27.11.08

Por nuk rri dot pa ndjere






Vlora ne feste.




Ballkoni i flamurit te pavaresise sot






Emocionet bardhe e zi






U kry Ise, u kry...






I kendojme flamurit sic dime vete

25.11.08

Politika – Dramë me sa akte të dëshironi

"Per pak thashe se ku me kishte humbur Konica...ma kujtoi nje postim ne det.
Ja si mendoja..."

“Ironia e hidhur e deshirës për pushtet”e quante Faik Konica krijimin e disa partive në vitet ’30-të në Shqipëri. Nënqeshte në radhët e tij gjithë sarkazëm jo vetëm për programet e munguara, por edhe për emrat e ashtuquajtura “tërheqës” dhe “modernë” të partive shqiptare. Konica kishte vënë poshtë tehut të mprehtë të penës së tij partinë ‘radikale’ dhe atë të ‘demokracisë sociale’.

Gjithmonë jemi duke folor për bashkëkohësit që qesëndiste publicisti i madh. Po nëse ai do të ishte gjallë sot?

Do të kishte më tepër se ironi dhe të qeshur me zë të lartë që do t’i lëndonte shpirtin politik kur të dëgjonte për cuditë e tipit ‘vij-s’vij në zgjedhje’ dhe’ndryshoje-mos e ndrysho kodin’ (sikur Shqipëria të mos kishte asnjë lloj halli tjetër).

Do të ndihej therëse britma sarkastike e Konicës nëse i binte në dorë lista e Partive që kanë vrapuar në dyert e KQZ-së për të mos e lënë veten jashtë zgjedhjeve. Kush janë këto parti, që Konicës do t’i kishin hapur punë në zbërthimin e emrit dhe shpërfytytrimit të propagandës së tyre? C’farë ironie kur t’ju tregonte fare pa dorashka se emri që kanë zgjedhur nuk ka hic të bëjë me doktrinën dhe programin që pretendojnë se mund të kenë.

Listë e cuditshme, në të cilën duhet të gërmojnë votuesit shqiptarë kurdo që do të bëhen zgjedhjet: Partia Konservatore, Partia e emigracionit, Forca Albania, Lëvizja Punëtore, Demokracia e re Europiane (!!!), Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Partia Komunsite shqiptare Numër 2, ajo e 8 Nëntorit, Partia e Reformave Demokratike, Partia social-kristiane, Partia e cështjeve shqiptare, Ardhmëria Shqiptare, Partia Mendimi i djathtë Liberal, Partia Rruga e Vertetë Shqiptare, Partia e të drejtave të mohuara, Partia e biznesit shqiptar.....!!!!....

Duket sikur gjithkush në Shqipëri qenka futur në garë të formojë një parti, të zotërojë një OJF ose të ngrejë një pallat. Seriozisht ta kenë të gjithë këta njerëz që kanë krijuar partitë e sipërpërmendura?!

Partia Demokratike Pezë-Gjirokastër e Shqipërisë? C’farë është kjo? C’pritet të nënkuptojmë prej këtij emërtimi? Mirë pra! Në sulm të gjithë ata që nuk janë as nga Peza, as nga Gjirokastra. Ose futeni emrin tek “Partia e të drejtave të mohurara”, ose vraponi se ka akoma vende për tër të regjistuar të tjera parti në gjykatë.

Po kjo tjetra: Partia e ‘Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian’!!!

Këto duken të gjitha si thirrje të dëshpëruara projektesh në kërkim donatorësh. Dhe meqë jemi këtu, nga vijnë fondet për të financuar këo ekzistenca që e quajnë veten Parti? Sa interesante do të ishte të shihje listat e stafeve të secilës, që së bashku me atë të mbështetësve, njerëzve që kanë dijeni për ekzistencën e saj dhe atyre që shqyejnë sytë për të, mund të përmblidhte lehtë në: kryetarin, bashkëshortin/en, (nëse nuk ka krijuar ende partinë e vet), dhe maksimumi mund te shtohen edhe fëmijët dhe ndonjë komshi kureshtar.

Përndryshe, sinqerisht i dashur Konicë, as ne që kemi luksin e madh ta jetojmë këtë bum partiak 80 vjet pas teje, nuk jemi në gjendje të përcaktojmë se c’duan të thonë partitë e emrat e tyre, e as përse mund të na hyjnë në punë të gjitha këto. Shanset e mira janë që as vetë ata që i kanë krijuar nuk duket të kenë ndonjë ide. Nuk është cudi madje që ata të harrojnë krejt se paskan edhe një Parti në zotërim (përvec pronave të tjera), dhe kujtohen për të ditën, datën apo muajin e zgjedhjeve.

Lum shqiptarët, çfarë alternativash kanë!

