17.10.08

Madhështitë e Tetorit

Një serbo-boshnjak solli vërdallë prokurorinë, qeverinë, presidencën, median, popullsinë e ç’gjeti përpara në Tiranë. E veja e diktatorit bëri lëmsh analistë, politikanë, inatcorë e veteranë me një dalje teka-plotë në ekran. Në Kosovë festuan 100 vjetorin e atij që aq shumë e deshi bashkimin e Shqiptarëve, sa kurrë nuk i doli koha të mendonte as për ata që kish nën thundër.

Në “Qemal Stafa” Milani bëri sikur u mund nga Tirana. Në Hungari kombëtarja shqiptare humbi ndeshjen 2-0 dhe vendin e parë në grup, që më parë i kishte rastisur ta mbante vetëm për hir të hierarkisë alfabetike para se të fillonin ndeshjet kualifikuese të çdo kompeticioni. Kurse pak ditë më pas, kundër të gjitha parashikimeve, me 10 lojtarë për 45 minuta të tëra dhe me një kokëfortësi shqiptare përzier me inatin hanian, kombëtarja barazon me Portugalinë. Në 15 Tetor 2008. Tamam në ditën kur kryeministri mbushi 64 vjeç.

Thonë se kombëtarja e solli pikën nga Lisbona pikërisht si dhuratë për ditën e shënuar. Po përveç saj, asnjë publicitet nuk pati ditën e lindjes së zotit kryeministër. E bija doli në ekran për të na mbushur mendjen për mirësinë dhe ligjësinë e zotit Fazllic. Kurse Milani në kahun tjetër i dhuroi një ditë më parë një bluzë me shirita kuqezi. Pasi nuk e veshi atë si tifoz në stadium (protokolli nuk lejon shfaqje të huaj preferencash futbollistike kur luan një ekip i vendit që qeveris), kryeministri tha se fitorja e Tiranës ishte e para fitore në vazhdën e madhe që pritet ta përcjellë atë deri në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009.

Premtuese!Të gjitha marrim frymë të lehtësuar. Shqipëria është e mbushur me ngjarje. Të të gjitha natyrave, përmasave e dukurive. Populli ka ushqim viziv, media ka ushqim transmetues, politika ka ushqim për zënka mjaftueshëm sa për të lënë në protagonizëm dy të parat.
Ah po. Për pak ngeli opozita jashtë kornizës. Ca titra lajmesh thoshin “Tirana siç e duam ne.- Edi Rama dëgjon qytetarët”. Në kronikë pashë me mikrofon në dorë gjithë kohës dhe futur sinkron në lajm vetëm fjalët e tij. Mbase po fliste si qytetar. Mbase!

Përveç kësaj dhe dhënies së dy bursave për dy vajza mbetur jetime në Gërdec e vizitës në Romë (edhe presidenti shkoi në Romë. Dashuri shqiptaro-italiane këtë periudhë) nuk është dukur më opozita. U la totalisht në hije ajo. Domosdo, se zhvillimet pozitive, intensive e festive që pati këtë jave prosperuese Shqipëria, u përjetuan paqtë fare nga të gjithë shqiptarët, përfshirë ata të opozitës, që jetojnë të lumtur nën ajrin e pastër statistikor që lajmëroi vetë Xhuveli.

Javë e bekuar kjo e treta e Tetorit në Shqipëri. Mbushur me arsye për të festuar ngado që ta kthesh kokën. Edhe për krizën botërore madje as që pyesim fare në këtë javë të bekuar ne, paçka se brisku i saj therës mbërriti deri ne Greqi. Atje u mblodh shpejt e shpejt qeveria. Kurse ne kemi lindur me këmishë si komb. Asgjë nuk ka për të na gjetur, se “paratë dhe bankat tona janë shume të sigurta”. Kryeministri e tha. Fjala e tij është ligj!

