22.5.09

Please mind your female expectations

“Opinion” është bërë tashmë arena e testimeve. Nuk ka më mirë, sepse të jep mundësinë të shohësh, shijosh, parashikosh, përmbysësh e risjellësh parashikime dhe pritshmëri me shumicë.

Mbrëmë në panel gjashtë femra. Të gjitha kandidate për deputete. Të gjitha të bindura se individualisht vlenin shumë më tepër se pesë të tjerat vërdallë; e akoma më të bindura se partia që ato përfaqësojnë, është fituesja e padiskutueshme e 28 Qershorit.

Madje për këtë të dytën ishin shumë më të bindura edhe se për aftësitë e tyre debatuese. Jo të gjashta, në fakt.

Fevziu kishte vënë embargo pallavrash. Tre minuta në dispozicion të ligjëratës për secilën. E në 10 minutat e para u tremba. Monika Kryemadhi, Mesila Doda, Albana Vokshi, Shegush Ligori, Olta Xhacka dhe një e PR-së (që s’do jua mësoj dot emrat kurrë. Në fakt unë kam idenë se PR do të thotë Fatmir Mediu edhe pas Gërdecit, po nejse).

Pra, tre minuta për secilën. Aq po flisnin vërtet. Madje edhe më pak e më saktë sesa aq. Fevziu u tremb bashkë më mua këndej ekranit. Mirësjellja dhe e folura me radhë, përveçse e pazakontë, ishte dhe e frikshme. Dukej sikur të gjashta kishin ngrirë në karriget ngjyrë kremi të Opinionit.

“Ej, po po të doni ju, e heq atë tre minutëshin unë, vetëm bëni pak debat, aman, se më iku emisioni për peshk. Jepini pak ngjyrë debatit, se s’ka lezet”.

Kaq deshi Mesila me Albanën.

“Unë kandidoj në zonën e Fierit, sepse është një hambar i vërtetë në Shqipëri. Asnjëherë Partia Socialiste nuk i ka ndihmuar ata fermerë të shkretë, që mezi presin të votojnë për mua, sepse do t’iu zgjidh hallet një për një. Madje më të thjeshtë do ta kenë, sepse ata bujq e fermerë sot janë në NATO, janë kandidatë për të hyrë në BE, janë të lumtur që miqtë, të afërmit dhe komshinjtë e tyre infermierë apo mësues kanë pasur rritje page. Ata jetojnë nën qeverisjen e një njeriu që do t’iu mundësojë të shkojnë në Kosove brenda dy orësh, që komunikon drejtpërdrejt me ta, që jua ka bërë jetën shumë më të lehtë sesa e kishin ëndërruar ndonjëherë. Kurse ju, ju e çuat fshatin në kapitalizëm. Jeni njerëz pa vizion, pa program, të dështuar, ja çfarë jeni”.

“Më fal zoti Fevziu, unë jam kandidate e Partisë Socialiste në Elbasan, jam juriste, jam bijë në atë zonë. Jam krenare që jam nga Elbasani. Është hera e parë që unë jam tek ju. Por Partia Socialiste është partia e fitores. Dhe unë si juriste do t’i qëndroj pranë halleve të atyre njerëzve. Se Partia Socialiste ka vizion të qartë....
....po, po, atë po them. Ja sa ta mbaroj. Mirë, mirë, ja të mbarojë Albana në mos...”

“Unë jam Albana Vokshi. Kandidoj për Partinë e Reformave, për partinë e NATOS, për partinë e BE-së, për partinë e zhvillimit, të rrugëve, për partinë që do më çojë në Kosovën e origjinës, për partinë që e duan të gjithë ndërkombëtarët, për partinë demokratike, që është e vetmja parti me integritet”

“Albana, ç’do të thotë integritet”?

“Unë zonja Olta kam ardhur këtu të shpalos besimin tim të patundur se Partia Demokratike nuk është parti e ndërtimeve apo e dështimeve si partia jua. Partia Demokratike e ka futur këtë vend në NATO...dhe...dhe....dhe....”

“O Albana, Shqipërinë në NATO nuk e ka futur Partia Demokratike. Anëtarësimi në NATO kalon nëpër disa procedura që kanë filluar që në vitin 2000, ka pasur hapa dhe takime pa fund, e një ditë anëtarësimi do të ndodhte. Juve ju ra fati që të ishte në mandatin tuaj, kaq, por kjo nuk është aspak merite e partisë suaj. Ndonjë gjë për Durrësin do bësh ti? Apo do vazhdojmë të flasim për PD-në, ë Blendi?”

“Jo, zonja Kryemadhi, ja do kthehem edhe tek ju. Zonja Xhacka?”

“Albana, nuk na e tregove ç’do të thotë integritet...Megjithatë, po të them se ky popull është lodhur nga fjalët e veprat që ju as vetë nuk i kuptoni. Ju zonjë keni dështuar në mbajtjen e premtimit tuaj për të rritur shpenzimet për arsimin, që akoma zënë 3.4 % të GDP-së, dhe kjo është tre herë me e ulët se mesatarja e rajonit. Nëse flisni për rritje rrogash, lini mënjanë e nuk përmendni rritjen e çmimeve, të taksave, të papunësisë, të vështirësisë së integrimit brenda vendit, e jo më jashtë tij. Nejse, disa gjëra fillimisht duhen kuptuar, para se të marrësh mundimin të flasësh për to...”

“Avash një herë ti Olta, avash. Cilin arsim thua ti? Ne kemi ndërtuar 7 mijë e pesëqind e trembëdhjetë shkolla, kurse ju keni shembur pesë mijë e dyqind kopshte e hapësira publike për të ndërtuar pallate. Ne nuk flasim më për shkolla. Ne e kemi synimin aq larg sa juve nuk ju shkon as mendja. Ne flasim për internet moj, internet në çdo shkollë, në çdo shtëpi, në çdo kopsht, në çdo çerdhe. Ku të thojë kryeministri, atje do vejë interneti. Ja kështu!”

“Më falni, më falni...Unë për vete, unëëëëë.....Ok, Faleminderit. Unë jam kandidate për Partinë më të qëndrueshme dhe më të vërtetë në Shqipëri që nga viti 1991. Kjo është Partia Republikane, dhe unë jam tërësisht e nderuar që do iu jap shansin të gjithë Alidemsave të votojnë për mua. Shyqyr që kanë edhe ata një alternative të mirë. Se unë alidemse jam vetë, dhe Partia ime e don fort Ali Demin. Shumë fort”

“Bravo ju qoftë. Erdhën tre minutat e mia Blendi? Rrofsh. Ta filloj me Albanën. LSI mendon se vërtet Partia Demokratike ka bërë disa investime që nuk duhen mohuar, por rruga Durrës-Kukës nuk është i vetmi hall i shqiptarëve. Kandidatura që keni vënë ju është e pavlerë, sepse ty në Durrës nuk të njeh njeri si shpëtimtare apo si hall-zgjidhëse. Shqiptarët akoma besojnë se deputeti është personi të cilit ata duhet t’i drejtohen për ndihmë që nga çështjet politike, deri tek hallet që kanë për ujin e vaditjes apo mungesën e dritave. Pra, kandidati duhet të ketë lidhje të ngushtë me zonën ku kërkon votat.

Njëlloj është konstatimi edhe për zonjën Doda.

Kurse Shegushit dhe Oltës do i thoja se Partia Socialiste është po aq fajtore dhe dështake sa Partia Demokratike, sepse ajo ka qenë palë me Sali Berishën, dhe së bashku i keni kaluar në parlament ligjet antireformë, ndryshimet në kushtetutë, deformimet në kodin zgjedhor, ligjet për blerjen, shitjen apo shfrytëzimin e Shqipërisë. Të gjitha i keni bërë bashkë. Edhe heshtjen kur duhet të flisnit. Dhe nuk ka qenë PS, por ka qenë LSI opozitarja e vetme e Sali Berishës”.

“Ti Monika nuk di çfarë flet. Se Partia Demokratike nuk ka kaluar asnjë ligj kundër interesit të shqiptarëve. Sali Berisha është njeriu më i afërt i halleve të këtij kombi, po më shumë është zgjidhësi i tyre. Ja kështu!”

“O Albana, o Mesila, po boll folët në të njëjtën kohë. Po prit, prit. Po dëgjoni njëra-tjetrën të paktën...Po zonja Xhacka”

“Nuk është e nevojshme që të bësh rezyme të gjërave të pavërteta që pretendon se ka bërë partia demokratike, pasi këto dy zonja e bëjnë shumë më mirë se unë këtë përmbledhje dështimesh. Dhe partia demokratike ka ditur të zgjedhë me kujdesin më të madh personazhet që do ta prishin me përsosmëri imazhin e saj.

Doja vetëm të thoja se shqetësimi im primar lidhet me politikat që do të ndikojnë tek e nesërmja, tek e ardhmja që do të jetohet pa prezencën e atyre që sot marrin vendimet për interesa të çastit dhe tërësisht vetjake. Arsimi është plagë dhe investimet në bujqësi të zhdukura. Prandaj mendoj se alternativat dhe llogaritë duhen bërë me laps në dorë e me konsultim ekspertësh teknike, jo me bindje partiake e me demagogji.”

“Nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë. Hm. Kush je ti moj Oltë, që dike të flasësh për alternativat. Se PS-ja, se PD-ja, se unë.....kurse ti...PD-ja thashë!”

.....e ndërrova kanalin. Por Olta Xhacka i mori të gjitha pikët e mia, edhe pse Partia Socialiste më duket shumë e sëmurë.

Ama edhe nga kjo përballje, vazhdova të ndjej çudinë e ngjashmërisë që kanë përfaqësuesit e të dyja palëve në debat. Jo me njëri-tjetrin, por brenda sojit.

Xhacka dhe Ligori me zë më të ulët, kontroll të vetvetes, siguri në subjektin për të cilin flasin, të gatshme të lëshojnë pe në bisedë, asnjëherë të deformuara në fytyrë, me një vetë-përmbajtje të arrirë, edhe pse të vështirë në debat.

Doda dhe Vokshi, me gjestikulacion të shtrembëruar, dëgjim me shpoti, dorën sipër lartësisë së hundës, zërin në garë për ta pasur edhe mbi zërin e tjetrës, jo më të kundërshtareve përballë; argumentet të gjitha vërtiten rreth NATO-s e Sali Berishës, aspak origjinalitet, por gjithë arrogancë në debat, me një vetëbesim që ngjan më shumë fatkeq sesa i sëmurë.

Kryemadhi dhe ajo e PR-së mbushën mirë sipas kërkesave.

Mirë, unë nuk votoj në Korcë, as për PS-në, por të paktën Xhacka më në fund më dha një ide se si duhet të jetë njeriu (në këtë rast, femra) për të cilin duhet votuar në 28 Qershor.

19.5.09

Requiem Æternam

Më pëlqen ta kundërshtoj veten. T’i bëj gjërat se prapthi nga ç’më këshillon ajo. S’më ndodh shpesh, ndaj nuk u mendova gjatë (s’u mendova hiç në fakt, se më kanë thënë se nuk më shkojnë mendimet), edhe njëlloj si 10 ditë më parë, sapo alarmi i celularit filloi të bjerë, e pashë veten në këmbë.

Tirana akoma nuk ishte zbardhur. Rrugët ende të shkreta e të pashqetësuara, përveç dum-dumeve që do shpërndajnë sot fruta-perimet dhe makinës sime, që po kënaqet duke përshkuar të verdhë pulsuese në çdo semafor. Ora 05.00 e mëngjesit në unazë.

Në 05.45 në Laç. Rroftë qeveria e rrugëve!

Në pjesën hyrëse kanë shtrirë nga një polic betoni në çdo 10 metra. Më thërrmijëzuan rekordin. Ama tek kodrina ku fillon ngjitja për tek kisha e Shna Nout, mbërrita në orën 06.00 a.m.

Doja të nxirrja atletet e mia heroike. Por rruga ishte shumë e bllokuar nga vendasit që po ngjiteshin duke mbartur topa, tullumbace, varëse, rroba, këpucë, korniza, biskota, pije freskuese, fara, kaseta, gazeta, ujë e qirinj nëpër duar. Ora është akoma 06.00 e mëngjesit, por ata duket sikur janë gdhirë duke pritur besimtarët. Apo vizitorët? Kërkuesit e shërimeve, shpëtimeve, shpërblimeve. Të merituara (sipas gjithsecilit).

