16.9.08

Makthi i déjà-vu-së

Foto të vogla bardhë e zi janë vendosur në radhë të improvizuar në një kornizë të përbashkët që varet pjerrtas në mur, me pjesën e sipërme hapur drejt tavanit. Mbahet në një gozhdë të vetme, ngulur në murin e ulët që ka disa korniza të tilla.
Brenda saj, një nuse me fustan të bardhë, prerje të drejtë, me vështrimin në tokë. Dhëndri qëndron i pasigurt përbri dhe një tufë dasmorësh me buzën e tharë në gaz, janë mbledhur përreth. Ngjitur, katër gra në të 30-at me sy të picërruar nga dielli, me fustane mbi gju, pa shami në kokë, pozojnë të ngrira, me arën e mbjellë në sfond.

Fotoja tjetër; një çift i ri prindëror dhe një fëmijë me vështrim kureshtar në mes. Pastaj dy gjyshër e tre nipa në prehrit e tyre…

Përreth, dhoma ka edhe korniza të tjera, me foto të zmadhuara, të modifikuara, me ngjyra artificiale e bardhë e zi. Në shumicën e tyre është kryefamiljari, pa asnjë shprehje në fytyrë. Ose poza çiftesh seriozë në moshë të matur, prindër që kanë fëmijë të rritur, dalë në foto pa ta.

Mureve varen edhe disa qilima të vjetër, të mbingarkuar në thurje, me shumë ngjyra. Mbretërojnë e kuqja, roza dhe jeshilja.

Ca vargje me hudhra varen nga të dyja anët e derës dhe dritareve të dhomës. Perdet janë të bardha, të shkurtra, punuar në dorë me grep dhe shtrënguar fiks pas xhamit në gozhdët e ngulura enkas për to. Mbi “bandat zbukuruese të murit” varet edhe një tufë trëndelinë e tharë, lidhur me fill të trashë të zi. Përballë një e ngjashme me borzilok dhe një tjetër me majdanoz.

Me një veshje po të bardhë, qëndisur e mbingarkuar me motive të kuqe, shërbehet në tavolinë me gota me dorezë. Turshi, speca të mbushur, patëllxhan i grirë, përzier me domate, hudhra dhe vaj, djathë i bërë vetë, arapash me miell misri, mish me patate furre dhe byrek me qepë e me djathë. Vera e kuqe është e shtëpisë.

Një radio-magnetofon disa vjeçar përcjell muzikë tradicionale të kërcyeshme lehtë. Hapat ndjekin lirshëm njëri-tjetrin. Buzëqeshja nuk dihet nga mbin. As përse!

Gotat trokiten për të uruar shëndet, fat, rini të gjatë, lumturi dhe suksese. Kjo shoqërohet me duhan dhe në fund sillen petullat me reçel. Molle ose qershie.

Më vonë, autobusi me sedilje të përthyera (ku banjoja është kyçur me kohë), përcjell njëri pas tjetrit fshatra të heshtur, të trishtë nën shiun e shpejtë dhe të athët vjeshtor.
Tufa të tëra misri të sapokorrur kanë ngelur pirg para dyerve të shtëpive. Ato janë të lyera të gjitha me bojë gurkali. Asnjëra nuk duket se mbart jetë. Përkarshi kanë mbeturina makinash të prishura, karroca të rënda dore, mullarë të papërfunduar bari, baltë deri tek dera kryesore, banjë në fund të oborrit, tela plot me rroba të nderuara grykë-poshtë, që lagen e pisen nën shi; dru të paktë të pa sistemuar dhe shumë pak oxhakë që nxjerrin tym, (megjithëse pasditja është vërtet e ftohtë).

Tek mbërrin buzëmbrëmja, asnjë vezullim nuk del nga dritaret e shtëpive të zhytura irealisht pas xhamit të autobuzit që kalon mes tyre.

