18.12.08

2008 në skanim

Nuk do flas për Obamën, për Spanjën në Euro 2008 apo për lojërat olimpike të Pekinit.

Përmbledhja është më e brendshme.

Kosova shpalli pavarësinë, i dëbuan UNMIK e i sollën Eulexin. Shqipëria ka marrë ftesën për në NATO, por akoma nuk ka gjetur asnjë fajtor për shpërthimin e Gërdecit. Në depon e atjeshme të çmontimit të armëve vdiqën 27 persona, kurse onkologjiku ka shënuar 300 të vdekur nga kanceri.
Organizata botërore e Shëndetësisë thotë se një përqindje e lartë kësaj sëmundje shkaktohet nga ekspozimi i të sëmurit ndaj pesticideve, helmërave dhe ndotjes së ajrit. As për këtë nuk ka akoma fajtorë. Jo vetëm kaq, por askush akoma nuk e kupton se në c’mjedis po jetojmë në 2008-ën në Shqipëri.

Jo vetëm shëndetësisht, por edhe politikisht.

Një serbo-boshnjak solli vërdallë prokurorinë, qeverinë, presidencën, median, popullsinë e ç’gjeti përpara në Tiranë.

Më tej, e veja e ish- diktatorit bëri lëmsh analistë, politikanë, inatcorë e veteranë me një dalje teka-plotë në ekran. Me të gjithë këta u mor media; kurse me vendimet që fshihen pas firmosje së kontrateve me italianët për parqet e qymyret, jo!

Ministri i mjedisit na tha se ne jetojmë në një nga zonat me ajër më të pastër në Europë. Kurse sipas bashkisë në Tiranë kemi 4.5 m2 gjelbërim për person.

Përsa i përket financave, buxheti solli risi në kalimin e copës më të madhe në një rrugë që doli shumë e babëzitur, e në vend të fundit u la arsimi, që ka marrë të poshtën pa asnjë frenë.

Sipas kryeministrit, “paratë dhe bankat tona janë shumë të sigurta”, pavarësisht krizës financiare që ka pllakosur në botë. Pas ndeshjes me Milanin në Tetor, ai na siguroi se fitorja e Tiranës ishte e para fitore në vazhdën e madhe që pritet ta përcjellë maxhorancën deri në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009.

Të tjera zhvillime që ngelen për t’u shënuar gjatë 2008-ës:
Presidenti ktheu mbrapsht kodin e konsensusit më të madh parlamentar; Edi Rama u bë dy herë mik me Sali Berishën e po planifikon të bëhet edhe me Ilir Metën; Presidenti Topi guxoi të tregojë respekt për institucionin dhe përgjegjësinë që ka; Berluskoni erdhi në Shqipëri, hodhi ca firma për ca gjoja investime që do ikin andej nga do vijnë.

Karaburuni, Llogorja, Fieri, Durrësi e gjithë Shqipëria u vu në ankand për një euro, që s’dalin as për të blerë të drejtën për të pasur një numër fiks e jo 0900 në përfaqësitë italiane në Shqipëri.

Ministrin e jashtëm e veshën e e zhveshën me akuza.

Topalli ka dhënë shfaqje në parlament e në Kuvajt.

Në organizmat sportive kemi parë mungese totale sportiviteti e fisnikërie. Kadarenë, nënë Terezën e madje edhe Skënderbeun na i c’mititizuan që nga themeli. Krimi brenda familjes ka zënë vendin e parë në krime e në transmetime mediatike, duke e përhapur kështu edhe më shumë fenomenin e keq.

Në ekran kemi përditë e çdo orë reklama ku na tregojnë metrat e rrugëve të shtruara, veprave në ngritje e ndryshimeve që vetëm ne nuk i shohim. Kodi elektoral akoma nuk e ka kaluar klasën.

