9.12.08

Kohë e vjedhur, konvertuar në pará pa kohë

Ora 7.30 e mëngjesit. Administrata publike paraqitet në kafene në 8.00 dhe në zyrë në 08.30, por unë po shpresoj t’i thyej hundët perceptimit tim të paudhë. Nxitoj sot, kështu që shërbimin që kërkoj do ta marr se s’bën brenda 08.30-ës. Më vonë duhet të çaj trafikun unik të Tiranës për të shkuar në zyrë. Shkurt, jam shpejt!

Pa zbritur mirë në tokë, një djalë 12-13 vjeç, më një kapuç në kokë, me majën e hundës flakë të kuqe e duart thellë në xhepa, qëndron mu përballë:

“Goce, është me lekë ky parkimi”

Kthej kokën andej nga thotë ai. Kam parkuar buzë një kanali gjithë baltë, në mes të autostradës, në të vetmin institucion shtetëror në këto anë, mes xhades dhe murit rrethues të ndërtesës. Përreth asnjë shtëpi. As vija e shenja parkimi jo.

“Me lekë? Më jep faturën?”

“E? S’kam faturë”.

“As unë s’kam kesh. Pranon cek?”

“Si the”?

“Pse s’ke vajtur në shkollë sot”?

“Po ja e kam lënë. Më ka lënë daja të rri këtu, më fitu ndonjë lek”.

“Kështu kë bërë plan t’i fitosh lekët, e? Po vitin tjetër, tjetrin, tjetrin? Lekë për parking fushash do marrësh?”

“..... po jo....ti po deshe, ta bëftë Zoti mbarë.....”

“Do ma bëjë se s’bën! Na lekët” – i zgjas stilolapsin e parë që më zë dora. Edhe ca letra të bardha. “Mbaji shënim sa njerëz do të paguajnë sot. Shkruaj edhe sa lekë do mbash ti e sa do të marrë daja. Sa do harxhosh e as do kursesh. Shkruaj në një faqe edhe se sa mendon ti e do të zgjasë kjo punë dhe cila është dita që ti do të mbaroje shkollën po të mos vije këtu”.

Më shihte i çuditur në nxitimin tim. Edhe po qeshte pak, por lekët që s’i dhashë iu dhimbsën.

Në kat të dytë të ndërtesës që nuk u hap asnjë sekondë para orës 8.00, një punonjës kontrollonte dokumentacionin.

“Ka radhë, ka radhë sot. Po me një kafe shtyhen të gjitha”

“Jo o zotëri. Kur s’i dhashë korosan atij që rri në të ftohtë përjashta, s’po të jap ty kafe këtu në të ngrohtë”.

Pres radhën. Dokumentacioni plotësohet me dorë. Fletët kalojnë nga njëra dorë në tjetrën, nga njëra tryezë në tjetrën. Të gjithë hedhin firma. Të gjithë me ngadalësinë që mundin. Asgjë nuk kompjuterizohet, edhe pse unë dhe gjithë të tjerët aty, do detyrohemi të vimë sërish këtu vitin tjetër. Dhe procedura e shkrimit me dorë do fillojë nga e para....

Bo sa nxitoj!

Pas shumë minutash lufte të heshtur mes qesëndisë dhe vrapit, më përcjellin me një buzëqeshje të mundur:

“Eja në orën katër për ta marrë dokumentin”.

Jashtë më pret cuni me letrat në dorë. Stilolapsi sec po e tërhiqte me sustën e tij. Por i ngriti sytë sa dëgjoi zhurmë makine:

“Bëji llogaritë mirë. Kur të vij pasdite, do krahasojmë fitimin,-i thashë”.

S’do më vijë çudi nëse ai do ketë futur në xhep më shumë se unë. Vetëm për sot!

3 comments:

Anonymous said...

I can imagine you running...vecse tani nuk eshte gusht dhe nuk ke ate fustanin jeshil dhe ate canten e rende me vete...

t_red said...

:D Jo, nuk eshte me gusht, as nuk kam fustan jeshil. Por canten vazhdoj ta kem te rende, e vazhdoj ta mbaj me vete :).

Paskam edhe "Perplasjen e qyteterimeve" me vete. Kane gje lidhje me kete perplasje ngjarjet e atyshme? :)

Anonymous said...

"Bah...jo jo!
dikur,shume kohe ma pare kisha menduar vetem ne shqiptaret kalojme ne ekstrem,por ja qe nuk na lane keta fqinjet tane.
Nuk ma merr menja te jete "perplasje qyteterimesh " kjo qe po ndodh ketej moj T_RED!Por nuk po di,as nuk po du ti ve nje emer...ja keshtu!


Prape Itali TI?