28.10.08

Vizë-tallja e mirë shitur e Fratinit

“BE do të liberalizojë vizat me Shqipërinë duke filluar që nga Qershori 2009” – Mirë Fratini që po tallej hapur, po gazetarët tanë ç’i gjeti fatlumen ditë që Ministri i Jashtëm italian na vizitonte Tiranën? Do liberalizohen vizat – thoshin groshë-ngrënësit reporterë, e disa (jo të gjithë) aty nga fundi i kronikave, kujtoheshin të thoshin se Fratini nënshkroi edhe nja katër pesë marrëveshje ekonomike.

Përfituesi i tyre kush është? Nuk dihet. Dhe nuk na duhet. Vizat një herë. Prit se do na liberalizohen ato.

Po si iu thà mendja dhe goja të gjithë të hipnotizuarve para Fratinit dhe përrallës së tij të vizave e nuk e pyeti: “ Për ç’fare liberalizmi e ke fjalën ti zotëri, kur shteti yt sapo miratoi dekrete të reja diskriminuese për emigrantët në Itali? Që nga 4 Nëntori, bashkimi familjar në Itali do të jetë pothuajse i pamundur, ti më flet për liberalizim vizash”?

Po për allishverishet e konsullatave italiane në Shqipëri? Ajo e Shkodrës i pranon dosjet vetëm me vulat e kontrollit prej njerëzve të kontraktuar ilegalisht me personelin, kurse ajo e Vlorës NUK KA data për takime vizash që prej MAJIT 2008. 6 muaj që nuk jepen as data, zotëri, në numrin e kuq 0900 të ambasadave e konsullatave tuaja, e ju po flisni për liberalizim?!!!

Shtrëngimi deri në pamundësi i të drejtës për bashkim familjar (prindi duhet të jetë mbi 65 vjeç dhe fëmija të vërtetojë se askush prej vëllezërve apo motrave të tij nuk kanë mundësi ta mbajnë prindin), do të hyjë në fuqi në 4 Nëntor. Ky është vendim i marrë, Fratin fratellin. Kurse liberalizimi i vizave është flluskë që akoma iu pëlqen shqiptarëve zyrtarë e atyre gazetarë.

Përveç saj, protestat në Tiranë kundër racizmit në ndarjen e fëmijëve në shkolla jo vetëm që s’duhet sharë, por duhet ardhur turp përse ishte i vetmi e përse të tjerë njerëz nuk iu bashkuan. Asnjë rëndësi nuk ka kush e ngre zërin në protestë. Kuja duhet vënë sepse të gjithë fryjmë sytë e dëgjojmë pallavrat e liberalizimeve, ndërkohë që shohim radhë të tëra shqiptarësh si pula të lagura para dyerve të konsullatave apo edhe nëpër pikat kufitare.

Fratini erdhi këtu për ato pesë firmat që s’e mori mundimin asnjë gazetar t’i zbërthente, e për ca të tjera që do ta nxjerrin tymin kur të ndizet qymyri në Durrës.

Ky s’është liberalizim vizash; është liberalizim tërësor për të tallur një popull të tërë, viktimë e politikave makiavelistë të brendshme e të jashtme dhe të një tufe reporterësh që as të dëgjojnë nuk dinë.

Turp! Dhe fatkeqësi!

17.10.08

Madhështitë e Tetorit

Një serbo-boshnjak solli vërdallë prokurorinë, qeverinë, presidencën, median, popullsinë e ç’gjeti përpara në Tiranë. E veja e diktatorit bëri lëmsh analistë, politikanë, inatcorë e veteranë me një dalje teka-plotë në ekran. Në Kosovë festuan 100 vjetorin e atij që aq shumë e deshi bashkimin e Shqiptarëve, sa kurrë nuk i doli koha të mendonte as për ata që kish nën thundër.

Në “Qemal Stafa” Milani bëri sikur u mund nga Tirana. Në Hungari kombëtarja shqiptare humbi ndeshjen 2-0 dhe vendin e parë në grup, që më parë i kishte rastisur ta mbante vetëm për hir të hierarkisë alfabetike para se të fillonin ndeshjet kualifikuese të çdo kompeticioni. Kurse pak ditë më pas, kundër të gjitha parashikimeve, me 10 lojtarë për 45 minuta të tëra dhe me një kokëfortësi shqiptare përzier me inatin hanian, kombëtarja barazon me Portugalinë. Në 15 Tetor 2008. Tamam në ditën kur kryeministri mbushi 64 vjeç.

Thonë se kombëtarja e solli pikën nga Lisbona pikërisht si dhuratë për ditën e shënuar. Po përveç saj, asnjë publicitet nuk pati ditën e lindjes së zotit kryeministër. E bija doli në ekran për të na mbushur mendjen për mirësinë dhe ligjësinë e zotit Fazllic. Kurse Milani në kahun tjetër i dhuroi një ditë më parë një bluzë me shirita kuqezi. Pasi nuk e veshi atë si tifoz në stadium (protokolli nuk lejon shfaqje të huaj preferencash futbollistike kur luan një ekip i vendit që qeveris), kryeministri tha se fitorja e Tiranës ishte e para fitore në vazhdën e madhe që pritet ta përcjellë atë deri në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009.

Premtuese!Të gjitha marrim frymë të lehtësuar. Shqipëria është e mbushur me ngjarje. Të të gjitha natyrave, përmasave e dukurive. Populli ka ushqim viziv, media ka ushqim transmetues, politika ka ushqim për zënka mjaftueshëm sa për të lënë në protagonizëm dy të parat.
Ah po. Për pak ngeli opozita jashtë kornizës. Ca titra lajmesh thoshin “Tirana siç e duam ne.- Edi Rama dëgjon qytetarët”. Në kronikë pashë me mikrofon në dorë gjithë kohës dhe futur sinkron në lajm vetëm fjalët e tij. Mbase po fliste si qytetar. Mbase!