Para meje një makinë me targa TR. Qenkan ngritur më herët se unë. Më para një tjetër makinë TR. Paskan hall më të madh. Në krye një vendas me targa Laci. I besoj idesë se duhet lënë të vazhdojë në krye. E njeh rrugën më mirë. Por po ecën ngadalë. Shumë. Jo se është e vështirë rruga. E kanë shtruar më mirë se unazën. Por para ka makina të tjera. Dhe shumë njerëz.

Dikur kodra ishte shumë e pjerrët dhe vargu i njerëzve ecte zbathur deri në kishë. Ashtu kishte shkuarr deri në majë edhe shenjti vetë. Sot, përveç shkëmbit të lëruar dikur për makinat, paskan shtruar me çimento edhe rrugën e këmbësorëve që bie më diagonale dhe më prerë se ajo e makinës. Pra, nuk ia vleka as të vesh atletet, as të heq këpucët.

Ok. Gaz? Jo, pjerrët dhe njerëz. Në oborrin e pasim të kishës nuk ka asnjë vend për parking. Furgona, makina, të reja, të vjetra, shofera e shofere që djersijnë se nuk dinë ku ta kthejnë makinën. E lë përballë kryqit të madh që është në majën më të lartë. Deri atje makina nuk arrin, por të paktën e sheh. Mbase lutet edhe ajo.

Shumica e njerëzve janë nga Tirana. Të ardhur ndodhta; dhe të rikthyer këtu për mëngjes. Vajzat me taka. Meshkujt me kokën poshtë.

“Beni and Alda forever”; “Tani zemra ime”; ‘Fëmijët e Verës”; “Soni, ti amo”...Bojë spruco e hedhur gjithandej në gurët dhe shkëmbinjtë jashtë kishës. Shkrimet mbi to dëshmojnë besimin e patundur se lutja nuk është vetëm për shenjtin, por për këdo që ka mundësi t’i thotë Zotit ndonjë fjalë të mirë për nevojtarët.

Shna Nou thonë se ka ardhur këtu shkarazi, edhe me siguri do i dalë koha të vijë t’i lexojë këta emrat. Kurse në kishën e tij në Padova, s’lexova ndonjë lutje të ngjashme as jashtë, as brenda kishës.
Më erdhën ndër mend të njohurit e mi nga Goa, që cdo të martë maji shkonin në kishë, kurse 13 Qershorët i ndanin midis Padovas dhe Portugalisë, ku thuhet se shenjti ka lindur e jetuar para se të bënte një vizitë mbi Lac.


Në hyrje të kishës radha është deri tek shkalla më e largët e saj. Nuk ka mundësi. Është akoma shumë herët për të qenë kaq plot. E martë vërtet, dhe të martat e mrekullive për të shëruar kokën, shpirtin, mendimet, sharjet e komshies, papunësinë e djalit, beqarinë e vajzës, zënkat me kunatën, inatet me kunatin, syrin e keq të shoqeve, sytë e plasur të shokëve, po iu vjen fundi. Edhe duhen bërë tre të marta radhazi që lutja të zërë vend. “O Zot, ki pak kujdes në kutitë e votimit në 28 Qershor”.

“Edi, kthehu sa më parë”

...Se besoj ta kenë me Edin e Tiranës atë shënim të shkruar me bojë të kuqe tek shkëmbi që po çajnë për të bërë vendin e ri të meshës! T’i ketë ardhur nami deri këtu?

Ndonjë emër tjetër të dyshimtë nuk ka. Çaj grumbullin e njerëzve. Nuk kam as foto apo rroba në duar, as fjalë në gojë, as kërkesë në mend. Pa shqetësuar vargun e njerëzve që vazhdojnë të godasin siç e mbaj mend që herën e parë, statujën e Shna Nout me lekë hekuri. “Shejti Shna No, na ndihmo...” dhe gëdap, monedhat mbi statujën me fëmijë në krah, që e kanë vendosur aq lart enkas për të mos u arritur, për të mos u prekur, puthur apo adhuruar në mënyrë pagane.

In nómine Patris et Fílii et Spíritus Sancti.
Glória Patri, et Fílio et Spirítui Sancto. Sicut erat in princípio, et nunc et semper et in sæ´cula sæculórum. Amen.

M’u duk më i penduar Krishti i sotëm në kryq. Të jetë lodhur nga hallet e gjithë këtyre njerëzve që nuk ngrihen nga gjunjëzimi para tij?

“Unë s’dua të jem egoiste o zot, po pasi të më kesh plotësuar nja katër a pesë nga dëshirat që të thashë, të lutëm mos i zër ato 21 vendet në parlament ku duhen të ulen femrat. Për të pasur kemi boll. Lër edhe nja 30 bosh për të rinjtë. Dhe të lutem, gjej një nuse për Edi Ramën e një librezë pensioni për Sali Berishën. Faleminderit”.

Jashtë dielli akoma nuk ka ardhur në këtë anë të malit. Makinat po shtohen. Njerëzit në këmbë gjithashtu. Ka një ndryshim mes tyre. Në këmbë janë ose vendasit, ose të ardhurit me furgona. Duken në lëkurën e fortë të fytyrës dhe flokët e gjata, tw ashpra e tw ndara në mes. Në dorë, përgjithësisht mbajnë rroba dhe foto.

Në zbritje, një tufë grash po rropateshin të gjenin një copë mali të pashtruar apo të pazënë nga kioskat prej dërrase, që të ecnin në këmbë e të bënin grumbujt e zakonshëm me gurë. Akoma nuk e di përse duhen.

Nuk dua molto. As biskota. As cubukw. Jo, as patatina. Rrugën, po e hapët dot, mirë do ishte.
Në kthinën e ngushtë një kalimëshe ku ngecin e ecin një metër para e tre mbrapa një varg i tërë makinash, kanë ardhur dy policë. Dy punonjës policie në fakt. Me pak mund e përpjekje, po e vënë në fill trafikun.

Në daljen për në autostradë, laçianët kërkojnë të drejtën e rrugës. S’e di nga e kanë gjetur, po më mirë ta kishin shkruar tek shkëmbinjtë e kishës, sesa tek ura e mbikalimit që po iu ndërtohej. Më shpejt do ishte dëgjuar.

Në Tiranë në 07.40 a.m. Dëgjoj në radio se Adi i Big Brother është përfshirë në listat e G99-ës. E thotë një burim i sigurtë dhe sekret. Pas tre minutash, burimi kupton se sekretin e tij e kish marrë lumi e e kish çuar tek Panorama.

Për tjetër gjë iu luta Zotit, tjetër më bëri të dëgjoj. Shkova në radio të verifikoj lajmin. Përcjellësi më bëri be e rrufe se ishte vërtet Adi dhe jo ai që i është shtuar listës së G99-ës. Nuk më tregoi nëse e kanë bërë për inat të Qetsorit. Përkundrazi. Më pyeti madje përse nuk e kam ndarë akoma mendjen për votën time të 28 Qershorit.

S’e di akoma. Duhet të shkoj çdo të martë në Laç për 10 apo 20 vitet e ardhshme, deri sa kryeministri të ketë jetë, shëndet e mend për politikë.

Sicut erat in princípio, et nunc et semper et in sæ´cula sæculórum – ose shqip, “Selanik e përpjetë, kështu ka qenë, kështu mos mbettë”

Amen!

14.5.09

Karaburuni – the other side

Mëngjesi i ngjante pamundësisë. Vërtet u ngrita që sapo alarmi i ëmbël i celularit filloi të bjerë në orën 05.00 fiks, po qepallat nuk më bindeshin, edhe pse ashtu përgjumësh mundohesha t’i jepja krahë synimit tim për të bërë ekspeditë.

Makinën e lamë aty ku as nuk shkonte dot më, e as nuk i lejohej të ngjitej më sipër.
Në shpinë çantat e piknikistëve. Në këmbë atletet që mezi i nxora nga arkiva shumëvjeçare.

Gadishulli fillon i ashpër që në rrëzë të tij. Pas pjerrësisë së 100 metrave të para u ndjeva e sfiduar. Po ja, edhe ca hapa, edhe ca, edhe caaaaa....pastaj të ulem vetëm pak....

Por nga “pak”, u bë një orë rrugë duke ngjitur prerë të përpjetën në Sedovinë. Poshtë saj këneta që mban të mbytur Orikun, qytetin e lashtë ilir, bashkë më mbretëreshën Rugjinë, që thonë se e mallkoi qytetin e famshëm të lashtësisë e u mbyt edhe vetë bashkë me të, para se të binte në dorë të romakëve.

Përbri majës së parë të ngjitur, në këmbët e saj duket Kisha e Marmiroit, mbi një kodrinë, rrethuar nga gropa të mëdha plot ujë e zhuka. Është e vetmja ndërtesë që i ka mbijetuar mbytjes së Orikut të vjetër.

Pas dy gllënjkave çaj të ftohtë, kur ora shënon akoma 06.00 ( e në këtë orë do isha në gjumë për kokërr të qejfit në Tiranë), rifillon ngjitja. Në Dushk pjerrësia bie disi. Frymëmarrja rregullohet e sytë kanë kohë të vështrojnë bazën e Pashalimanit që fshihet pas çdo maje të kapërcyer. Vija ndarëse midis kënetës dhe detit duket akoma po aq qartë sa terreni që këneta ka filluar të zaptojë qëkurse pompat dhe kanalet kulluese nuk funksionojnë më në luginë.

Ana e dukshme e Karaburunit, faqja që sheh nga brenda gjirit të Vlorës, është shumë e zhveshur. Në Lical kalojmë pyllin e vetëm të faqes, që përshkohet për pak minuta. Rruga është shumë e ngushtë. Duket që ka kohë të gjatë pa u shkelur edhe nga banorët e zonave përreth.

Teksa dielli është ngjitur goxha mbi Akrokrenaunet përballë, në kahun tjetër të gjirit, ulemi të bëjmë pushimin e parë ushqimor. (në Tiranë do isha akoma në gjumë si fundjavë që është, ose maksimumi do isha duke pirë kafen e mëngjesit). Përveç çajit, dalin edhe shishet bosh që i drejtojmë tek rezervuari i vogël në shteg të Lekgjinit. Tashmë ndodhemi gati 800 metra mbi nivelin e detit. Nuk ka se si te ketë ujë në këtë majë mali buzë detit. I gjithi është 800 metra poshtë. Por, i miri gjyshi im e ka ndërtuar që në 1940-ën këtë pus. Ka vendosur edhe sitë e filtra dhe uji i shiut grumbullohet e kullon aty.

Dikur ishte i vetmi burim uji për banorët e paktë.

Kjo është maja e dukshme nga Vlora. Përballë saj duket tashmë Orikumi dhe Vlora bashkë. 360 gradë kthim vetëm i kokës, dhe në kahun tjetër shfaqet madhështor, i errët, i frikshëm, i bukur, i thellë dhe sundues deti Jon.

Nëse ngjitja për në majë m’u duk e pjerrët dhe e lodhshme, zbritja për në kahun tjetër shfaqej më sfiduese dhe jomiqësore nga ç’e mbaja mend. Pjerrësia është thikë. Kjo anë e fshehtë e Karaburunit, që nuk shihet dot po s’i shkove pas me anije ose po nuk vjen ta vizitosh në këmbë siç po bëja vetë, nuk është aq e zhveshur sa ana që duket nga gjiri i Vlorës. Përkundrazi. Valanidhet dhe lisat janë më të shumtë. Vende-vende sheh edhe dardhë të shartuara e fiq të mbjellë nga një njeri duar-artë që ka jetuar aty gjysmë shekulli më parë. Edhe sot këto toka kanë zot, edhe pse në Tiranë qeverive ju pëlqen të mendojë ndryshe.

Udhërrëfyesi na tregon një shkëmb të përthyer që dikur ka shërbyer si mbrojtës dhe strehëz për barinjtë që i zinin suferinat famëkeqe të dimrave detarë. Fshehur mes lisave dhe shkëmbinjve është edhe një shpellë e frikshme, që nuk dallohet fare me syrin e lirë. Gojëdhënat e zonës thonë se duhet të flasësh me zë të lartë para se të futesh në shpellë, përndryshe ajo zemërohet e unë nuk e di c’të bën në kësi rastesh, se nuk e kam provuar.

Brenda saj duken shenjat e qarta të prerjes së stalamineve. I kanë shitur më vonë si statuja natyore që pikave të ujit iu janë dashur qindra vjet t’i gdhendin në atë formë të çuditshme dhe po aq të mrekullueshme.