Hyrja në qytet shpallet me të zë të lartë. Paralajmërohet vizita e rëndësishme dhe kërkohet vëmendje për të parë rrallësinë e pallatit presidencial, kryeministrinë, parlamentin, Universitetin publik, (poli-teknikun), atë mjekësor, të gjuhëve të huaja, spitalet bashkë me sëmundjet e tyre; statujat e emrave të mëdhenj në të majtë e në të djathtë, sheshet kryesore, teatrin e operas, famën e tij, kinematë boshe dhe emrat e ardhur rishtas nga perëndimi.

Në qytet buzëmbrëmja është më pak e ftohtë. Në të dy anët e bulevardit të stërgjatë dhe trembshëm të gjerë, grupe të vogla njerëzish lëvizin pa fjalë. Ngeshëm.
Në çifte, burri ka kostum terital të prerë drejt; gruaja fund deri tek gjuri. Të rinjtë e gjinisë mashkullore duket sikur kanë avulluar; femrat e të njëjtës moshë duket sikur janë në garë për grimin dhe lartësinë e të çarës së minifundit dhe hollësinë e takës që ngulet nëpër gurët e gdhendur të bulevardit. Artificialiteti i veshjes ngec po njëlloj përgjatë tij.

Tek këmbët ndalen autobuza që kushtojnë pak qindarka dhe furgonë pasagjerësh që akoma nuk kanë dalë nga qarkullimi.

Në dyqane çmimet nuk i përgjigjen kostos së transportit. Imitimet e markave në kozmetikë dhe veshje i kalojnë çmimet e tyre reale të qyteteve të BE-së, kurse ushqimi duket si mall muzeu që e ngop syrin gjithë efektivitet.

Dollari shkëmbehet shkëlqyeshëm, euro nuk mbahet keq. Por 50 të tilla mjaftojnë vetëm për dy shishe verë dhe një statujë suveniri punuar më dorë.

Bulevardi sërish ngelet i çuditshëm, edhe në përshkimin e gjashtë të tij. Shumë pemë në të dy anët. Lyer me gëlqere deri në 1 metër mbi tokë e rrethuar me bordura katrore 70 cm. Edhe e bardha e tij standarde si largësia e aplikuar gjithandej.

Herë pas here shfaqen edhe parqet plot me pemë të tilla. Poshtë tyre shëtisin familjarët pa shprehi në fytyrë dhe pensionistët nostalgjikë. Stolat e drurit janë njomur, por kjo nuk i pengon kalimtarët të ulen aty.

Zambakë. Të verdhë, të kuq, të bardhë. Mullaga dhe lulevjeshte të vogla, të paçelura, të barabarta. Sipër tyre kanë filluar të ndriçojnë dobët neonet e rrugës kryesore. Në fund të saj shëmtia e pallateve parafabrikate me shumë kate. Më shumë se pesë. Pa jetë. Vëzhgues. Armiqësorë. Askush nuk nxiton për aty. As në bulevard nuk nxiton kush. Nuk ka dyndje; vetëm grupet e zakonshme e të vogla të njerëzve që shtyjnë hapat sikur duan të të bëjnë të qartë hapur e pa keqardhje se janë dorëzuar pa asnjë kusht.

Veshja standarde, ecja e ngadaltë, shëtitorja në bulevard, institucionet e administratës, dyqanet e pakta, opera, kinemaja e shurdhët, pemët me gëlqere, rrethimi i tyre dhe drita e venitur në sytë e kalimtarëve, mbajnë mbërthyer imazhin e mbrapshtë të 20 viteve më parë.

Më duket se sapo kam mbaruar klasën e dytë; shoh time më që vjen pa pamje nëne në shtëpi pas punës sfilitëse; pastaj xhaxhanë e vogël me pantallonat e reja në këmbë e shpresën e suksesit në sy tek niset për shëtitjen e darkës; akulloren që s’më shijon pas radhës së gjatë, pesë lekëshin që e vërtis para ëmbëltores vendase dhe ftohtësinë e hidhur të mureve sovjetike.

Shkund,kthej e rrotulloj kokën…parafabrikatet e panumërt janë aty, bashkë me bulevardin e zbrazët e pemët e gëlqerosura.

