23.12.08

Gëzuar të gjithëve

Gëzuar Krishtlindjet.

Së pari vetes. Jashtë modestisë. Brenda detyrimit që i kam për të qenë e butë me të këto ditë që me ndjejnë më shumë se i ndjej.

Gëzuar ty, që u mundove të më japësh paqe.
Edhe ty, që nuk u lodhe së më dëgjuari.
Edhe ty, që me aq padurim ndave buzëqeshjet me mua.

Gëzuar krishtlindjet për ty që më ke lexuar. Edhe për ty që më ke komentuar.

Gëzuar për të gjithë ju që keni klikuar mbi mendimet e mia të gërmëzuara.
Gëzuar edhe atyre që më shumë germa më shtynë të nxjerr.

Gëzuar miq, të dashur e të shtrenjtë.

Gëzuar ju që morët vendime për mua, edhe pse nuk jam shumë keq në marrjen e vendimeve vetë.

Gëzuar ti që kuptove fjalën time. Edhe ti që akoma nuk e ke kuptuar atë.

Gëzuar ti që je lodhur nga shkrimet e gjata. Edhe ti që një yll ke vënë për të balancuar inflacionin e pesave.

Gëzuar të gjithë ju që e keni marrë me ngadalë këtë sezon festash.
Gëzuar edhe ju që prisni shumë prej tij.

Gëzuar shtëpizës sime, familjes, motrës, edhe tjetrës. Nipërve të mi engjëj për këtë krishtlindje. Gëzuar të gjithëve atyre që mund t’ju them “gëzuar”.

Dhe janë shumë. Vërtet më shumë nga c’mendoja.
Gëzuar peshq, libërtha, kolegë, (konstruktivë e jo dhe aq).

Gëzuar kamarierë e banakierë që më keni dhënë kënaqësinë të shijoj mrekullueshëm traditën shqiptare (e jo shqiptare) në këtë vit të ngarkuar me festime.
Gëzuar kujtdo që ka sjellë qoftë edhe një lëvizje të vogël muskuli në fytyrën time, për ta mbajtur atë të qeshur edhe kur nuk doja.

Gëzuar të gjithëve në vendet, rrugët, qytetet, shtëpitë, familjet dhe njerëzit që kam takuar këtë vit.

Gëzuar, bekuar e ditë të mrekullueshme për ju të gjithë.

Gëzuar t_red, që më vodhe identitetin, por që më dhe kënaqësinë të të them gëzuar në vetën e dytë :D

Miq, jeta është e bukur nën petkun e festave, të dashurisë, mirënjohjes, respektit dhe buzëqeshjeve pa fund.

Gëzuar!

21.12.08

Festivali

Po iu hidhja një sy lajmeve nga Shqipëria. Pashë listën që do na nxjerrë sërish këngën përfaqësuese për në euro-skeçin e muzikes.

Buzëqeshja është falas!

Gezuar!