Politika dhe ekonomia
Raportet zyrtare këtë vit folën për zhvillim të dukshëm ekonomik; tërheqje të investitorëve të huaj; rritje të GDP-së me të paktën 6% (që është një ndër më të lartët në Europën Lindore). Ca thonë 9.9 %, po po zëmë se nuk e kemi dëgjuar.

Në këtë vit pararendës zgjedhor publiku po mbingopet me informacion të pakontrolluar. Por, qeveria e sotme mund të ngrejë me të drejtë pretendime për disa arritje që jo vetëm janë të matshme, por edhe të prekshme. Për shembull, nga një vend me të ardhura të ulëta, tashmë Banka Botërore na klasifikon tek vendet me të ardhura mesatare. I njëjti institucion u tregua zemërgjerë kur në fillim të Shtatorit e renditi Shqipërinë në 10 vendet e para që krijojnë lehtësira për legjislacionin dhe funksionimin e biznesit.

Sipas informacioneve të qeverisë dhe raportit të BE-së për progresin, Shqipëria në një farë mase e ka luftuar korrupsionin, ka ulur taksat, ka “zvogëluar” administratën qeverisëse, dhe ashtu siç pohon edhe Banka Botërore, janë miratuar një sërë ligjesh dhe aktesh që favorizojnë biznesin.

Për fatin e kësaj qeverie, rastisi në periudhën e saj që Shqipëria të marrë ftesën për në NATO (pavarësisht i kujt është interesi apo merita) dhe pozitarëve të sotëm ju pëlqen të thonë se vitin tjetër Shqipëria do të aplikojë edhe për anëtarësim të plotë në BE.

Nga ana tjetër, ekonomia po ecën me hapa sa të mëdhenj, aq edhe të padukshëm për syrin e lirë. Për 125 milionë euro, naftë-nxjerrësi Armo u shndërrua në AMRA-n amerikano-zvicerane. Albtelekomi po ashtu ndërroi kombësi dhe KESH-i është në fushën e pingpongut.

Ndërtimi ka shpërthyer në të gjithë krahët duke ngelur pika kyçe e zhvillimit të sotëm ekonomik.

Një tjetër investim kolosal që ka zënë jo pak vend në zhvillimet politike dhe ekonomike vitin e fundit janë 600 milionë eurot dhe më pak se 200 kilometrat rrugë që do ta lidhin Shqipërinë me Kosovën.
Po sipas qeverisë, investitorët e huaj po tregojnë edhe interesa të tjera.

Italianët e Enel-it shtinë në dorë Karaburunin. Austriakët e EVN-së akoma kanë ndër mend të ndërtojnë hidrocentrale. Pas grekëve, shqiptarët e spanjollët janë në garë për të ndërtuar fabrika çimentoje.

Interes tjetër i shfaqur rishtas këtë vit është ai britanik për të bërë porte e ai cek për të marrë me koncesion hekurudhat.

2008 solli deficit tregtar të lartë, prurjet e emigrantëve pësuan rënie, prodhimi vendas është i papërfillshëm, ndërtimi është pa baza... pra rritja ekonomike mund të jetë fiktive?! Shumë shifra e të dhëna nuk janë fort të besueshme, prandaj entuziazmi i qeverisë ndesh reflektimin e kësaj mungese të besueshmërisë kur mundohet të shesë si arritje çdo deklaratë mini-pozitive që vjen për Shqipërinë.

Për shkak të mungesës së transparencës në shumë sipërmarrje ekonomike e politike, 2008-a i ngjan më shumë një enigme, sesa një pakoje plot dhurata e arritje, siç shohim të na mbushin mendjen reklamat nëpër televizione.

2008- është më shumë viti i sekreteve të hapura sesa ai i arritjeve të mbyllura, të përfunduara e të mirë-koordinuara.

Ja Gezuar!

1 comment:

Julius said...

Gëzuar.
Vetëm ti mos ndrysho. Të tjerat le t'i marrë lumi.