22.5.09

Please mind your female expectations

“Opinion” është bërë tashmë arena e testimeve. Nuk ka më mirë, sepse të jep mundësinë të shohësh, shijosh, parashikosh, përmbysësh e risjellësh parashikime dhe pritshmëri me shumicë.

Mbrëmë në panel gjashtë femra. Të gjitha kandidate për deputete. Të gjitha të bindura se individualisht vlenin shumë më tepër se pesë të tjerat vërdallë; e akoma më të bindura se partia që ato përfaqësojnë, është fituesja e padiskutueshme e 28 Qershorit.

Madje për këtë të dytën ishin shumë më të bindura edhe se për aftësitë e tyre debatuese. Jo të gjashta, në fakt.

Fevziu kishte vënë embargo pallavrash. Tre minuta në dispozicion të ligjëratës për secilën. E në 10 minutat e para u tremba. Monika Kryemadhi, Mesila Doda, Albana Vokshi, Shegush Ligori, Olta Xhacka dhe një e PR-së (që s’do jua mësoj dot emrat kurrë. Në fakt unë kam idenë se PR do të thotë Fatmir Mediu edhe pas Gërdecit, po nejse).

Pra, tre minuta për secilën. Aq po flisnin vërtet. Madje edhe më pak e më saktë sesa aq. Fevziu u tremb bashkë më mua këndej ekranit. Mirësjellja dhe e folura me radhë, përveçse e pazakontë, ishte dhe e frikshme. Dukej sikur të gjashta kishin ngrirë në karriget ngjyrë kremi të Opinionit.

“Ej, po po të doni ju, e heq atë tre minutëshin unë, vetëm bëni pak debat, aman, se më iku emisioni për peshk. Jepini pak ngjyrë debatit, se s’ka lezet”.

Kaq deshi Mesila me Albanën.

“Unë kandidoj në zonën e Fierit, sepse është një hambar i vërtetë në Shqipëri. Asnjëherë Partia Socialiste nuk i ka ndihmuar ata fermerë të shkretë, që mezi presin të votojnë për mua, sepse do t’iu zgjidh hallet një për një. Madje më të thjeshtë do ta kenë, sepse ata bujq e fermerë sot janë në NATO, janë kandidatë për të hyrë në BE, janë të lumtur që miqtë, të afërmit dhe komshinjtë e tyre infermierë apo mësues kanë pasur rritje page. Ata jetojnë nën qeverisjen e një njeriu që do t’iu mundësojë të shkojnë në Kosove brenda dy orësh, që komunikon drejtpërdrejt me ta, që jua ka bërë jetën shumë më të lehtë sesa e kishin ëndërruar ndonjëherë. Kurse ju, ju e çuat fshatin në kapitalizëm. Jeni njerëz pa vizion, pa program, të dështuar, ja çfarë jeni”.

“Më fal zoti Fevziu, unë jam kandidate e Partisë Socialiste në Elbasan, jam juriste, jam bijë në atë zonë. Jam krenare që jam nga Elbasani. Është hera e parë që unë jam tek ju. Por Partia Socialiste është partia e fitores. Dhe unë si juriste do t’i qëndroj pranë halleve të atyre njerëzve. Se Partia Socialiste ka vizion të qartë....
....po, po, atë po them. Ja sa ta mbaroj. Mirë, mirë, ja të mbarojë Albana në mos...”

“Unë jam Albana Vokshi. Kandidoj për Partinë e Reformave, për partinë e NATOS, për partinë e BE-së, për partinë e zhvillimit, të rrugëve, për partinë që do më çojë në Kosovën e origjinës, për partinë që e duan të gjithë ndërkombëtarët, për partinë demokratike, që është e vetmja parti me integritet”

“Albana, ç’do të thotë integritet”?

“Unë zonja Olta kam ardhur këtu të shpalos besimin tim të patundur se Partia Demokratike nuk është parti e ndërtimeve apo e dështimeve si partia jua. Partia Demokratike e ka futur këtë vend në NATO...dhe...dhe....dhe....”

“O Albana, Shqipërinë në NATO nuk e ka futur Partia Demokratike. Anëtarësimi në NATO kalon nëpër disa procedura që kanë filluar që në vitin 2000, ka pasur hapa dhe takime pa fund, e një ditë anëtarësimi do të ndodhte. Juve ju ra fati që të ishte në mandatin tuaj, kaq, por kjo nuk është aspak merite e partisë suaj. Ndonjë gjë për Durrësin do bësh ti? Apo do vazhdojmë të flasim për PD-në, ë Blendi?”

“Jo, zonja Kryemadhi, ja do kthehem edhe tek ju. Zonja Xhacka?”

“Albana, nuk na e tregove ç’do të thotë integritet...Megjithatë, po të them se ky popull është lodhur nga fjalët e veprat që ju as vetë nuk i kuptoni. Ju zonjë keni dështuar në mbajtjen e premtimit tuaj për të rritur shpenzimet për arsimin, që akoma zënë 3.4 % të GDP-së, dhe kjo është tre herë me e ulët se mesatarja e rajonit. Nëse flisni për rritje rrogash, lini mënjanë e nuk përmendni rritjen e çmimeve, të taksave, të papunësisë, të vështirësisë së integrimit brenda vendit, e jo më jashtë tij. Nejse, disa gjëra fillimisht duhen kuptuar, para se të marrësh mundimin të flasësh për to...”

“Avash një herë ti Olta, avash. Cilin arsim thua ti? Ne kemi ndërtuar 7 mijë e pesëqind e trembëdhjetë shkolla, kurse ju keni shembur pesë mijë e dyqind kopshte e hapësira publike për të ndërtuar pallate. Ne nuk flasim më për shkolla. Ne e kemi synimin aq larg sa juve nuk ju shkon as mendja. Ne flasim për internet moj, internet në çdo shkollë, në çdo shtëpi, në çdo kopsht, në çdo çerdhe. Ku të thojë kryeministri, atje do vejë interneti. Ja kështu!”

“Më falni, më falni...Unë për vete, unëëëëë.....Ok, Faleminderit. Unë jam kandidate për Partinë më të qëndrueshme dhe më të vërtetë në Shqipëri që nga viti 1991. Kjo është Partia Republikane, dhe unë jam tërësisht e nderuar që do iu jap shansin të gjithë Alidemsave të votojnë për mua. Shyqyr që kanë edhe ata një alternative të mirë. Se unë alidemse jam vetë, dhe Partia ime e don fort Ali Demin. Shumë fort”

“Bravo ju qoftë. Erdhën tre minutat e mia Blendi? Rrofsh. Ta filloj me Albanën. LSI mendon se vërtet Partia Demokratike ka bërë disa investime që nuk duhen mohuar, por rruga Durrës-Kukës nuk është i vetmi hall i shqiptarëve. Kandidatura që keni vënë ju është e pavlerë, sepse ty në Durrës nuk të njeh njeri si shpëtimtare apo si hall-zgjidhëse. Shqiptarët akoma besojnë se deputeti është personi të cilit ata duhet t’i drejtohen për ndihmë që nga çështjet politike, deri tek hallet që kanë për ujin e vaditjes apo mungesën e dritave. Pra, kandidati duhet të ketë lidhje të ngushtë me zonën ku kërkon votat.

Njëlloj është konstatimi edhe për zonjën Doda.

Kurse Shegushit dhe Oltës do i thoja se Partia Socialiste është po aq fajtore dhe dështake sa Partia Demokratike, sepse ajo ka qenë palë me Sali Berishën, dhe së bashku i keni kaluar në parlament ligjet antireformë, ndryshimet në kushtetutë, deformimet në kodin zgjedhor, ligjet për blerjen, shitjen apo shfrytëzimin e Shqipërisë. Të gjitha i keni bërë bashkë. Edhe heshtjen kur duhet të flisnit. Dhe nuk ka qenë PS, por ka qenë LSI opozitarja e vetme e Sali Berishës”.