Teksa bëja një veprim bankar herët në mëngjes, pashë se karriget ishin mbushur plot e të tjerë njerëz vazhdonin të vinin duke pritur orën 10.30 “që të vijë kontingjenti i degës”. Disa syresh po nxitonin t’i tërhiqnin të gjitha paratë, me frikën se mos ora 10.30 i binte në vitin 1997.
Po ne kemi përvjetorët. Kemi edhe Fazllic, edhe hetuesit e huaj, edhe reagimet e BE-së, të SHBA-së, të KE-së, e të të gjitha germave të alfabetit që na thonë “të garantojmë mos-cenimin e pavarësisë së organit të akuzës”. Kemi edhe ca “investime” të heshtura për kërkimin e mineraleve nga Tirex në zonën e Rubikut, huazuar me “bujari” nga BERZH, kemi edhe testin që duhet të kalojmë si anëtarë të ardhshëm të NATO-s për gjetjen e autorëve të tragjedisë së Gërdecit dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë.

Por kjo e fundit është pak e hidhur. S’ia vlen të përmendet në këtë javë të bukur përvjetorësh. Edhe mbreti ynë i vetëm në Tetor ka lindur. Po në 8 Tetorin e tij ishim në të gjithë të zënë me Fazllicin. Në Tetor të ketë lindur edhe ai?!

Kurdo që të jetë, madhështia e datave tetoriane na dhuroi një javë të shkëlqyer ngjarjesh kontroversiale, që ia vlen t’i mbyllim nesër me 83 vjetorin e Ramiz Alisë (edhe ai në shtyp këtë javë).

Asgjë më shumë se subjektivizmi i këtyre ngjarjeve nuk mund ta lërë tërësisht në hije objektivizmin e mbytur të javës së tretë në Tetor.

Ngelet vetëm të shpresojmë që kur të kenë mbaruar festimet, kriza financiare të mos e ketë kaluar akoma "ilegalisht" kufirin.

17 Tetor 2008

9 comments:

ET said...

Sinteze shume e bukur T_Red.
ps:po e bere ç'do muaj heq dore nga leximi i perditshem i gazetave:)
pps:shume bukur dhe shkrimi tek Bari.

edrus said...

Boooooo!!!!
Dhe unë që kujtoja se ishte Nëntori muaji i festave :P (pale ç'do na shohën sytë thuaj:) )

t_red said...

Ka edhe ca ditelindje te tjera Tetori, po do i permendim pas disa vitesh :D

Anonymous said...

e une nuk kam c'te shtoj.Vecse do te doja te dija ne ndonjeri nga keta shqiptaret e ketushem ndoqi rastesisht emisionin "Zone e lire"?sepse per mua ishte edhe ai nje eveniment qe i perket tetorit!!!

Bashkohem totalisht me mendimin e E.T-se.por me nje shtese te vogel.duhet ta besh sepse une nuk i lexoj gazetat.

Ku po lundron anija jote keto dite T_RED???

t_red said...

Neper komshij, kapiten. :)

Anonymous said...

ke dal mensh nuk shpjegohet nryshe :P:P:P:P

pershendeti komshinjte.
do ndalesh Modena?nese po bej nje foto te piazza grande vetem per mua

t_red said...

Nuk e bera dot foton i pafe. Faji eshte totalisht i Edrusit, qe ma terhoqi vemendjen me ca potesta komunistesh qe beheshin ne anen tjeter te Modenes (ne qender d.m.th. po ne anen tjeter te ish-shtepise tende) :D

Por po deshe p te sjell ca foto nga bellissima Toscana :)

edrus said...

Dritan, nuk është as faji im dhe as i komunistave që po manifestonin për Irakun, por faji ishte i Oltit që nuk erdhi... dhe të mendosh që e kisha aparatin në xhep :(

Anonymous said...

E atehere une do pyes Oltin kush e kishte fajin qe te kem nje ide me te qarte:):):)

Sa inat qe shkove ne Modena kur nuk isha une:(:(:(