1. Group West Side Family - Jehonë (Echo) (Dr. Flori, Dr. Flori, Klodian Qafoku)
2. Soni Malaj - Zona zero (Zone zero) (Florian Mumajesi, Florian Mumajesi, Enis Presheva)
3. Juliana Pasha & Luiz Ejlli - Nje jetë (A life) (Shpetim Saraçi, Turian Hyskaj, Shpetim Saraçi)
4. Kujtim Prodani - Nostalgji (Kujtim Prodani, Kujtim Prodani, Agim Doci, Ilirjan Mihali)
5. Emi Bogdo - Kur buzet henen e kafshojn (When the lips bite the moon) (Emi Bogdo, Klodian Qafoku, Leonard Bombaj, Klodian Qafoku)
6. Erga Halilaj- Dikush mungon (Someone's missing) (Kristi Popa, Florion Zyko, Kristi Popa)
7. Marjeta Billo - Era e tokës (Scent of the earth) (Adrian Hila, Pandi Laço, Adrian Hila)
8. Adelina Thaci- Oret e fundit (The final hours) (Alfred Kacinari)
9. Rovena Dilo & Gent Bushpepa - S'jam balade(Armend Rexhepagiqi, Aida Baraku)
10. Dorina Garuci - Dite 1 jetë (Life one day) (Dorian Nini, Pandi Laço, Dorian Nini)
11. Endri & Stefi Prifti - Ti bere faj (You made the fault) (Josif Minga, Skender Rusi, Adrian Hila)
12. Kejsi Tola - Më mërr në ëndërr (Take me in your dreams) (Edmond Zhulali, Agim Doçi, Edmond Zhulali)
13. Era Rusi - Shpirt i humbur (Lost soul) (Arsen Nasi & Bledar Skenderi, Irma Libohova, Arsen Nasi)
14. Julian Lekocaj - Nuk Je Ti (You aren't) (Julian Lekocaj, Julian Lekocaj, Alfred Kacinari)
15. Shpat Kasapi - Aromë mediterane (Mediterranean aroma) (Gent Myftarai, Pandi Laço, Gent Myftarai)
16. Evis Mula - Unë jam dashuria (I am love) (Luan Zhegu, Agim Doçi, Saimir Çili)
17. Group Burn - Jam I Pari I Jettes Sime (I'm the first of my life) (Stivart Cela & Renis Gjoka, Big Basta, Gent Myftarai "Burn")
18. Vedat Ademi - Po me prite - (You waited for me) (Kledi Bahiti, Alban Male, Roland Shira)
19. Agim Poshka - Fajtor për ngrohjen globale (Guilty of global warming) (Agim Poshka, Olsen Maze, Agim Poshka)
20. Besa Kokedhima - Ajer (Air) (Besa Kokdhima, Alban Male, Olti Curri, Alban Male)

18.12.08

2008 në skanim

Nuk do flas për Obamën, për Spanjën në Euro 2008 apo për lojërat olimpike të Pekinit.

Përmbledhja është më e brendshme.

Kosova shpalli pavarësinë, i dëbuan UNMIK e i sollën Eulexin. Shqipëria ka marrë ftesën për në NATO, por akoma nuk ka gjetur asnjë fajtor për shpërthimin e Gërdecit. Në depon e atjeshme të çmontimit të armëve vdiqën 27 persona, kurse onkologjiku ka shënuar 300 të vdekur nga kanceri.
Organizata botërore e Shëndetësisë thotë se një përqindje e lartë kësaj sëmundje shkaktohet nga ekspozimi i të sëmurit ndaj pesticideve, helmërave dhe ndotjes së ajrit. As për këtë nuk ka akoma fajtorë. Jo vetëm kaq, por askush akoma nuk e kupton se në c’mjedis po jetojmë në 2008-ën në Shqipëri.

Jo vetëm shëndetësisht, por edhe politikisht.

Një serbo-boshnjak solli vërdallë prokurorinë, qeverinë, presidencën, median, popullsinë e ç’gjeti përpara në Tiranë.

Më tej, e veja e ish- diktatorit bëri lëmsh analistë, politikanë, inatcorë e veteranë me një dalje teka-plotë në ekran. Me të gjithë këta u mor media; kurse me vendimet që fshihen pas firmosje së kontrateve me italianët për parqet e qymyret, jo!

Ministri i mjedisit na tha se ne jetojmë në një nga zonat me ajër më të pastër në Europë. Kurse sipas bashkisë në Tiranë kemi 4.5 m2 gjelbërim për person.

Përsa i përket financave, buxheti solli risi në kalimin e copës më të madhe në një rrugë që doli shumë e babëzitur, e në vend të fundit u la arsimi, që ka marrë të poshtën pa asnjë frenë.