Përveç kësaj dhe dhënies së dy bursave për dy vajza mbetur jetime në Gërdec e vizitës në Romë (edhe presidenti shkoi në Romë. Dashuri shqiptaro-italiane këtë periudhë) nuk është dukur më opozita. U la totalisht në hije ajo. Domosdo, se zhvillimet pozitive, intensive e festive që pati këtë jave prosperuese Shqipëria, u përjetuan paqtë fare nga të gjithë shqiptarët, përfshirë ata të opozitës, që jetojnë të lumtur nën ajrin e pastër statistikor që lajmëroi vetë Xhuveli.

Javë e bekuar kjo e treta e Tetorit në Shqipëri. Mbushur me arsye për të festuar ngado që ta kthesh kokën. Edhe për krizën botërore madje as që pyesim fare në këtë javë të bekuar ne, paçka se brisku i saj therës mbërriti deri ne Greqi. Atje u mblodh shpejt e shpejt qeveria. Kurse ne kemi lindur me këmishë si komb. Asgjë nuk ka për të na gjetur, se “paratë dhe bankat tona janë shume të sigurta”. Kryeministri e tha. Fjala e tij është ligj!

Teksa bëja një veprim bankar herët në mëngjes, pashë se karriget ishin mbushur plot e të tjerë njerëz vazhdonin të vinin duke pritur orën 10.30 “që të vijë kontingjenti i degës”. Disa syresh po nxitonin t’i tërhiqnin të gjitha paratë, me frikën se mos ora 10.30 i binte në vitin 1997.
Po ne kemi përvjetorët. Kemi edhe Fazllic, edhe hetuesit e huaj, edhe reagimet e BE-së, të SHBA-së, të KE-së, e të të gjitha germave të alfabetit që na thonë “të garantojmë mos-cenimin e pavarësisë së organit të akuzës”. Kemi edhe ca “investime” të heshtura për kërkimin e mineraleve nga Tirex në zonën e Rubikut, huazuar me “bujari” nga BERZH, kemi edhe testin që duhet të kalojmë si anëtarë të ardhshëm të NATO-s për gjetjen e autorëve të tragjedisë së Gërdecit dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë.

Por kjo e fundit është pak e hidhur. S’ia vlen të përmendet në këtë javë të bukur përvjetorësh. Edhe mbreti ynë i vetëm në Tetor ka lindur. Po në 8 Tetorin e tij ishim në të gjithë të zënë me Fazllicin. Në Tetor të ketë lindur edhe ai?!

Kurdo që të jetë, madhështia e datave tetoriane na dhuroi një javë të shkëlqyer ngjarjesh kontroversiale, që ia vlen t’i mbyllim nesër me 83 vjetorin e Ramiz Alisë (edhe ai në shtyp këtë javë).

Asgjë më shumë se subjektivizmi i këtyre ngjarjeve nuk mund ta lërë tërësisht në hije objektivizmin e mbytur të javës së tretë në Tetor.

Ngelet vetëm të shpresojmë që kur të kenë mbaruar festimet, kriza financiare të mos e ketë kaluar akoma "ilegalisht" kufirin.

17 Tetor 2008

15.10.08

Forza Milan :P

“Gol. Gol. Goooool. Eshtë e pabesueshme. 1-0. 2-0. Gjen edhe Milan rrugën e rrjetës, por aha, vec 2-1. Tirana mund Milanin. Edhe Milani mund të mundet”….!!!!

Me c’të qeshja më parë? Me stërvitjen e Milanit në Qemal Stafa? Me seriozitetin e tiranasve (vecanerisht pas golit të parë) apo me energjinë foshnjarake që zgjonte diku në hemisferën e vogël të trurit pasditet me ekzaltim të rremë në Radio Tiranën e të dielës “Nga njëra ndeshje në tjetrën”?!

“Ja ky është leksioni bardh e blu” – thoshtë gjithë seriozitet Veli Rada që në cdo dy sekonda, tre herë ia vinte theksin Milanit tek “a’-ja. MilAn-I :D

Po me atë serizitet e ndërpriste Skifter Këllici për t’i thurur lavde lojës prej kampionësh që po bënte “ekipi i pamposhtur i Tiranës”. :D

E në të njëjtin ritëm ekzaltimi bridhte në fushë, anash, jashtë e brenda saj Piro Ruvina me “përcjelljet sekondë pas sekonde të gjithckaje që ndodhte në fushë”.

Kuqezinjtë thanë sic pritej se ishin të lumtur të kontribuonin në këtë ndeshje në ndihmë të UNICEF-it. Trajneri i tyre bëri komentet prej një fjalie për cdo pyetje duke përfunduar se “I pëlqeu stërvitja e skuadrës së tij”. Kapiteni gjithë diplomaci vlerësoi përpjekjen shqiptare për të sjellë në Tiranë për bamirësi Milanin….kurse radio Tirana transmetonte “ndeshjen e shekullit” :D

Pa lidhje: :D
Rreth vizitës së skuadrës kuqezi në Tiranë
- Ekipit milanez iu rezervua një pritje nga kryeministri i vendit.
- Tek cili UNICEF do shkojnë paratë nuk është thënë akoma ( a kanë ato destinacion projekte
tëUNICEFIT në Shqipëri ?!)
- Në disa deklarata u tha se "të gjitha" të ardhurat janë për UNICEFIN, në ca të tjera u shndërruan në “një pjesë e mirë e të ardhurave”.
- Kush dhe sa janë paguar lojtarët e Milanit për këtë “ndeshje bamirësie”?
- Po Sheratoni?