Udhërrëfyesi na tregon edhe disa kthina të vogla e padukshme të shpellës, ku banorët e shekullit të kaluar kanë ruajtur prodhimet e tyre të qumështit. Dhe vërtet, teksa dielli i mesditës kishte filluar të përvëlonte edhe këtë anë të gadishullit, brenda shpellës m’u desh të vishja bluzën time rezervë.

Në kthim nuk ma hëngri dot syri të përpjetën. E pasi i humba të gjitha shanset që edhe ndonjë nga gurët që gjuaja unë të binte mbi blunë e patrazuar të Jonit vetëm 10 metra më tutje, vendosëm që për në kthim në përshkonim rrugën e ushtarëve. Kjo është rrugë e re. Ka vetëm 60 vjet që është hapur. Në fakt nuk është rrugë. Janë thjesht harca e gurë me majë të shkelur më shpesh se të tjerët kur partia udhëzonte një patrullë të nisej nga komanda e Brisanit në Karaburun e tjetra të nisej nga gjiri i Gramës afër Dhërmiut; të bënin secila palë nga tetë orë rrugë në këmbë në shi, borë, diell e suferinë; të siguronin njëri-tjetrin se asnjë armik e asnjë diversant nuk e kërcënonte këtë anë të harruar të malit, edhe ne bashkë me Partinë të flinim të qetë.

Që nga shpella e Dukgjonit e deri tek gjiri i mrekullueshëm i Brisanit rruga është buzë detit. E shtruar për të kaluar makinat e ushtrisë që kanë sjellë betonin për të ndërtuar brezaret me bunkerë. Poshtë tyre, Joni është thellësisht blu...dhe bregu i tij kërcënues. I thepisur, me gurë me maja të mprehta, me një mol të shkatërruar nga dallgët e dimrit, poshtë një pike studim-vrojtimi që në 40 vjet nuk gjurmoi dot asnjë mizë.
Thellësia në breg është direkt tek 10 metrat. Thellësi mashtruese. Dy ushtarë janë mbytur në këtë blu-jeshil të paqtë, duke kujtuar se bregu i detit është gjithandej i njëjtë, edhe nëse nuk di mirë not.
Tek shkelim me këmbët përdredhur mbi degët që pengojnë rrugën e patrazuar prej vitesh, shohim edhe bunkerët e pafund, të fshehur shkëmbinjve e të maskuar pas drurëve. Tonelata të tëra me beton....mbi një ballkon të lartë e të pangjitshëm mbi det.

Bregu i thepisur krijon valëzime të tëra gjinjsh të vegjël e të mrekullueshëm shkëmborë. Por asnjëri nuk është aq i bukur, i butë, i kapshëm dhe miqësor sa gjiri i Brisanit. Sipër tij, ngrehinat e ish bazës ushtarake. Provë e gjallë e meritës për Shqipërinë në NATO.

Shkallët shkëmbore që të cojnë në
det janë vërtet të larta. Por vetëm në disa sekonda gjendesh në rërën e hollë e të pashkelur. Uji është kristal. Dielli përballë. Gjiri i rrethuar gjithë naze nga të tre anët e tjera. Temperatura është vetëm 21 gradë. Data 9 Maj. Por nuk ka asnjë arsye të frenojë tundimin e ftesës që të bën ky det.

Uji pret brisk, por ëmbël. Dëgjohet vetëm zhurma e lehtë e valëve dhe fëshfërima e lisave mbi shkëmbinjtë vetëm pak metra larg rërës.

Kjo paqe e rreme nuk i përket askujt. Gjumi i Jonit zgjat vetëm pak muaj këtu. E gjatë tyre askush nuk bën 6 orë rrugë në këmbë për të ardhur nga Pashalimani. Nuk është as e lejuar. Prandaj është kaq ëmbël.

Pas rrezeve të hersh
me e të vona verore e pranverore, ngre sytë për në majën që duhej ngjitur sërish. I ramë nga ky krah si më pak i pjerrët....

....dhe pasi kam ringjitur atë majë në përfundim të 12 orëve rrugëtim, gjithë thirrjet për ndryshim më duken pupla që i merr lehtë me vete flladi i lehtë që fryn në gropa të Rodostanit.

Nuk e di pse quhet gropë ai vend. Realisht është një fushë e madhe dhe e vërtetë në majë të Karaburunit. Grumbull në mes të tij janë muret e një shtëpie të nisur atëherë kur partia filloi të grumbullojë njerëzit dhe bagëtitë në zona të kalueshme. Po ashtu, edhe një varg lisash e blindash të ngulur për vreshtin e për kosheret e shumta të bletëve që nuk u lanë rehat.

Kur dielli po fshihej pas Karaburunit, unë shkela mbi barin e njomë e të shpeshtë nga shirat e shumtë të këtij dimri të gjatë. Përtej kanalit të mbushur me ujë kënete të rizgjuar, më priste makina. Për të më çuar në zemrën e Europës, në Tiranë.

Pas tre ditësh që thish pa pushim gjithë pluhurin që lëshojnë maune, kamiona, karroca, njerëz, pallate, qendra tregtare, ndërtime, makina, rrugë, politikanë, mushka e gomerë me nga dy e me nga katër këmbë, akoma muskujt më dhembin e janë në gjendje të përballojnë frymë-shkëmbimin e tjetërsuar pas rrugëtimit 12 orësh në Karaburun.

Jo më kot ana tjetër e tij është e padukshme për çdo sy.

22.4.09

Pranvera e vonë, coxiella dhe unë

- I think I shall call the admission centre. I am not pleased at all with your paroxysmal breath and INR level…
Dr. Burn e fshehte shqetësimin pas buzëqeshjes së instaluar të politesës. Ishte hera e dytë që ndjeja mashtrimin e qetësisë së saj. Përse të rezistoja? Ishte edhe e shtunë…Ditari im kishte vetëm një takim në orën 4.00 p.m. Shyqyr që nuk ishte për punë.
Salla e pritjes vazhdonte të ishte plot, me nëna që shoqërojnë sylodhur fëmijët, gra që shfletojnë pa vëmendje numrat e vjetër të “Closer” dhe “Hello”, apo me pak meshkuj që nuk dinë si të rehatohen. Këtë radhë ulem në sallën e para-shtrimit.
Ambulanca vjen para se unë të zë vend në karrige. Më ulin në ndenjësen e tyre me rrota, edhe pse unë mund të eci shumë mirë vetë. Si gjithmonë.
Ende pa u rehatuar me aparatin e matjes së tensionit dhe rregullimin e shtratit provizor, përfundoj në dhomën e parë të lirë të A&E, ku pas perdeve dëgjohen rënkimet e atyre që kanë më shumë urgjencë. Unë ndjehem mirë. Ndjehem shumë mirë.
Por Dr. Kiely ka dëshirë ta vërtetojë këtë edhe përtej konfirmimeve të mia. E sapo shiringa e tij e madhe depërton mes brinjëve të mia, ai nuk e merr më mundimin të mbajë statike buzëqeshjen e instaluar.
“CT pulmonary angiogram on C floor. Room 2 immediately. Repeat X-ray on the way. Clear team 2 of current courses. Full blood test and INR level immediately…”
Mbi kokë lexoj emrin Jennifer dhe shoh sytë e infermieres të hapur pak më shumë se c’duhet…..
….Në përmendje e pashë veten me age të ngulua në të dy parakrahët dhe në kurrizin e të dyja duarve. Një tub dilte nga ana e majtë e mushkërive të mia dhe përfundonte në një enë me masë të turbullt.
“Hey, look who’s waking up. Hello lovy. How are you feeling?”
…He!
“What’s this doing on me?”
“Oh, let me show you. It’s about time to...here, let me open this. Your lung was being a bit naughty lately.”
Gjithmonë duke buzëqeshur, ndihmës-mjeku i ri hapi një rubinet të vogël vendosur shumë afër brinjëve. Mushkëria gurgullonte, kurse masa në tub filloi të lëvizë sërish.
Nuk po i njihja duart e mia. As nuk po e hiqja dot vështrimin prej tyre. Duhet ta kem përqendruar shumë vëmendjen tek to, sepse filluan të më merreshin mendtë. Balli po më digjte.
“Martin, get the thermometer here immediatly, please.”
Biiip, në veshin tim. Mjeku s’lëvizi asnjë muskul. Biip, edhe në veshin tjetër.
“Ok, I think Louise shall come and have a look”

