14.5.09

Karaburuni – the other side

Mëngjesi i ngjante pamundësisë. Vërtet u ngrita që sapo alarmi i ëmbël i celularit filloi të bjerë në orën 05.00 fiks, po qepallat nuk më bindeshin, edhe pse ashtu përgjumësh mundohesha t’i jepja krahë synimit tim për të bërë ekspeditë.

Makinën e lamë aty ku as nuk shkonte dot më, e as nuk i lejohej të ngjitej më sipër.
Në shpinë çantat e piknikistëve. Në këmbë atletet që mezi i nxora nga arkiva shumëvjeçare.

Gadishulli fillon i ashpër që në rrëzë të tij. Pas pjerrësisë së 100 metrave të para u ndjeva e sfiduar. Po ja, edhe ca hapa, edhe ca, edhe caaaaa....pastaj të ulem vetëm pak....

Por nga “pak”, u bë një orë rrugë duke ngjitur prerë të përpjetën në Sedovinë. Poshtë saj këneta që mban të mbytur Orikun, qytetin e lashtë ilir, bashkë më mbretëreshën Rugjinë, që thonë se e mallkoi qytetin e famshëm të lashtësisë e u mbyt edhe vetë bashkë me të, para se të binte në dorë të romakëve.

Përbri majës së parë të ngjitur, në këmbët e saj duket Kisha e Marmiroit, mbi një kodrinë, rrethuar nga gropa të mëdha plot ujë e zhuka. Është e vetmja ndërtesë që i ka mbijetuar mbytjes së Orikut të vjetër.

Pas dy gllënjkave çaj të ftohtë, kur ora shënon akoma 06.00 ( e në këtë orë do isha në gjumë për kokërr të qejfit në Tiranë), rifillon ngjitja. Në Dushk pjerrësia bie disi. Frymëmarrja rregullohet e sytë kanë kohë të vështrojnë bazën e Pashalimanit që fshihet pas çdo maje të kapërcyer. Vija ndarëse midis kënetës dhe detit duket akoma po aq qartë sa terreni që këneta ka filluar të zaptojë qëkurse pompat dhe kanalet kulluese nuk funksionojnë më në luginë.

Ana e dukshme e Karaburunit, faqja që sheh nga brenda gjirit të Vlorës, është shumë e zhveshur. Në Lical kalojmë pyllin e vetëm të faqes, që përshkohet për pak minuta. Rruga është shumë e ngushtë. Duket që ka kohë të gjatë pa u shkelur edhe nga banorët e zonave përreth.

Teksa dielli është ngjitur goxha mbi Akrokrenaunet përballë, në kahun tjetër të gjirit, ulemi të bëjmë pushimin e parë ushqimor. (në Tiranë do isha akoma në gjumë si fundjavë që është, ose maksimumi do isha duke pirë kafen e mëngjesit). Përveç çajit, dalin edhe shishet bosh që i drejtojmë tek rezervuari i vogël në shteg të Lekgjinit. Tashmë ndodhemi gati 800 metra mbi nivelin e detit. Nuk ka se si te ketë ujë në këtë majë mali buzë detit. I gjithi është 800 metra poshtë. Por, i miri gjyshi im e ka ndërtuar që në 1940-ën këtë pus. Ka vendosur edhe sitë e filtra dhe uji i shiut grumbullohet e kullon aty.

Dikur ishte i vetmi burim uji për banorët e paktë.

Kjo është maja e dukshme nga Vlora. Përballë saj duket tashmë Orikumi dhe Vlora bashkë. 360 gradë kthim vetëm i kokës, dhe në kahun tjetër shfaqet madhështor, i errët, i frikshëm, i bukur, i thellë dhe sundues deti Jon.

Nëse ngjitja për në majë m’u duk e pjerrët dhe e lodhshme, zbritja për në kahun tjetër shfaqej më sfiduese dhe jomiqësore nga ç’e mbaja mend. Pjerrësia është thikë. Kjo anë e fshehtë e Karaburunit, që nuk shihet dot po s’i shkove pas me anije ose po nuk vjen ta vizitosh në këmbë siç po bëja vetë, nuk është aq e zhveshur sa ana që duket nga gjiri i Vlorës. Përkundrazi. Valanidhet dhe lisat janë më të shumtë. Vende-vende sheh edhe dardhë të shartuara e fiq të mbjellë nga një njeri duar-artë që ka jetuar aty gjysmë shekulli më parë. Edhe sot këto toka kanë zot, edhe pse në Tiranë qeverive ju pëlqen të mendojë ndryshe.

Udhërrëfyesi na tregon një shkëmb të përthyer që dikur ka shërbyer si mbrojtës dhe strehëz për barinjtë që i zinin suferinat famëkeqe të dimrave detarë. Fshehur mes lisave dhe shkëmbinjve është edhe një shpellë e frikshme, që nuk dallohet fare me syrin e lirë. Gojëdhënat e zonës thonë se duhet të flasësh me zë të lartë para se të futesh në shpellë, përndryshe ajo zemërohet e unë nuk e di c’të bën në kësi rastesh, se nuk e kam provuar.

Brenda saj duken shenjat e qarta të prerjes së stalamineve. I kanë shitur më vonë si statuja natyore që pikave të ujit iu janë dashur qindra vjet t’i gdhendin në atë formë të çuditshme dhe po aq të mrekullueshme.

