22.8.08

Vegim vegjëlie

Më shtrëngoi fort në krahë. Më përqafoi. E shtrëngoja faqen në të sajën dhe ndjeva lotët e gjatë. Të mitë, apo të sajët?

Topuzi i saj krenar ia kishte lënë vendin ca thinjave të shkurtra. Ajo mikeshë, unë pritëse.

E takova si gjithë të tjerët. Pastaj më thanë emrin e saj.
U ktheva ta ripërqafoj. Dhe nuk e lëshoja as nga lotët e nxehtë faqeve të rëna.

Dikur më mbante ajo në krahë. Më ledhatonte flokët, përkëdhelte faqet. Më mbante për dore shpesh. Buzëqeshte, çlirohej, lehtësohej, shplodhej kur më kërkonte të dilja në radhën e parë, të kaloja goglat e numëratorit, të mbaja radhën e skeçeve, të përsërisja tregimet, poezitë, përrallat e saj. Të ushtroja dorën tek vizatimet, të bëja më shumë ushtrime, bashkim figurash. Por më shumë se gjithçka, më nxiste të përsërisja në fund të ditës ç’kishte ndodhur gjatë saj. E më shihte plot siguri kur kërkonte të nxirrja anët e mira dhe pikat ku unë dhe të tjerët duhet të përmirësoheshim të nesërmen...

E përqafoja pas 25 vjetësh. Njëlloj siç më përqafonte triumfuese ajo pas çdo paraqitjeje “dinjitoze” që i falja atëherë kur mësova forcën e motivimit, vlerësimit dhe të dashurisë pa kushte për krenarinë e inteligjencës.

“Ke ngelur po njëlloj” - më thoshte mes përqafimesh ku kërkoja me ngulm të shtrëngoja atë pjesë të fëmijërisë. Mirësia e pafund e saj përcaktoi sjelljet dhe zgjedhjet e mia të mëvonshme.

Ç’pasqyrë e pagabueshme. Edukatorja e parë!
Shtrëngoja fëmijërinë në krahët e saj!

t_red,
Vlore, 21 gusht 2008,

4 comments:

Anonymous said...

une nuk do harroj dot se si eshte e mundur qe mesuesen kujdestare te 8-vjecares kur e kam takuar ne vit te 4-t vetem e kam pershendetur dhe nuk i kam thene asnje fjale!

ndersa per edukatoret dhe me the e te thashe i kam kujtu vetem kur kam fol me Belle fleur!!!!

pershkrimi....simply wonderful!!!!

belle_fleur said...

C'emocion te ri-takohesh pas kaq e kaq vitesh me edukatoren e pare, dhe jo me si femije, por si femer e kompletuar, e edukuar dhe shkolluar ne shume drejtime. Me siguri qe ajo eshte krenare per ty dhe ti ndjehesh mirenjohese per dedikimin dhe dashurine qe ajo ju ka falur kur keni qene te vegjel.

Rrofsh!

energize it said...

E madhe je, as me kishte vajt noiher neper mend te shkruja per edukatoren, sadoqe ka qene goxha grua. Po si duket ngaqe na jepnin mish me dhjame kur isha ne kopesht, e urrej cdo gje qe ka lidhje me kopshtin :D :P

edrus said...

Sot po lexoja shkrimin për 70 vjetorin e vdekjes së Migjenit.
S'kish se si të mos më kujtohej dita e parë e shkollës (shkolla ime mbante emrin e Poetit) dhe mësuesja ime e parë...Marinda Loku.
Sa e verfër që mu duk puthja që i dërgova virtualisht asaj pas leximit të kësaj pjese :).