“Hello darling. You’re awake. How nice is that?! I’m gonna take some blood sample from your lovely arms now. Is that ok with you?”
“Sure Luoise, why not? They’re full of glimmers anyway”
7 tubeta të vegjël me gjak.
Kështu vazhdoi çdo katër orë, pastaj çdo mëngjes, pastaj çdo herë që temperatura tregohej kapricoze.
Steph erdhi të më vizitojë që ditën e dytë pas përmendjes. U ndjeva më e pafuqishme se kurrë. Asnjëherë nuk më kishte parë ulur, jo më shtrirë, lidhur pas krevatit apo të qëndroja në një vend më shumë se një minutë.
“You shouldn’t come, Steph. You’re only supposed to see me lively and energetic“.
“Will you shut up for once?” – m’u “kërcënua” duke iu bërë vend luleve që solli në emër të kolegëve. Në katër vjet pune me të, nuk lindi nevoja të më tregonte dhëmbët e shefes; po as unë s’u binda kurrë lehtë si vartëse. Prandaj s’doja të më shihte të nënshtruar nën ca tuba e fije.
Një mëngjes, kraharori po gulçonte e frymëmarrja nuk ngrihej dot deri në kafaz. Pulsantit të kuq iu përgjigj akoma pa mbaruar shtypjen sister Jones. E doja shumë, sepse e linte time ‘më të më vizitonte edhe jashtë orarit strikt për familjarët.
“Gosh, you’re pale. What have you been doing with that baton?”
“Oh, is just giving me power sensation. I feel possessive quavering in the air. It’s Barbaras’ ”
Barbara ishte pacientja e dhomës ngjitur. Ishte bërë me kohë për të dalë nga spitali, por priste transferimin në një rezidencë publike, sepse sapo ishte ndarë nga i shoqi, e s’donte të kthehej në shtëpi me të. E hoqi aty unazën që mbante në gisht prej 60 vjetësh, thjesht sepse tashmë ulok, ai nuk kishte ardhur ta vizitonte në spital. Tek dhoma ime vinte me bastunin e saj. Atë mëngjes e mora ta shoh nga afër. Bota sikur u çlirua bashkë me mua kur fillova ta tund e rrotulloj në ajër atë shkop. M’u duk arritja më e madhe e gjithë asaj kohe. Më në fund, po bëja diçka lëmsh, edhe pse ishte thjesht një masë ajri që trazohej nga shkopi i Barbarës në dorën time.
Por me sa duket, akoma nuk isha gati të përballoja gjithë atë zell e fuqi të fituar nga një shkop.
“Will you ever take me seriously? You must rest. Do you know what “rest” means”? Rest!”
“Yes, YOU take a rest sister Jones…once you’ve given me that stupid injection you got in your hand.”
Duhet të ketë qenë dozë e fortë, sepse ende me shkopin e Barbarës në dorë, pashë përballë, në masën e ajrit që lëvizte, veten time, të gjatë, të hollë, me flokë të lidhur e me fustan blu mbrëmjeje. I was looking damn good!
Në CT scanin e dytë i humba ndjenjat sërish. Përtej dhomës së izolimit më dukej se shihja një dyzinë personazhesh me syze e me hije të rëndë, të përqendruar në pamjet që reflektonin venat e mia të ënjtura brenda sekondës.
Në dalje, një mjeke që nuk më kishte parë më parë, u ngarkua të më komunikonte diagnozën e re. Paketën e saj. Unë në barelën lëvizëse, ajo e ftohtë akull sipër kokës sime:
“I’m very sorry darling, but there is a clear evidence of a pulmonary embolus. We think you have a blood clot in your lungs, and it’s still there.
Plus, scan shows serology positive for coxiella burnetti, Q fever, complicated pneumonia effusion, left lower lobe pneumonia; now you have abnormal liver function due to sepsis, antibiotics and the Q fever, and we shall immediately stop giving you clindamycin, but we’re also running out of antibiotic alternatives, because you’re developing fast allergy to all of them…”
Hm…nice speech. Trompozë në mushkëri, virus me emër tërheqës, coxiella, që po ma bën kraharorin lëmsh, masë e komplikuar pneumonie, mëlçia po mërzitet nga bombardimi me ilaçe, edhe klindamicina po dorëzohet, njëlloj si Klaritomicina apo doksicilina ditët e shkuara. Hiç nuk i kam qejf këto. Po me frymë përse nuk po mbushem dot? Trompozë? Ah, po. Rachel pati trompozë një ditë para krishtlindjeve të kaluara. Kërkoi të ikte nga zyra në orën 14.00. Askush nga ne nuk ikën kurrë para orës 17.15. Po i dhembte pak kraharori. Nuk i festoi dot kurrë më krishtlindjet.
Coxiella? Hm, sado tunduese të jesh, duhet të dalësh nga trupi im. Ndenja pak si gjatë në këtë pavion. I got so much to do…besides…I really think I shall go back. Home. Kemi zgjedhje, miq, familje, punë, një jetë të tërë për të bërë”.
Kur Dr. Kielly me ekipin e tij erdhi të më vizitonte pas ndërhyrjes, kërkova të më vinin në një dhomë me Barbarën. Dhomë dyshe nuk kishte, kështu që përfunduam me Lillyn dhe Matilden. Porosita të gjithë setin e “Friends” dhe “Everybody loves Raymond”. Në radio Terry Wogan. Në dorë, shkopi i Barbarës. Goja mezi priste orën 11.00 p.m, kur drita fikej me sugjerim. Vetëm atëherë pushonin fjalët, e qeshura, këngët e imituara e gjallëria e dhomës. E qeshura shëtiste sa nga njëri shtrat në tjetrin, duke bërë kuriozë gjithë stafin e infermiereve që i kishim përbri.
Kurse sytë vazhdonin të shijonin edhe pas orës 11.00 “Strictly come dancing”. Duke parë, kërceja edhe vetë. Kërceja vërtet, sepse pas katër muajsh lidhjeje “për kokë” me spitalin, po i ktheja shpinën me këmbët e mia.
Dy muajt në vijim u shndërrova në outpatient shembullore. Coxiella po turfullonte nga inati, por për t’u izoluar u izolua. Mezi priste ditët me lagështirë.
Nuk e mendova se edhe në Tiranë do ta gjeja ushqyese lagështirën. Vizitën e parë që bëra në sanatorium u terrorizova nga dhoma e pashtruar e me llac ku më bënë grafinë. Edhe nga tre diagnoza të ndryshme që më dhanë tre mjekë. Edhe nga receta që u mbush pa më pyetur nëse ndonjë ilaç më bënte reaksion. Të gjithë ata që u shënuan në recetë, janë me vizë të kuqe në dosjen time mjekësore.
Kthimet në Londër zgjasin pak; aq sa Dr. Kiely apo ekipi i tij të masin ecurinë e të nënshkruajnë mjekimin. Zgjasin edhe sa të vizitoj sister Jonesin dhe infermieret e saj që s’u lodhën me zhurmën e “spring chicken”-it që iu mbiu në derë disa kohë më parë. (më quajtën kështu si pacienten më të re të pavionit).
Sot në mëngjes ra sërish shi në Tiranë. E ndjeva pa hapur dritaren, sepse kraharori filloi të gulçasë. Ok, s’kam kohë të merrem me coxiellën. Kohë fushate. Jemi edhe në Nato. Plus, kam shumë punë të marra përsipër. Prandaj, për t’i bërë qejfin coxiellës shkoj të bëj një grafi. “Kushton 10 mijë lekë. Pa faturë”.
Ok, po shkon edhe vonë për në punë. Jepi.
“Masa e pjesës së poshtme të së majtës është e paqartë”
“E di, s’është aty fare. Bymehja është trazuar?”
“Nuk arrij ta kuptoj dot. Nëse ke temperaturë,duhet të të mbjellim një kampion gjaku dhe një nga lëngu që shoh aty”.
“Hm, jo, s’ka gjë. Vetëm grafitë ju lutem. Me të tjerat merret Dr. Kiely”.
Nga ambientet gjithmonë në ndërtim të dispecerisë, postoj për të disatën herë grafitë. Doktori më përgjigjet shpejt. Këtë periudhë pak diklofenak e normalizon situatën. Për dreq, duhet të fle edhe disa ditë me shtatë jastëkë nën kokë. Ama në fund, gjithmonë coxiella zhduket me bisht në shalë, aty, tek cepi i poshtëm i mushkërisë së majtë, që e ka privatizuar qysh kur trompozës ia treguan vendin.
Sot më pihej edhe një gotë verë e bardhë. Do shkonte me shijen e Metronidazolit. Por e lashë plain, të papërzier fare, për një ditë tjetër.
Në ekran, kryeministri më tregon Shqipërinë që po ndryshon…kurse unë nuk di të heq dorë nga kjo dreq saktësie në dështimin për t’i parë gjërat me sytë e tij. Ose të të tjerëve.
Gabim që pranvera këtë vit po vjen gjithë përtesë. Shumë gabim.

18.4.09

Në emër të barazisë

Fffshtaaaaap
- Ca ke, ca ke, pse më qëllon kështu? Ti e di që e jotja jam.
- Qepe, qepe të thashë se ta plasa kokën për muri, po ule zërin....
.....................
Cohem vrik. Përplasem tek dritarja, po perden mezi e hap. Ajo është me flokë të fryrë, onde të krehura keq, e vrazhdë në fytyrë, e rënë në trup, me sytë përdhe, tek të 35-at.
Ai barkderr, me vështrim të egër, me zë të ndyrë, me dorën në portofol, rreth 40. I zgjat një 10 mijë leksh.
“S’e dua. Nuk dua lekë. Nuk dua. Ti e di që unë s’ta kthej fjalën. Si do e bëja unë?”
“Na, edhe ule zërin të thashë se të ngordha...”
Por lekët i futi sërish në portofolin e tij...
Celulari im thoshte 06.40. Mëngjesi akoma i varur.
Policia 129...apo 128...mos është 127? Pse dreqin s’është 999?
Poshtë dritares faqja e saj skuq gjak. Barku i fryrë dhe fytyra e ngërdheshur kërcënonë shumë rëndomtë. Pastaj një shkelm: “Zhduku, të mos të t’i shoh më sytë”.
Gjithcka në dy-tre minuta.
........
Në mbrëmje, për më shumë se dy orë, televizionet kombëtare flisnin për barazinë gjinore, kuotat në parlament, gratë në vendimmarrje, NATO-n dhe BE-në.

18.3.09

Po vijnë ata, të rinjtë fringo

Transkript i moderuar i një bisede super intelektuale, debati konstruktiv dhe shembullor të politikanëve të rinj në Shqipëri. Përfaqësohen me super dinjitet në emisionin Opinion nga: Ajola Xoxa, Juela Mecani, Gert Bogdani, Erisa Xhixho, Arbër G99 dhe një çupë nga Fatmir Mediu.

Titulli i poezisë: Bij idiotë të nënës, kë të qaj më parë.

Lexim të këndshëm

- Unë jam shumë e mirë, se gjyshja ime është nderi i kombit.
- Ti? Po ti moj Ajolë vure një shall të zi në 15 Mars e derdhe lot krokodili.
- Tamam, tamam, mirë e thua Juela, lotë krokodili. Se lot të vërtetë derdhëm vetëm ne, të rinjtë e LRI-së, që marrim shembull nga udhëheqësi unë shpirtëror, nga më i miri dhe më i ndershmi politikan sot në Shqipëri. Ja të ngrihem në këmbë ta dëgjoni të gjithë.
- Ulu moj ti, se s’më është ngritur asnjë njeri në këmbë në Opinion në 12 vite emision mua.
- S’dua të ulem Blendi. Se Ilir Meta është politikani më i mirë i këtij vendi. Dhe ne të rinjve duhet të na hapni dritën jeshile. Se këtu, e vetmja që po flet me mend në kokë e që po jep alternative zgjidhje jam UNE. Nuk e shikon?
- Avash moj Erisa, avash, se boll të dëgjuam. Po juve t’ju vijë turp që bëni protesta paralele, se ju kanë shteruar idetë.
- Mbylle moj gojën ti, që ke ardhur këtu për dashuriçka.
- Ju s’i keni sytë në ballë të shikoni arritjet e padiskutueshme të kësaj qeverie. Se presidentin cek e tha me gojën plot që Shqipëria meriton të aplikojë. Dhe zoti Sali Berisha është njeriu që mundësoi rritjen e mirëqenies për të gjithë shqiptarët.
- Cilët shqiptarë moj vajzë? Me kë flet ti moj zëdhënëse?
- Po ti kush je, përfaqësues i G69-ës a 99-ës si ia keni vënë emrin vetes?
- Arbër, Arbër lere. Të lutem. Po të lutem të thashë, lere se merrem unë me të. Unë si Ajolë, që kam punuar dy vjet në OKB, katër në KBO e gjashtë në OBKCSRP, që e kam gjyshen nderin e kombit, më vjen turp që të dëgjoj për nënën, djalin, motrën dhe gjyshen e të tjerëve. Po gjyshja ime ka qenë nderi i kombit. Me Gertin kemi qenë miq. Bashkë kemi qenë kur i ke thënë Ramës “ti je e ardhmja e këtij kombi”. Sot je deformuar. Kurse unë jam shumë e zgjuar. Hë, hë, hë, ca do më thuash?
- Po unë jam votuar e më kanë zgjedhur, ty s’të ka zgjedhur akoma njeri.
- Po unë jam shumë e zgjuar.
- Në fakt këtu më e zgjuara jam unë. Se LRI është forcë e madhe. Se ne meritojmë të marrim pushtetin.
- Me thënë të drejtën, Partia Republikane është më e mira. E treta në radhë që në krijimet e veta. Por shembulli i politikanit të vërtetë e të suksesshëm vjen vetëm nga udhëheqësi ynë. Shoku Fatmir Mediu ka tiparet e një politikani modern...
- Rri moj aty ti me gjithë Mediun e Gërdecit.
- Ministër i dështuar, e ashtu i ka zgjedhur edhe pasaradhësit. Ja, ne, pasardhësit e LSI-së jemi dinamikë, plot energji, dinamizëm e gjithë inteligjencë. Shikoni sa bukur po flas unë.
- Po boll fole moj Erisë, boll me gjithë LRI-në tënde. Tani, qeveria e zotit Berisha mbështet të gjithë të rinjtë, por ne jemi qeveria e ndryshimeve, qeveria e sukseseve, qeveria e NATOS, e BE-së.
- O znj. Mecani. Shkoni tregojuani fëmijëve këto përralla, se këtu nuk të beson kush.
- Arbri, Arbri, o Arbri, po lere, dëgjon tani. Sa interesant paske qenë. Lere se merrem unë më Juelën, të lutem. Se unë kam mbaruar jashtë. Dhe gjyshja ime është nderi i kombit. Dhe kryetari im është vizionar që shyqyr që e kemi. Por unë jam e edukuar jashtë. Dhe jam shumë e aftë profesionalisht. Unë jam juriste. Dhe jam shumë e aftë...dhe me Gertin kemi qenë miq.
- Po boll me këto miqësira se e morëm vesh. Ndonjë gjë tjetër të ka porositur kryetari të thuash?
- Unë jam shumë e zgjuar....
- Këtu më e zgjuar jam unë, se LRI është forcë e madhe....
- Avash moj avash, se e pamë LRI-në tënde dhe shallin e zi të Ajolës me lotë krokodili, që s’iu vjen turp që shfrytëzoni politikisht fatkeqësinë e tjetrit...
- Turp t’ju vijë juve, Juela, që manipuloni një komb
- Turpin mbaje për vete ti G69-sh...
- S’të foli njeri ty Gerti
- Dëgjomëni pak ore, se ne jemi e ardhmja e politikës dhe e këtij kombi
- Po pse të flasë vetëm Ajola? Unë flas më mirë!
- Pushoooni, se do mbyll emisionin.
- Unë dua të flas o Blendi, po ku të lë Arbri me Ajolën?
- Aman edhe ti Erisë se na kënaqe me këtë dinamizmin e LRI-së
- Ulu moj të thashë
- Nuk ulem dot, se ajo po flet kot më kot
- Qepe moj ti
- Po ku dini ju t’i shihni gjërat
- Ju keni zgjedhur politikën e mashtrimit, kurse ne atë të idealizmit
- Kush flet për idealizëm?
- Ti?
- Unë?
- Unë, unë, vetëm unë, unë, unë...edhe shefi im. Unë....
- oooooooooooooooooOOOOOOOOOOOO natën e mirë. Opinion kthehet nesër . Me të vjetrit!!!!!!

16.3.09

Një vonesë e vogël


E ka marrë shumë ngadalë ardhjen sivjet pranvera. Po me gjithë një prerje të hollë sot, e pakta erë që frynte në Dajt i ngjante më tepër flladit të vonuar e të penduar. Por edhe gjithë hezitim.

Rrezet vinin sot më të ngrohta sesa kalorioferi që ka orë të tëra që rri ndezur. Kafja shijoi më gjatë. Qetësia më thellë. Shpresën ta vret pak qartësia e saj, teksa ulur mbi ballkonet e shumta prej betoni që i kanë ndërtuar sipër, Tirana duket e zhytyr si përherë në tym.

Re pluhuri mistike. Po ajo të paktën duket, kurse thithësit e saj jo.

Tirana m’u duk e bukur nga larg. Por corba që vlon brenda saj ndjehej edhe pa u parë.

E ngadaltë edhe pranvera. Po mirë që u duk të paktën, me gjithë vonesën e saj të vogël.

14.3.09

Telebashkia, Mr. Kriza, GShkoza, Bogdani dhe të tjerë

Kamerat udhëtojnë kudo ku shkon Edi Rama. Lajmet janë himn i punës së tij të lavdërueshme ( të asaj të tanishmes, se me të shkuarën po merren Gerti Bogdani e Gazeta Shqiptare). Emisionet janë të ngarkuara me elozhe për “kreun e socialistëve” (togfjalësh i ardhur në majë të hundës); e dirigjimet e të gjitha gjërave të transmetueshme e të pa-transmetueshme, lindin vetëm nga ai, kryebashkiaku, pronari i Telebashkisë, i njohur ndryshe si “Top Channel”.

S’janë akuzat e mia, jo. Kryeministri m’i tha këto xhevahire tek kuvendonte tek televizioni kombëtar e shumë i pavarur Klan të enjten që sapo kaloi. Atje edhe më ndriçoi kur më tha se televizionin që s’merret me njerëzit e vdekur, (se s’ka lezet), e quajnë “telebashki”. Kurse pronarin e saj Mr. Kriza.

Mua m’u dukën shumë interesante të dyja.

Ka kohë që më bezdis Mr. Kriza në fakt. Është shtuar alergjia ndaj tij kur Bogdani nga PD-ja e GSH-ja nga Shkoza filluan të gërvishtin plagën e një njeriu që Mr. Kriza e la në krizë fatkeqe, ish bashkëshorten e tij, Matilda Makoci. Ajo për mua ka qenë një ndër aktoret më të dashura. Dhe gjithmonë më del parasysh me fytyrën e trembur e sytë e hapur nga frika teksa hedh rrobat në lavatriçe tek filmi “Hije që mbeten pas”. Mbase nuk po aktronte. Shumë i thellë ai tmerr në sytë e saj për të qenë thjesht aktrim.

Por, Mr. Kriza e shkatërroi atë grua, më thotë Gert Bogdani. Sot ajo jeton keq, më thonë ata nga GShkoza. Kurse Telebashkia s’më thotë asgjë. Jo se kam kuriozitet të tepruar, por, më ka pëlqyer shumë ajo aktore...dhe atëherë nuk e njihja Mr. Krizën. E kur ai arriti të shuajë dritën në sytë e saj, ç’mund të më bindë mua se nuk do i vërë kryq dhe të ardhmes sime? Lajmet e porositura të Telebashkisë do më bindin? Po kur ky njeri është treguar i rrezikshëm me familjen e tij, ç’do ta pengojë atë të jetë i tillë me mua si qytetare, kur vetë të bëhet kryekrizë? Një njeri që nuk ruan dot familjen e tij, si mund të kryeqeverisë një popull të tërë?

Telebashkia hesht për këtë pikë. Ashtu si heshti për ish armikun e Mr. Krizës, Z.Fatos Padrino Nanon, që Telebashkia nuk ia nxorri fytyrën në ekran sa ishte akoma pronari zgjuar. Në lajmet e pasmesnatës po, por në kryesoret ëhë, s’ka numra.

Dhe sot, më 14 Mars, Telebashkia e mbushi me vepra të tij edhe ditën e verës. “Rock the block”, “Viva Ciljeta me idiotësitë e veta”, “Ekspozitë nudo në Iliria” e “Lum ne c’na jep telebashkia” ishin lajmet kryesore në televizionin më të shikuar në vend.

Bashkia kishte organizuar një lumë me aktivitete piktoro-fshataro-zgjedhoro-lekiste sot. Shoku kryeministër me shokun kandidat për bashkë-qeverisës kishin shkuan në Elbasan, kështu që Telebashkia e kishte tërë Tiranën për vete sot.
Edhe shyqyr, se do kishim ngelur pa informuar për gjithë ato aktivitete të rëndësishme që burojnë nga mendja e kryetarit.

E tek shoh Telebashkinë dirigjuar nga Mr. Kriza (gjithmonë sipas kryeministrit, tek i cili nuk ka krizë të ma tundë besimin), më vjen keq për manipulimin që votë-dhënësit panë edhe me sy bulevardit. A akoma më keq, që rrugës për në shtëpi nuk shohin atë ndryshimin që shohin prej Klanit.

Po mbi të gjitha më shqetëson e kaluara e Mr. Krizës që lajloset nga Telebashkia. Aty, veç aty rrinë shqetësimet e mia.

Tani, rrinë pak edhe tek televizioni kombëtar e i pavarur Klan, që nuk ka të ngopur me shifrat e investimeve në Shqipërinë që ndryshon; edhe tek yjet e rëna të qeverisë e të pushtetit; edhe tek inteligjentët e politikës, tek pretenduesit për deputetë; tek të gjithë filozofët shqiptarë të shekullit XX e XXI, tek shkalla e laaaaaartë shumë e moralitetit të kryeministrit tim... Por jo, asgjë nuk më duket aq interesante sa Telebashkia dhe Mr. Kriza.

Interesante, si hije që mbeten pas!

8.3.09

Femërzimi i 8 Marsit

Ministri i kulturës na c’kulturoi një femër edhe u nxeha shumë këtë javë. Jo thjesht me Pangon, po edhe me ata që hiqen si të ndershëm duke i treguar gishtin vetëm atij, e në fakt janë po aq, në mos më të ndyrë se ai.

Po u nxeha vërtet me hipokrizinë e ngjarjes dhe keqpërdorimin e saj. Aq shumë madje, sa harrova fare se në fakt, unë jam një anti-feministe që duhet të bëj autokritikë. Po që nga e enjtja e deri sot, i dhashë katër ditë pushim kritikës e autokritës ndaj zëtit që më ngjallin ca gjallesa që gjinisht, janë femra.

Isha më mirë kur sektorin e nervave e të kritikës ma kishte zënë Pango e langojt që gjoja e kryqëzuan atë. Isha mirë…por m’u desh të lëviz sot.

Doja të harroja që ishte 8 Mars, por u kujtova dje për të, e rreshtova ca kërkesa që një grua duhet t’i mbante parasysh sot, para se të dilte për të ngrënë drekë me zyrën, apo para se të blinte lule, corape, sapun, krem të shtrenjtë, manikyr, këpucë, kostum apo djallin vetë.

Edhe sikur të doja të harroja, nuk më dhanë asnjë shans. Grumbull grash gjithandej. Me kostume lajle-lule, me këpucë e me cizme, me minifunde e me canta leopardi, me lule e me buzë flakë të kuqe, me dekolte e pa dekolte hic. Turma me qeshje fallco që s’dinin të pushonin një sekondë.

Flokët ngjyra-ngjyra e forma-forma; serioziteti per festimin e tetë Marsit në maksimum. Lokalet të gjitha plote me gra. Disa syresh me muzikë në kupë të qiellit, e gratë që kërcenin me buzët vesh më vesh: “Koka në Stambollë more, e trupi në Janinë, të shtrinë Ali Pasha more, e o Pasha të shtrinë….”!!!!

…………….

Ja gëzuar të gjithave. Gëzuar festën. Gëzuar tetë Marsin…!

U gëzofsha mendtë të gjithave. Doni edhe 30% në parlament pale. Me 8 marsesha si puna juaj, e Jozefines, e Mesiles apo e Guxhollit, do gëzoni se s’bën, e do na zbardhni faqen.

Mbi c’farë principesh jetojnë këta njerëz? Do jem njeriu më i lumtur kur ta marr vesh!

7.3.09

Nga pak Pango gjithandej

Fiks fare i punoi një rreng Ylli Pangos, e pas saj, Fiksi na doli hero e Pango viktimë.

Në video, zoti Ministër, (që edhe statujë të jenë femrat, nuk i rezistoka dot tundimit), përzien pozicionin e tij publik me një institucion privat që e drejton po ai vetë, ku bëjnë punë të dyfishtë (apo edhe më shumë) njerëz që punojnë edhe në Ministri.

Me ca fondesh mbahet ky institucion privat? Sa është abuzuar me Ministrinë për financimin e tij?!!! Do i mësojmë ndonjë ditë tjetër. Për momentin jemi të zënë më “turpin”.

Realisht, pas ndjekjes për herë të tretë apo të katërt të videos, thirrja e parë që më doli ishte “maskara”, pastaj idiot, i ndyrë, i pafytyrë, derr, e të tjera reagime momenti me radhë.
Pastaj m’i zunë sytë surratet e shqetësuara të meshkujve elitarë shqiptarë, që shqyenin gojën nga habia. E zbrazën të gjithë arsenalin më egër se unë në momentin e parë....Pastaj....filluan të bëjnë moralistin.

Të gjithë, pa asnjë përjashtim të vetëm, meshkujt e pangopur e plot instinkte shtazarake e vetë-ngopje, dënonin Pangon, mbronin viktimën Pango, qortonin yllin që u shua nga pakujdesia...e na jepnin mësime morali.

Dhe imoraliteti më i madh qëndronte në sytë e këtyre njerëzve që sqarojnë opinionin publik, por që vetë janë shokët e idealit dhe veprimit si ai që gjykonin.Të gjithë shtazarakë në sjellje, në fjalor, në moral; që nga emisioni i shpifur me adoleshente që kërcejnë lakuriq e që kalojnë kritere më të forta se ato të Pangos, e deri tek drejtuesit e pangopur me gjoba, para, tangërllëk e vetë-vlerësim të shpifur, e deri tek drejtuesit e emisioneve të moralit pa pikë morali.

Pse s’vë fiksi një kamera të fshehtë në ambientet e veta, e të na japë shembullin e moralit? Ky emision dhe ky televizion që një femre i mohuan edhe vdekjen, jo më dinjitetin!

Hipokritë deri në palcë. Hipokritë e bastardë të hipokrizisë.

Mjaft bëtë si të zgjuar maskilisht. Në shumicën e meshkujve shqiptarë, me apo pa pozitë, jeton një Pango. Madje edhe brenda atij që e shkarkoi se i prishi moralin! Në mos moralisht, Pangot brenda meshkujve jane pa fytyrë, manipulues, abuzues, të pamoralshëm, te pavlerë, të ulët, arrogante, narcizë, mbizoterues, dhunues, ose një perzierje e te gjitha tiparave bashkë. Masa ndryshon, por ngelet e pranishme.

Na mbytët me këto instinkte bazë...dhe e bëtë femrën shqiptare të përdalën e hipokrizisë.

17.2.09

Tek shprehem jo vetem virtualisht

Dola më herët nga shtëpia sot. Nuk e nisa sms-në time të zakonshme. As për gjëegjëzat radiofonike, as për të thënë se jam vonë, as për të pyetur ku po pihet kafja.

U ula gjithë zell në kompjuter. E shijova në çdo shtypje tastiere tekstin e dokumentarit që kam në dorë. Flet për vendin që e dua dhe pak e njoh, me ca thesare natyrore e historike që m’i paska mbajtur fshehur për shumë vjet.

Pas dy orësh e gjysmë përqendrim, vjen pushimi i parë. Kafen e pi në zyrë. Është e shkurtër dreqi. Edhe një kapucino të gatshme pas saj. Ndërkohë klikoj mbi shenjën “e“ dhe futem në botën virtuale.

Në facebook një njeri i mirë ka shkruar në statusin e tij se do ta fshijë faqen nga faqja e dheut, si i ka ardhur ne majë të hundës. Mbi 400 njerëz, mes tyre dhe unë, lexojnë se uria virtuale qenka velur në atë cep.

Në statuset e fundit dikush sapo falënderon të gjithë për urimet e ditëlindjes. Seç më shtrembërohet një muskul, po shyqyr, ditëlindja qenka sot. Që nga Tirana nis ca fjalë gjithë sheqer për në Odesa, e ja u bë. Postimi i parë që prej një jave.