Udhërrëfyesi na tregon edhe disa kthina të vogla e padukshme të shpellës, ku banorët e shekullit të kaluar kanë ruajtur prodhimet e tyre të qumështit. Dhe vërtet, teksa dielli i mesditës kishte filluar të përvëlonte edhe këtë anë të gadishullit, brenda shpellës m’u desh të vishja bluzën time rezervë.

Në kthim nuk ma hëngri dot syri të përpjetën. E pasi i humba të gjitha shanset që edhe ndonjë nga gurët që gjuaja unë të binte mbi blunë e patrazuar të Jonit vetëm 10 metra më tutje, vendosëm që për në kthim në përshkonim rrugën e ushtarëve. Kjo është rrugë e re. Ka vetëm 60 vjet që është hapur. Në fakt nuk është rrugë. Janë thjesht harca e gurë me majë të shkelur më shpesh se të tjerët kur partia udhëzonte një patrullë të nisej nga komanda e Brisanit në Karaburun e tjetra të nisej nga gjiri i Gramës afër Dhërmiut; të bënin secila palë nga tetë orë rrugë në këmbë në shi, borë, diell e suferinë; të siguronin njëri-tjetrin se asnjë armik e asnjë diversant nuk e kërcënonte këtë anë të harruar të malit, edhe ne bashkë me Partinë të flinim të qetë.

Që nga shpella e Dukgjonit e deri tek gjiri i mrekullueshëm i Brisanit rruga është buzë detit. E shtruar për të kaluar makinat e ushtrisë që kanë sjellë betonin për të ndërtuar brezaret me bunkerë. Poshtë tyre, Joni është thellësisht blu...dhe bregu i tij kërcënues. I thepisur, me gurë me maja të mprehta, me një mol të shkatërruar nga dallgët e dimrit, poshtë një pike studim-vrojtimi që në 40 vjet nuk gjurmoi dot asnjë mizë.
Thellësia në breg është direkt tek 10 metrat. Thellësi mashtruese. Dy ushtarë janë mbytur në këtë blu-jeshil të paqtë, duke kujtuar se bregu i detit është gjithandej i njëjtë, edhe nëse nuk di mirë not.
Tek shkelim me këmbët përdredhur mbi degët që pengojnë rrugën e patrazuar prej vitesh, shohim edhe bunkerët e pafund, të fshehur shkëmbinjve e të maskuar pas drurëve. Tonelata të tëra me beton....mbi një ballkon të lartë e të pangjitshëm mbi det.

Bregu i thepisur krijon valëzime të tëra gjinjsh të vegjël e të mrekullueshëm shkëmborë. Por asnjëri nuk është aq i bukur, i butë, i kapshëm dhe miqësor sa gjiri i Brisanit. Sipër tij, ngrehinat e ish bazës ushtarake. Provë e gjallë e meritës për Shqipërinë në NATO.

Shkallët shkëmbore që të cojnë në
det janë vërtet të larta. Por vetëm në disa sekonda gjendesh në rërën e hollë e të pashkelur. Uji është kristal. Dielli përballë. Gjiri i rrethuar gjithë naze nga të tre anët e tjera. Temperatura është vetëm 21 gradë. Data 9 Maj. Por nuk ka asnjë arsye të frenojë tundimin e ftesës që të bën ky det.

Uji pret brisk, por ëmbël. Dëgjohet vetëm zhurma e lehtë e valëve dhe fëshfërima e lisave mbi shkëmbinjtë vetëm pak metra larg rërës.

Kjo paqe e rreme nuk i përket askujt. Gjumi i Jonit zgjat vetëm pak muaj këtu. E gjatë tyre askush nuk bën 6 orë rrugë në këmbë për të ardhur nga Pashalimani. Nuk është as e lejuar. Prandaj është kaq ëmbël.

Pas rrezeve të hersh
me e të vona verore e pranverore, ngre sytë për në majën që duhej ngjitur sërish. I ramë nga ky krah si më pak i pjerrët....

....dhe pasi kam ringjitur atë majë në përfundim të 12 orëve rrugëtim, gjithë thirrjet për ndryshim më duken pupla që i merr lehtë me vete flladi i lehtë që fryn në gropa të Rodostanit.

Nuk e di pse quhet gropë ai vend. Realisht është një fushë e madhe dhe e vërtetë në majë të Karaburunit. Grumbull në mes të tij janë muret e një shtëpie të nisur atëherë kur partia filloi të grumbullojë njerëzit dhe bagëtitë në zona të kalueshme. Po ashtu, edhe një varg lisash e blindash të ngulur për vreshtin e për kosheret e shumta të bletëve që nuk u lanë rehat.

Kur dielli po fshihej pas Karaburunit, unë shkela mbi barin e njomë e të shpeshtë nga shirat e shumtë të këtij dimri të gjatë. Përtej kanalit të mbushur me ujë kënete të rizgjuar, më priste makina. Për të më çuar në zemrën e Europës, në Tiranë.

Pas tre ditësh që thish pa pushim gjithë pluhurin që lëshojnë maune, kamiona, karroca, njerëz, pallate, qendra tregtare, ndërtime, makina, rrugë, politikanë, mushka e gomerë me nga dy e me nga katër këmbë, akoma muskujt më dhembin e janë në gjendje të përballojnë frymë-shkëmbimin e tjetërsuar pas rrugëtimit 12 orësh në Karaburun.

Jo më kot ana tjetër e tij është e padukshme për çdo sy.

No comments: