26.7.08

Përshëndetje Shqipëri

“Ky fshati qenka shumë i madh. Si e ka emrin?” – Tiranë!
Biseda bëhet mes një grupi të rinjsh të ardhur nga vende të krahasueshme në shumë aspekte me Shqipërinë, dhe miqtë e tyre vendas, të zënë në befasi nga reagimi vetjak, shumë mbështetës për vezhgimet me sy të lirë që po bënin të ardhurit. Skepticimzi është i tepërt. Avokatia për kazanët e pafund të plehrave nuk gjen vend. Mbyllja e hundëve mbi “kanalin e Lanës” flet vetë për kundërshtitë e emërtimit të saj “lumë”.
“Të vjetra këto pallatet, po të trishta pse janë? Ky kolorit sikur bërtet: ‘Shikomëni, ja ku jam, me gjithë shëmtinë time.”
Jooo, po kjo është kryevepra moderne e artit për të cilën ne jemi aq krenarë. Nuk e paska efekti që prisnim?! Epo, kanë kaluar vitet e mjaftueshme që si gjithçkaje tjetër, edhe atyre t’ju dalë boja.

Diçka është ngjitur në qiellzë. Qenka edhe nëpër dhëmbë. Shpjegimi i menjëhershëm e siguron të shqetësuarin se është thjesht pluhur që shkaktohet nga gjithçka që ai sheh, ndërtimet, pallatet dhe pemët që janë prerë në masë për t’i ndërtuar ata. Ama cilësia e pluhurit është e lartë. Natyral, njëlloj si ambienti që e krijon atë.
“Kush është ai mesoburri që buzëqesh i vetëkënaqur në disa foto varur gjithandej? Ah, kemi pasur zgjedhje para gjashtë muajsh?!” Jo ai nuk ishte kandidat. Bënte thirrje për mbështetjen e njërit kah që e shpërbleu duke e emërtuar Ministër.
Përse janë akoma varur fotot edhe pas gjysmë viti? Epo, interesi qëndronte vetëm tek vënia e tyre. Zbritja prej aty ku janë varur kërkon më shumë kohë dhe përpjekje se kaq.

Shumë kafene, të mira, të bukura. Por ora është 15.00, përse janë të gjitha plot? Koha e pushimit? Nuk janë fare në punë? Po më ç’farë e paguajnë këtë kohë të humbur dhe çmimet e larta aty?” Pyetje me vend. Ndoshta as ata vetë nuk e dinë se si. Ama kafeneja është zbavitja e vetme që i drejtohemi në masë. Po, mund të përdoret si identifikues i rinisë dhe administratës së sotme.

Suvenirë. “Kush është simboli i Shqipërisë? Ky burri mbi kalë? Mirë. Sa kushton? Të reja apo të vjetra? Hm, sikur nuk po i gjejmë dot balancën çmimit me pagesën mesatare të vendasve. Një kg portokalle kushton 1 euro apo 10? Më kërkuan 1200 lekë për to dhe kur nuk dita si t’i paguaj, zotëria i zgjati vetë duart në kuletën time dhe mori ato që ju dukën të arsyeshme. Një mijë e dyqind lekë”. Mbrapsht tek shitësi që e shiti sapunin për djathë. Pretendon se nuk i kujtohet veprimi i bërë vetem 10 minuta më parë, por premton duke ngritur zërin se i nxjerr edhe nga xhepi i tij ato lekë, që më fund kujtohet se i paska marrë gabim.

“Nuk kuptojmë asgjë në shqip. Por, përse duket sikur gjithmonë ziheni kur flisni”? Theksi i shqipes. Toni i lartë që përdoret për ta shprehur atë. Nuk është e sigurt nëse është gjuha apo folësit e saj që e japin këtë përshtypje.
Gjuha nuk ka ngjashmëri me asnjë gjuhë tjetër. Gërmat i kemi latine, mbase edhe pak gramatikë mund t’i afrohet asaj, por ngjashmëria mbaron këtu. Kemi gjuhën më të lashtë në Europë. Jo, nuk ka dokumentim.
Kjo në të djathtë? Kjo është kisha e re ortodokse që po ndërtohet në zemër të Tiranës. Përreth? Ministria e Mbrojtjes. Kjo është e Ekonomisë. Ah, jo,kjo nuk është Ministri. Është selia e partisë Socialiste, më e madhja në spektrin e majtë. E madhe mund të duket vërtet kjo kishë. Jo, ortodoksët nuk përbëjnë komunitetin më të madh në Shqipëri, aq më pak në Tiranë. Po ja, pas disa dekadash, gërmimet në të do t’i shtohen kalvarit të gjetjeve helenike në tokën e shqipes, së bashku me ca varre të privatizuara dhe gërmime në më antiket dhe autentiket intitucione të trashëgimisë sonë kulturore. Sot është kontradiktore prezenca e saj mu në qendër të institucioneve shtetërore në kryeqytet, por nesër do të jetë fakt i pakundërshtueshëm historik me pronësi dhe dëshmi “reale” helenistike.

Cili është aspekti më tradicional i këtij qyteti? Hoteli luksoz me çmime europiane (ama më i mirë sesa analogët jashtë), kuzhina e përzier atje, ushqimi i freskët që urojmë të mos blihet në këto marketet e hapuara ku gjethet e spinaqit nuk duken nga pluhuri, apo ky kaos që përfundimisht nuk po lodhemi më të kuptojmë nëse ka sens e drejtim?