Sipas kryeministrit, “paratë dhe bankat tona janë shumë të sigurta”, pavarësisht krizës financiare që ka pllakosur në botë. Pas ndeshjes me Milanin në Tetor, ai na siguroi se fitorja e Tiranës ishte e para fitore në vazhdën e madhe që pritet ta përcjellë maxhorancën deri në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009.

Të tjera zhvillime që ngelen për t’u shënuar gjatë 2008-ës:
Presidenti ktheu mbrapsht kodin e konsensusit më të madh parlamentar; Edi Rama u bë dy herë mik me Sali Berishën e po planifikon të bëhet edhe me Ilir Metën; Presidenti Topi guxoi të tregojë respekt për institucionin dhe përgjegjësinë që ka; Berluskoni erdhi në Shqipëri, hodhi ca firma për ca gjoja investime që do ikin andej nga do vijnë.

Karaburuni, Llogorja, Fieri, Durrësi e gjithë Shqipëria u vu në ankand për një euro, që s’dalin as për të blerë të drejtën për të pasur një numër fiks e jo 0900 në përfaqësitë italiane në Shqipëri.

Ministrin e jashtëm e veshën e e zhveshën me akuza.

Topalli ka dhënë shfaqje në parlament e në Kuvajt.

Në organizmat sportive kemi parë mungese totale sportiviteti e fisnikërie. Kadarenë, nënë Terezën e madje edhe Skënderbeun na i c’mititizuan që nga themeli. Krimi brenda familjes ka zënë vendin e parë në krime e në transmetime mediatike, duke e përhapur kështu edhe më shumë fenomenin e keq.

Në ekran kemi përditë e çdo orë reklama ku na tregojnë metrat e rrugëve të shtruara, veprave në ngritje e ndryshimeve që vetëm ne nuk i shohim. Kodi elektoral akoma nuk e ka kaluar klasën.

Politika dhe ekonomia
Raportet zyrtare këtë vit folën për zhvillim të dukshëm ekonomik; tërheqje të investitorëve të huaj; rritje të GDP-së me të paktën 6% (që është një ndër më të lartët në Europën Lindore). Ca thonë 9.9 %, po po zëmë se nuk e kemi dëgjuar.

Në këtë vit pararendës zgjedhor publiku po mbingopet me informacion të pakontrolluar. Por, qeveria e sotme mund të ngrejë me të drejtë pretendime për disa arritje që jo vetëm janë të matshme, por edhe të prekshme. Për shembull, nga një vend me të ardhura të ulëta, tashmë Banka Botërore na klasifikon tek vendet me të ardhura mesatare. I njëjti institucion u tregua zemërgjerë kur në fillim të Shtatorit e renditi Shqipërinë në 10 vendet e para që krijojnë lehtësira për legjislacionin dhe funksionimin e biznesit.

Sipas informacioneve të qeverisë dhe raportit të BE-së për progresin, Shqipëria në një farë mase e ka luftuar korrupsionin, ka ulur taksat, ka “zvogëluar” administratën qeverisëse, dhe ashtu siç pohon edhe Banka Botërore, janë miratuar një sërë ligjesh dhe aktesh që favorizojnë biznesin.

Për fatin e kësaj qeverie, rastisi në periudhën e saj që Shqipëria të marrë ftesën për në NATO (pavarësisht i kujt është interesi apo merita) dhe pozitarëve të sotëm ju pëlqen të thonë se vitin tjetër Shqipëria do të aplikojë edhe për anëtarësim të plotë në BE.

Nga ana tjetër, ekonomia po ecën me hapa sa të mëdhenj, aq edhe të padukshëm për syrin e lirë. Për 125 milionë euro, naftë-nxjerrësi Armo u shndërrua në AMRA-n amerikano-zvicerane. Albtelekomi po ashtu ndërroi kombësi dhe KESH-i është në fushën e pingpongut.

Ndërtimi ka shpërthyer në të gjithë krahët duke ngelur pika kyçe e zhvillimit të sotëm ekonomik.