Klikoj mbi peshk. Ca zihen, ca qeshin, ca kërkojnë të falur, ca kërkojnë që të kërkohet falje... Zanfina vë vulat e saj fotografike.

U bënë ca ditë pa e ditur pse zihen....E mbyll edhe peshkun.

Koha për përqendrimin numër dy. Lista e kandidatëve për zgjedhjet. Pse këta? Pse jo ca të tjerë? Pse jo gjithmonë të njëjtët? C’dreqin duan të rinjtë? Një orë kohë për të sistemuar rrëmujën e parakohshme, intensive dhe të stërgjatë të fushatës boshe.

Pushimi i dytë nuk ka kafe. Vetëm një klikim të dytë mbi peshk. Akoma po zihen…dhe janë të mërzitur pse zihen.

Bie telefoni. Qenkam vonë për të kthyer një përgjigje me e-mail. E-mailin akoma nuk e paskam hapur për sot. Ora 12.30. Ok. Njëra pas tjetrës hap 7 adresat e mia dhe përgjigjem nga një herë në të shtata. Shkurt, duke vazhduar të premtoj se do kthehem sërish më vonë.

I kthehem sistemimit të mendimeve që lashë tek zgjedhjet, duke parë edhe renditjen që do t’i bëj në publikimin e ardhshëm.

Një kafe ma kërkojnë tek rruga e Kavajës; tjetrën tek rruga „Sami Frashëri“, tjetrën këmbëngul që të vijnë tek fakulteti i shkencave, sepse më duken shumë gjëra të shpenzuara njëherësh nëse lëviz prej aty. Në kafe flasim për takimet e së enjtes në sallën e konferencave, të të premtes paradite në Bashki, të së premtes pasdite në redaksi dhe të së shtunës paradite jashtë orarit në katin e dytë të kafenesë së re me shumë hapësira pranë zyrës që kërkon rifreskimin e mënyrës së botimit për publikimet e saj.

Ok, të paktën me kafen shkoj mirë.

Në zyrë më presin jo fort mire të grupuara arsyet pro dhe kundër traktatit të Lisbonës. I kam vendosur shuk në mes të librit që kam gënjyer veten se do të lexoj sot në kohën e drekës. Nuk e hap fare. Është më mirë për kureshtjen që ndjell. Por „Jo“në e deritanishme ndaj Lisbonës e skanoj edhe një herë me sy.

Për të ndihmuar sfondin e heshtur, shtyp për të disatën herë në You Tube Sam Sparron. Ndërkaq, sigurohem edhe një herë se bllokimi mbretëron pa shqetësime në portat virtuale ku për dreq, lashë pak ujë te rrjedhë, edhe pse me vetëdije. Kontaktet janë të gjithë faqekuq. Unë gjithashtu.

Bie sërish telefoni. Më kërkojnë passwordin e kompjuterit tim të mëparshëm. Nuk e mbaj mend. U bënë tre muaj që nuk e përdor. Dhe „user account“-in e kam ndryshuar disa herë. Passwordin e administratorit gjithashtu....Nuk jam unë administratorja!
Premtoj te shkoj nesër që në mëngjes të shtyp gjithë passwordet që mbaj mend të kem përdorur që prej pas-ekranizimit të parë.

Në peshk akoma bëjnë sikur zihen.

Kosova u bë një vit e pavarur. Shqipëria u afrua edhe një ditë drejt zgjedhjeve.
Sot më kanë kërkuar edhe këshilla miqësore. Dhashë përfundime personale në shkëmbim. Por i pata të thjeshta. Kapërdiheshin me një gotë ujë. I ftohtë do ishte më i mirë.

Ndjej dëshirë ta gjuaj drejt më shumë sesa fort topin e bowling sonte. Dhe të qesh me gjithë shpirt tek bëj strike me 9 pila të rrëzuar. Të qesh po aq fort sa fundjavën e kaluar në Ulqin; atë të mëparshmen në Ohër; tjetrën në Firence, në Milano, në Tiranë, në Vlorë, apo kudo-qoftë. Të buzëqesh, të përqafoj, të përplas duart, të mos pushoj së foluri, të shoh e të ndjej rrokullisjen e topit që prek destinacionin që i jap.

Vendosim të luajmë tek pista numër 10.

Mbi kompjuter zverdhin si zakonisht shënimet për urgjencat e nesërme. Para se të iki, kontrolloj për forcë zakoni....Peshqit akoma po zihen.

Bowling fillon në orën 21.00....!

9.2.09

Dhunimi psikologjik i Ismet Drishtit

Shumë herë ndërroja kanalin, ulja zërin e televizorit, i bija telefonit pa përgjigje të Vizion +, e prapë në ekran më dilnin sekuencat më të dhunshme ndaj njerëzve publikë, që një farë Ismet Drishti guxon t’i quajë “kamera të fshehta”.

Pjesë e një emisioni të dështuar si vetë ndjenja e humorit që kujton se ka ideuesi i tij, Game Over që transmetohet çdo të diel në Vizion Plus, më gërric e më nxit më shumë se vetë Berisha apo Nano që të rrëmbej telefonin e të kërkoj të bëj diçka nëpërmjet tij. Si shikuese, dua të ankohem me zë të lartë. Dhe nuk jam e vetmja.

Dhuna psikologjike dhe humori skandaloz që thur Ismet Drishti, është në vetvete dhunimi më i madh që më bëhet mua këndej ekranit. Mund të ndërroj kanalin. Patjetër. Dhe e bëj. Por sërish nëpër kontroll në mes reklamash në kanale të tjerë, rastis sërish të shoh Zhani Cikon, Kledi Kadiun, apo së fundmi edhe Anjeza Shahinin, që kanë rënë pre e të ashtuquajturit “humor” që gënjen mendja se po shpik Ismeti.

Anjeza Shahini po ngiste makinën e saj dhe dikush i afrohet në të e bën sikur rrëzohet, gjoja sikur e shtyp këngëtarja. E bindur se as e ka prekur fare zotërinë (makina ishte me 10 km në orë), Anjeza largohet, për t’u rikthyer në ngjarje nga ca njerëz të papërgjegjshëm që pretendonin se ishin policë. E nxjerrin këngëtaren nga makina, i çojnë duart pas, i hedhin prangat dhe i tregojnë një njeri të shtrirë, të mbuluar me çarçaf. E akuzojnë se ajo e ka shtypur këtë njeri, që pastaj na paskësh vdekur.

Reagimi i Anjezës ishte drithërues. Ajo kërkon sqarime, vë duart në kokë, qan me zë të lartë, kërkon të marrë të atin në telefon dhe gjithë kohën kërkon të shohë personin poshtë çarçafit. “Policët” bërtasin me sa kanë në kokë dhe e shajnë Anjezën si t’iu vijë për mbarë. Ndërkohë, në këtë “skenë të fshehtë humori”, është mbledhur gjithë lagjja, që sheh e habitur ndodhinë e çuditshme.

Anjeza e përjetoi jashtëzakonisht keq gjithë situatën. Dhe kishte rënë tre herë në tokë nga goditja psikologjike e skenës që po i shitej, deri sa Ismet Drishtit iu mbush koka t’i thoshte se kjo na qenkej një lojë.

Po ishte vonë. Anjeza s’po e mblidhte dot veten, e siç tha edhe vetë me vone, për ditë të tëra më pas nuk ishte në gjendje as ta ngiste makinën nga shikimi. Dhunimi psikologjik që iu bë asaj femre ishte aq i madh, sa ajo mendoi të denonconte humorziun Drishti në polici, e të ndalonte në mënyrë kategorike transmetimin e paçavures që ai e quan “kamera të fshehtë”.

Por, fatkeqësisht, pasi kaluan muaj e situata u ftoh, Anjezës disi ia mbushën mendjen dhe “loja” që i bënë u transmetua mbrëmë në Vizion Plus.

Unë do të kisha dashur me gjithë zemër që ajo vajzë të kishte thënë me këmbëngulje “JO” për transmetimin, dhe të kishte shkuar pas hezituar asnjë sekondë të vetme në polici.(megjithw dyshimet pwr funksionimin e vwrtetw tw policisw)

Nëse nuk e bën Anjeza, po e bëj vetë si shikuese. Vërtet nuk jemi në perëndim, ku një numër i caktuar ankesash nga dëgjuesit në një media fluturojnë nga puna emisionin dhe përgjegjësit e tij, ama edhe të rri e të shoh dhunën psikologjike të Ismet Drishtit, nuk mund ta pranoj me lehtësi.

Vetëm personat me çrregullime të theksuara mendore ushtrojnë dhunë publike; ata që kujtojnë se dhuna është humor, mund ta kenë ca më të lartë shkallën e mangësive. E ata që lejojnë që një televizion me shtrirje pa leje në të gjithë territorin, të transmetojë çmendurira e papërgjegjshmëri të tilla, duhet të kenë akoma më shumë probleme me sistemin nervor.

Në milionat e sekuencave me kamera të fshehta nëpër botë, nuk më ka zënë syri ushtrim të atillë dhune për një kohë aq të gjatë gjoja loje ndaj një personi publik.

KKRTSH po fle gjumë e mbase nuk e ka hiç haberin se c’bëhet ekraneve që ajo është ligjërisht e detyruar të monitorojë e të ndëshkojë.

Në këtë rast ndëshkimi do të ishte patjetër për Vizion+, por veprimi më i parë dhe më i sigurt duhet të ishte ndaj një tipi të quajtur Ismet Drishti, që po sakaton mendjet e njerëzve publikë me humorin e tij idiot, të dhunshëm, agresiv, të dënueshëm dhe të ndaluar. Ky person duhet denoncuar dhe idetë e tij duhen zhdukur nga çdo ekran televiziv.

Ku e merr lejen ky njeri të bllokojë trafikun, të dublojë figurat e policisë, të përdorë armë në të gjitha ato pseudo-kamerat e tij të fshehta? Ku e gjen guximin ky njeri të pretendojë se mund të qeshë me dhunimin psikologjik të tjetrit? E aq më tepër, me sa mend pretendon se do bëjë të qeshin edhe shikuesit me prirjet e tij brutale ndaj dhunës?

Më vjen ndër mend edhe kamera e tij e fshehtë me një tjetër personash publik, të cilit i vunë kokën mbi një copë dru pas një fugoni, edhe me një sopat sipër saj i kërkonin gjoja lekët.

Ismet Drishti është dhuna që shëtit pa asnjë teklif nëpër ekrane, duke imponuar një sjellje që është e denjë për masa ndëshkimore ligjore.

Jo vetëm “Stop dhunës”, po stop Vizionit, Idrizit e kujtdo që luan me lëkundjet nervore të njerëzve të drejtë. Ka vërtet njerëz me dërrasa mangët në këtë dynja, po nuk kemi pse t’i shohim ne c’ekuilibret e tyre mendore, të sjella gjoja si “humor”.

Humori më i madh do ishte ta shihja pas hekurave të vërtetë këdo që dhunon hapur dhe publikisht qoftë protagonistët, qoftë publikun e sulmuar nga të tilla paçavure mbushur plot me c’ekuilibra etikë e njerëzorë.

Na mbyti dhuna!

4.2.09

Një buzëqeshje


Autor anonim

Një buzëqeshje ‘s’kushton asgjë, por dhuron shumëçka.
Buzëqeshja është vetëm një moment,
moment që zgjat përgjithmonë
Nuk ka të pasur që të mos ketë nevojë për një buzëqeshje
Nuk ka asnjë të varfër që do të pasurohej me një të tillë.
Buzëqeshja shton pasurinë e atyre që e marrin.
Pa varfëruar pasurinë e atyre që e japin.
Buzëqeshja rrezaton një shtëpi
sjell mbarësi në punë dhe është eliminuesja më efikase e telasheve.

E nuk mund të lypet, merret me qera apo të vidhet;
sepse nuk ka asnjë vlerë
nëse nuk jepet me gjithë shpirt.

Shpesh miqtë nuk kanë kohë as për një buzëqeshje
Prandaj jepni tuajën edhe për ta dhe do të jetë e thjeshtë fare të kuptoni
se askush nuk ka nevojë më shumë për një buzëqeshje,
sesa ai që nuk mundet dot një buzëqeshje të japë.




A Smile
Author Unknown

A smile costs nothing, but gives much
-It takes but a moment, but the memory of it usually lasts forever.
None are so rich that can get along without it
-And none are so poor but that can be made rich by it.

