4.12.08

Unë s’e di mire si jetoj, por dikush e di

Në 12 muajt intensivë që kërkoja një hyrje në Tiranë, makina, këmbët, autobuzët, sekserët, miqtë (të brendshëm e të jashtëm), lajmërimet (në print dhe online) më çuan në çdo cep të kryeqytetit tim të dashur.

Kudo ku shkoja ngecja në trafik; ose në rrugët një kalimëshe me nga dy makina në secilin krah; ose në baltën e ëmbël të Tiranës; ose në pellgjet me ujë; ose parkoja aq larg sa nuk e mbaja mend se ku.

Në të gjitha shtëpitë me qera që ndërrova, parkimi ishte problemi më i madh. Zemërohesha me kë mundja për vendet e zëna prej atyre që ktheheshin më herët se unë nga puna. Më i shkathëti, më i shpejti, por për ta lënë punën herët s’para ia them shumë.

Parkimi, trafiku dhe vonesat e pamëshirshme të tij u bënë aq shqetësuese, sa vendosa ta bëj zemrën gur e të marr vesh se c’zgjidhje ka menduar Bashkia ime për të më lehtësuar ndopak këtë mbingarkesë njerëzore.

Dhe Bashkia më shpalosi mua dhe qytetarëve të tjerë të saj planin rregullues për kryeqytetin.

Në përpjekjen për t’i mbushur mendjen vetes se nuk po ndiqja televizionet qeveritare me shpëlarjet e trurit për kilometrat e rrugëve të shtruara, më ngeli goja hapur tek dëgjoja se Bashkia ime mendon se unë kam jo vetëm parking, por edhe 4.5 m2 gjelbërim si njëri prej frymorëve të qytetit të saj. Mësova se Tirana e 2008-ës ka vetëm 600 mijë banorë, dhe numri është nxjerrë nga listat e votuesve dhe nga regjistrat e zyrave në gjendjet civile.

Pastaj mësova se Bashkia ime ka ndër mend të bëjë tre parqe të mëdha për mua; një në Farkë, një në Paskuqan e një në Sauk. Këtë parkun që kemi nuk e zumë në gojë. As kur u dëgjuan ca gojë të liga për gjoja tharjen e tij, që sipër t’i ndërtojnë ca pallate.

Pastaj Bashkia tha se është shumë e shqetësuar se disa lavaxhinj i kanë prishur bukurinë hyrjes në park nga rruga e Elbasanit dhe se është e padurueshme të dëgjosh motorrat që shëtisin aty bashkë me njerëzit.

Kurse unë thashë se në të vërtetë, më shqetëson pak zhurma e pafund çak e çuk tek ai pallati i ri që sapo ka mbirë pas vilës mbi gardë. Më shqetëson edhe zgjerimi gjithmonë e më i madh i kështjellës me pica të kripura, i parkingut të pangopur që zhvat ajo, i murit rrethues që mbin themele të reja. Po se mos ka faj Bashkia për këto!

Më shqetëson pak edhe prishja e varrit të Konicës apo të vëllezërve Frashëri e më vjen hëm mirë, hëm keq që ato varrezat e ushtarëve amerikanë, gjermanë, grekë, italianë apo kinezë që janë aty, shkëlqejnë nga bardhësia e rikonstruksioni.

Por Bashkia më qetësoi. Më paraqiti planin e saj rregullues, që duhet t’i binden se s’bën ata fshatarët e Farkës. U bënë ata të shesin toka për ndërtim. Na duhet për park Farka, se ndërtimet i bëjmë ne. Edhe lejet i marrim pak më shpejt kështu.

Posi!

Ndërtuesit, inxhinierët, arkitektët e pallateve plot ngjyra, forma e trajta ngrenë zërin në mbështetje të Bashkisë. Bashkia xhan, se duhet të na japë leje ndërtimi. Po për ku më? Ku ka ngelur ai cep ku duhet ndërtuar akoma?

“Jo, ju nuk e njihni Tiranën,-më thotë Bashkia.-Vetëm unë e njoh. Edhe do e zgjeroj hapësirën e gjelbër. Edhe do shtoj edhe ndërtimet në qytet, se ku do i çoj njerëzit?!!! Banorët kërkojnë pallate në qendër”.

Po, po dhe po. Banorët kërkojnë pallate. Ndërtuesit kërkojnë pallate. Edhe Bashkia kërkon pallate. Edhe qeveria po ashtu. Zonat për pallate zvogëlohen, lufta për to zmadhohet, çmimi i dhënies së lejes kripet ku e ku më keq se tek pica dhe banori blen hyrjen cilësore me suva në rënie po aq shtrenjtë sa në Paris.

