
Përfituesi i tyre kush është? Nuk dihet. Dhe nuk na duhet. Vizat një herë. Prit se do na liberalizohen ato.
Po si iu thà mendja dhe goja të gjithë të hipnotizuarve para Fratinit dhe përrallës së tij të vizave e nuk e pyeti: “ Për ç’fare liberalizmi e ke fjalën ti zotëri, kur shteti yt sapo miratoi dekrete të reja diskriminuese për emigrantët në Itali? Që nga 4 Nëntori, bashkimi familjar në Itali do të jetë pothuajse i pamundur, ti më flet për liberalizim vizash”?
Po për allishverishet e konsullatave italiane në Shqipëri? Ajo e Shkodrës i pranon dosjet vetëm me vulat e kontrollit prej njerëzve të kontraktuar ilegalisht me personelin, kurse ajo e Vlorës NUK KA data për takime vizash që prej MAJIT 2008. 6 muaj që nuk jepen as data, zotëri, në numrin e kuq 0900 të ambasadave e konsullatave tuaja, e ju po flisni për liberalizim?!!!
Shtrëngimi deri në pamundësi i të drejtës për bashkim familjar (prindi duhet të jetë mbi 65 vjeç dhe fëmija të vërtetojë se askush prej vëllezërve apo motrave të tij nuk kanë mundësi ta mbajnë prindin), do të hyjë në fuqi në 4 Nëntor. Ky është vendim i marrë, Fratin fratellin. Kurse liberalizimi i vizave është flluskë që akoma iu pëlqen shqiptarëve zyrtarë e atyre gazetarë.
Përveç saj, protestat në Tiranë kundër racizmit në ndarjen e fëmijëve në shkolla jo vetëm që s’duhet sharë, por duhet ardhur turp përse ishte i vetmi e përse të tjerë njerëz nuk iu bashkuan. Asnjë rëndësi nuk ka kush e ngre zërin në protestë. Kuja duhet vënë sepse të gjithë fryjmë sytë e dëgjojmë pallavrat e liberalizimeve, ndërkohë që shohim radhë të tëra shqiptarësh si pula të lagura para dyerve të konsullatave apo edhe nëpër pikat kufitare.
Fratini erdhi këtu për ato pesë firmat që s’e mori mundimin asnjë gazetar t’i zbërthente, e për ca të tjera që do ta nxjerrin tymin kur të ndizet qymyri në Durrës.
Ky s’është liberalizim vizash; është liberalizim tërësor për të tallur një popull të tërë, viktimë e politikave makiavelistë të brendshme e të jashtme dhe të një tufe reporterësh që as të dëgjojnë nuk dinë.
Turp! Dhe fatkeqësi!