imagjinar i Rusisë.

C’e bëri Gjerogjinë të mendojë se Amerika do merrte armët për ta mbrojtur? Jo vetëm që mercenarët e saj saj shumë të zënë në Irak e Afganistan, por edhe sikur të mos ishin, amerikanët nuk do ta merrnin kurrë përsipër t’i hapnin punë vetes duke vënë në provë Rusinë e sekreteve të mëdha dhe arsenaleve bërthamore.

Por Gjeorgjia e hëngri atë kokërr të shijshme ulliri të besimit të verbër dhe u ngul keq në Osetinë Jugore. E mes armëpushimeve të rreme e situatave fare të pakuptueshme, presidenti Saakshvili dëgjon miqtë tij të mirë amerikanë t’u japin premtime boshe gjeorgjianëve e kërcënime po kaq boshe rusëve.

Situata është dramatike për mikeshën time Tea dhe vajzën e saj tre vjeçare, ashtu si për të gjithë gjeorgjianët që ranë pre e këtyre politikave falso.

Rusia vazhdon të thotë se do të tërhiqet nga Osetia kur Gjeorgjia të ketë marrë dënimin e merituar. Dënimi sigurisht shkon për njerëzit e thjeshtë në Tbilisi, sepse hartuesit e politikave, zbatuesit e tyre dhe aspiruesit për të kontrolluar bërjen dhe zbatimin, si zakonisht nuk ka për t’iu prekur asnjë fije floku.

Më erdhi mirë që e njohura ime është ende mirë, së bashku me fëmijën e saj që e njohu luftën kaq herët, edhe pse ka lindur në shekullin e 21-të.

Bashkë me e-mailin e saj dhe lajmet nga Pekini për fitim medaljesh të tëra ari nga sportistët amerikanë, shpejt e pa ftuar shëtisin në memorien time pritja prej profeti e James Bakerit në 1991-in në Tiranë, entuziazmi i madh shqiptar në Qershor 2007, ora “e humbur” e Bushit në Fushë-Krujë, festimet e pakuptimta për ftesat fillestare për në një organizatë ushtarake, pritja e stërgjatë kosovare për një mëvetësi të monitoruar...dhe sërish buzëqeshja engjëllore e vajzës tre vjeçare që mikesha ime gjeorgjiane mban në portofol. Në të ka dollarë. Në sytë e gjeorgjianëve ka siguri të shuar dhe shpresë për një miqësi që nuk mund të punojë me ujë.

t_red

4 comments:

Julius said...

Bukur t_red. :)
Më pëlqen. Çdo luani me miun bashkë?
Për këtë punë do duhet të mendohen thellë politikanët tanë, po jam shumë pesimist nëse do e bëjnë. Shumë shumë pesimist. Këtu ka një mal me gjëra për tu thënë, po më duket të thënat do shkojnë dëm se nuk do venë asnjëherë në veshin e duhur.

Çoje në det këtë artikull. :)

Julius said...

I zhgënjyer nga deti T-red.
Nuk arrij dot ta kuptoj se kur do e kuptojnë njerëzit që ne shqiptarët kemi tashmë afërsisht rreth 100 vjet një shtet të pavarur? Më duket se e kujtojnë sa herë bëhet përvjetori. Dhe e keqja është në të gjitha ideologjitë. Edhe kombëtaristët e tmerrshëm nuk i shpëtojnë dot lyerjes së gishtit pak në madhështinë hitleriane dhe bukurinë e shtetit etnik shqiptar.
Paaftësi e tmerrshme për të MENDUAR në mënyrë të pavarur, le më për të vepruar.
A thua është çështje inercie? Apo gjendje globalizmi?
Nuk e di nqse ti ke dashur këtë paralelizim që ofroj unë me temën në fjalë, po ky problem po më shqetëson jashtë mase kohët e fundit. I jemi drejtuar një fataliteti të tmerrshëm gërryes.

Shqiptarët kanë nevojë t'i stërvisë ca Kanti në futbollin gjeopolitik me moton "think for urself, think for ur country"
Të përshëndes.

t_red said...

Lexoj me shpresen qe vdes po aq here sa e perseris qendrimin e gjithkujt qe mund te kishte pasur ne dore perhapjen thirrjes se Kantit ne Shqiperine e pas 1912-es.

Shuemkush mendoi per vete pasi e pa se te mendoje per vatanin nuk ishte pune me bereqet. A s'perfunduan keshtu Noli, Konica, Frasheri, Merxhani, Koliqi e edhe vete Zogu?

Pastaj varesia e mendimit u be vendallie, gjirokastrite, nga ku na shpiken njeriun e ri per 5 dekada.

Pastaj mendimet na vinin kallep andej nga i vijne sot Gjeorgjise.

Une e shoh fajin tek pa-aftesia kolektive per reagim, Jul, por mbase na e kane hequr ate nerv, edhe pershtatetmi me cdo varesi apo dashuri te re mendimi. Ketu perfshihet edhe Globalizmi (per te cilin aman, le ta leme per nje teme tjeter, se nuk mjaftohet dot me nje xhep).

P.s. Deti i panotueshem do bohet kur nuk arrin t'i trese ca germa andej nga fundi i alfabetit. :)

Julius said...

Shqiptarët e imagjinojnë veten perandori...por e huaj.
E shpreh në një vend Kadare te "viti i mbrapshtë". E ke lexu gjë?
Për globalizmin hap temë dhe gati jam unë. :)

për ps. po të dërgoj mail më mirë.