3000 eurom2 tek ai pallati i çak e çuk-ut tek liqeni. Hyrjet, se dyqanet janë 5-7 mijë për metër. Aty do banojnë elitat; njëlloj si tek kopshti botanik pa bimë e tek ai zoologjiku pa kafshë.

- Po parking, o bashki, do na bësh ndonjë?!

- Do të bëj. Tre kate nën tokë.

- Po rrugë, do hapësh ndonjë lehtësuese?

- Do bëjmë metro, se kështu e ka bota.

- Po ti nën tokë do bësh parkingje. Si do ia bësh për metronë?

- Metronë do ta bëj nën parkingje! Edhe hapësirë të gjelbër mes pallateve do bëj. 40% të sipërfaqes së ndërtimit do ta bëj të gjelbër. Nga 4.5 do ta çoj në 8m2 për frymë gjelbërimin.

Do na thithin bimët. Do kujtojnë se jemi edhe ne pjesë e tyre e fotosintezës.

-Të bëjmë një park pyjor edhe një park sportiv e olimpik në Paskuqan.
-Paskuqani bie në Kukës. Pak në Dibër e pak në Tropojë.
- Po pra, çështje politike është kjo, e dimë ne. Nuk do AI që të bëjmë parqe ne, prandaj s’na e lë Paskuqanin.
-Po Paskuqanin nuk e ke ti Bashki në administrim. As Farkën. Merru me këto pronat e tua ti.
-Jo, dëgjo, ca gjëra nuk i kuptoni ju. Jo! Se ndërtuesit e duan Tiranën. Pallatet tona janë shuam cilësore. Edhe italianët na i kanë zili. Pallati është zhvillim, është emancipim, është qytetërim. Tirana është akoma me densitet të ulët ndërtimi. Do ndërtojmë, do ndërtojmë në çdo centimetër të saj mbi tokë, se parkingjet dhe rrugët do t’i bëjmë nën tokë.
- Po metrat e gjelbra?
-Në Dajt pra. Edhe në Farkë, edhe në Paskuqan. Do ia marrim jabanxhinjve.
-Që t’ua shisni hyrje pallatesh me tre mijë euro m2?
-Jo. Po s’i kuptoni ju. Rrethinat janë në vijën e interesit të përbashkët.
-Kurse qendra është në vijën e interesit tuaj?
-Edhe të miqve të mi ndërtues, që po e zbukurojnë Tiranën kaq shumë. Metropol po e bëjnë.
-Po, po, po. Metropol me paratë e mia, se është rritur pazari mes jush.
-Epo ky është çmimi i një jetë të gjelbër. As New Yorku nuk ka tre parqe. Njw copw Central Park ka. E kam parw me sytw e mi New Yourkun. Njw park. Kurse Tirana do ketë TRE. Po të prishim këtë që kemi një herë, se nuk është më i bukur. Edhe pastaj të presim të na japë leje KRTRSH-ja që t’u marrim tokën fshatarëve të Farkës, Paskuqanit e Saukut, e do t’i kthejmë ato në ca parqe që do t’iu heqin trurin e kokës.
-Të hequr e kemi. S’kam as ku të parkoj, as ku të kaloj, as ku të rri. Ti më thua kam 4.5 metra jeshillëk edhe parking.
-I ke, po nuk i sheh, se s’të lënë paragjykimet.
......
Mbase. Më morën në qafë këto të zeza paragjykime. As katër metrat e mia bashkë më gjysmën nga pas e as parkingun nuk i gjej dot...ashtu si nuk gjej dot energjinë e miliardave gjatë ditës, rrugët e shtruara, investimet, sukseset në luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e jetës sime, që qeveria dhe bashkia ime e shohin, kurse unë jo.

As që ma var fare kjo jeta ime. S’m’i raporton hiç përparimet e saj. Po shyqyr që kam qeverinë e bashkinë që më tregojnë sa mirë jetoj, se do kisha ngelur akoma pa shtëpi sot e kësaj dite.

E mora apartamentin në fakt. Edhe po të përdor shkallën e zvogëlimit 1:1000, shoh me sy të lirë hapësirën time prej 4.5 metrash që ndodhet diku në Dajt. Është pak larg nga unë, ama më ka thënë bashkia që e meritoj.

...dhe jetuam të lumtur e të gëzuar përgjithmonë.

3 comments:

Anonymous said...

...dhe kur u zgjova me kishte rene jorgani per toke dhe farmacia e lagjes nuk kishte antibiotike per rrufen time prej enderrimtari te pashpetim!!!

Anonymous said...

Ooooooooo
në të zënça unë.
Ooooooooo
do të zë me gurë
Ooooooooo



*Kënga Labe

t_red said...

e Tmerrshme! Iso mban ai shoku duke i dhene makines me te cilen nxiton te me zere?! :D