E c’duhen dritat, reformat, investimet, kur kemi politikën? Të ndriturën politikë dhe vendimmarrësit e saj, që të vetmin vendim që marrin, është; ‘Ose të ngrejmë një parti, ose të braktisim atë në të cilën jemi’. Gjithmonë nën luftën e paskrupullt për pushtet. E trishtueshme të kuptosh se zhurma dhe pakënaqësitë e mëdha për zgjedhjet vijnë nga opozita (thjesht sepse nuk plotësohen tekat e saj të parashtruara),dhe nuk i vë në pikëpyetje shoqëria, votuesit që kanë ngelur në errësirë të plotë mendore tani, po njëlloj si atëherë kur thërriste Konica. Dhe kjo është errësirë moderne, tamam ashtu sic i ka hije të regjistruarave dhe të të paregjistruarave parti që nuk kanë as plan strategjik per promovimin dhe jetëgjatësinë e tyre, jo më të ofrojnë alternativa zgjidhjeje për krizat mizore që therin zgjedhje pas zgjedhjesh Shqipërinë.

Ah Konicë, Konicë. Atëherë, si tani, radikalizmi dhe demokracia në Shqipëri përdoren në vend të jashtëderdhjes prej të babëziturve dhe të pangopurve themeltarë, që ia kanë nxjerrë themelin me kohë shpresës për një Shqipëri ndryshe....madje që atëherë kur klithje edhe ti. Jehonës së saj, i është shtuar edhe ajo e të gjithë shqiptarëve të sotëm, që ndjekin tragji-komedinë e datave, kodeve, numrave, dielmave, kapricove dhe emrave të cuditshëm. Mendësia moderne politike, mbush kështu 80 vjet zhgënjim konstant në pritjen për ndryshim.

Rrofte kodi i ri elektoral!!!

24.11.08

Ftohtësia ime e ëmbël në Vlorë

Mëngjesi u gdhi i ftohtë, por me diell. I kthjellët, rrezellitës e përkëdhelës. Në Tiranë mund ta zgjas gjumin e mëngjesit në fundjavë, këtu jo.

Entuziazmit të zgjimit tim iu bashkua përshëndetja e ngrohtë familjare, krahët e sime mëje dhe buzëqeshja e pashterur e tim eti. Gjithçka është e afërt dhe e ngrohtë, edhe pse temperatura jashtë është më e ulëta për këtë dimër të vonë.

Në dritaren mbi tryezën ku del avulli i qumështit, vezëve të ziera, kafes së sapo bërë dhe kuleçëve të përgatitur, duket sikur po na vëzhgon qesëndishëm mali i Lungarës.
Limonit nuk i është rritur akoma dega që im atë i shkurtoi vitin e kaluar, sepse na pengonte pamjen e maleve që ulen këmbëkryq mbi gjirin e Vlorës.

Unë qesh. Rrufis kafe e qumësht bashkë. Dhe kam ngrohtë.

As në ballkon nuk i ndjej kapriçot e temperaturës. Dimri është me vonesë këtë vit; prandaj ullinjtë akoma nuk e kanë marrë ngjyrën e zezë që na ka rrëmbyer përherë festat e Nëntorit. Por këtë vit, gjithë kodrat janë mbuluar me ullinj që rëndojnë nga prodhimi. Më pëlqeu ta shijoj mendimin se do të kem vaj të vërtetë ulliri këtë dimër.

Portokallet gjithashtu zverdhonin të tëra. Tundimit për t’i këputur direkt nga pema m’u përgjigj një thartim i fytyrës prej lëngut akoma të pabërë. Por shumë të shijshëm.

Mandarinat i shihja njëlloj, sa në pemë, aq edhe të peshuara e futura në qese buzë rrugës kryesore. Unë s’e heq dot vesin e të këputurit direkt nga pema. E në kundërshtim me vegjëlinë time, ime më jo vetëm që nuk më thërret, por vjen të më ndihmojë t’i këpusim mandarinat bashkë.

Pastaj dal lagjes sime të fëmijërisë. E tëra kundërmon nga agrumet. Njerëzit i përgjigjen këndshëm mirëmëngjesit tim dhe më ftojnë në bisedat e tyre të gjalla e pa ngarkesë. Të gjithë më ofrojnë dicka për të pirë apo agrume të sapo-bëra.

Deti ka marrë një blu në gri të qetë. Eshtë kristal i pastër dhe shumë miqësor, edhe pse dimër. Mbi të, majën e gadishullit e ka zbardhur bora e parë. Kurse në Llogora, ajo tashmë ka zenë vend mirë. Pishat nuk duken e në rrugë duhet të ecësh me zënxhirë.

Kthehem sërish në tryezën time familjare. Në guzhinë vjen era e byrekut, mishit të pjekur, portokalleve dhe bisedës së ngrohtë. I bashkohem shakave dhe të qeshurave me gjithë shpirt.

Strehëza ime në Vlorë më kthen gjithmonë në fëmijë. Të lumtur, aktive dhe të aftë për ta shijuar diellin e saj, edhe kur është i ftohtë.
Rrezet e tij po fshiheshin pas gadishullit të patrazuar. Fundjava tjetër vjen për katër ditë

21.11.08

Deformimi i librit

"Darka e gabuar" e Kadaresë dhe "Guximi i Obamës për të shpresuar" ishin dy librat më të shitur në panairin e librit që u mbyll këtë javë në Tiranë. Pra, shqiptarët zgjodhën të vazhdojnë ta ndjekin krijimtarinë e Kadaresë dhe u treguan kuriozë për të njohur guximin e presidentit të sapo-zgjedhur amerikan. Shumë mirë. Zgjedhje interesante dhe reflektuese të së tashmes.