“Ti Monika nuk di çfarë flet. Se Partia Demokratike nuk ka kaluar asnjë ligj kundër interesit të shqiptarëve. Sali Berisha është njeriu më i afërt i halleve të këtij kombi, po më shumë është zgjidhësi i tyre. Ja kështu!”

“O Albana, o Mesila, po boll folët në të njëjtën kohë. Po prit, prit. Po dëgjoni njëra-tjetrën të paktën...Po zonja Xhacka”

“Nuk është e nevojshme që të bësh rezyme të gjërave të pavërteta që pretendon se ka bërë partia demokratike, pasi këto dy zonja e bëjnë shumë më mirë se unë këtë përmbledhje dështimesh. Dhe partia demokratike ka ditur të zgjedhë me kujdesin më të madh personazhet që do ta prishin me përsosmëri imazhin e saj.

Doja vetëm të thoja se shqetësimi im primar lidhet me politikat që do të ndikojnë tek e nesërmja, tek e ardhmja që do të jetohet pa prezencën e atyre që sot marrin vendimet për interesa të çastit dhe tërësisht vetjake. Arsimi është plagë dhe investimet në bujqësi të zhdukura. Prandaj mendoj se alternativat dhe llogaritë duhen bërë me laps në dorë e me konsultim ekspertësh teknike, jo me bindje partiake e me demagogji.”

“Nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë. Hm. Kush je ti moj Oltë, që dike të flasësh për alternativat. Se PS-ja, se PD-ja, se unë.....kurse ti...PD-ja thashë!”

.....e ndërrova kanalin. Por Olta Xhacka i mori të gjitha pikët e mia, edhe pse Partia Socialiste më duket shumë e sëmurë.

Ama edhe nga kjo përballje, vazhdova të ndjej çudinë e ngjashmërisë që kanë përfaqësuesit e të dyja palëve në debat. Jo me njëri-tjetrin, por brenda sojit.

Xhacka dhe Ligori me zë më të ulët, kontroll të vetvetes, siguri në subjektin për të cilin flasin, të gatshme të lëshojnë pe në bisedë, asnjëherë të deformuara në fytyrë, me një vetë-përmbajtje të arrirë, edhe pse të vështirë në debat.

Doda dhe Vokshi, me gjestikulacion të shtrembëruar, dëgjim me shpoti, dorën sipër lartësisë së hundës, zërin në garë për ta pasur edhe mbi zërin e tjetrës, jo më të kundërshtareve përballë; argumentet të gjitha vërtiten rreth NATO-s e Sali Berishës, aspak origjinalitet, por gjithë arrogancë në debat, me një vetëbesim që ngjan më shumë fatkeq sesa i sëmurë.

Kryemadhi dhe ajo e PR-së mbushën mirë sipas kërkesave.

Mirë, unë nuk votoj në Korcë, as për PS-në, por të paktën Xhacka më në fund më dha një ide se si duhet të jetë njeriu (në këtë rast, femra) për të cilin duhet votuar në 28 Qershor.

19.5.09

Requiem Æternam

Më pëlqen ta kundërshtoj veten. T’i bëj gjërat se prapthi nga ç’më këshillon ajo. S’më ndodh shpesh, ndaj nuk u mendova gjatë (s’u mendova hiç në fakt, se më kanë thënë se nuk më shkojnë mendimet), edhe njëlloj si 10 ditë më parë, sapo alarmi i celularit filloi të bjerë, e pashë veten në këmbë.