Një tjetër investim kolosal që ka zënë jo pak vend në zhvillimet politike dhe ekonomike vitin e fundit janë 600 milionë eurot dhe më pak se 200 kilometrat rrugë që do ta lidhin Shqipërinë me Kosovën.
Po sipas qeverisë, investitorët e huaj po tregojnë edhe interesa të tjera.

Italianët e Enel-it shtinë në dorë Karaburunin. Austriakët e EVN-së akoma kanë ndër mend të ndërtojnë hidrocentrale. Pas grekëve, shqiptarët e spanjollët janë në garë për të ndërtuar fabrika çimentoje.

Interes tjetër i shfaqur rishtas këtë vit është ai britanik për të bërë porte e ai cek për të marrë me koncesion hekurudhat.

2008 solli deficit tregtar të lartë, prurjet e emigrantëve pësuan rënie, prodhimi vendas është i papërfillshëm, ndërtimi është pa baza... pra rritja ekonomike mund të jetë fiktive?! Shumë shifra e të dhëna nuk janë fort të besueshme, prandaj entuziazmi i qeverisë ndesh reflektimin e kësaj mungese të besueshmërisë kur mundohet të shesë si arritje çdo deklaratë mini-pozitive që vjen për Shqipërinë.

Për shkak të mungesës së transparencës në shumë sipërmarrje ekonomike e politike, 2008-a i ngjan më shumë një enigme, sesa një pakoje plot dhurata e arritje, siç shohim të na mbushin mendjen reklamat nëpër televizione.

2008- është më shumë viti i sekreteve të hapura sesa ai i arritjeve të mbyllura, të përfunduara e të mirë-koordinuara.

Ja Gezuar!

14.12.08

Pushteti i manipulimit

Presidenti ktheu mbrapsht kodin e konsensusit më të madh parlamentar; Ilir Meta ka ftuar për bisedime Edi Ramën; Edi Rama flet për ftesat e Metës, Berishës e kujtdo që mund t’i sigurojë pushtet zgjedhjet e ardhshme; Topi iku në Itali e Berluskoni erdhi në Shqipëri, hodhi shtatë, dhjetë apo shtatëdhjetë firma për ca gjoja investime që do ikin andej nga do vijnë; Karaburuni, Llogorja, Fieri, Durrësi e gjithë Shqipëri u vunë në ankand për një euro, që s’dolën as për të blerë viza në konsullatat dhe ambasadat italiane të numrave me 0900; Eulexi erdhi në Kosovë; Basha nuk ka vajtur akoma në prokurori; Topalli s’është dakord as publikisht me Topin për asgjë; në zgjedhjet e Komitetit Olimpik Shqiptar pati grusht të klasit të parë; Skënderbeu po ç’mitizohet që nga rrënjët; 8 Dhjetori solli Bajram e festa rinie bashkë; në revoltat e Greqisë për herë të parë nuk është i përfshirë ndonjë shqiptar; po dy të tillë u vranë në Shkodër “për motive të dobëta”; kryeministri del në ekran të paktën një herë në orë; kandidati për kryeministër nuk del aq shpesh, se akoma nuk e nxë ekrani; kandidati tjetër për kryeministër po shqyrton sondazhet që sapo kanë filluar për të treguar fituesit e mundshëm në zgjedhjet e ardhshme, dhe vëren se partisë së tij do t’i duhet dyfishi i votave për të fituar një deputet, në krahasim me partitë e tjera më të vockla, por aleate me më të mëdhatë.

Shumë i ngarkuar Dhjetori. Dhe akoma nuk ka shkuar në gjysmë të rrugës.

