14.9.08

Frika e ngjashmerise rajonale

Reklamat gjigante të bankave dhe telefonive celulare të gënjejnë lehtë kur vështrimi ngelet përpjetë në Ballkan e pak më tej. Të njëjtat ngjyra të kuqe dhe bojë-bari për telefonitë, të njëjta shenja të ndezura, të mëdha, përfitime shpallur dukshëm dhe interesa me gërma mikroskopike për bankat dhe kreditë e tyre.

Po të mos iu kushtosh vëmendje ndërtesave buzë rruge që mund të të japin ide më të qarta se ku ndodhesh, nisur nga reklamat dhe pushtimi i vëmendjes publike pasivisht, Ballkani nuk ka shkëputje.

Kompanitë e mëdha e kanë studiuar dhe po e menaxhojnë shkëlqyer këtë treg të artë me fitime kolosale; veçanërisht ato të sipër-përmendurat. Me dy karta të ndryshme telefonike në dy celularë, vura re se krediti i numrit shqiptar më mbaroi pas tre telefonatash të shkurtra, ndërsa ai i një kompanie italiane vazhdonte të mbijetonte stoik dhe besim-dhënës. Vazhdoi kështu deri në fund të udhëtimit, edhe pse numri shqiptar ishte fryrë shumë më mirë me kredi e pajisur me roaming.

Tek përshkoja Ballkanin e kësaj jave, ndjeva sesi edhe ai përshkonte heshtur dhe shpejt kartën dhe kuletën time në këto dy sektorë ku tregu ka lulëzuar dhe e shfaq hapur këtë më shumë se në çdo vend tjetër ku më ka rastisur të paguaj për shpenzimet e mia.

Zyrave të shkëmbimit valutor në Tiranë i përgjigjet i njëjtit numër edhe në Shkup, Prishtinë apo edhe Sofie; ndryshimi është se në vendin e pranuar rishtas në BE, ka dalë moda e komisionit në shkëmbimin e çdo lloj shume, sado e vogël të jetë ajo.

Përveç kësaj, procedurat e shkëmbimit dhe pagesës nëpër banka, janë bërë shumë më burokratike dhe të zgjatura se më parë.

Ama vështrimi dhe pakënaqësia e njerëzve ka ngelur e njëjtë. Si në momentin kur gërvishtin kartat ri-mbushëse që më parë harxhohen sesa instalohen në telefon; ashtu edhe kur detyrohen të paguajnë për shkëmbimin valutor.

Një tjetër risi kishte po lulëzonte ndërkaq në të gjitha pikat kufitare që bashkojnë Maqedoninë me Shqipërinë; zyrat e vogla të siguracioneve shëndetësore. Me heqjen e vizave mund të jetë lehtësuar procedura për të hyrë në Maqedoni, por jo koha që harxhohet në të dy anët e doganës që ndan dy vendet. Nëse mungon figuracioni fiktiv shëndetësor, pala maqedonase nuk të lë të hysh në territorin e saj. Prandaj kioskat e tyre ishin hapur edhe në orët e para pas mesnatës në anën shqiptare të kufirit.

Në kahun tjetër që lidh Maqedoninë me BE-në pamja ishte gati e njëjtë, por kompanitë e figuracionit mbushën formularë vetëm për dy pasagjerë shqiptarë pa viza që kishte autobusi i Sofjes. Të tjerët dukeshin mirë nga perspektiva shëndetësorë, sipas gjasave të hamendësuara nga doganierët bullgarë dhe ata maqedonas.

Por më shumë së me gjithçka tjetër, pashë se dosja ime e udhëtimit ishte mbushur me fatura bankare, shkëmbimi parash dhe me një numër të madh kartash të gërvishtura.
Pse lulëzon kaq hapur tregu i telefonisë celuare dhe ai bankar në Ballkan? Të njëjtat kompani, të njëjtat banka, të njëjtat tarifa të larta, e njëjta arrogancë në reklamimin e fushatës së tyre të mbi-fryrë publicitare.

Në Shqipëri mund të ndodhë sepse celularët të paktën janë kthyer në modën pa të cilën nuk merret frymë; dhe bankat janë çadra e rreme nën të cilën shqiptarët po i fshihen 97-ës apo po rrënojnë banesën shpirtërore për 25 vitet e ardhmes nën kredi të pa-llogaritura mirë; por edhe në rajon dukej sikur merrte frymë e njëjta mendësi. Në kundërshtim me qendrat e tjera nëpër Evropë ku të zë syri edhe kompani investuese nëpër qytete e qendra prodhimi jashtë tyre, nëpër Ballkan reklamat e vetme ishin ato të telefonave dhe të bankave.

M’u duk sikur i gjithë udhëtimi im ishte në shërbim të këtyre dy fenomeneve, që e shpërngulën vëmendjen nga arsyet e vërteta përse burokracia, informaliteti dhe stoicizmi i ecurisë së ngadaltë të ekonomisë prodhuese apo të suksesshme në Ballkan.

Në mëngjes Shqipëria nuk m’u duk më e pushtuar qëllimisht! Vetëm rrjedhimisht.

10 Shtator 2008

2 comments:

Anonymous said...

... is that fearful to have something in common?!

t_red said...

it's fearful to see how we all are victims of the same market policy. It's monopolis it's based in Greece.