Tirana akoma nuk ishte zbardhur. Rrugët ende të shkreta e të pashqetësuara, përveç dum-dumeve që do shpërndajnë sot fruta-perimet dhe makinës sime, që po kënaqet duke përshkuar të verdhë pulsuese në çdo semafor. Ora 05.00 e mëngjesit në unazë.

Në 05.45 në Laç. Rroftë qeveria e rrugëve!

Në pjesën hyrëse kanë shtrirë nga një polic betoni në çdo 10 metra. Më thërrmijëzuan rekordin. Ama tek kodrina ku fillon ngjitja për tek kisha e Shna Nout, mbërrita në orën 06.00 a.m.

Doja të nxirrja atletet e mia heroike. Por rruga ishte shumë e bllokuar nga vendasit që po ngjiteshin duke mbartur topa, tullumbace, varëse, rroba, këpucë, korniza, biskota, pije freskuese, fara, kaseta, gazeta, ujë e qirinj nëpër duar. Ora është akoma 06.00 e mëngjesit, por ata duket sikur janë gdhirë duke pritur besimtarët. Apo vizitorët? Kërkuesit e shërimeve, shpëtimeve, shpërblimeve. Të merituara (sipas gjithsecilit).

Para meje një makinë me targa TR. Qenkan ngritur më herët se unë. Më para një tjetër makinë TR. Paskan hall më të madh. Në krye një vendas me targa Laci. I besoj idesë se duhet lënë të vazhdojë në krye. E njeh rrugën më mirë. Por po ecën ngadalë. Shumë. Jo se është e vështirë rruga. E kanë shtruar më mirë se unazën. Por para ka makina të tjera. Dhe shumë njerëz.

Dikur kodra ishte shumë e pjerrët dhe vargu i njerëzve ecte zbathur deri në kishë. Ashtu kishte shkuarr deri në majë edhe shenjti vetë. Sot, përveç shkëmbit të lëruar dikur për makinat, paskan shtruar me çimento edhe rrugën e këmbësorëve që bie më diagonale dhe më prerë se ajo e makinës. Pra, nuk ia vleka as të vesh atletet, as të heq këpucët.

Ok. Gaz? Jo, pjerrët dhe njerëz. Në oborrin e pasim të kishës nuk ka asnjë vend për parking. Furgona, makina, të reja, të vjetra, shofera e shofere që djersijnë se nuk dinë ku ta kthejnë makinën. E lë përballë kryqit të madh që është në majën më të lartë. Deri atje makina nuk arrin, por të paktën e sheh. Mbase lutet edhe ajo.

Shumica e njerëzve janë nga Tirana. Të ardhur ndodhta; dhe të rikthyer këtu për mëngjes. Vajzat me taka. Meshkujt me kokën poshtë.

“Beni and Alda forever”; “Tani zemra ime”; ‘Fëmijët e Verës”; “Soni, ti amo”...Bojë spruco e hedhur gjithandej në gurët dhe shkëmbinjtë jashtë kishës. Shkrimet mbi to dëshmojnë besimin e patundur se lutja nuk është vetëm për shenjtin, por për këdo që ka mundësi t’i thotë Zotit ndonjë fjalë të mirë për nevojtarët.

Shna Nou thonë se ka ardhur këtu shkarazi, edhe me siguri do i dalë koha të vijë t’i lexojë këta emrat. Kurse në kishën e tij në Padova, s’lexova ndonjë lutje të ngjashme as jashtë, as brenda kishës.
Më erdhën ndër mend të njohurit e mi nga Goa, që cdo të martë maji shkonin në kishë, kurse 13 Qershorët i ndanin midis Padovas dhe Portugalisë, ku thuhet se shenjti ka lindur e jetuar para se të bënte një vizitë mbi Lac.


