21.11.08

Deformimi i librit

"Darka e gabuar" e Kadaresë dhe "Guximi i Obamës për të shpresuar" ishin dy librat më të shitur në panairin e librit që u mbyll këtë javë në Tiranë. Pra, shqiptarët zgjodhën të vazhdojnë ta ndjekin krijimtarinë e Kadaresë dhe u treguan kuriozë për të njohur guximin e presidentit të sapo-zgjedhur amerikan. Shumë mirë. Zgjedhje interesante dhe reflektuese të së tashmes.

Por, në morinë e lajmeve, kronikave, shkrimeve e reportazheve për panairin, mes të gjithë lumit të njerëzve që kundronte më shumë se blente në tre katet e ekspozimit të librave, më tërhoqi lista e librave që blenë gjatë panairit disa nga politikanët shqiptarë. Ideja shumë tërheqëse; kurioziteti im po ashtu. Vura re se presidenti e kishte marrë me vete Kadarenë dhe akuzat e Shmid-it për Skënderbeun. Me Kadarenë në dorë ishin larguar prej panairit edhe Bujar Leskaj, Anastas Angjeli, Ylli Pango, Namik Dokle, Enkelej Alibeaj etj. Por, vura re me po aq kërshëri se në duart e politikanëve kishin përfunduar edhe tituj të Drajzerit apo edhe të Kate Moss-it. Kishin blerë libra shqiptarë për Enver Hoxhën, kujtime të njëri-tjetrit për 97-ën apo edhe libra me tregime e novela nga autorë të vonë shqiptarë.

Por, shumë pak më zuri syri të kishin blerë tituj që iu afroheshin fushës së tyre. I vetmi koleksion që i ngjante personazhit që e kishte blerë, ishte ai i Paskal Milos: “Diktatorët e Ballkanit”, “Shqiptarët”, “Shqipëria”, K.Kohl; “Bazat e marrëdhënieve ndërkombëtare”, “Politika ndërmjet kombeve”, “Himara”, “Dhërmiu”, “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri 1939-1944” etj. Gjithë të tjerët ishin fokusuar tek mbizotërimi dhe orientimi aktual i tregut.

Por, përpos kërshërisë dhe zhgënjimit përse politikanët tanë nuk lexojnë më shumë për politikën, më vrau edhe moria e titujve të shtypur keq e të shpërdoruar në ribotim. Duke u munduar t'i përgjigjen tregut të lexuesve të paktë të librit, shumica dërrmuese e shtëpive botuese i kanë nxjerrë librat me kopertina të mjera, plot ngjyra e pa asnjë fantazi, finesë apo domethënie për përmbajtjen e tyre. Respekti ndaj autorëve gjithashtu dukej i përdhosur. Ndaj lexuesve nuk dukej të kishte ndonjë përkushtim, përveç atij të futjes së shijeve të të gjithëve në të njëjtin thes, teksa kopertinat ishin shëmtuar të gjitha në të njëjtën formë.

Libri i Obamës që aq shumë u tërhoq, as që i ngjante në shkëlqim origjinalit punuar me finesë. "Amerikani Toni Blair" po ashtu dukej sikur ishte lyer me llak në kopertinën shqip. "Më keq se Wotergate" ishte ku e ku më dobët se ngjyrat, madhësia, formati dhe cilësia e përdorur në origjinal. Akoma më shumë vuanin imazhet ribotimet e klasikëve. "Ana Karenina" i ngjante një libri ngjyrosës për fëmijë; "Saga e Forsajeve" ka një tablo të importuar keq; veprat e Shekspirit të japin përshtypjen e një varfanjaku në kërkim të famës; portreti i Dorian Greyt shitej në disa variante amatoreske; Zola dukej sikur i drejtohej 10 vjeçarëve e Mopasani si shtojcë revistash pornografike.

Libri nuk gjykohet nga kopertina! Shumë mirë. Po atëherë përse t'ua deformosh atë? Jo të gjithë librat do të tërhiqen nga lexuesit e Danielle Still apo Nikolas Sparks. Atëherë çfarë bën një çift bullgar në kopertinën e Remarkut? Cilët lexues do tërheqë një femër me kapele diplome në kokë në "Shtjellimin e politikave të sotme magjistrative"?

Mania e të gjithë librave ishte të tërhiqnin me foto dhe ngjyrat e forta të kopertinës. Prandaj e pashë më të arsyeshme të paguaja çmimet e kripura shqiptare në këndin e librave në gjuhë të huaj. Të paktën kopertina e tyre nuk më shqetëson. As gjuha e përdorur aty.