Por, në morinë e lajmeve, kronikave, shkrimeve e reportazheve për panairin, mes të gjithë lumit të njerëzve që kundronte më shumë se blente në tre katet e ekspozimit të librave, më tërhoqi lista e librave që blenë gjatë panairit disa nga politikanët shqiptarë. Ideja shumë tërheqëse; kurioziteti im po ashtu. Vura re se presidenti e kishte marrë me vete Kadarenë dhe akuzat e Shmid-it për Skënderbeun. Me Kadarenë në dorë ishin larguar prej panairit edhe Bujar Leskaj, Anastas Angjeli, Ylli Pango, Namik Dokle, Enkelej Alibeaj etj. Por, vura re me po aq kërshëri se në duart e politikanëve kishin përfunduar edhe tituj të Drajzerit apo edhe të Kate Moss-it. Kishin blerë libra shqiptarë për Enver Hoxhën, kujtime të njëri-tjetrit për 97-ën apo edhe libra me tregime e novela nga autorë të vonë shqiptarë.

Por, shumë pak më zuri syri të kishin blerë tituj që iu afroheshin fushës së tyre. I vetmi koleksion që i ngjante personazhit që e kishte blerë, ishte ai i Paskal Milos: “Diktatorët e Ballkanit”, “Shqiptarët”, “Shqipëria”, K.Kohl; “Bazat e marrëdhënieve ndërkombëtare”, “Politika ndërmjet kombeve”, “Himara”, “Dhërmiu”, “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri 1939-1944” etj. Gjithë të tjerët ishin fokusuar tek mbizotërimi dhe orientimi aktual i tregut.

Por, përpos kërshërisë dhe zhgënjimit përse politikanët tanë nuk lexojnë më shumë për politikën, më vrau edhe moria e titujve të shtypur keq e të shpërdoruar në ribotim. Duke u munduar t'i përgjigjen tregut të lexuesve të paktë të librit, shumica dërrmuese e shtëpive botuese i kanë nxjerrë librat me kopertina të mjera, plot ngjyra e pa asnjë fantazi, finesë apo domethënie për përmbajtjen e tyre. Respekti ndaj autorëve gjithashtu dukej i përdhosur. Ndaj lexuesve nuk dukej të kishte ndonjë përkushtim, përveç atij të futjes së shijeve të të gjithëve në të njëjtin thes, teksa kopertinat ishin shëmtuar të gjitha në të njëjtën formë.

Libri i Obamës që aq shumë u tërhoq, as që i ngjante në shkëlqim origjinalit punuar me finesë. "Amerikani Toni Blair" po ashtu dukej sikur ishte lyer me llak në kopertinën shqip. "Më keq se Wotergate" ishte ku e ku më dobët se ngjyrat, madhësia, formati dhe cilësia e përdorur në origjinal. Akoma më shumë vuanin imazhet ribotimet e klasikëve. "Ana Karenina" i ngjante një libri ngjyrosës për fëmijë; "Saga e Forsajeve" ka një tablo të importuar keq; veprat e Shekspirit të japin përshtypjen e një varfanjaku në kërkim të famës; portreti i Dorian Greyt shitej në disa variante amatoreske; Zola dukej sikur i drejtohej 10 vjeçarëve e Mopasani si shtojcë revistash pornografike.

Libri nuk gjykohet nga kopertina! Shumë mirë. Po atëherë përse t'ua deformosh atë? Jo të gjithë librat do të tërhiqen nga lexuesit e Danielle Still apo Nikolas Sparks. Atëherë çfarë bën një çift bullgar në kopertinën e Remarkut? Cilët lexues do tërheqë një femër me kapele diplome në kokë në "Shtjellimin e politikave të sotme magjistrative"?

Mania e të gjithë librave ishte të tërhiqnin me foto dhe ngjyrat e forta të kopertinës. Prandaj e pashë më të arsyeshme të paguaja çmimet e kripura shqiptare në këndin e librave në gjuhë të huaj. Të paktën kopertina e tyre nuk më shqetëson. As gjuha e përdorur aty.

Në kapërcimin e dy shokimeve të para ( tendecave lexuese të politikanëve dhe morisë së ngjyrave të forta në kopertinat e botimeve në shqip), përfundova në grackën e leximit të shqipes së cunguar, të paredaktuar dhe të pa-këndshme që kanë shumica e këtyre librave. Nuk e zbulova në panair. U bënë shumë vite tashmë që botimet vuajnë nga cilësia në përkthim. Fjali pa kuptim. Fjalë të lëna për gjysmë. Fjalë të përsëritura. Mungesë njëtrajtshmërie dhe mungesë tërësore përshtatjeje. Tek lexoja përkthimet e reja të Remarkut, iu futa kërkimit për të gjetur versionet e vjetra të Shvarcit. Shqipja më rrëmben më shpejt nga c'mund ta ndjek. E krahasoj me përkthimin e ri, shqipen as që di ta ndjek dot.