Faqja zyrtare e milanit http://www.acmilan.com/ i përgjigjej një për një entuziamit dhe jehonës që ndeshi në Tiranë :P
P.s. Forza Milan. Forza Flamurtari. Forza të gjithë kuqezinjtë (edhe shqiptarë qofshin) :D
Ah po! Maldini is a hero! ;)

11.10.08

Diktatori mes nesh nëpërmjet të vesë (sipas meje)

A bëri mirë Xhunga që mori në intervistë Nexhmije Hoxhën?

Cështja nuk shtrohet nëse bëri mirë një gazetar apo një tjetër, por, a ka më vlerë të dëgjojmë c’ka për të thënë e veja a diktatorit? Kujtdo mikrofoni t’i flasë ajo, ligjëratat mbërrijnë të gjitha në veshët e shqiptarëve. C’farë të reje ka për të shtuar Nexhmije Hoxha që të justifikojë daljen e saj në ekran? Ka vendosur të kërkojë faljen publike që nuk dihet më se c’vlerë mund të ketë? Kërkon të japë ndonjë kontribut të padhënë? Apo thjesht është aty për të na kujtuar herë pas here se rrënjët e partisë së bashkëshortit të saj janë më të thella nga c’kujtojnë shqiptarët e sotëm?


Personalisht ndjeva dëshirë të menjëhershme për të ndërruar kanal, kohë dhe ngjarje kur znj. Hoxha doli në ekran. Më shumë se cdo herë tjetër, fiziku i saj më ngjau me atë të bashkëshortit që mbajti peng Shqipërinë, pa iu dridhur qerpiku për koston që pagoi në njerëz, në kulturë, në formim e në identitetin shqiptar.
M’u duk se pas 23 vjetësh, pashë versionin femër të diktatorit që shkatërroi deri në gen personalitetin dhe njeriun shqiptar.

Pse nuk kërkon falje N. Hoxha dhe si guxon që ta quajë bashkështortin e vet figurë pozitive?
C’mund te presësh tjetër nga e veja e një diktatori? Të thotë se burri i saj ishte protagonisti i shfarosjes së besimit tek vlera e njeriut në Shqipëri? Falë tij kemi ende sot në qarkullim me shumice manipulues të një cilësie të lartë, abuzues, tradhëtarë të besimit njerëzor, shërbyes interesash, njerëz që kanë frikë edhe nga fryma që marrin, jo më nga “udhëheqja” që janë mësuar të mitizojnë. Kemi në administratë burokratë të denjë për të jetuar 20 vjet mbrapa, vrasës së ideve, pengues të zhvillimit dhe shërbyes të izolimit militant. Të gjitha këto janë pasojë e punës së lavdërueshme 45 vjecare që bëri bashkëshorti i kësaj zonje në crrënjosjen e vlerave njerëzore, shplarjen e trurit dhe krijimin e “njeriut të ri”.
Figurë pozitive?! Posi, ashtu është, po të marrësh parasysh se sot ende fryma e tij drejtuese, asgjësuese dhe shkatërruese e risisë, vazhdon të lulëzojë në Tiranën e madhe. Nën këndvështrimin e saj, Enver Hoxha ia ka arritur qëllimit shumë më mirë nga c’e kishte parashikuar. Për bashkëshorten e tij ky nuk mund të përkthehet ndryshe vecse “ndikim i suksesshëm”, që në sinonimet e shqipes shumë lehtë zëvendësohet me pozitiv. Njëlloj si asgjësimi i mijëra intelektualëve që rrezikonin vënien në jetë të planit fatzi për krijimin e njeriut të ri.

A janë të besueshme akuzat e N. Hoxhës ndaj kryeminstrit aktual dhe ndaj kadaresë?
Asgjë nuk është më e besueshme në Shqipëri. Sali Berisha ka të gjitha të drejtat të jetojë në delirin e pa-mposhtjes, përderisa në atë piedestal ka arritur me meritën e tij dhe me pasivitetin, mungesën e përgatitjes dhe të nervit reagues të popullit që qeveris. Ismail Kadare shkruan shqip në mënyrë të papërsëritshme. Politikën dhe mbijetesën i ka pasur anë plotësuese në jetën e tij, kështu që nuk mund të bëhet fjalë për të besuar asnjë akuzë të zonjës Hoxha. Aq më tepër që ajo flet në pozicionin “Kapeni hajdutin”, kur vetë, së bashku me burrin e saj, i vodhën popullit shqiptar të vetmen pasuri:të qenit njeri funskional e me vlera.
Perdja e familjes Hoxha ka rënë një herë. Thjesht, pas saj nuk ka ngelur më asgjë!

10 Tetor 2008

7.10.08

Back here













Ok, it is nice, yes! :)










6.10.08

Dy ndodhi shqiptare

Delegacioni u fut ne radhën e kontrollit të pasaportave në Rinas. Zëri autoritar i njërit prej pjesëmarrësve më kërkoi të kaloja në zonën VIP… !!!...

Që në hyrje më morën gjithë mirësjellje pasaportën, bagazhin, pallton. Më shërbyen brenda sekondës kafen shoqëruar me biskota. Më pyesnin vazhdimisht nëse isha mirë … !!!..Unë vazhdoja të isha aq njëlloj sa c’kam qenë në 8 vitet e fundit që udhëtoj.

Kur avioni donte vetëm dhe 10 minuta të ngrihej, unë isha akoma e vetme në dhomën e « Vipave » !!!, kurse zyrtari autoritar akoma nuk kishte ardhur. E shqetësuar e marr në telefon.
« Po pi kafe këtu ngjitur »
Kafe? Stjuardesa përtej receptorit e lëshoi shumë të lartë piskamën.

