8.9.08

Diploma – vlera zero

Për të gjetur punë, në administratë ose jo, është e domosdoshme eksperienca e punës. Po nëse të gjithë kanë pretendime që punonjësit të kenë përvojë të mëparshme, ku do të merret kjo eksperiencë pa u dhënë një shans i parë?

Puna vullnetare nuk aplikohet më në Shqipëri, për shkak të abuzimit që pati me të gjatë dikaturës. Imazhi i keq i saj vazhdon të përcillet edhe sot mes shqiptarësh, duke dëmtuar edhe ndonjërën nga anët vërtet pozitive dhe shanset e eksperiencës apo të punësimit që mund të të japë ajo.

Por, në arsim për shembull kjo nuk mund të aplikohet. Një i sapodiplomuar për mësuesi nuk mund të pranohet si “vullnetar në mësimdhënie” në asnjë lloj rrethane. As vënia e tij në dispozicion të drejtorisë arsimore nuk jep shumë mundësi përvojë apo krijim shansesh për punësim. Nuk bëhen dot eksperimente me fëmijët duke iu dhënë mësues vullnetarë apo në dispozicion, por as nuk mund të luhet me mundin, përkushtimin dhe përgatitjen e atyre studentëve që shpenzojnë katër vjet të përgatitjes së tyre universitare me idenë se një ditë do të jenë të dobishëm në arsim. Gabim! Shanset e tyre sfidohen nga numri shumë i vogël i vendeve të punës dhe numri shumë i fryrë i studentëve që diplomohen çdo vit në të katër anët e vendit, me kohë të pjesshme e pa kohë fare, me mesatare të ulët e pa mesatare hiç; të gjithë pretendojnë për një vend pune dhe radhët e dosjeve e të kërkesave në drejtoritë arsimore bëhen më të gjata se numri i nxënësve që presin një mësues.

Shumë e mirë është ideja e nxitjes së studimeve dhe dhënia e shansit për këdo që të mbarojë studimet e larta. Por kjo bëhet me shpresën se vetëm më të mirët do të mbijetojnë deri në fund të studimeve, vetëm ata më të zotët do të marrin privimet e vetëm ata më të përkushtuarit do të marrin diplomën. Por në Shqipëri ndodh e kundërta. Të gjithë, pa asnjë përjashtim, në mos që herën e parë, të dytën e marrin se s’bën diplomën, pavarësisht se si dhe me ç’farë note. Rrjedhimisht, numri i të diplomuarve/pretendentëve për punë, fryhet në mënyrë fiktive, ndërkohë që kërkesa e tregut është shumë herë më e ulët sesa numri i këtyre diplomantëve. Prandaj kur vjen dita fatkeqe e hedhjes në tregun e punës, as diploma, as nota, as përkushtimi, lloji i frekuentimit të shkollës apo as shanset për të qenë një mësues, ekonomist, laborant, mjek, biolog apo letrar i mirë, nuk hyjnë më në punë. Jo. Këtu fillon lufta e ashpër e bërrylave, e njohjeve që pretendojnë se s’të njohin, e ndikimeve të paqena e në shumë raste, fillon ruleta e frikshme e lekut, që prapë s’të jep garanci nëse i jep në kohen dhe në vendin e gabuar.

A është e drejtë dhe a është e ligjshme që shkollat publike të vendosin si kriter përvojën e punës në arsimin bazë? Duket absurde, sepse hapur fare kjo nënkupton që asnjë i sapo-diplomuar nuk ka shans të punësohet, madje as pas 10 vitesh diplomimi, nëse nuk fillon të japë mësim diku. Po ku? Kush do t’ia japë këtë të drejtë, teksa në zyrat arsimore të duket sikur noton në një oqean me krijesa të të gjitha llojeve, kurse në sektorin privat të arsimit pretendimet e punëdhënësit janë akoma më të larta, më absurde e më të pa-kontrolluara se në shtet?
Koordinimi zyra punësimi – universitet është shkëmb i palëruar në mjedisin shqiptar. Po përse iu mohohet e drejta legjitime këtyre të sapo-diplomuarve që të provojnë veten në profesion, të merren në intervistë, të testohen në mësimdhënie? T’iu jepet mundësia të vërtetojnë se mësuesia më shumë sesa hatër miqsh e shpërblim parash, është detyrë e përgjegjësi që disa njerëz e kanë kultivuar tek vetja e tyre. Kjo do të ishte edhe në të mirën e nxënësve vetë, që në vend që të kenë para tyre në klasë zyshën me minifund, flokë të krehur e grim lara-lara se ajo është shoqja e drejtorit apo e njohura e pronares, fëmijët të kenë mundësinë të udhëhiqen në hapat e tyre të dijes nga njerëz që kanë zgjedhur të japin mësim sepse iu pëlqen të punojnë më fëmijët, të rriten me ta, të japin gjithë ç’kanë fituar nga ana akademike dhe ajo personale në ndërtimin e kapacitetit si mësues të përkushtuar, të dashur dhe rezultativë njëkohësisht.

Në shoqërimin e një mësueseje të sapo-diplomuar, më dhembën shumë radhët e gjata nëpër shkollat private, drejtoritë arsimore dhe kafenetë e “miqve”. Nëse në Shqipëri është abuzuar me termin “vullnetarizëm” apo “fisnikëri” për mësuesin, m’u kujtua se tjetërkund jashtë atdheut tonë jo-vullnetar, këto cilësi akoma vazhdojnë të vlerësohen lart moralisht, edhe pse në nivel page, mësuesit ngelen gjithandej në kategorinë më pak të paguar.

Ama është e padrejtë që të shndërrohen edhe në kategorinë më shumë të nëpërkëmbur, veçanërisht për ata që e marrin mësuesinë seriozisht, me përkushtim dhe me pasion.

Është gabim fatal të zhvlerësohen mundësitë për burime të tilla njerëzore, veçanërisht në arsim.

2 comments:

Anonymous said...

Sot po diskutoja me nje mike time per menyren e shpendarjes se librave!
hartimi i teksteve te reja cdo vit.shtypja dhe nxjerrja ne treg nga 5 shtepi botuese njeheresh,pa llogaritur cilesine e tyre dhe cmimet qe cdo vit rriten.
-Nuk jam e bindur me tha se cilat tekste jane me te pergatiturit.dhe me e keqja edhe pse ne kemi bere zgjedhjet se cilat libra te ciles shtepi botuese,nxenesit po i ngaterrojne ato.


me kujtohet se ne kohet e dikurshme se paku deshira per librin e ri ishte e madhe ne ditet e para,ndersa tani...tani njerezit qahen se nuk kane lek me i ble ato!


e ke qendis edhe kesaj radhe T-Red.
Me menyren tende te paperseritshme!!!


Cheers

belle_fleur said...

Eh shoqe, ke prekur nje teme qe vlen te diskutohet gjere e gjate. S'di per cfare te flase me pare njeriu i shkrete, per librat qe jane te manget, apo per mangesite e mesuesve dhe papergjegjesine e tyre ndaj nxenesve, apo pritshmerine e studenteve qe sapo dipllomohen dhe duan postin e pedagogut.

@kapiten, harroji kohet kur kemi qene femije dhe gezonim para librit, e ruanim si driten e syve, edhe mundoheshim qe te mesonim sa me shume.