Më keq paraqitet gjendja tek librat filozofikë. Kanti më doli i cunguar e Nicja pa lidhje. Jungu pa kuptim e Frojdi pa asnjë sens. Përse? Sepse përkthimi nuk bëhet vetëm nga përkthyes. Bëhet edhe nga të afërm e miq në nevojë për para. Por, para' për redaktorë nuk ka. As për korrektorë jo. Atëherë të nxjerrim xhevahire të tilla në treg. Dhe shijet e lexuesit supozohen të jenë të gjitha ato të tipit "bestseller" apo reflekuese të komercializmit njëlloj si në muzikë.

Panairi në pallatin e kongreseve m'u duk tamam si BBF-ja në shkronja.

Nëse shtëpitë botuese synojnë të kthejnë lexuesin shqiptar tek libri, strategjia e zgjedhur për të deformuar kopertinat nuk duket të jetë ajo më e drejta. Mbase drejtësia është term që nuk i shkon idesë së tyre të biznesit, por mbrojtjes së vlerës së librit po.

E nëse ne shpresojmë se politikanët shqiptarë do të lexojnë “Korrupsionin dhe Demokracinë”, “Financimin e partive politike dhe të fushave zgjedhore“;“Formësimin dhe identitetin e kombeve”; “ Funksionimin e demokracisë në shekullin e XXI” apo të tjerë tituj të tillë në vend të aventurave e librave rozë, atëherë po shpresojmë në vendin e gabuar.

Do të doja shumë të thoja “panairi i librit ishte një sukses”, por për hir të dhunimit që po i bëhet vlerës së librit apo cilësisë së përkthimit të tij për shkak të marketingut, nuk mundem ta njëjtësoj dot suksesin e shitjeve me rritjen e vërtetë të interesit ndaj librit në Shqipëri.

Shpresa ngelet që botimet jo vetëm të shtohen, por edhe të rriten cilësisht në Shqipëri.

Po kjo ngelet për t’u parë!

20.11.08

Perralla nga e tashmja

Zhvillim i dukshëm ekonomik; tërheqje të investitorëve të huaj; rritje të GDP-së me të paktën 6% këtë vit, që është një ndër më të lartët në Europën Lindore; reforme e plote ne arsim; rruge te shtruara kryq e terthor; nivel jetese i mahnitshem...

Me fjali të tilla na vritet gjithmonë e më shumë veshi, sa më shumë që afron periudha fatlume ku nuk do flitet për gjë tjetër veçse për zgjedhje.

Në arenën që këtë radhë është arkitektuar me kontributin e hapur e të mbyllur opozitar, qeveria e sotme mund të ngrejë me të drejtë pretendime për disa arritje që jo vetëm janë të matshme, por edhe të prekshme. Për shembull, nga një vend me të ardhura të ulëta, tashmë Banka Botërore na klasifikon tek vendet me të ardhura mesatare. I njëjti institucion u tregua zemërgjerë kur në fillim të Shtatorit e renditi Shqipërinë në 10 vendet e para që krijojnë lehtësira për legjislacionin dhe funksionimin e biznesit. (jo se BB ka ndonje interes per te ndenjur ne Shqiper, jo!)

Qeveria ka arsye të mburret sepse me rezultate të dukshme ose sekrete, reale apo fiktive, të verifikueshme apo jo, politikat e saj kanë luftuar korrupsionin, kanë ulur taksat, ka "zvogëluar" administraten qeverisëse, (dhe ashtu siç pohon edhe Banka Botërore), janë miratuar një sërë ligjesh dhe aktesh që favorizojnë biznesin.

Për fatin e kësaj qeverie, rastisi në periudhën e saj që Shqipëria të marrë ftesën për në NATO (pavarësisht i kujt është interesi apo merita) dhe pozitarëve të sotëm ju pëlqen të thonë se vitin tjetër Shqipëria do të aplikojë edhe për anëtarësim të plotë në BE.

Nga ana tjetër, ekonomia po ecën me hapa sa të mëdhenj, aq edhe të padukshëm për syrin e lirë. Për 125 milionë euro, naftë-nxjerrësi Armo ndërroi përveç gërmave, edhe pronarët, duke u kthyer në AMRA-n amerikano-zvicerane. Albtelekomi po ashtu ndërroi kombësi dhe KESH-i është në fushën e pingpongut.

Ndërtimi ka shpërthyer në të gjithë krahët; sasi, mungesë cilësie, çmime dhe anarshi. Por, sado i keq dhe i shëmtuar, ndërtimi ngelet pika kyçe e zhvillimit të sotëm ekonomik; dhe nëse bumi i ndërtimeve ndërpritet, qeveria do ta gjejë veten duke pluskuar në përrua të thatë.

Për të njëjtin ndërtim, në mënyrë shumë paradoksale kryetari i bashkisë ku pallatet ngjyra ngjyra-ngjyra i zënë frymën njëri tjetrit, ankohet për anarshinë dhe uzurpimin e zonave periferike. Zhvillimi këtu është sa i paqartë, as edhe i pa-matshëm.

Një tjetër investim kolosal ka zënë jo pak vend në zhvillimet politike dhe ekonomike dy vitet e fundit; bëhet fjalë për 600 milionë eurot dhe më pak se 200 kilometrat rrugë që do ta lidhin Shqipërinë me Kosovën e do bëjnë namin në bujqësi, turizëm e në promovimin e veriut të lënë pas dore. Kështu thonë pozitarët; kurse opozitarët e dialogut thonë se nga 600, milionët e eurove do të shtohen me ndonjë njësh përpara e askush nuk ka për të dhënë llogari.