It enriches those who receive, without making poor those who give
-It creates sunshine in the home,
Fosters good will in business,
And is the best antidote for trouble-
And yet it cannot be begged, borrowed, or stolen, for it is of no value
Unless it is given away.

Some people are too busy to give you a smile
-Give them one of yours
-For the good Lord knows that no one needs a smile so badly
As he or she who has no more smiles left to give.

27.1.09

Dite e ujtë

Bie shi pa ndërprerë sot në Tiranë. Mëngjes i lagësht, i ujtë, rrethues. Mëngjes që i lodhi xhama-fshirëset e makinës. Edhe kthjellon pa pushim pluhurin e fshehur që kishte zënë tejdukshmëritë.

Bie shi me vrull, por me radhë sot në Tiranë.

Në rrugë nuk ka kalimtarë. Vetëm makina që nuk nxitojnë kuturu. C’shi i vendosur. Pikëmadh, i dendur, i pastër, i kombinuar.

Pak metra më tutje shndërrohet në të shpeshtë, të pandërprerë, zotërues....dhe i ëmbël ky shi.

U bëra ujë sot. Shi i bukur!

24.1.09

Enumeracion :P

Sa per te kaluar kohen dhe per t'i bere count down enumeracionit te feminitetit qe na erdhi ne peshk, bera nje album "to be shared with everybody" :P (prape)


Kjo eshte Larisa Miculet, ka ndare te njejtin pozicion me kryeprokuroren tone, znj. I. Rama



Ketu shihni ne nje dite normale pune nje prokurore australiane. E solla sepse doja t'i vija perkrah ate foton e lezetshme te Ines me telefon tek veshi, por s'ka dale akoma ne net.


Kjo tjetra eshte Anabel Jennings, prokurore e sapoemeruar ne USA.







Mendoni se kjo eshte ne Shqiperi? Jo, jo. Eshte Ally McBeal, personazhi kryesor ne komedine me te njejtin titull qe jep Fox network. Ne qender te saj nje avokate qe e sheh me koncepte moderne punen e saj.





Kjo po, eshte "caledonian general prosecutor". Njeshi ne mbreterine e saj.



Dhe ne fund kemi Ina Ramen.




P.s. Top Channel ngelet kanali me i ndotur ne cdo kuptim!










21.1.09

Trafik i dendur psikologjik

Fundjava pati kaluar ashtu, ngarkuar me idenë që më duhej të lexoja kaq shumë për instumentalizmin, saqë kur të martën më pyetën për të, harrova edhe tezë e kujt ishte.

Zhgënjyer nga rezultati përtac i së dielës ( me gjithë shndërrimin shpirtëror e bisedën e një-anshme në kishë), e filloj të hënën akoma më e mbushur me maraz mos-plotësimesh. Në shumicën e rasteve kishin të bënin me pritshmëritë. Edhe unë vetë kam filluar të pres shumë nga ajo që presin të tjerët prej meje!

Të martën në mëngjes, rroftë pavarësia, individualizmi, pseudonimizmi, viti elektoral, promocional dhe lufta t_red – pronare e saj, përfundova në unazë nja 10 minuta para orës së zakonshme. Asnjë nxitim, vetëm ca ide mbi qënien time të paqenë, të mbi-qenë, të drejt-qenë ose të pse-qenë…

U hap semafori. Kam dy makina para meje. Shkëputem fare lehtë. Akoma s’jam në marsh të dytë. Një motor vjen nga korsia në të majtë. Para meje një urë. Ai sheh semaforin jeshil dhe urën, por jo makinën time.

Kërkon të shkojë tek ura. Më kalon aq afër sa më mori me vete pjesën mbështjellëse të pasqyrës dhe e mbështeti më forcë timonin mbi pjesën e fundit të makinës.
Trafiku nuk ndërpritet. Polici ishte para nesh.

Mos u shqetësoni. Asgjë nuk ka ndodhur. Si e keni emrin?
…t_red?!
-Si the?
- Jo, po shihja zotërinë…

Dukej mbi të 60-at. Veshur keq dhe me fytyrë të vuajtur.

- Ku po shkoje mor zotëri?
- Po ja, isha pak me nxitim. S’pata kohë ta ndryshoja më parë korsinë. Pastaj m’u duk më shkurt po t’i bija nga ura.

Unë largohem. Ai po ashtu. Shkëmbejmë numrat. “Më merr ti, se e paske numrin mire”.

Po. Do të marr unë. Edhe pse ma prishe mëngjesin bashkë me një sërë idesh të tjera që po vërdalliseshin rreth qënies sime. Ujë iu hodhe, por do rriten mirë.

Pasdite, një passat i bardhë dhe një audi jeshil po bënin roje nderi përpara ushtarit të panjohur. Shoferi i passatit i bëri flokët cope duke iu shkuar duart aq shpesh mbi to, kur ai ai i audit shfajësohej me duar e me këmbë. “S’të pashë o vëlla, jam duke nxituar për diku”...

Në mbrëmje, në rrugën e kthimit, autobuzi para meje hyn në kryqëzim në të njëjtën kohë që një kamion kërkon të kthehet në vend duke ardhur nga korsia përballë. Thirrjet e njerëzve kalojnë mbi makinën time e ndalen nuk e di se ku.

Kur gjithçka pritet për një fije peri në atë skenë, jam e pafuqishme të futem në kryqëzim.
Mezi pres të parkoj në shtëpi, e të mos dal më me makinë.

Ashtu vendos.

Por sot në mëngjes bie shi. Ditë e zymtë, e keqe dhe mbushur me dilema të tjera, dhuratë e vitit zgjedhor. Puna është larg për me këmbë. Është gjynah të hipi në autobuzët e mëngjesit. Taksitë kanë vënë atë taximetër që ta rjep kuletën me shpejt se në Londër.

Dhe hipi sërish në makinë... Rrugës të gjithë motorrët më duket se bëjnë garë zig-zagesh. Makinat e tjera po ashtu. Këmbësorët kalojnë nga njëri kah i rrugës në tjetrin në çdo segment të saj (vetëm aty ku ka vija të bardha jo, se janë larg pikë-kalimit të tyre. 10 metra mbase?). Biçikletat ecin në kah të kundërt. Disa janë ngjitur edhe në trotuar. Në korsinë time të brendshme ka makina të parkuara “për urgjencë” me katër drita ndezur në çdo pëllëmbë. Kështu detyrohem të ndjek zig-zagun e motorrëve dhe makinave të tjera.

Semafori punon, është jeshil, por në kryqëzim ka edhe një polic qarkullimi që jep direktiva të kundërta me ngjyrat e semaforit.

Po e pi ndryshe kafen e mëngjesit sot. Dua të vëzhgoj.
Kafja u ftoh. Porosita një tjetër. Edhe ajo u ftoh...teksa nuk e shqisja dot vështrimin nga dritarja e katit të 10-të të barit, duke parë e cakërdisur trafikun e mëngjesit në këtë ditë shiu në Tiranë.

Për ku? Të jenë edhe këta të gjithë duke menduar për instumentalizmin? Apo për vitin zgjedhor? A janë të gjithë duke nxituar për në punë? Qenka ulur ndjeshem papunësia.
Ja tek ia ciku pasqyrën. Ja edhe të sharat e biciklistit. Ja edhe frenimi gozhdë se po kalojnë femrat...edhe shkëputja në semaforin që pulson i verdhë e ka akoma këmbësorë në vijat e bardha.....

........................................

“Edhe një kafe të lutem....”

16.1.09

Edhe një herë për frymën e debatit

Tek peshku mora shkas, sigurisht. Komunitet subjektiv, si gjithandej edhe në jetën reale. Ndryshimi është se hipokrizia del pak me shkoqur në shesh.

Në një rast “eksperimental”, një poezi në këtë faqe u soll me emër tjetër prej njërit prej postuesve më të zotë e më të matur në peshk. Të gjithë u vërsulën kundër “të riut” pa i kushtuar aspak rëndësi fjalëve të shkruara. Qëndrimi vazhdon të jetë i njëjtë.

Nuk më ka rënë rasti të dialogoj me shumë shqiptarë “të lexuar” që argumentin ta mbështesin në fakte që vijnë përtej gazetave apo blogjeve. “Unë mendoj se po ia fut kot” ose “bravo të qoftë” janë komente që në prurje nga i njëjti autor, por me emër të ndryshëm, tregojnë mungesën e thellë të objektivitetit në postim.

Postuesit e këtushëm nuk kanë për t’u bërë as lexues më të vëmendshëm, as kritikues më bindës, as dëgjues më profesionistë. Është paradoks ta pretendosh, veçanërisht nëse mendon se gjithkush pas pseudonimit ka një personalitet dhe jetë të vërtetë që kërkon përkushtim për të qeshur edhe përtej peshkut.

Surprizë e madhe është edhe qëndrimi në bllok për një çështje. Mungesa e mendimit individual dhe mos-ndikimit është për të ardhur keq. Komentet e veshur me paragjykim, mos-lexim, pa lidhje me thelbin, plot me emocione e zjarre diletante janë shpesh ata që përcaktojnë rrjedhën e një teme.

Identifikimi i postuesve me fenë apo me militantizmit e mbështetjet politike janë dy aspekte të tjera që i dërrmojnë diskutimet dhe debatet jo vetëm në këtë faqe, por edhe tjetërkund në shoqërinë shqiptare.

Personalisht nuk më pëlqen të flas për hindutë, përderisa nuk i njoh ata mjaftueshëm sa për të diskutuar. Nëse shoh një temë në këtë faqe për fenë apo kulturën e tyre, preferoj të mos postoj, duke qenë se mendimin vështirë ta kem të bazuar në argumente apo pasazhe të lexuara diku jashtë peshkut, blogjeve apo komenteve.

Cili është synimi i vërtetë i gjithsecilit në momentin që nis një postim? Të bëj llogje, të shaj postuesin më sipër, t’i thyej hundët autorit, të bëj si i/e mençur, t’ju tregoj se unë di më shumë, të shkruaj sa për të kaluar kohën, ta batërdis temën me gjithë postime apo kam edhe unë ndonjë vlerë për të shtuar?

Janë të panumërt shkrimet dhe postimet në këtë blog ku shahen analistët e shtypit si pretendues për të ditur gjithçka, e në peshk shikon shumicën dërrmuese të postuesve të dalin më analistë së analistët, me përfundime e shtjellime sipërfaqësore që përgjithësisht rëndojnë mbi autorët, jo mbi temat vetë.

Unë akoma nuk kam gjetur ndonjë temë ku diskutimi nga fillimi në fund të ketë të bëjë vetëm me temën dhe vetëm me argumenta bindëse pro apo kundër saj.

Por ky është vetëm një perceptim debati dhe këndvështrim personal ndaj detyrës për të qenë të përgjegjshëm në postime dhe minimumi të mendohesh tre sekonda përpara se të përgjigjesh.

Mund të jetë kërkesë në vend dhe në kohë të gabuar. Por është e domosdoshme!

8.1.09

Media, c’rol po luan ajo?

Nuk më nxiti pakënaqësia e kolegëve, as ndonjë përkeqësim i medias shqiptare së fundmi. Më shqetëson fakti që media po bëhet flamurtarja më e madhe e prishjes së ekuilibrave perceptues dhe c’edukues në vend. Kritikat mbi të janë të shumta e shpesh të drejta. Media është e varur financiarisht, politikisht, redaksionalisht, mendërisht, abuzivisht e me radhë. Në funksion të kësaj varësie, serviren lajme, kronika, reportazhe e emisione që jo vetëm s’mund të pretendohet se janë edukative, por përkundrazi, janë edhe indoktrinues e bashkëpunuese të një dezinformimi të fatkeq e të hapur.

Shumë ngjarje lihen pa transmetuar, ose trajtohen në këndvështrimin e çengelit ku është varur media. Moria e informacioneve nga politika mbyt e mbulon fiaskot e atyre nga ekonomia, problemet sociale, të drejtësisë, të arsimit, e kështu me radhë.

Pesha e rëndë këtu, logjikisht duhet të binte mbi shpatullat mediatike. Kjo në kuptimin që midis informacionit që lëvrohet çdo ditë, media të bëjë përzgjedhjen mbi bazën e disa kritereve etike, morale, profesionale , përgjegjëse, edukuese, etj.

Po e lë mënjanë politikën në kuptimin e saj të parë dhe po merrem me lajme te ngjashme për nga çoroditja e idesë që përcojnë. Në përgjithësi na bie rasti të shohim lajme të manipuluara, të njëanshe apo edhe tërësisht c’edukuese, pavarësisht se kush është protraginsti i tyre. Edhe politika futet në këtë vorbull, teksa sjell më shumë lajme, profile e këndvështrime personale.

