11.10.08

Diktatori mes nesh nëpërmjet të vesë (sipas meje)

A bëri mirë Xhunga që mori në intervistë Nexhmije Hoxhën?

Cështja nuk shtrohet nëse bëri mirë një gazetar apo një tjetër, por, a ka më vlerë të dëgjojmë c’ka për të thënë e veja a diktatorit? Kujtdo mikrofoni t’i flasë ajo, ligjëratat mbërrijnë të gjitha në veshët e shqiptarëve. C’farë të reje ka për të shtuar Nexhmije Hoxha që të justifikojë daljen e saj në ekran? Ka vendosur të kërkojë faljen publike që nuk dihet më se c’vlerë mund të ketë? Kërkon të japë ndonjë kontribut të padhënë? Apo thjesht është aty për të na kujtuar herë pas here se rrënjët e partisë së bashkëshortit të saj janë më të thella nga c’kujtojnë shqiptarët e sotëm?


Personalisht ndjeva dëshirë të menjëhershme për të ndërruar kanal, kohë dhe ngjarje kur znj. Hoxha doli në ekran. Më shumë se cdo herë tjetër, fiziku i saj më ngjau me atë të bashkëshortit që mbajti peng Shqipërinë, pa iu dridhur qerpiku për koston që pagoi në njerëz, në kulturë, në formim e në identitetin shqiptar.
M’u duk se pas 23 vjetësh, pashë versionin femër të diktatorit që shkatërroi deri në gen personalitetin dhe njeriun shqiptar.

Pse nuk kërkon falje N. Hoxha dhe si guxon që ta quajë bashkështortin e vet figurë pozitive?
C’mund te presësh tjetër nga e veja e një diktatori? Të thotë se burri i saj ishte protagonisti i shfarosjes së besimit tek vlera e njeriut në Shqipëri? Falë tij kemi ende sot në qarkullim me shumice manipulues të një cilësie të lartë, abuzues, tradhëtarë të besimit njerëzor, shërbyes interesash, njerëz që kanë frikë edhe nga fryma që marrin, jo më nga “udhëheqja” që janë mësuar të mitizojnë. Kemi në administratë burokratë të denjë për të jetuar 20 vjet mbrapa, vrasës së ideve, pengues të zhvillimit dhe shërbyes të izolimit militant. Të gjitha këto janë pasojë e punës së lavdërueshme 45 vjecare që bëri bashkëshorti i kësaj zonje në crrënjosjen e vlerave njerëzore, shplarjen e trurit dhe krijimin e “njeriut të ri”.
Figurë pozitive?! Posi, ashtu është, po të marrësh parasysh se sot ende fryma e tij drejtuese, asgjësuese dhe shkatërruese e risisë, vazhdon të lulëzojë në Tiranën e madhe. Nën këndvështrimin e saj, Enver Hoxha ia ka arritur qëllimit shumë më mirë nga c’e kishte parashikuar. Për bashkëshorten e tij ky nuk mund të përkthehet ndryshe vecse “ndikim i suksesshëm”, që në sinonimet e shqipes shumë lehtë zëvendësohet me pozitiv. Njëlloj si asgjësimi i mijëra intelektualëve që rrezikonin vënien në jetë të planit fatzi për krijimin e njeriut të ri.

A janë të besueshme akuzat e N. Hoxhës ndaj kryeminstrit aktual dhe ndaj kadaresë?
Asgjë nuk është më e besueshme në Shqipëri. Sali Berisha ka të gjitha të drejtat të jetojë në delirin e pa-mposhtjes, përderisa në atë piedestal ka arritur me meritën e tij dhe me pasivitetin, mungesën e përgatitjes dhe të nervit reagues të popullit që qeveris. Ismail Kadare shkruan shqip në mënyrë të papërsëritshme. Politikën dhe mbijetesën i ka pasur anë plotësuese në jetën e tij, kështu që nuk mund të bëhet fjalë për të besuar asnjë akuzë të zonjës Hoxha. Aq më tepër që ajo flet në pozicionin “Kapeni hajdutin”, kur vetë, së bashku me burrin e saj, i vodhën popullit shqiptar të vetmen pasuri:të qenit njeri funskional e me vlera.
Perdja e familjes Hoxha ka rënë një herë. Thjesht, pas saj nuk ka ngelur më asgjë!

10 Tetor 2008

6 comments:

Anonymous said...

Mu befsh kurban ! :P :P

belle_fleur said...

Faleminderit per kete shkrim! Shqiptaret kane humbur sensin dhe jane verbuar per ta pare realitetin ne sy. Shqiptaret akoma jetojne me te "mirat" se djeshmes dhe krahasojne te ligat e asaj kohe me keta palo qeveritare te sotem qe jane pjelle e se djeshmes, dhe me paturpesine me te madhe preferojne njeriun qe u shkaterroi jeten. Fatalitet shqiptar!

t_red said...

S'ke te plakur s'ke :P

Absurditeti do edhe ca breza te na shkulet nga rrenjet Belle. Ka pasur burre te qut kjo Nexhi. ( :P )

Anonymous said...

t_red
blogu eshte teper interesant.

ps:ka nje lapsus te vockel tek titulli "dikAtatori".

ciao

t_red said...

Merci Arber :).
Mireserdhe ne blog.

Gabimi u korrigjua :)

akullnaja said...

pas çdo burri t'qut, qëndron një gru e qut, thot një popull (i qut)...

s'e kam ndjekur vetë, po nga ç'lexoj poshtë e lart, më ndjell të përzier...