Për të shuar kuriozitetin opozitar, qeveritarët bëjnë be se investitorët e huaj po tregojnë interes. Italianët e Enel-it kanë rënë në dashuri me hapësirat e Karaburunit dhe mendojnë se gadishulli është mrekullia vetë për ndërtimin e qendrave të tyre elektrike, bërthamore apo edhe thjesht gadishullore, në kuadër të fqinjësisë së mirë. Kjo behet pikerisht kur shoqatat mjedisore ne Shqiperi duan ta shpallin zonen e Karaburunit "Park ujor kombetar".

Austriakët e EVN-së paskan ndër mend të ndërtojnë hidrocentrale. Pas grekëve, tani paskemi edhe miq nga Spanja që janë të interesuar për të ndërtuar fabrika çimentoje (pse jo. Ndotja s’është në asnjë listë në Shqipëri). Së fundmi, edhe nga skaji perëndimor i kontinentit paskan shfaqur interes ishullorët britanikë për të bërë porte në një vend për të cilin akoma nuk kanë përcaktuar qartësisht ndonjë politikë.

Po Shqipëria ka edhe pretendime për t’u futur në bursë, edhe pse çdo zhvillim në Amerikë ndihet më parë në xhepin shqiptar sesa në atë të amerikanëve vetë. Pavarësisht luhatjeve në çmimin e naftës në botë, në Shqipëri ajo i qëndron besnike vetëm rritjes. Shtetit i pëlqejnë makinat dhe nafta po ashtu, prandaj, arsye për ankesa nuk ka!

Mbase duhen edhe 10 vjet të tjerë që Shqipëria të hyjë në grupin e vendeve demokratike. Po ne s’kemi lënë më konventë pa nënshkruar. (Bashkë me Moldavinë).
Ama standardet i shohim akoma me dylbi, edhe pse i dimë se ku janë.

Në rrugën tonë të suksesshme për në BE dhe për në zgjedhjet e 2009-ës, udhëhiqemi nga një sistem gjyqësor që akoma nuk është eficent; nga mungesa e kulturës demokratike, çalimi në shtetin e së drejtës, krimi i organizuar (më tepër bindje e BE-së) dhe sfida e çartur e korrupsionit. Po ashtu Shqipëria është pre e shumë titujve të çuditshëm pronësi, e injorimit të kulturës plehërore dhe pasigurisë për energjinë (vitin e kaluar importet varionin nga 8-12 milionë kilovatë orë në ditë).

Turizmi mbetet kryefjala e të vërtetës dhe e abuzimeve me shifrat. Saktë dimë vetëm që kemi 362 km vijë bregdetare dhe pjesa më e madhe e saj është e pashfrytëzuar. Por ndërprerjet e energjisë, lulëzimi pa fre i plehrave dhe infrastruktura e vështirë rrugore, deri tani e kanë frenuar ritmin e zhvillimit të pretenduar disa vite me parë.

Ministri ynë i turizmit, bashkë me 10 vulat e pasaportës sime këtë verë, ka numëruar 2 milionë e 10 turistë që kanë vizituar Shqipërinë. Shifrat ndryshojnë sipas rastit të prononcimit, por vulat e të gjitha pikave kufitare janë hedhur në regjistrin fat-madh të Ministrisë së Turizmit

Deficiti tregtar i lartë, prurjet e emigrantëve në rënie, prodhim vendas s’ka (të dukshëm), ndërtimi është pa baza... pra rritja ekonomike është fiktive?

Shumë shifra e të dhëna nuk janë fort të besueshme, prandaj entuziazmi i qeverisë ndesh reflektimin e kësaj mungese të besueshmërisë kur mundohet të shesë ndonjë sapun për gjysmë kile djathë.

Por duhet pritur edhe ca kohë, deri sa të vijë rasti për të pritur edhe katër vjet të tjerë.

13.11.08

Grevë, patate dhe sherr vegjëlish

Greva e urisë apo patatet e Kukësit? Mirë do ishte ta quaja dilemë komike, por nuk është ashtu. Shtysa erdhi nga bisedat e bëra mes kolegësh e vëzhguesish të hollë të cdo minuti e ngjarjeje që ndodh në Shqipëri. Disa deputetë janë mbyllur në zyrat e kuvendit, kurse disa media janë më shumë të shqetësura në krye të tyre për problemin që hasin patatet e qytetit verior (jo te Hasit vetë) në tregun e c’ekulibruar. A ka ndonjë pikë ekuilibri tjetërkund në ngjarjet e ditës që na tërhoqi vëmendjen cartja a patateve?

Por as me grevën vetë nuk mund të mburret hapja e një edicioni apo një gazete. LSI ka shumë të drejtë të mos lëshojë pe në luftën e saj për të mos humbur komisionerin, pra për të mos humbur votat. Po ashtu ka të drejtë të kërkojë me ngulm vendet që i takojnë në parlament, përderisa është e aftë të tërheqë drejt vetes një sërë votuesish të lëkundur, të zhgënjyer e të paduruar, që nuk kanë c’ti shtrydhin më shpresave tek PD-ja apo tek PS-ja.

