2.2.10

Për shfuqizimin e mbledhjeve të gjata si shkelje e Kushtetutës

Kushtetutën ma kanë shkelur. Keq. Me të dyja këmbët. 17 herë brenda tre vjetësh. M’i hapën punë Gjykatës Kushtetuese. Edhe mua, që sot m’u desh të shikoj bazën e saj ligjore, funksionimin, përbërjen, historikun, vendimet, e me radhë.

Faqe interesante e saja në internet. E plogësht, gjumashe me info vizitash e pritjesh reciproke. Njëlloj si faqet e tjera të administratës e institucioneve në Shqipëri. Po për fat, mes rreshtave kishte edhe njoftime e vendime interesante. Ose të paktën, mua kanë filluar të më duken të tilla të gjitha gjërat që kanë lidhje me kushtetutën. Histori tjetër kjo.

Back tek kushtetuesja (gjykata). Ktheu mbrapsht marrëveshjen e ndarjes së kufijve detarë me Greqinë, dhe rrëzoi ligjin e lustracionit. Ok, janë pasardhës komunistësh e kanë lidhje me sistemin e kaluar. Pengojnë edhe këtë të sotmin, (të drejtësisë, siç më thotë një mikesha ime e urtë); ama do ishte akoma më tragjike sikur këta nëntë gjyqtarë të mos punon fare, e ligjet e Berishës të kalonin poshtë si uji në gurmaz.

Unë besoj tek Gjykata Kushtetuese. Kam qejf të besoj që ajo mundohet të funksionojë sipas parashikimeve ligjore. E më shumë se ajo, kam besim tek integriteti i gjyqtarëve. Jo domosdoshmërisht tek 9 të kushtetueses, por edhe jashtë saj. Nuk jemi të gjithë në një thes. Kjo vlen edhe për ta.

Përveç tyre, më pëlqen edhe Mesila. Më shumë se gjyqtarët më pëlqen. E bëri copë kushtetuesen me deklaratën për referendum për lustracionin. Edhe ekranet i çoroditi. Protagoniste në Opinion e në City Park, ajo nuk ka asgjë për të mos u pëlqyer. Madje edhe për t’u pasur “role model”. Duhet të ndryshoj profilin.

Përveç Kushtetueses, sot kishim “staff meeting” te zyra nga ku llogaria ime bankare furnizohet çdo muaj. E kisha ndarë mendjen të dëgjoja më vëmendje. Karshi meje, kolegia shkroi tre herë “Fillojmë? Mirëserdhët”. Raportim, briefing, debriefing, summery, short summery, very short summery....nga ora 09.00 -12.00, akoma ishim duke bërë “short summery” për aktivitetet e bëra javën e kaluar.

“Pushim për kafe? – Ndërkombëtari pa vëngër.- Sure, po para se të dalim, dua të shtoj nja dy-tre fjalë si e përjetova unë eksperiencën në Çorovodë dhe Patos, ku kolegu im, eksperti ndërkombëtar ka shkuar të ofrojë trajnim për trajnerët në heqjen e vetullave. Me pak fjalë, se kjo është shumë e rëndësishme për përqasjen tonë në politikat kyce të vendit, duhet që vetull-heqësi të qëndrojë përherë sipër vetull-mbajtësit, me vetull-heqësen në drejtim horizontal, duke e kapur në mes fijen që do heqë, pa e shkëputur menjëherë, por vetëm pasi ka lënë dhëmbëzat të zënë vend.
Pasi të jetë siguruar se të dy cepat e kanë përforcuar fijen dhe kanë maksimizuar shanset që ajo të shkulet me rrënjë, e jo të këputet për të mbirë sërish pas një ore, vetull-heqësi duhet edhe të balancojë nevojën për të hequr fije në të njëjtin rresht brenda të njëjtit hark kohor sekondash, apo duhet të vazhdojë 0.001 mm më lart, e të rikthehet aty pas disa sekondash. Të gjithë këto bëhen vetëm pasi jemi siguruar që vetulla është gjysëm e njomë, se përndryshe synimi për ta hequr,shkon në drejtimin e kundërt.
Të gjitha këto janë thelbësorë për t’u ditur në formim, sepse një ushtrues zanati në një sallon bukurie, duhet patjetër t’i dijë këto gjëra bazë, që për mua janë kaq thelbësore dhe të nevojshme.
A doni të dini si ngjan vetulla po e hoqe pa i mbajtur pincat horizontalisht në një qëndrim vertikal ndaj klientit? Jo? Doni kafe ju, I see! Po puna bëhet vetëm duke vëzhguar, dhe suksesi vjen nga ndarja e informacionit. 10 minuta pushim dhe kthehemi të diskutojmë për nevojën për reforma në sistemin e formimit profesional, sepse parukieret shqiptare kanë shumë mangësi në njohjen e procesit të heqjes së vetullave, që në vetvete është një rast tipik i mangësisë së aftësive për kualifikim. Kjo lidhet direkt me cilësinë e ulët të shërbimeve, që lë shumë të papunë. Prandaj nuk ju do Europa. Duhet të mësoni të hiqni vetullat...edhe të duroni mbledhjet e gjata”
Am I kidding? Not fully :(

Për Zotin, më mirë kushtetuta!