Në castet e fundit, bashkë me rëndësinë e tij artificiale, mbërriti edhe zyrtari i lartë. Në avion u ngatërruan vendet dhe ai përfundoi në radhën 7. Gjithë siklet e pashë veten pre të falsitetit të tepruar 5 radhë para tij.

Në Tiranë kërkesat ishin për prenotime taksish dhe luksi në takime. Me të shkelur në tokën e huaj, as taksixhiu nuk ishte në gjendje të kuptonte kapadaillëkun në gjuhën e padëgjuar.

Në vizitat zyrtare, autoriteti i VIP-it shqiptar u zhduk si me magji. Anglishtja e calë e la në baltë, njohuritë e cunguara mbi cështjet që diskutoheshin gjithashtu.

Gjatë drekës zyrtare, pashë clirimin që ndjente të rrintë lirshëm, pa qenë nevoja të respektojë kapadaillëkun e shtrirë gjithandej në administratën nga vjen, me dyert e blinduara e rojet e pafund.

Pa titull, pa status, pa komunikim e pa roje, vendi i tij në radhën 7 edhe në kthim, m’u duk mëse i mjaftueshëm.

5 Tetor 2008

Numer 2
Ora 17.15. Në daljen e një rrugice të mbipopulluar në Copenhagen, një grup i madh njerëzish kishin ngulur sytë në tokë, mbi tre kuti të vogla shkrepësesh që mbulonin një top prej letre. « Here’s a go, here’s a ball. Here’s a move, here’s the stop. Where is the ball?” – pyeste me syte lart një djalë i ri që lëvizte kutitë e shkrepëses me topin e vogël nën njërën prej tyre. Tre-katër të tjerë jepnin e merrnin nga 500 krona për një hamendësim; disa fitonin, të tjerë bënin sikur nuk e dallonin ku ishte topi.

Gjithcka bëhej me shpejtësinë e erës. Më të tillë shpejtësi ndjeva edhe cantën e vogël të më shkëputej nga dora.
E trembur hidhem përpjetë dhe reagoj me sy më shumë sesa me zë. E tek përpij me zemërimin tim “atentatorin”, tjetri futi duart në kuletën që mbaja në dorën tjetër. Sapo kisha dalë nga dyqani e akoma e mbaja kuletën në dorë.
“Don’t touch my wallet”- dhe sytë më lëshuan xixa.
“Not touching it, not touching it. Just helping you to play madam. Where is the ball? Guess where is the ball and will give you back the wallet”
Sytë më përcëllonin. Mendja po ashtu. Një 500 kronëshe doli nga portofoli im, së bashku me disa euro që i nxirrte ndihmësi i”magjistarit”.
“Give me my money back or I will call the police. NOW!”
Thirrja e fundit duhet të ketë qenë jo vetëm më sy të kuq, por edhe me zë te zi, shoqëruar me një fytyrë kërcënuese, që më shumë ishte inerci e karakterit sesa besim se kërcënimi kishte vend. Por përsërita sërish fort:
“NOW”!
……Jepja, jepja lekët….!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
…..!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!..............................
“Si dreqi do m’i japësh lekët, ju marrtë djalli ju marrtë”
…..!!!!!!!!!!!!!!......!!!!!!!!!!!!!!!!.....

Tetë palë sy drejtohen njëherësh tek unë. “Pse shqiptare je ti a”?

« Po, që mos qofsha. Si ju » !

« Jepja të gjitha lekët, jepja. Edhe ik tash, na ler të luajmë”… !!!

Copenhageni m’u duk më i zymtë se kurrë.

E lashë Tiranën nga VIP-at, e i gjeta ata të ulur këmbëkryq duke vjedhur në mes të Danimarkës.

Kapadaillëku i atjeshëm pak ndryshonte nga mizerllëku i këtushëm. Në të dyja rastet, sjellja, veprimi dhe tjetërsimi shqiptar më therën në palcë. Për dreq!

6 Tetor 2008

29.9.08

Identitet i shkelmuar!

Luard, Agida, Onda, Olgesta, Ajla, Anduan, Slejda, Amelita, Fjorentina, Verele, Geriolada, Ogreseda, Edevaladia, Dikalea, Sildona, Rais, Ered, Ersilia, Andronira, Majvil, Ersted, Raviola,Kilejda….

Nuk kam mësuar rrjedhshëm spanjisht, JO! As nuk jam duke lexuar Euripidin! Këto janë emrat e studentëve fitues në disa degë të Universiteteve, publikuar nëpër të përditshmet tona. Është e disata ditë që i lexoj me shumë kureshtje dhe habi listat e fitueseve. Shumica janë 18 vjeçarë. Sapo kanë mbaruar gjimnazin. I takon të kenë lindur në vitet 1989-1990.
Ku paska qenë kaq i fshehur pasioni shqiptar për spanjishten, telenovelat, pa-kuptimësitë dhe humbjen e identitetit që atëherë?

Një varg i tërë çudie teksa lexon dhe nuk hamendëson dot se për ç’identitet bëhet fjalë. Nëse lexon një varg emrash me John, David, Richard, Jack, etj.., kupton se ke të bësh me anglezë. Lexon Roberto, Paolo, Simone, Claudio, Anna, Giulia, etj, gjuha rrëshqet për tek italishtja. Ndeshesh me Michelle, Mireille, Jacque, Francoise, Jacqueline, Sylvie, dhe përkëdhelja zanore të con në Francë.
Po aq e lehtë është të identifikosh Spanjën më Juan, Hulia, Raoul, Sanches, etj, apo grekët me emrat tipikë, sllavët me emrat tradicionalë, shumëkënd që e lidh me kombësinë nga emri.

Por, të lexosh listën e mësipërme me Reald, Agida, Onda, Ajla, Fjorentina, Verele, Geriolada, Sotion, Majvil, Ersted....( !!!!!!!!!!)….nga vijnë këta? Kush jemi ne ?!