Në kapërcimin e dy shokimeve të para ( tendecave lexuese të politikanëve dhe morisë së ngjyrave të forta në kopertinat e botimeve në shqip), përfundova në grackën e leximit të shqipes së cunguar, të paredaktuar dhe të pa-këndshme që kanë shumica e këtyre librave. Nuk e zbulova në panair. U bënë shumë vite tashmë që botimet vuajnë nga cilësia në përkthim. Fjali pa kuptim. Fjalë të lëna për gjysmë. Fjalë të përsëritura. Mungesë njëtrajtshmërie dhe mungesë tërësore përshtatjeje. Tek lexoja përkthimet e reja të Remarkut, iu futa kërkimit për të gjetur versionet e vjetra të Shvarcit. Shqipja më rrëmben më shpejt nga c'mund ta ndjek. E krahasoj me përkthimin e ri, shqipen as që di ta ndjek dot.

Më keq paraqitet gjendja tek librat filozofikë. Kanti më doli i cunguar e Nicja pa lidhje. Jungu pa kuptim e Frojdi pa asnjë sens. Përse? Sepse përkthimi nuk bëhet vetëm nga përkthyes. Bëhet edhe nga të afërm e miq në nevojë për para. Por, para' për redaktorë nuk ka. As për korrektorë jo. Atëherë të nxjerrim xhevahire të tilla në treg. Dhe shijet e lexuesit supozohen të jenë të gjitha ato të tipit "bestseller" apo reflekuese të komercializmit njëlloj si në muzikë.

Panairi në pallatin e kongreseve m'u duk tamam si BBF-ja në shkronja.

Nëse shtëpitë botuese synojnë të kthejnë lexuesin shqiptar tek libri, strategjia e zgjedhur për të deformuar kopertinat nuk duket të jetë ajo më e drejta. Mbase drejtësia është term që nuk i shkon idesë së tyre të biznesit, por mbrojtjes së vlerës së librit po.

E nëse ne shpresojmë se politikanët shqiptarë do të lexojnë “Korrupsionin dhe Demokracinë”, “Financimin e partive politike dhe të fushave zgjedhore“;“Formësimin dhe identitetin e kombeve”; “ Funksionimin e demokracisë në shekullin e XXI” apo të tjerë tituj të tillë në vend të aventurave e librave rozë, atëherë po shpresojmë në vendin e gabuar.

Do të doja shumë të thoja “panairi i librit ishte një sukses”, por për hir të dhunimit që po i bëhet vlerës së librit apo cilësisë së përkthimit të tij për shkak të marketingut, nuk mundem ta njëjtësoj dot suksesin e shitjeve me rritjen e vërtetë të interesit ndaj librit në Shqipëri.

Shpresa ngelet që botimet jo vetëm të shtohen, por edhe të rriten cilësisht në Shqipëri.

Po kjo ngelet për t’u parë!

3 comments:

Julius said...

Prej shqipeje e ke vështrimin. Uau! :D Nice!

t_red said...

Epo ka te keqen e vet ky vezhgimi im o Jul. S'me le rehat duke pare shume edhe reflekton o ne tastiere, o ne biseda :)

Ajo zonja e intoksikuar per shebull nuk ka te njejten konsderate si ty per vezhgimin tim, qe e shpon tej e pertej cdo rrudhe te trurit te saj :D

Moza said...

prape me zonjen ti mi hhihihi
t'kujtova dje, se shkova me taku nje shoqe timen te terbuar, qe eshte pa pune edhe kish nje oferte kshu 1500K ke nje projekt amerikan :P
Mirepo kjo ka punuar shume me te huajt sidomos me amerikanet qe ne kohet e lashta. Edhe pergjigja origjinale :
- Une te punoj per amerikanet ?? Per ato qelpsina qe na trajtonin si sherbetore e na hanin veshet ? Ata qe e donin bileten open-open. :P
Po qysh mer open-open mor i thoja, ku ka bilete open-open. Gjeje ku t'dush m'thote. E du open-open qe te iki e te kthehem kur te dua. Ose, donte qe te shkoja une ke agjensia dhe pervec biletes donte maskarai dhe qe ti rezervoja hotelin, dhe e donte dhomen qe te shikonte nga perendimi, dhe te koka krevatit donte : nje kokerr Qershi, dhe nji Banane... qe ta fuste n'b... hihih