Hoteli ka 5 yje, një kompjuter dhe asnjë telefon që funksionon. Pas recepsionit, radha për akses me botën, hesht në bindje.

Mureve të stolisur të dhomës iu qëndron përballë një televizor me ekran mesatar që merr vetëm një kanal. Përbri shtratit të ngushtë, mbi një komodinë të improvizuar me modernizëm, telefoni vazhdon të mos kapë asnjë sinjal. Gjithçka kalon nëpërmjet recepsionit…!

Në vesh kumbojnë fjalët e udhërrëfyeses për krenarinë e të jetuarit në qytetin e gjelbër, që i kanë kënduar këngë e thurur lavde e për të cilin ndjehen aq krenarë.

Në të dale të aeroportit mikroskopik, 20 vjecari që e kanë caktuar të ruajë kufijtë, shtrëngon sërish nofullat në dëshpërimin e tij për të mos i marrë dot në pyetje këta të huaj të mallkuar që nuk i flasin dy gjuhët jo-angleze që di ai.

Avioni antik, ku shërbehet ushqim i ngrohtë dhe pije shumë të mira, fluturon larg, në kohë dhe në hapësirë….

Aty çlirohesh…dhe fillon lufta me mendjen, me memorien, me vërtetësinë surreale të ditëve të lëna pas…

Po jetoja në 88-ën! Ndodhi tani, në shtator të 2008-ës!

E pashë me sy 88-ën time, e ndjeva, më fshikulloi duart e mpira më shumë se sytë që s’besonin asgjë. Pashë Vlorën, Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Elbasanin…pashë komunistët e devotshëm në rrugë, parqe, zyra, në bulevard. I pashë të gjitha….në Chisinau…në shekullin e 21-të.

Jo-reale. Diçka është jo-reale. Unë?! Chisinau?! Apo kthimi mbrapsht në skuta që s’di ku t’i grupoj më. ..

Ç’farë është identiteti?!....Moldavet qarkullojnë në tregun e mishit e të seksit, moldavët ndërtojnë në Rusi. Sytë blu të Marianës shkëlqejnë gjithë krenari tek deklaron “në rrjedhim nga Trakët”….Kurse ne nga Ilirët. Të gjithë nga pellazgët, bashkë me etrsukët e ligurët. Jemi edhe arianë, por na nxinë pakëz turqit. Jemi myslimanë, të konvertuar, të tradhtuar. Jemi pa fe…shëtisnim në bulevardin me pemët e gëlqerosura dhe ktheheshim në apartamentet parafabrikate ose shtëpitë pa zjarr e baltë deri tek dera.

Ç’farë është identiteti?!....S’më lënë aspak rehat fotot e përziera kornizave, era e trëndelinës, sëndukët e gjysheve, ushqimi i njëllojtë, ndërtesat administrative, autobuzët e vjetër disa qindarkësh, parafabrikatet dhe sërish pemët e gëlqerosura.

Ta marrë djalli rus. U zhvendos koha, apo unë?!

t_red
Chisinau, 14 Shtator 2008

4 comments:

Anonymous said...

C'fare eshte IDENTITETI???!!!

Tjeter me bere te mendoj ne fillim e tjeter gje mendoj tani...Prej nga erdhem,kush ishim,kush u beme me kohen...dhe sa perpiqemi ta identifikojme vetem me c'ka njohim ne kohe per veten dhe cfare na diktohet te njohim!


Mire se u riktheve...Po lezhen ku ma ke lene?Mos u vetmbroj se ma ke lene mua...i don't belive you :P:P:P

t_red said...

Po Lezhen ti dhe Skenderbeu e keni prone. Mbajeni :D

Pastaj s'kam nevoje te kapercej as Karpatet, as kohen per ta pare, kapiten. Po shyqyr qe Lezha permendet perpara sovjetizmit thuaj :D

Anonymous said...

I wish not approve on it. I over warm-hearted post. Especially the title attracted me to study the intact story.

Anonymous said...

Nice post and this mail helped me alot in my college assignement. Gratefulness you for your information.