Po pse me grevë?
Kjo pyetje është bërë shpesh. Edhe vërejtja ndaj mos-ezaurimit të mundësive të tjera të negocimit po ashtu. Mund të bëhej një paralelizëm interesant në kërë rast me shqyrtimin e cështjeve që marrin komitetet e konventave për të drejtat e njeriut në OKB. Para se një cështje të shkojë atje, duhet që ajo t’i ketë kaluar më parë të gjitha shkallët e gjyqësorit në vendin e paditur. Por, në raste të vecanta, këto komitete bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh, sepse marrin parasysh eksperienca të mëparshme nga vende të caktuara, ku ezaurimi i shkallëve të drejtësisë vendase nuk do të kishte qenë efektiv edhe po të ishte provuar, prandaj ata e pranojnë cështjen për shqyrtim, megjithëse me shkelje që në dorëzimin e saj.

Rasti i grevës së urisë që po bëjnë deputetët e partive të vogla të krahut të majtë nuk është aspak rast i ndryshëm. Ilir Meta dhe ndjekësit e tij vendosën të shkojnë drejt e tek hapi i fundit i këmbënguljes për të ndryshuar situatën e refromës zgjedhore, që i lë ata pa asnjë zgjidhje. Sigurisht që duhet ta bënte një hap të tillë dhe as nuk do t’i mbushej mendja njeriu që Ilir Meta do të hiqte dorë kaq shpejt nga meritat e forcës së tij politike, po përse grevë?

Po në Shqipëri dialogu është fjalë e huaj. Mirëkuptimi ka tjetër kuptim nga ai që njohim të gjithë ne (prapskenë e ka psudonimin). Toleranca ndaj pushtetit është po ashtu mish i pangrënshëm në politikën tonë. C’ngelet atëherë? Ngelet kjo forma e pezullimit të të ngrënit, ngujuar në sallën ku merren të gjitha vendimet.

Me përpjekjet e pareshtura të LSI-së për të mos i lënë ndryshimet të ndodhin poshtë tavolinave jam dakord; me zgjedhjen e tij për t’i shtuar imazhit një grevë urie që nuk duket se i shkon fort per shtat personalitetit të tij, nuk jam e sigurtë.

Po mendoja Prodin në grevë, apo David Cameroonin, apo Royalin, apo McCainin. Po fundja as me Sekerinsken nuk më ecën imagjinata e grevistit, as me Yanevin, madje as me Haradinajn jo.

Forma, përmbajtja, përmbajtja, forma. Fajin e ka kryetarja e kuvendit që bën show në parlament. E ka kryetari i qeverisë që shëtit me një Shqipëri të ndryshuar pas shpine, ku duken ca pemë të prera në sfondin e tij të gjelbër para-elektoral. Fajin e ka kryetari i opozitës, i bashkisë, i këshillit drejtues, i hallexhinjve të pashpresë, i dogmave prej puple. Fajin e kam unë, që votoj për këta sundues manipulatorë. Fajin e ke ti, që nuk voton fare. Fajin e kemi të gjithë, që na ka zënë gjumi duke pritur se mos gjërat ndryshojnë vetë. Por edhe po ndryshuan negativisht, sërish i pranojmë, përderisa nuk jemi lodhur për t’i ndryshuar.

Faj nuk ka askush. Ka vetem Ilir Meta dhe dyzina e miqve të tij të partive të vogla, që i hoqën stomakut të drejtën e ushtrimit të funskionit të tij fisnik këto tre ditë.

Nga qindra greva urie që ka pasur në Shqipëri, a është pasyqruar fundi i ndonjërës në media? Ja të shohim c’do ndodhë me këtë.

Por, përpos të tjerave, komisioneri duhet të kthehet atje ku ishte; sepse pastaj vota ime, së bashku me tënde, edhe tënden, edhe të të tërëve bashkë, shkon për llogari të atyre që iu pëlqen shëtitja nëpër Shqipëri. Po unë nuk dua më të qeverisem nga njerëz që përpiqen kaq hapur të vjedhin ligjërisht mendimin tim elektoral.

Pse s’ka një formë tjetër kjo greva? Ose të kishte formë tjetër rrjedha e mendimeve të dy kryetarëve ‘armiq”. Mbase atëherë do të kishin përfunduar vetë ata në grevë, duke thënë “nuk jemi dakord me pretendimiet e shokut Ilir. Do rrimë edhe ne në grevë deri sa të heqë dorë ai”.

Sa shpejt erdhi kjo kriza në Shqipëri. Edhe e fillloi rrugën direkt nga shtresat e larta.

Komisionerin, PD, PS, komisionerin. E jo patate Kukësi në krye të lajmeve. Sigurisht që e përditshmja është e rëndësishme për shikuesin dhe politika është bajatisur më shumë nga c’mund të mbajë. Po patatet nuk kanë nevojë për komision.
Greva nuk është e bukur, por ngelet lajmi kryesor. Patatet po i nisim për në kuvend nëse nuk ka treg shitje tjetërkund.

Sa kot!


Si ne titull!