Më shumë se çdo herë tjetër, teksa hedh këtë shkrim, kompjuteri më nxjerr fjalë të nënvizuara me të kuqe. Nuk jam unë gabim, i dashur “Word”. Jo! Kështu i kanë emrat bashkëkombësit e mi. Janë të rinj, të modës, “trendy names”.

Rroftë risia pa identitet.

Imagjinoj dhe kuptoj vështirësinë e lektorëve kur do t’ju duhet të mësojnë listat e studentëve; sikur janë duke mësuar një gjuhë të huaj.

Është trishtuese që bukuria e emrave shqip konsiderohet arkaike. Kosovarët që kaq shumë kanë etje për pak shqiptarizëm, nuk duket se i kanë zgjedhur më pak përkëdhelës, tërheqës apo domethënës emrat me të cilët identifikojnë veten dhe fëmijët.

Gjithmonë duke ndjekur risinë dhe largimin nga emrat e vjetër dhe për t’iu përgjigjur nevojës për rifreskim të shqiptarizimit të tyre, kosovarët kanë disa vjet që vendosin emra këndshëm përkëdhelës që rrjedhin nga shqipja. Kaltra, Erblin(Erë blini), Vesa, Ujvara, Erlis(Erë lisi), Saranda, Aulon, Edona(e duam), Arbjon (Arbëria jonë);
Era, Borana, Sidrit, e shumë emra të tillë, të cilët kanë një shkëlqim gjuhësor që i shkon shumë për shtat identitetit të një brezi, i cili nuk lodhet shumë të gjejë ngjashmëri të tjera me prejardhjen.

Ama emri, të paktën emri, nuk është përzierje e gjendjes emocionale, as dëshirë për t’i shpëtuar origjinës, apo aq më keq, ngërç gjuhësor që ka shërbyer si e vetmja mënyrë prindërore për të treguar pak “emancipim”.

Nëse në listën e afishuar të studentëve 70% e emrave i përkisnin kategorisë së shqiptimit dhe domethënies së pagjetur, emrat e tjerë tipikë, gjenden gjithmonë e më me pikatore.
Genti, Blerina, Alda, Linda, Jonida, Endrit, Blerta, Erand, Arbër, Admir, Alba dhe Besmir janë të vetmit emra shqiptarë që gjenden në listën prej 750 emrash të publikuar në një dyfaqësh gazete. Sa keq për gjuhën shqipe. Asnjëri prej të mësipërmve nuk duket të jetë “demode” për perceptim të menjëhershëm. Por, kohët, shijet, synimet dhe lidhja gjuhësore apo identifikuese duket se venitet më shume se prirja për të sjellë diçka të veçantë brenda familjes, pavarësisht nëse ajo ka kuptim apo jo.

Konglomerati i emrave që prindërit dhe vetë bartësit e tyre mbajnë në shpinë, në pasaportë dhe në identitet, mund të shkaktojë edhe ndjesi ngushtësie në prezantime rastësore. Imagjinoni p.sh. nëse vajza me emrin Fiorentina shkon të studiojë në Firence, çfarë efekti do të ketë vetë-prezantimi i saj. Ose “Onda” (italisht për valë), Rais (shqiptimi anglez për fjalën “rice”, Oriz), Raviola (marke italiane makaronash), Ajla (ankim spanjoll për irritimin), Ered (shqiptim anglisht i fjalës Erred, që do të thotë “i bërë gabim” )...!!!

Është trishtuese, është për të ardhur keq, por është edhe për t’u zbavitur me morinë e re të emrave, vendosur çuditërisht që 18 vjet me parë. Vitin tjetër, tjetrin dhe tjetrin më pas, do të shohim të ngjiten në auditorët shqiptarë Ronaldo, Bebeto, Brendon, Jurgen, Matheus, Shakira, Zhadja, Alejandro, Billi, Majkelli, Xhorxha, Frenku, Franka, Stiveni, Volfangu...(!!!)...Të gjithë këta janë emra që sot dëgjohen nëpër kryeqytetet, kur nënat e zellshme thërrasin gjithë krenari fëmijët e tyre, me emra nga më të çuditshmit dhe më të pakuptimtët në botë. Ndoshta filozofia qëndron pikërisht këtu; tek çoroditja e të tjerëve, përderisa gjuhësia vetjake është çorap që nuk i bën askujt.

Shumë gjëra vërtet duhen ndryshuar dhe përshtatur, që ne të lëvizim nga vendi, por deformimi i emrit është shkelmi i parë që i japim identitetit. Apeli shqiptar këtu duket i humbur!

Suksese të gjithëve, gazetarë, gjeografë, mësues, gjuhëtarë, historianë dhe albanologë të ardhshëm. Kur të studiohen jetët tuaja pas disa dekadash, ashtu si sot gjetja e autorësisë apo kombësisë bazohet edhe tek emri, për ju do të jetë gjithashtu “shumë e lehtë” t’ju identifikosh si shqiptarë. Emrat tuaj tipikë përbëjnë plejadën aktuale: Reald, Luard, Agida, Onda, Uarda, Olgesta, Medea, Ajla, Anduan, Miguel, Orkida, Slejda, Amelita, Fjorentina, Irna, Verele, Geriolada, Ogreseda, Arvena, Edevaladia, Luena, Armida, Inelda, Albiola, Dikalea, Sildona, Sotion, Desana, Rais, Anri, Ered, Ersilia, Arsiola, Eleus, Mersina, Brendon, Andronira, Geriolda, Majvil, Arla, Ersted, Raviola, Gearalda,Kilejda, Realada, Arsela….

Tronditës ky shkelm mbi identitetin!