Në sallën e leksioneve ekspertët vendas arrijnë shkëlqyeshëm të vënë në gjumë gjithkënd. Ritmi i anglishtes është gërricës dhe efektiv si një gjenerator që punon me ujë. Temat e diskutimit kërcejnë nga njëri cep në tjetrin aq sa as vetë folësit nuk i sjellin dot më në të njëjtën vijë.

Një kompensim duke vizituar qytetin historik të Dyrrahut përmblidhet në një vështrim të shpejtë mbi ca gërmime ku nuk gjendet asnjë notë shpjeguese në anglisht,në një vajtje pa bereqet në vilën e mbyllur të një mbreti të dikurshëm, rezidenca e të cilit mban sot si kurorë dhjetëra antena komunikimi.

Poshtë në Adriatik! “Përse nuk ka një rregull në ndërtimin e kaq shumë hoteleve? Po tani që nuk ka njerëz, në këtë ditë të bukur me diell, përse është kaq i pistë deti? Ç’farë e bën atë të tillë? As guaska nuk paska. Kjo vjen nga papastërtia?!Po frymë sikur u marrka pak më lehtë se në Tiranë. Ama, ende nuk e kuptuam dot filozofinë dhe drejtimin ku po shkon ky vend”.

Shqetësimet e vetme duken ato për t’u rizgjedhur në politikë, për të qenë sa më pak të veshur dhe për t’i shitur shijet në kafene. Mbase pas disa vitesh realizmi do të kalojë edhë këtej pari. Do ta marrim vesh nëse ndodh, sepse do të jetë i fundit lajm për lidhjen e etapave hitorike dhe prejardhjes njerëzore në zemrën e Europës me popullsi pasive myslimane dhe prosperitet të institucionalizuar ortodoks. Identiteti që nuk mund as të kuptojnë, as të mbajnë mend këta të ardhur sporadikë, atëherë do të jetë shkrirë dhe bërë imagjinar edhe për vetë shqiptarët. Me sytë e tyre, jo se ështe e vështirë, por nuk ka vlerë të lodhesh ta kuptosh Shqipërinë. Lumturia e të jetuarit këtu përmblidhet në të gjitha rrjedhojat e kësaj lodhjeje që udhëheq kaosin unik “Përshëndetje, Shqipëri”!

t_red

7 comments:

Anonymous said...

kUJDES NJEREZ!
MOS PROSITNI SHISHQEBAB TEK
"BAR RESTORANT SAHATI".SE BASHKU ME NJE UJE KUSHTON 620 LEK (TE REJA)OSE 6200 TE VJETRA.


T_RED magjari kaloi ketej dhe e gjet shume realisht te pershkruar atmosferen tiranase,fatmiresisht Lezha edhe per pak kohe do vazhdoje te mbrohet mbas epitetit qytet i vogel dh provincial edhe pse ka nje mbi popullim keto 3 vitet e fundit.

t_red said...

Mirese erdhe i pafe,

Ky blogu do jete keshtu, i crregullt ne kohe shume shpesh.
Po do te kete patjeter rregullsi te madhe ne kokefortesine, ashpersine dhe dashurine me te cilen deshiroj qe gjerat te jene me mire.

Ardita Jatru said...

t_red,mes verberise tone,po ndertojme atdheun e se ardhmes,brezin e se ardhmes,"denjesisht" si evropianet....mundesisht me shume ngjyra(nuk ka rendesi cilit art i perkasin),per te treguar temperamentin e nxehte(traumativ) te shqiptareve dhe per te kuptuar bota qe sa "afer" jemi ne me ta.
Vertet,ku vajten guackat? A ka patur ndonjehere atje? per dreq,nuk te thone "cfare ke qene,por cfare me je tani"!

Mua ma ngecin sa here shkoj ne shqip. me leket,sepse sa t'i bie llogaris une(qe kurre nuk po ambientohem me te rejat e te vjetrat),shitesi ma ka kthyer kusurin po ne dore,me nje perde gezimi ne fytyre.Fitore!Iku nje leshko e pas tre muajsh a nje viti do vij perseri kjo leshko,mendoi ai,teksa me pyeti se "ku jetoj?"

Me pelqeu blogu,pershendetje per dashurine e deshiruar :)

t_red said...

Pershendetje Ardite,
Edhe ty ta uroj mireseardhjen. Nuk e di nga i re ne ere blogut, se ne te vertete dy dite kam qe gjoja e kam vene ne pune :P

Ky shkrimi eshte nje reflektim i vjeter :D, por fatkeqesisht, asjge nuk ka ndryshuar nga maji i kaluar.

Julius said...

Ue ue! Po kjo punë kshu! :D
Ke hap shtëpinë edhe unë hiç mendja.

Blogudhëtim të mbarë, ja kshu: http://www.youtube.com/watch?v=2WLJVo0BhRg

Po këtu paska punë puna. :D I'll be back.

belle_fleur said...

Shqipni Çudirash ku gjithçka bënët sëprapthi!
Me ketë shkrim mu largua dhe ai çik mall që kisha për të ardhur në mëmëdhembje. Nuk të fajesoj, madje të falenderoj sepse ma largove peshën që mbaj brënda vetes për atë vend që sa shumë e dua, edhe më irriton.

Ocean drift... said...

Me pelqeu shkrimi, shume argetues, informues, kritikues, e te gjitha me radhe. I bashkohem asaj qe tha belle-fleur se e kishte thene bukur :).

Flm btw per keto lloj shkrimesh, kam kaq kohe pa ardhur kshu qe keto lloj informacionesh jane mese te mirepritura.