Në hyrje të kishës radha është deri tek shkalla më e largët e saj. Nuk ka mundësi. Është akoma shumë herët për të qenë kaq plot. E martë vërtet, dhe të martat e mrekullive për të shëruar kokën, shpirtin, mendimet, sharjet e komshies, papunësinë e djalit, beqarinë e vajzës, zënkat me kunatën, inatet me kunatin, syrin e keq të shoqeve, sytë e plasur të shokëve, po iu vjen fundi. Edhe duhen bërë tre të marta radhazi që lutja të zërë vend. “O Zot, ki pak kujdes në kutitë e votimit në 28 Qershor”.

“Edi, kthehu sa më parë”

...Se besoj ta kenë me Edin e Tiranës atë shënim të shkruar me bojë të kuqe tek shkëmbi që po çajnë për të bërë vendin e ri të meshës! T’i ketë ardhur nami deri këtu?

Ndonjë emër tjetër të dyshimtë nuk ka. Çaj grumbullin e njerëzve. Nuk kam as foto apo rroba në duar, as fjalë në gojë, as kërkesë në mend. Pa shqetësuar vargun e njerëzve që vazhdojnë të godasin siç e mbaj mend që herën e parë, statujën e Shna Nout me lekë hekuri. “Shejti Shna No, na ndihmo...” dhe gëdap, monedhat mbi statujën me fëmijë në krah, që e kanë vendosur aq lart enkas për të mos u arritur, për të mos u prekur, puthur apo adhuruar në mënyrë pagane.

In nómine Patris et Fílii et Spíritus Sancti.
Glória Patri, et Fílio et Spirítui Sancto. Sicut erat in princípio, et nunc et semper et in sæ´cula sæculórum. Amen.

M’u duk më i penduar Krishti i sotëm në kryq. Të jetë lodhur nga hallet e gjithë këtyre njerëzve që nuk ngrihen nga gjunjëzimi para tij?

“Unë s’dua të jem egoiste o zot, po pasi të më kesh plotësuar nja katër a pesë nga dëshirat që të thashë, të lutëm mos i zër ato 21 vendet në parlament ku duhen të ulen femrat. Për të pasur kemi boll. Lër edhe nja 30 bosh për të rinjtë. Dhe të lutem, gjej një nuse për Edi Ramën e një librezë pensioni për Sali Berishën. Faleminderit”.

Jashtë dielli akoma nuk ka ardhur në këtë anë të malit. Makinat po shtohen. Njerëzit në këmbë gjithashtu. Ka një ndryshim mes tyre. Në këmbë janë ose vendasit, ose të ardhurit me furgona. Duken në lëkurën e fortë të fytyrës dhe flokët e gjata, tw ashpra e tw ndara në mes. Në dorë, përgjithësisht mbajnë rroba dhe foto.

Në zbritje, një tufë grash po rropateshin të gjenin një copë mali të pashtruar apo të pazënë nga kioskat prej dërrase, që të ecnin në këmbë e të bënin grumbujt e zakonshëm me gurë. Akoma nuk e di përse duhen.

Nuk dua molto. As biskota. As cubukw. Jo, as patatina. Rrugën, po e hapët dot, mirë do ishte.
Në kthinën e ngushtë një kalimëshe ku ngecin e ecin një metër para e tre mbrapa një varg i tërë makinash, kanë ardhur dy policë. Dy punonjës policie në fakt. Me pak mund e përpjekje, po e vënë në fill trafikun.

Në daljen për në autostradë, laçianët kërkojnë të drejtën e rrugës. S’e di nga e kanë gjetur, po më mirë ta kishin shkruar tek shkëmbinjtë e kishës, sesa tek ura e mbikalimit që po iu ndërtohej. Më shpejt do ishte dëgjuar.

Në Tiranë në 07.40 a.m. Dëgjoj në radio se Adi i Big Brother është përfshirë në listat e G99-ës. E thotë një burim i sigurtë dhe sekret. Pas tre minutash, burimi kupton se sekretin e tij e kish marrë lumi e e kish çuar tek Panorama.