Disa lajme kanë përmbajtje arrogante, të tjera fyese e ca të tjera, akoma më keq, cenuese e c’edukuese bashkë.

Çfarë duhet marrë parasysh?

Përpara se të merret vendimi që një lajm të publikohet, praktika redaksionale duhet të jetë e tillë që të mbështesë analizën e mirëfilltë të nevojës për botim dhe pasojave që mund të shkaktojë ajo. Mirëpo në përgjithësi, media shqiptare mjaftohet me botimin e disa lajmeve, zapton për disa ditë faqet e para me to, ndikon dhe edukon në mënyrën më negative të mundshme shoqërinë, dhe pastaj e lë çështjen aty, ashtu, të pazbardhur, të pambaruar, “lëmsh përpara derës”

Edhe pse lajmet dhe skupet që vijnë në media janë vërtet të shuma në numër, drejtuesit redaksionalë, së bashku me një ekspert etike, (që ekziston në çdo media në botë dhe askund në Shqipëri), vendosin si dhe pse do ta transmetojnë një lajm.

- A cenon ky lajm jetën private të dikujt?
- A e cenon dinjitetin e tij?
- A shkelet këtu e drejta e njerëzve për t’u informuar nëse nuk e japim lajmin?
- Po nëse e japim atë, a cenojmë moralin e dëgjuesve/shikuesve/lexuesve
- Çfarë ndikimi mund të ketë transmetimi i një lajmi të tillë
- Cili është rreziku që nëpërmjet tij të lihen pasoja afatgjata në shoqëri?
- Cilat mund të jenë këto pasoja?
- A e kemi mundësinë të mbajmë qëndrim redaksional ndaj çështjes, që moralisht të jemi të pastër në edukim?
- Po analizën e një psikologu për arsyet dhe trajtimin e çështjes, e botojmë dot bashkangjitur lajmit? Kjo mund të sillte ekuilibrim në mendjen e lexuesit.

Por, fatkeqësisht, në median shqiptare asnjëra nga të mësipërmet nuk merret parasysh.
Nëse media pretendon se mund të kërkojë llogari gjithandej dhe kudo, asaj nuk i kërkon llogari askush për disa shkelje morale në aspekte që nga ana etike, duhet të kishte marrë përsipër të zbatonte.

Gabimin dhe mungesa e medias në edukim qëndron pikërisht këtu; tek mostrajtimi i çështjes nga të gjitha anët, mbajtja qëndrim ndaj saj, që edhe nëse nuk e fsheh dot faktin, provën, evidencë, të paktën të mbahet një qëndrim ndaj saj.

Përse nuk ndodh kjo

Jo për mungesë vullneti, por njohje, pranimi dhe evidentimi tek vetja e përgjegjësisë së madhe që sjell informimi.

Duhet mbajtur parasysh se në median shqiptare, kaq e re sa është ajo (flasim për median e “lirë”), më shumë është e orientuar drejt pozicionimit të vetes në treg, sesa tek drejt përgjegjësisë që ka të jetë moralisht e përgjegjshme dhe nga ana etike në rregull me audiencën.

Audienca sigurisht që është gjahu, synimi i parë dhe i vetëm i tregut, por mënyra se si arrihet ai, as që merret në konsideratë nga media.

Audienca kapet, arrihet dhe mbahet me:
- emisione c’edukative (relative nga perceptimi) në gjuhë apo komunikim (siç mund të jetë Portokallia);
- konkurse jo nxitëse, por prishëse, si dikur “Gjeniu i vogël” me këngë erotike që iu kërkoheshin 10 vjecarëve.
- me lajme çoroditëse si ato të sipër-përmendurat
- emisione me një gjuhë të ulët dhe servile, (ndaj sponsorëve apo pronarëve)
- filma fare të pa censuruar në çdo orë të ditës.

Ja një panoramë e thjeshtë e mediave kryesore në vend. Cila mund të jetë shkalla edukative e transmetimeve të tyre?

Media Emisioni më i ndjekur Shkalla edukative

- Top Channel: Portokalli, Big Brother, Ti vlen, Fiks Fare, Lajmet. Nga 1-10, cila eshte shkalla edukative?

- TV Klan: Opinion, E diela shqiptare, Gjeniu i Vogël. Nga 1-10?

- Vizion Plus: Lajmet, Zone e lire. Nga 1-10?

- Panorama: Politika dhe analizat. Nga 1-10?

- Shekulli: Lajmet, kronika e zeze dhe analizat. Nga 1-10?

Nëse sot bëhet një sondazh tek fëmijët nga 5-10 vjeç se çfarë dëshirojnë të bëhen kur të rriten, shumë pak do të thonë “Mjek, mësues, avokat, apo inxhinier, ekonomist e shkrimtar”. Shumica duan të bëhen “Këngëtare si Bleona, Ciljeta dhe Shpat Kasapi; aktore si Inisi, drejtuese lajmesh (jo gazetare, se kërkon punë, por drejtuese lajmesh), si të gjitha spikeret që mirë nuk dalin nga ekrani teksa hidhen gjithë vrull nga karrigia edhe kur flasin për një ngjarje tragjike, me trukun e mbi-rënduar në fytyrë dhe vetëkënaqësinë imponuese që përcjellin pa bosht tek shikuesi. Ose duan të kenë firmë ndërtimi, televizion digjital, ekskluzivitet për shpërndarjen e kafes, ose makina të mëdha, të bukura, luksoze dhe me shofer”.

Nga burojnë këto? Sigurisht nga (c)edukimi që ata marrin në media.

Një tjetër tabelë mund të sillte ndarjen e operimit në një media, veçanërisht vizive:

I. Informacioni
II. Programacioni
III. Filmat
IV. Emisionet zbavitëse

I. Tek informacioni, siç u tha më sipër, nuk mendohet dy herë para se të jepet një lajm, çfarëdo impakti dhe efekti që mund të japë ai në publik. Mjafton që lajmi të jepet, se mos ikën nga duart dhe e jep një media tjetër më parë.

II. Tek Programacioni, as që ekzistojnë programet e ndara edukative, sipas grup-moshës, interesit profesional apo familjar. Nuk ka as burime njerëzore, sa financiare, as profesionale që të marrin përsipër bërjen e një emisioni edukativ për familjen apo për fëmijët, që ai të kuptojë se të bëhesh financier është më etike se të synosh të bëhesh i pasur; apo të merresh me muzikë do të thotë të njohësh edhe notat dhe pentagramin, jo vetëm të heqësh sa më shumë rroba dhe vlera nga vetja dhe të përdridhesh në ekran.

III. Tek filmat, që janë të gjithë të huaj, dhe për më tepër telenovela të lira dhe keq-edukuese me moralin e tyre, është pothuajse e pamundur të shpresosh për ndonjë fijez edukuese. Kryesisht mediat shqiptare blejnë filma shumë të lirë nga vendet e varfra, që asnjëherë nuk trajtojnë probleme të mirëfillta sociale, apo t’ju japin një alternativë zgjidhjeje atyre.

IV. Emisionet zbavitëse tashmë konsiderohen vetëm ato ku banaliteti dhe gjuha e ulët bëjnë garë hapur në emisione që skuqin secilin prej nesh nëse është në tavoline më miq apo familjarë. Etika morale dhe vlera edukuese aty është jashtë çdo lloj imagjinate. Por, nuk dihet nëse këto emisione prodhohen sepse ndiqen dhe pëlqehesh shumë, apo nëse ato ndiqen sepse janë me lehta dhe e vetmja mënyrë argëtimi për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.

Cilado që të jetë arsyeja, media më shumë duket se ndikon negativisht tek shikuesi, nuk e merr mundimin shumë ta edukojë atë, dhe përmbush vetëm anët negative të formimit të publikut. Ky rol duhet parë dhe përmirësuar, por jo në një media tërësisht të varur diku.

5.1.09

Çfarë vlen?

Vajza e vogël nga Peshkopia ma tërhoqi vëmendjen. Natyrshmëria e lëvizjeve të saj e bëri. Teksa dy pjesëtarë të tjerë të trupës së akrobatëve e përdornin si litar e mbi të bënte kërcime mbrapsht një vajzë fare pak më e madhe se ajo, ndjeva admirim për ta.

Admirim për guximin, saktësinë, shkathtësinë e lëvizjeve të prera e plot kombinacion figurative. Por mbi të gjitha, ndjeva admirim për punën e kësaj vajze. Dhe të gjithë trupës që vinte nga Peshkopia.

Me pastërtinë dhe naivitetin e njerëzve që s’e njohin mirë kryeqytetin ku të gjithë dinë të gjykojnë gjithçka, madje edhe për shfaqjen e tyre, ata kishin zbritur në Tiranë për të dëgjuar prej jurisë profesioniste dhe shikuesve po aq profesionistë e tërësisht të vërtetë tek vota, se ata “vlejnë”.

Për mua vlejtën që në momentin e parë. Vajza nuk ishte më shumë se tetë vjeç. Kërcimet e saj, por mbi të gjitha shkathtësia dhe siguria me të cilën vepronte, më bënë ta ul për disa minuta telekomandën.

Vajza tjetër uli kokën urë poshtë pikës së rëndesës që mbante ekuilibrin e trupit të saj, dhe me një qiri në gojë, ndezi një tjetër që ndodhej poshtë tavolinës ku ajo përkulej mbrapsht.

Po le t’i harrojmë figurat, vështirësitë apo realizimin e tyre....puna që kanë bërë këto dy vajza të vogla në stërvitje, nuk më shqitej nga mendja.

Në Peshkopi bën ftohtë një pjesë të mirë të vitit; nuk ka cirk të financuar publikisht; as ambiente për t’u stërvitur; as motiv për ta bërë këtë. Por këto dy vajza dhe pjesëtarët e tjerë të trupës, më bënë të vë në dyshim perceptimet e mia mbi jetën, pasionin apo përkushtimin e vdekur në qytetet e vogla. Shfaqja e tyre ishte provë e gjallë e qindra orëve punë, përkushtim, vështirësi, lotë, dështime në prova, përsëritje deri sa figurat të realizoheshin ashtu siç i planifikon trajneri.

Për mua, përkushtimi që ndihej pas paraqitjes së tyre ishte rrëqethës, dritëdhënës dhe shpresues: në Shqipëri paska ende njerëz që dëshirojnë të bëjnë veprimtari që kërkojnë përkushtim, punë dhe shumë këmbëngulje.....!

Kjo më bëri të votoj për herë të parë në jetën time në një emision në Shqipëri. Votova për orët e gjata të përgatitjes dhe për besimin që kjo trupë më dha përmes paraqitjes së saj.

Juria votoi një pantonimist që bënte numra shpejtësie me ca shami grash. Nuk e besoj që përgatitja e tij kohore, fizike apo mendore është më e madhe sesa ajo e trupës së akrobatëve nga Peshkopia. S’e besoj hiç!

Unë votova për mesazhin që më dha ajo vajzë e vogël nëpërmjet talentit të saj vërsulur në punë; kurse çmimin e mori një shakaxhi që s’ka lidhje me orët e gjata të përkushtimit.

Unë votova për motivimin; Top Channel e skualifikoi atë si “në vend të fundit mes finalistëve, me më pak vota nga publiku“....

Këtë të fundit nuk e besoj. As nevojën për të demotivuar me deklarata të tilla negative një fëmijë të dhënë pas pasionit që kërkon punë, jo!

Unë admirova, u stepa dhe votova për shpresën e ringjallur se ka njerëz në Shqipëri që e kuptojnë se jeta nuk është vetëm talent në këngë, në politikë, në televizion, në big brother apo në digitalb. Jeta nuk është dush parash e fame që vjen mes xhepash, këmbësh apo manipulimesh. Jeta është edhe më e bukur kur i përkushtohesh e punon fort për pasionet që ajo të ngjall.

Top Channel fatkeqësisht mendon ndryshe. Po NUK IA VLEN ta besojmë vlerësimin e tij fiktiv për shpërfilljen që tregoi ndaj përkushtimit dhe paraqitjes së shkëlqyer të një shfaqje “provinciale” që kërkon orë të tëra mundim, djersë dhe këmbëngulje.

Për mua, të gjitha këto dhe buzëqeshja plot jetë e vajzës së vogël me talent e përkushtim të madh që erdhi nga Peshkopia, VLEJNE që c’ke me të!