28.8.08

Media: Ku dhemb dhembi, vete gjuha!

Qoshja e shtypit
Media shqiptare ka kapur një gjendje të palëvizshme, të fjetur, ri-përsëritëse, krejtësisht të ezauruar, aspak krijuese dhe negative deri në shqetësim për opinionin.

Në vend që politika të ndjejë mbikëqyrjen dhe transparencën e medias, në Shqipëri ndodh e kundërta; media është e tëra e diktuar nga politika. I bindet asaj. I shërben. Politikës dhe biznesit. Interesave të ngushta që kanë të bëjnë me miqësitë dhe shoqërimet me njërin kah apo me tjetrin. Janë krijuar identifikimet e një-anshmërisë që nuk kanë të bëjë fare me detyrimin për informim apo balancën në të.

Media është vegël, jo levë. Përdoret për montim-çmontimin e skenave që i shërbejnë shfaqjes së interesit ose fshehjes së tij. Profesionalizmi është mundur nga egoja dhe tundimi financiar në nivelin e mediatikëve të mesëm (drejtuesit), nga frika e ligjit dhe shërbimi i biznes-politikës në nivelin e lartë (pronarët), dhe nga formimi i papërshtatshëm i të punësuarve për hamallë ose rrufepritës dështimesh në nivelin e ulët (reporterët).

Piktura e plotë nuk paraqet as tranzicion, as krize, por thjesht një gjendje të trishtuar, ku rrethi vicioz i atyre që e kanë krijuar, është më mbytës nga ç’janë në gjendje të kuptojnë të mbyllurit në të.

Ku qëndron faji/dështimi i media?
Të pranosh publikisht dështimet dhe nevojën urgjente për përmirësim është një hap sublim që kaosi mediatik shqiptar nuk është ende në gjendje ta bëjë. Kjo kërkon të pranosh defekte, dhe media nuk e pranon këtë. Provë e pakundërshtueshme janë ripërsëritjet e mërzitshme që televizioni dhe gazetat i bëjnë njëra tjetrës.(financa është mbretëreshë në abuzimin e saj).

Në çdo redaksi televizive puna fillon më shfletimin (nënkupto kopjimin) e shtypit të ditës, dhe në çdo redaksi gazete qëndrojnë të ndezur tre-katër monitorë që nuk lodhen fare as të përpunojnë lajmet që ndjekin çast pas çasti aty.

Pra, media është kthyer në burim të vetvetes. Sado gjenerues të jetë riciklimi i informacionit, një ditë ai shteron. Burimet alternative janë aq të standardizuara sa të trembin me pamjen e tyre të rëndomtë; konferenca shtypi, deklarata për shtyp, promovime të ndjekura nga kokteje, thirrje për intervista të parapërgatitura.

Media shqiptare është viktime e një spontaniteti që vjen nga koka e saj. Përgjumja ndjehet në shumicën e edicioneve. Mungon këndvështrimi kritik, i detajuar, i pasuruar me elementë shpjegues (të mos flasim për aspektin argumentativ, që fatkeqësisht përdoret rrallë dhe është dhunti e një numri shumë të kufizuar mediatikësh).

Media është pothuajse e dështuar në misionin e saj për të informuar, sepse hapësira ku ajo lëviz është shumë e ngushtë, njëlloj si pikëvështrimi që kanë për drejtimin dhe orientimin e saj rreth-viciozët që e bënë të lëvizte me të njëjtën siguri që po e mbyllin fuqinë e saj depërtuese.


Ç’mund të bëhet për të ardhmen e medias?
Të merret në konsideratë se të jesh gazetar nuk mund të jetë më aq e lehtë sa të visheshe polic në 1997-ën.

Puna në ekip është term i huaj për ambientet mediatike dhe kjo do të vazhdojë të rrëzojë ambiciet e pa-lindura për përmirësim të saj.

Komunikimi i cunguar, harbut, përçmues dhe shpërfillës, së bashku me dëshirën për piedestal të përjetshëm, as që i japin mundësi medias ta përjetojë katastrofën në të cilën është zhytur.

Nga ana tjetër, hendekët artificialë në shpërblimin financiar në shkallët e hierarkisë mediatike, shtypin përfundimisht motivimin për ata që përpiqen ta bëjnë të dukshëm ndryshimin që synojnë.

Emërtimet bazuar në gjini, fizik, interes dhe aktivizim afatshkurtër hormonal, do të vazhdojnë me rigorozitet ta lënë median në mediokritetin ku është kapluar prej kohësh. Të paktë janë të përzierit në të që investojnë tek vetja, por janë shumë, vërtet shumë ata që mbjellin dhe rrisin interesat jo-mediatike që përmbush media.

Nëse ftillimi nuk nis nga rivlerësimet personale të gjithsecilit, as nuk mund të pretendohet se roli i medias do të ndryshojë si me magji.

Përkushtimi, komunikimi efektiv, profesionalizmi i vërtetë dhe shpërblimi real për të; vetëm këto mund të sillnin ndonjë ndryshim që dashuruesit e statu-quove nuk kanë gjasa t’a presin me duartrokitje.

1 comment:

Anonymous said...

T_RED
Magjari kaloi knena e nuk gjeti ferra me hanger por fjale me ven!!!


"te kemi fut n'toke sot ne mengjes me Nikun".Me menyren tone qe ti e njeh mire sigurisht.

fundjave on your ouwn smiley way!!!