Për tjetër gjë iu luta Zotit, tjetër më bëri të dëgjoj. Shkova në radio të verifikoj lajmin. Përcjellësi më bëri be e rrufe se ishte vërtet Adi dhe jo ai që i është shtuar listës së G99-ës. Nuk më tregoi nëse e kanë bërë për inat të Qetsorit. Përkundrazi. Më pyeti madje përse nuk e kam ndarë akoma mendjen për votën time të 28 Qershorit.

S’e di akoma. Duhet të shkoj çdo të martë në Laç për 10 apo 20 vitet e ardhshme, deri sa kryeministri të ketë jetë, shëndet e mend për politikë.

Sicut erat in princípio, et nunc et semper et in sæ´cula sæculórum – ose shqip, “Selanik e përpjetë, kështu ka qenë, kështu mos mbettë”

Amen!

14.5.09

Karaburuni – the other side

Mëngjesi i ngjante pamundësisë. Vërtet u ngrita që sapo alarmi i ëmbël i celularit filloi të bjerë në orën 05.00 fiks, po qepallat nuk më bindeshin, edhe pse ashtu përgjumësh mundohesha t’i jepja krahë synimit tim për të bërë ekspeditë.

Makinën e lamë aty ku as nuk shkonte dot më, e as nuk i lejohej të ngjitej më sipër.
Në shpinë çantat e piknikistëve. Në këmbë atletet që mezi i nxora nga arkiva shumëvjeçare.

Gadishulli fillon i ashpër që në rrëzë të tij. Pas pjerrësisë së 100 metrave të para u ndjeva e sfiduar. Po ja, edhe ca hapa, edhe ca, edhe caaaaa....pastaj të ulem vetëm pak....

Por nga “pak”, u bë një orë rrugë duke ngjitur prerë të përpjetën në Sedovinë. Poshtë saj këneta që mban të mbytur Orikun, qytetin e lashtë ilir, bashkë më mbretëreshën Rugjinë, që thonë se e mallkoi qytetin e famshëm të lashtësisë e u mbyt edhe vetë bashkë me të, para se të binte në dorë të romakëve.

Përbri majës së parë të ngjitur, në këmbët e saj duket Kisha e Marmiroit, mbi një kodrinë, rrethuar nga gropa të mëdha plot ujë e zhuka. Është e vetmja ndërtesë që i ka mbijetuar mbytjes së Orikut të vjetër.

Pas dy gllënjkave çaj të ftohtë, kur ora shënon akoma 06.00 ( e në këtë orë do isha në gjumë për kokërr të qejfit në Tiranë), rifillon ngjitja. Në Dushk pjerrësia bie disi. Frymëmarrja rregullohet e sytë kanë kohë të vështrojnë bazën e Pashalimanit që fshihet pas çdo maje të kapërcyer. Vija ndarëse midis kënetës dhe detit duket akoma po aq qartë sa terreni që këneta ka filluar të zaptojë qëkurse pompat dhe kanalet kulluese nuk funksionojnë më në luginë.

Ana e dukshme e Karaburunit, faqja që sheh nga brenda gjirit të Vlorës, është shumë e zhveshur. Në Lical kalojmë pyllin e vetëm të faqes, që përshkohet për pak minuta. Rruga është shumë e ngushtë. Duket që ka kohë të gjatë pa u shkelur edhe nga banorët e zonave përreth.

Teksa dielli është ngjitur goxha mbi Akrokrenaunet përballë, në kahun tjetër të gjirit, ulemi të bëjmë pushimin e parë ushqimor. (në Tiranë do isha akoma në gjumë si fundjavë që është, ose maksimumi do isha duke pirë kafen e mëngjesit). Përveç çajit, dalin edhe shishet bosh që i drejtojmë tek rezervuari i vogël në shteg të Lekgjinit. Tashmë ndodhemi gati 800 metra mbi nivelin e detit. Nuk ka se si te ketë ujë në këtë majë mali buzë detit. I gjithi është 800 metra poshtë. Por, i miri gjyshi im e ka ndërtuar që në 1940-ën këtë pus. Ka vendosur edhe sitë e filtra dhe uji i shiut grumbullohet e kullon aty.