10.11.08

Përse vijnë të huajt në Shqipëri? (ata që gjoja punojnë)

- Për të zhvatur një rrogë prej 5-30 mijë euro në muaj, që në vendet e tyre nuk ua mban as ta ëndërrojnë.
- Të trajtohen si mbretër të mbretërive të tyre të shembura familjare, profesionale, emocionale, shoqërore etj.
- Të bëjnë të mençurin në këtë vend ku inferioritetin e ushqejnë vetë vendasit, e po ngrite kryet ndaj tij, kërkojnë të të shohin bishtin.
- Të tallen me reformat që vetë i pengojnë për të zgjatur pafundësisht mandatet e tyre të mynxyrta në Shqipëri.
- Të përfitojnë nga anarshia ligjore dhe financiare e vendit të fundit në Europe, ku askush nuk jep llogari për allishverishet që bën, edhe kur ato duken hapur.
- Të mbajnë peng grantet që gjoja jepen për Shqipërinë, duke marrë në qafë fushat për të cilat sillen të punojnë në Shqipëri dhe stafin që punon për ta.
- Të përfitojnë nga përkushtimi i stafit vendas për të shitur një punë që s’e bëjnë.
- Të përmirësojnë anglishten mu në mes të Tiranës.
- Ta përdorin Shqipërinë si trampolinë për ndonjë punë të vockël tjetërkund, sepse andej nga vijnë nuk i përfill njeri.

Poshtë të gjitha muret artificiale.

7.11.08

It’s all about change

My red tree has a different look today. It’s full, up, open, positive, proud, holding all its leaves. It’s a marvellous, confident and high tree.

I wanted to show its leaves to everybody today. But it’s Friday, and although we’re in Albania, people are still working. Yes.

Or so it might be!

Anyway…I failed on my first attempt in two and a half years to finish earlier than I should. No one is interested in red leaves and everybody seems to be a hard worker in Albania. God, I am sooo pleased :D

I attended the ceremony I was talking about on my previous posting. Interesting speeches. Would have been nice if they were real too.

The Albanian president talked about belief in change. EC ambassador did the same. And so did the politicians who had arrived from Brussels and some others from Strasbourg.

They all started by saying: “I am very pleased to be here…”. Looking at their half-closed eyes, I could hardly believe that the person with wrong perceptions on that room was me.

“We believe in change. (Again? Oh no!) Albania needs to change. You are changing. Together we’ll change all unchangeable things about this country…” Yeah….sure!

“Obama, Berisha, EU, report, progress, regress…no, no regress please. That’s why you’re here…new policy-makers to replace the old ones” !!!!!

Great! Applauses!!!!

Wine? No. Coffee. Let’s go to the upper restaurant. This one is very odd…and we’re not anymore.

And the change just started.

Sat at the coffee table gossiping about nothing, all were convinced that Albania has found the way out. So did I…

I found the way out and did not want to go back in the office…but I did. And you know that now :D

“Rruga e Kavajes” is full of red trees. I walked through today…running late for a change

Coffee? :P

6.11.08

Nëntori i datës 6

Mund të isha shumë më mirë se kaq…

S’kam vënë re më parë të kem kaq alergji nga e enjtja.
As nga data 6. As nga Nëntori.

Por nga abuzimet po. Edhe nga manipulimet, mosmirënjohja, shumë-fytyrësia. Nga kapricot e paftuara të nënës natyrë po ashtu.

Punë dreqi kjo e kombësisë. Edhe puna me ata që kujtojnë se kombësia ime është ashtu si nuk dua ta pranoj unë.

Sot s’i durokam dot as pranitë, as mungesat.

Nesër kam një ceremoni me protagonizëm po të manipuluar.

Në faqen kryesore të publikimit që po m’i bën zbor nervave është fotoja e një fëmije para kompjuterit. Ters, ngado që ta shohësh.

Kam një deadline vullnetar. S’ngre dot kokën, se ia kanë zënë rrugën ca të tjerë që i nxit përsosmëria idiote e produktit të bërë mirë. Me lot. (edhe në mënyrë jo-figurative).

Ka ndër mend të vijë ky dimri këtë vit?

Nëntor i pakëndshëm ky i datës 6.

1.11.08

Pabesitë e qeverisjes

“Publiku po i beson gjithmonë e më pak qeverisjes së mirë e transparencës së saj. Ai beson po ashtu më pak se qeverisja e tij është demokratike, e lirë apo e orientuar nga interesat e publikut.” Keto ishin disa nga përfundimet e fundit të publikuara nga Freedom House për gjendjen e lirive dhe besueshmërisë tek qeverisja në kohët e sotme, botuar vetem pak jave me pare.

Duke lexuar studimin, Shqipëria vinte parasysh në shumicën e shqetësimeve të ngritura aty. Edhe kur emri i saj nuk ishte i pranishëm, Shqipëria dukej sikur i përkiste të gjithë paragrafëve ku flitej për humbjen e thellë të besimit tek politika, partitë e saj, tek zyrtarët apo tek qeveritarët, që gjithmonë e më shumë po shihen si shërbyes të interesave të vetvetes, duke përjashtuar hapur dhe pa asnjë përgjegjësi publikun nga priotitet dhe axhandat.

Po c’farë e con një shoqëri në humbjen drastike të besimit tek të zgjedhurit apo zyrtarët e vet?