21.9.08

Përpikmëri ishullore

Treni me vonesë, sërish,
njëlloj si zbutja ime
që i premtoj besnikëri fatale...
...për ta thyer teksa Kledi sheh ngultas,
e ëma plot shpresë,
Dr. Walter gjithë artificialitet,
recepsionistja plot hakërrim për këtë vonë-ardhje.

Në përcjellje pak kalpol të lirë,
një tjetër takim përzënës
me zemër në dorë e dorën drejt derës.

Firmosim të gjithë “të kënaqur”,
shërbimi u justifikua, u krye, u pagua
përveç barnave të Kledit.

As sot s’po hyj në kafenenë e ngrohtë të Wombwellit kureshtar.

Thëllimi fryn i athët, zinxhir.
Mes tij, me duart thellë në xhepat e palltos gri,
Nxitoj drejt stacionit në rinovim të përjetshëm.

Unë nxitoj.
Treni jo!

Në të “I say No”; zbuloj “Final resources”
Mbaroj djajtë e sudokut apo shfletoj Metronë lënë aty.

Në destinacion, treni me vonesë.
Unë gjithashtu!

Në shtëpizën e ngrohtë gjej “Friends”,
“slow fox”; “Raymond”...
..dhe nervin shuar nga mungesa e përhershme e trenit për aty.

16.9.08

Makthi i déjà-vu-së

Foto të vogla bardhë e zi janë vendosur në radhë të improvizuar në një kornizë të përbashkët që varet pjerrtas në mur, me pjesën e sipërme hapur drejt tavanit. Mbahet në një gozhdë të vetme, ngulur në murin e ulët që ka disa korniza të tilla.
Brenda saj, një nuse me fustan të bardhë, prerje të drejtë, me vështrimin në tokë. Dhëndri qëndron i pasigurt përbri dhe një tufë dasmorësh me buzën e tharë në gaz, janë mbledhur përreth. Ngjitur, katër gra në të 30-at me sy të picërruar nga dielli, me fustane mbi gju, pa shami në kokë, pozojnë të ngrira, me arën e mbjellë në sfond.

Fotoja tjetër; një çift i ri prindëror dhe një fëmijë me vështrim kureshtar në mes. Pastaj dy gjyshër e tre nipa në prehrit e tyre…

Përreth, dhoma ka edhe korniza të tjera, me foto të zmadhuara, të modifikuara, me ngjyra artificiale e bardhë e zi. Në shumicën e tyre është kryefamiljari, pa asnjë shprehje në fytyrë. Ose poza çiftesh seriozë në moshë të matur, prindër që kanë fëmijë të rritur, dalë në foto pa ta.

Mureve varen edhe disa qilima të vjetër, të mbingarkuar në thurje, me shumë ngjyra. Mbretërojnë e kuqja, roza dhe jeshilja.

Ca vargje me hudhra varen nga të dyja anët e derës dhe dritareve të dhomës. Perdet janë të bardha, të shkurtra, punuar në dorë me grep dhe shtrënguar fiks pas xhamit në gozhdët e ngulura enkas për to. Mbi “bandat zbukuruese të murit” varet edhe një tufë trëndelinë e tharë, lidhur me fill të trashë të zi. Përballë një e ngjashme me borzilok dhe një tjetër me majdanoz.

Me një veshje po të bardhë, qëndisur e mbingarkuar me motive të kuqe, shërbehet në tavolinë me gota me dorezë. Turshi, speca të mbushur, patëllxhan i grirë, përzier me domate, hudhra dhe vaj, djathë i bërë vetë, arapash me miell misri, mish me patate furre dhe byrek me qepë e me djathë. Vera e kuqe është e shtëpisë.

Një radio-magnetofon disa vjeçar përcjell muzikë tradicionale të kërcyeshme lehtë. Hapat ndjekin lirshëm njëri-tjetrin. Buzëqeshja nuk dihet nga mbin. As përse!

Gotat trokiten për të uruar shëndet, fat, rini të gjatë, lumturi dhe suksese. Kjo shoqërohet me duhan dhe në fund sillen petullat me reçel. Molle ose qershie.

Më vonë, autobusi me sedilje të përthyera (ku banjoja është kyçur me kohë), përcjell njëri pas tjetrit fshatra të heshtur, të trishtë nën shiun e shpejtë dhe të athët vjeshtor.
Tufa të tëra misri të sapokorrur kanë ngelur pirg para dyerve të shtëpive. Ato janë të lyera të gjitha me bojë gurkali. Asnjëra nuk duket se mbart jetë. Përkarshi kanë mbeturina makinash të prishura, karroca të rënda dore, mullarë të papërfunduar bari, baltë deri tek dera kryesore, banjë në fund të oborrit, tela plot me rroba të nderuara grykë-poshtë, që lagen e pisen nën shi; dru të paktë të pa sistemuar dhe shumë pak oxhakë që nxjerrin tym, (megjithëse pasditja është vërtet e ftohtë).

Tek mbërrin buzëmbrëmja, asnjë vezullim nuk del nga dritaret e shtëpive të zhytura irealisht pas xhamit të autobuzit që kalon mes tyre.

Hyrja në qytet shpallet me të zë të lartë. Paralajmërohet vizita e rëndësishme dhe kërkohet vëmendje për të parë rrallësinë e pallatit presidencial, kryeministrinë, parlamentin, Universitetin publik, (poli-teknikun), atë mjekësor, të gjuhëve të huaja, spitalet bashkë me sëmundjet e tyre; statujat e emrave të mëdhenj në të majtë e në të djathtë, sheshet kryesore, teatrin e operas, famën e tij, kinematë boshe dhe emrat e ardhur rishtas nga perëndimi.