Dikur ishte i vetmi burim uji për banorët e paktë.

Kjo është maja e dukshme nga Vlora. Përballë saj duket tashmë Orikumi dhe Vlora bashkë. 360 gradë kthim vetëm i kokës, dhe në kahun tjetër shfaqet madhështor, i errët, i frikshëm, i bukur, i thellë dhe sundues deti Jon.

Nëse ngjitja për në majë m’u duk e pjerrët dhe e lodhshme, zbritja për në kahun tjetër shfaqej më sfiduese dhe jomiqësore nga ç’e mbaja mend. Pjerrësia është thikë. Kjo anë e fshehtë e Karaburunit, që nuk shihet dot po s’i shkove pas me anije ose po nuk vjen ta vizitosh në këmbë siç po bëja vetë, nuk është aq e zhveshur sa ana që duket nga gjiri i Vlorës. Përkundrazi. Valanidhet dhe lisat janë më të shumtë. Vende-vende sheh edhe dardhë të shartuara e fiq të mbjellë nga një njeri duar-artë që ka jetuar aty gjysmë shekulli më parë. Edhe sot këto toka kanë zot, edhe pse në Tiranë qeverive ju pëlqen të mendojë ndryshe.

Udhërrëfyesi na tregon një shkëmb të përthyer që dikur ka shërbyer si mbrojtës dhe strehëz për barinjtë që i zinin suferinat famëkeqe të dimrave detarë. Fshehur mes lisave dhe shkëmbinjve është edhe një shpellë e frikshme, që nuk dallohet fare me syrin e lirë. Gojëdhënat e zonës thonë se duhet të flasësh me zë të lartë para se të futesh në shpellë, përndryshe ajo zemërohet e unë nuk e di c’të bën në kësi rastesh, se nuk e kam provuar.

Brenda saj duken shenjat e qarta të prerjes së stalamineve. I kanë shitur më vonë si statuja natyore që pikave të ujit iu janë dashur qindra vjet t’i gdhendin në atë formë të çuditshme dhe po aq të mrekullueshme.

Udhërrëfyesi na tregon edhe disa kthina të vogla e padukshme të shpellës, ku banorët e shekullit të kaluar kanë ruajtur prodhimet e tyre të qumështit. Dhe vërtet, teksa dielli i mesditës kishte filluar të përvëlonte edhe këtë anë të gadishullit, brenda shpellës m’u desh të vishja bluzën time rezervë.

Në kthim nuk ma hëngri dot syri të përpjetën. E pasi i humba të gjitha shanset që edhe ndonjë nga gurët që gjuaja unë të binte mbi blunë e patrazuar të Jonit vetëm 10 metra më tutje, vendosëm që për në kthim në përshkonim rrugën e ushtarëve. Kjo është rrugë e re. Ka vetëm 60 vjet që është hapur. Në fakt nuk është rrugë. Janë thjesht harca e gurë me majë të shkelur më shpesh se të tjerët kur partia udhëzonte një patrullë të nisej nga komanda e Brisanit në Karaburun e tjetra të nisej nga gjiri i Gramës afër Dhërmiut; të bënin secila palë nga tetë orë rrugë në këmbë në shi, borë, diell e suferinë; të siguronin njëri-tjetrin se asnjë armik e asnjë diversant nuk e kërcënonte këtë anë të harruar të malit, edhe ne bashkë me Partinë të flinim të qetë.