Pas fasadës së arritjeve të rëndësishme, në rastet e sjella në këtë studim nga Larry Diamond, (njohës i mirë i politikës së sotme në botë), shfaqen disa fenomene të ngjashme në të gjitha vendet në zhvillim apo në ato post-komuniste. Në këto vende, njëlloj si edhe në Shqipëri, demokracia vihet rëndom në rrezik dhe në dyshim për shkak të formave klasike të keq-qeverisjes, abuzimeve të ndryshme, për shkak të dominimit dhe oligarkisë në nivel lokal, të burokracive pa fund e jo-kompetente që ushtrohen në emër të shtetit, për shkak të sistemit të korruptuar apo të mbikqyrur gjyqësor dhe për shkak të arrogancës populiste me të cilën abuzojnë hapur përfaqësuesit e “elitës drejtuese”. Shpesh këta drejtues shpërfillin shtetin ligjor dhe nuk shohin përtej intersit të ngushtë të vetvetes apo familjeve të tyre.

Po deri në c’pikë është në gjendje Shqipëria të zgjedhë problemet e qeverisjes në mënyrë që ajo t’i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve për liri, drejtësi, për një jetë më të mirë dhe për një shoqëri më aktive e më të përfshirë në vendimmarrje?

Rastet kanë treguar se në momentin që shoqëritë jetojnë në të ashtuquajturat demokraci që nuk arrijnë të luftojnë në mënyrë efektive krimin apo korrrupsionin, që nuk janë në gjendje të gjenerojnë rrjedhë të qëndrueshme ekonomike, që nuk gjejnë zgjidhje për pabarazitë ekonomike brenda vendit, që nuk arrijnë të krijojnë besim për liritë e votës, të fjalës, të shpresësh për ndryshime pozitive etj, atëherë publiku e humb lehtë besimin, duke e bërë veten pre të detyruar që qoftë edhe pa ndërgjegjie të plotë, të besojë tek alternativat autoritare.

Dëshira për të mbajtur nën kontroll të gjitha llojet e pushteteve, ngadalësia në zbatimin e reformave, apatia në hartimin e strategjive, manipulimi i pamëshirshëm i publikut dhe reklamat populsite për vetveten, e ka bërë përfaqësinë e elitës politike të të gjitha kahëve në Shqipëri të duket thjesht e rrezikshme për të tashmen dhe për të ardhmen e vendit.

Në vend që t’i hapin rrugë njëri-tjetrit e të zhdukin nga qarkullimi opozitën si nocion, qeverisësit e sotëm dhe të nesërm duhet të mbajnë parasysh detyrën e tyre për të dëgjuar zërin e qytetarëve,e jo të shkojnë për monologje nën emra dialogësh, apo akoma më keq, të promovojnë një anëtarësim që nuk ka të bëjë fare me pjesëmarrjen e qytetarëve në proces.

Kërkesat e qytetarëve kanë nevojë për adresim dhe reagim. A po ndodh kjo në Shqipëri? Po të ndodhte, atëherë në disa pika, qeveria jonë e tanishme apo e ardhshme do të kishte mundësi të shkëlqente në disa pika; 1) Sheti do të kishte kapacitet të funksionontë në shërbim të qytetarëve, por kjo nuk mund të arrihet pa staf të trajnuar dhe profesional në shërbimet civile. 2) Përkushtimi ndaj interesit të publikut, që duhet rregulluar nga institucionet që shpërblejnë sjelljen jo-publike dhe dënojnë shpërdorimin e besimit të tij. 3) Transparencë dhe përgjegjësi që shteti duhet të tregojë përballë aktorëve dhe institucioneve monitoruese, qofshin këto publike, private apo përfaqësuese të shoqërisë civile. 4) Shteti i së drejtës , që mundëson qeverisjen e pavarur, efektive, me treg të mirë-funskionueshëm ekonomik, me pavarësi dhe pa-anshmëri të pushteteve, me ndikim të kufizuar ne jetën politike, sociale, ekonomike, etj. 5) Pjesëmarrje dhe dialog nëpërmjet kanaleve institucionale që ta lejojnë publikun të ketë fjalën e tij në proceset e vendimmarrjes( si p.sh në rastin e Petroliferës) dhe të promovojë gjithë-përfshirjen sociale. 6) Kapitali shoqëror, në formën e mjeteve sociale që përfaqësohet nga grupe njerëzish të cilët i bashkon besimi, përkushtmi i ndërsjelltë dhe bashkëpunimi për qëllime të njëjta.

Kapitali shoqëror hap rrugë për investime dhe është ushqimi kryesor për qytetarinë, pjesëmarrjen dhe respektin ndaj ligjit., që është edhe pika kyce e zhvillimit të qeverisjes së mirë. Po përse në Shqipëri është kaq e vështirë të kuptohet e gjitha kjo?

Për sa kohë pushteti politik do të shpërblehet mes duarsh që shtrëngohen prapaskenave e lufta për gjithë-përfshirjen e qytetarëve dhe ndryshim të kërkuar do ngelet aty, nuk ka gjasa të ketë rrugëdalje në horizont.

Qeverisja e demokarcive në zhvillim është vetë zoti dhe vetë shkopi i veprimeve të saj. Prandaj ështe e pabesë. Kaq e pabesë!