Në qytet buzëmbrëmja është më pak e ftohtë. Në të dy anët e bulevardit të stërgjatë dhe trembshëm të gjerë, grupe të vogla njerëzish lëvizin pa fjalë. Ngeshëm.
Në çifte, burri ka kostum terital të prerë drejt; gruaja fund deri tek gjuri. Të rinjtë e gjinisë mashkullore duket sikur kanë avulluar; femrat e të njëjtës moshë duket sikur janë në garë për grimin dhe lartësinë e të çarës së minifundit dhe hollësinë e takës që ngulet nëpër gurët e gdhendur të bulevardit. Artificialiteti i veshjes ngec po njëlloj përgjatë tij.

Tek këmbët ndalen autobuza që kushtojnë pak qindarka dhe furgonë pasagjerësh që akoma nuk kanë dalë nga qarkullimi.

Në dyqane çmimet nuk i përgjigjen kostos së transportit. Imitimet e markave në kozmetikë dhe veshje i kalojnë çmimet e tyre reale të qyteteve të BE-së, kurse ushqimi duket si mall muzeu që e ngop syrin gjithë efektivitet.

Dollari shkëmbehet shkëlqyeshëm, euro nuk mbahet keq. Por 50 të tilla mjaftojnë vetëm për dy shishe verë dhe një statujë suveniri punuar më dorë.

Bulevardi sërish ngelet i çuditshëm, edhe në përshkimin e gjashtë të tij. Shumë pemë në të dy anët. Lyer me gëlqere deri në 1 metër mbi tokë e rrethuar me bordura katrore 70 cm. Edhe e bardha e tij standarde si largësia e aplikuar gjithandej.

Herë pas here shfaqen edhe parqet plot me pemë të tilla. Poshtë tyre shëtisin familjarët pa shprehi në fytyrë dhe pensionistët nostalgjikë. Stolat e drurit janë njomur, por kjo nuk i pengon kalimtarët të ulen aty.

Zambakë. Të verdhë, të kuq, të bardhë. Mullaga dhe lulevjeshte të vogla, të paçelura, të barabarta. Sipër tyre kanë filluar të ndriçojnë dobët neonet e rrugës kryesore. Në fund të saj shëmtia e pallateve parafabrikate me shumë kate. Më shumë se pesë. Pa jetë. Vëzhgues. Armiqësorë. Askush nuk nxiton për aty. As në bulevard nuk nxiton kush. Nuk ka dyndje; vetëm grupet e zakonshme e të vogla të njerëzve që shtyjnë hapat sikur duan të të bëjnë të qartë hapur e pa keqardhje se janë dorëzuar pa asnjë kusht.

Veshja standarde, ecja e ngadaltë, shëtitorja në bulevard, institucionet e administratës, dyqanet e pakta, opera, kinemaja e shurdhët, pemët me gëlqere, rrethimi i tyre dhe drita e venitur në sytë e kalimtarëve, mbajnë mbërthyer imazhin e mbrapshtë të 20 viteve më parë.

Më duket se sapo kam mbaruar klasën e dytë; shoh time më që vjen pa pamje nëne në shtëpi pas punës sfilitëse; pastaj xhaxhanë e vogël me pantallonat e reja në këmbë e shpresën e suksesit në sy tek niset për shëtitjen e darkës; akulloren që s’më shijon pas radhës së gjatë, pesë lekëshin që e vërtis para ëmbëltores vendase dhe ftohtësinë e hidhur të mureve sovjetike.

Shkund,kthej e rrotulloj kokën…parafabrikatet e panumërt janë aty, bashkë me bulevardin e zbrazët e pemët e gëlqerosura.

Hoteli ka 5 yje, një kompjuter dhe asnjë telefon që funksionon. Pas recepsionit, radha për akses me botën, hesht në bindje.

Mureve të stolisur të dhomës iu qëndron përballë një televizor me ekran mesatar që merr vetëm një kanal. Përbri shtratit të ngushtë, mbi një komodinë të improvizuar me modernizëm, telefoni vazhdon të mos kapë asnjë sinjal. Gjithçka kalon nëpërmjet recepsionit…!

Në vesh kumbojnë fjalët e udhërrëfyeses për krenarinë e të jetuarit në qytetin e gjelbër, që i kanë kënduar këngë e thurur lavde e për të cilin ndjehen aq krenarë.

Në të dale të aeroportit mikroskopik, 20 vjecari që e kanë caktuar të ruajë kufijtë, shtrëngon sërish nofullat në dëshpërimin e tij për të mos i marrë dot në pyetje këta të huaj të mallkuar që nuk i flasin dy gjuhët jo-angleze që di ai.

Avioni antik, ku shërbehet ushqim i ngrohtë dhe pije shumë të mira, fluturon larg, në kohë dhe në hapësirë….

Aty çlirohesh…dhe fillon lufta me mendjen, me memorien, me vërtetësinë surreale të ditëve të lëna pas…

Po jetoja në 88-ën! Ndodhi tani, në shtator të 2008-ës!

E pashë me sy 88-ën time, e ndjeva, më fshikulloi duart e mpira më shumë se sytë që s’besonin asgjë. Pashë Vlorën, Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Elbasanin…pashë komunistët e devotshëm në rrugë, parqe, zyra, në bulevard. I pashë të gjitha….në Chisinau…në shekullin e 21-të.

Jo-reale. Diçka është jo-reale. Unë?! Chisinau?! Apo kthimi mbrapsht në skuta që s’di ku t’i grupoj më. ..

Ç’farë është identiteti?!....Moldavet qarkullojnë në tregun e mishit e të seksit, moldavët ndërtojnë në Rusi. Sytë blu të Marianës shkëlqejnë gjithë krenari tek deklaron “në rrjedhim nga Trakët”….Kurse ne nga Ilirët. Të gjithë nga pellazgët, bashkë me etrsukët e ligurët. Jemi edhe arianë, por na nxinë pakëz turqit. Jemi myslimanë, të konvertuar, të tradhtuar. Jemi pa fe…shëtisnim në bulevardin me pemët e gëlqerosura dhe ktheheshim në apartamentet parafabrikate ose shtëpitë pa zjarr e baltë deri tek dera.