Që nga shpella e Dukgjonit e deri tek gjiri i mrekullueshëm i Brisanit rruga është buzë detit. E shtruar për të kaluar makinat e ushtrisë që kanë sjellë betonin për të ndërtuar brezaret me bunkerë. Poshtë tyre, Joni është thellësisht blu...dhe bregu i tij kërcënues. I thepisur, me gurë me maja të mprehta, me një mol të shkatërruar nga dallgët e dimrit, poshtë një pike studim-vrojtimi që në 40 vjet nuk gjurmoi dot asnjë mizë.
Thellësia në breg është direkt tek 10 metrat. Thellësi mashtruese. Dy ushtarë janë mbytur në këtë blu-jeshil të paqtë, duke kujtuar se bregu i detit është gjithandej i njëjtë, edhe nëse nuk di mirë not.
Tek shkelim me këmbët përdredhur mbi degët që pengojnë rrugën e patrazuar prej vitesh, shohim edhe bunkerët e pafund, të fshehur shkëmbinjve e të maskuar pas drurëve. Tonelata të tëra me beton....mbi një ballkon të lartë e të pangjitshëm mbi det.

Bregu i thepisur krijon valëzime të tëra gjinjsh të vegjël e të mrekullueshëm shkëmborë. Por asnjëri nuk është aq i bukur, i butë, i kapshëm dhe miqësor sa gjiri i Brisanit. Sipër tij, ngrehinat e ish bazës ushtarake. Provë e gjallë e meritës për Shqipërinë në NATO.

Shkallët shkëmbore që të cojnë në
det janë vërtet të larta. Por vetëm në disa sekonda gjendesh në rërën e hollë e të pashkelur. Uji është kristal. Dielli përballë. Gjiri i rrethuar gjithë naze nga të tre anët e tjera. Temperatura është vetëm 21 gradë. Data 9 Maj. Por nuk ka asnjë arsye të frenojë tundimin e ftesës që të bën ky det.

Uji pret brisk, por ëmbël. Dëgjohet vetëm zhurma e lehtë e valëve dhe fëshfërima e lisave mbi shkëmbinjtë vetëm pak metra larg rërës.

Kjo paqe e rreme nuk i përket askujt. Gjumi i Jonit zgjat vetëm pak muaj këtu. E gjatë tyre askush nuk bën 6 orë rrugë në këmbë për të ardhur nga Pashalimani. Nuk është as e lejuar. Prandaj është kaq ëmbël.

Pas rrezeve të hersh
me e të vona verore e pranverore, ngre sytë për në majën që duhej ngjitur sërish. I ramë nga ky krah si më pak i pjerrët....

....dhe pasi kam ringjitur atë majë në përfundim të 12 orëve rrugëtim, gjithë thirrjet për ndryshim më duken pupla që i merr lehtë me vete flladi i lehtë që fryn në gropa të Rodostanit.

Nuk e di pse quhet gropë ai vend. Realisht është një fushë e madhe dhe e vërtetë në majë të Karaburunit. Grumbull në mes të tij janë muret e një shtëpie të nisur atëherë kur partia filloi të grumbullojë njerëzit dhe bagëtitë në zona të kalueshme. Po ashtu, edhe një varg lisash e blindash të ngulur për vreshtin e për kosheret e shumta të bletëve që nuk u lanë rehat.

Kur dielli po fshihej pas Karaburunit, unë shkela mbi barin e njomë e të shpeshtë nga shirat e shumtë të këtij dimri të gjatë. Përtej kanalit të mbushur me ujë kënete të rizgjuar, më priste makina. Për të më çuar në zemrën e Europës, në Tiranë.

Pas tre ditësh që thish pa pushim gjithë pluhurin që lëshojnë maune, kamiona, karroca, njerëz, pallate, qendra tregtare, ndërtime, makina, rrugë, politikanë, mushka e gomerë me nga dy e me nga katër këmbë, akoma muskujt më dhembin e janë në gjendje të përballojnë frymë-shkëmbimin e tjetërsuar pas rrugëtimit 12 orësh në Karaburun.

Jo më kot ana tjetër e tij është e padukshme për çdo sy.