Ç’farë është identiteti?!....S’më lënë aspak rehat fotot e përziera kornizave, era e trëndelinës, sëndukët e gjysheve, ushqimi i njëllojtë, ndërtesat administrative, autobuzët e vjetër disa qindarkësh, parafabrikatet dhe sërish pemët e gëlqerosura.

Ta marrë djalli rus. U zhvendos koha, apo unë?!

t_red
Chisinau, 14 Shtator 2008

14.9.08

Frika e ngjashmerise rajonale

Reklamat gjigante të bankave dhe telefonive celulare të gënjejnë lehtë kur vështrimi ngelet përpjetë në Ballkan e pak më tej. Të njëjtat ngjyra të kuqe dhe bojë-bari për telefonitë, të njëjta shenja të ndezura, të mëdha, përfitime shpallur dukshëm dhe interesa me gërma mikroskopike për bankat dhe kreditë e tyre.

Po të mos iu kushtosh vëmendje ndërtesave buzë rruge që mund të të japin ide më të qarta se ku ndodhesh, nisur nga reklamat dhe pushtimi i vëmendjes publike pasivisht, Ballkani nuk ka shkëputje.

Kompanitë e mëdha e kanë studiuar dhe po e menaxhojnë shkëlqyer këtë treg të artë me fitime kolosale; veçanërisht ato të sipër-përmendurat. Me dy karta të ndryshme telefonike në dy celularë, vura re se krediti i numrit shqiptar më mbaroi pas tre telefonatash të shkurtra, ndërsa ai i një kompanie italiane vazhdonte të mbijetonte stoik dhe besim-dhënës. Vazhdoi kështu deri në fund të udhëtimit, edhe pse numri shqiptar ishte fryrë shumë më mirë me kredi e pajisur me roaming.

Tek përshkoja Ballkanin e kësaj jave, ndjeva sesi edhe ai përshkonte heshtur dhe shpejt kartën dhe kuletën time në këto dy sektorë ku tregu ka lulëzuar dhe e shfaq hapur këtë më shumë se në çdo vend tjetër ku më ka rastisur të paguaj për shpenzimet e mia.

Zyrave të shkëmbimit valutor në Tiranë i përgjigjet i njëjtit numër edhe në Shkup, Prishtinë apo edhe Sofie; ndryshimi është se në vendin e pranuar rishtas në BE, ka dalë moda e komisionit në shkëmbimin e çdo lloj shume, sado e vogël të jetë ajo.

Përveç kësaj, procedurat e shkëmbimit dhe pagesës nëpër banka, janë bërë shumë më burokratike dhe të zgjatura se më parë.

Ama vështrimi dhe pakënaqësia e njerëzve ka ngelur e njëjtë. Si në momentin kur gërvishtin kartat ri-mbushëse që më parë harxhohen sesa instalohen në telefon; ashtu edhe kur detyrohen të paguajnë për shkëmbimin valutor.

Një tjetër risi kishte po lulëzonte ndërkaq në të gjitha pikat kufitare që bashkojnë Maqedoninë me Shqipërinë; zyrat e vogla të siguracioneve shëndetësore. Me heqjen e vizave mund të jetë lehtësuar procedura për të hyrë në Maqedoni, por jo koha që harxhohet në të dy anët e doganës që ndan dy vendet. Nëse mungon figuracioni fiktiv shëndetësor, pala maqedonase nuk të lë të hysh në territorin e saj. Prandaj kioskat e tyre ishin hapur edhe në orët e para pas mesnatës në anën shqiptare të kufirit.

Në kahun tjetër që lidh Maqedoninë me BE-në pamja ishte gati e njëjtë, por kompanitë e figuracionit mbushën formularë vetëm për dy pasagjerë shqiptarë pa viza që kishte autobusi i Sofjes. Të tjerët dukeshin mirë nga perspektiva shëndetësorë, sipas gjasave të hamendësuara nga doganierët bullgarë dhe ata maqedonas.

Por më shumë së me gjithçka tjetër, pashë se dosja ime e udhëtimit ishte mbushur me fatura bankare, shkëmbimi parash dhe me një numër të madh kartash të gërvishtura.
Pse lulëzon kaq hapur tregu i telefonisë celuare dhe ai bankar në Ballkan? Të njëjtat kompani, të njëjtat banka, të njëjtat tarifa të larta, e njëjta arrogancë në reklamimin e fushatës së tyre të mbi-fryrë publicitare.

Në Shqipëri mund të ndodhë sepse celularët të paktën janë kthyer në modën pa të cilën nuk merret frymë; dhe bankat janë çadra e rreme nën të cilën shqiptarët po i fshihen 97-ës apo po rrënojnë banesën shpirtërore për 25 vitet e ardhmes nën kredi të pa-llogaritura mirë; por edhe në rajon dukej sikur merrte frymë e njëjta mendësi. Në kundërshtim me qendrat e tjera nëpër Evropë ku të zë syri edhe kompani investuese nëpër qytete e qendra prodhimi jashtë tyre, nëpër Ballkan reklamat e vetme ishin ato të telefonave dhe të bankave.

M’u duk sikur i gjithë udhëtimi im ishte në shërbim të këtyre dy fenomeneve, që e shpërngulën vëmendjen nga arsyet e vërteta përse burokracia, informaliteti dhe stoicizmi i ecurisë së ngadaltë të ekonomisë prodhuese apo të suksesshme në Ballkan.

Në mëngjes Shqipëria nuk m’u duk më e pushtuar qëllimisht! Vetëm rrjedhimisht.

10 Shtator 2008