Ndër të gjitha tërheq vëmendjen loja me reklamat hipnotizuese për Shqipërinë që po ndryshon apo për Tiranën e gjelbër. Duket sikur konsensusi politik është më i gjerë sesa ai që duket për miratimin e Kodit Zgjedhor. Me kaq shumë informacion për një jetë të begatë, të lumtur, të ndriçuar, të paqtë, të sigurtë, të qetë e të gjelbër, nuk e kishim dëgjuar që nga koha kur besonim pa asnjë fije të vetme dyshimi se “Shqipëria ishte vendi më i lumtur në botë”. Manipulimi me publikun është shfaqur i njëjtë javët e fundit. Fjalët dhe shifrat e fryra depërtojnë në ekranin e çdo shtëpie duke indoktrinuar teza e iluzione abuzuese, që e fusin individin e familjen shqiptare edhe më thellë në terrin e dezinformimit.

Manipulimi dhe mungesa e transparencës janë dy nga çështjet më shqetësuese që kanë mbërthyer keq sot ekzistencën dhe natyrën e të mbijetuarit në politikën shqiptare.
Manipulimi nuk është asgjë tjetër veçse fryrja artificiale e së vërtetës; kurse mungesa e transparencës është e kundërta e saj, pra minimizimi deri në fshehje të ndërgjegjshme i të njëjtës të vërtetë.

A iu ka rënë rruga nga Shqipëria manipulimit dhe mungesës së transparencës këtë dhjetor? Duket se po, përderisa në njëri kah kemi reklama që rreken të na mbushin mendjen se Shqipëria po ndryshon aq sa as nuk jemi në gjendje ta njohim as vetë; e nga kahu tjetër, asnjë detaj nuk jepet për miliardat që u tha se do vijnë nga Agrigento (një ndër qytetet me potencial investues më të vogël në Sicili).

Sa Shqipëri ka sot? Se duket sikur udhëheqja e saj jeton në një Shqipëri ndryshe nga ajo e ftohta, pa drita, e papuna, e nëpërkëmbura mjedisisht, e abuzuara politikisht, e përbuzura europianisht.
Shqipëria në NATO, e Shqipëria pa ushtri. Shqipëria me mullinj ere e me Don Kishotë sicilianë. Shqipëria me kryeqytet të gjelbër e me beton bojë-bari. Me festë studentësh Dhjetori e kode të çuditshëm jo vetëm zgjedhorë. Shqipëri Bajramesh e Krishtlindjesh, këtë vit të dyja në Dhjetor.

Po ecën më mirë nga ç’mund ta kenë parashikuar orkestruesit e saj krijimi i imazhit të turbullt për Shqipërinë. Sa më gjatë të jetosh në të, aq më pak e kupton. E aq më shumë të lind dëshira të jesh në gjendje t’i bashkohesh shakave të kryeministrit për mos-pranimin e Edi Ramës në PD-në që ai krijoi akoma pa dalë nga PPSH-ja; të kesh guximin e ministrit për të mos i kushtuar vëmendje prokurorisë; të kesh bindjen e të majtëve se urtësia opozitare është virtyt e gatishmërinë e së djathtës për t’i besuar edhe vetë përrallat e saj.

Sa më shumë afron fundi i vitit kalendarik në këtë Dhjetor të mbushur me festa, aq më shumë të lindin edhe dyshimet për parajsën e vendit ku kriza financiare nuk ka trokitur, por bankave të huaja u bëhet thirrje të mos i refuzojnë kreditë; ku kompromiset tashmë janë masterizuar e masterat bëhen të gjitha me kompromis; ku rrugët kafshojnë sa një luan në buxhet e ku arsimi është kthyer në brejtës të papërfillshëm të tij; ku ka emisione, analiza e opinione në çdo ditë të javës e ku ke shansin më të mirë të manipulohesh pa e kuptuar aspak sa shumë dhe si.

Ka akoma edhe të tjera ditë Dhjetori. Kur të fillojë përmbledhja e arritjeve dhe listimi i sukseseve, do të jemi patjetër aq të bindur, sa mungesa e transparencës do na duket një andrallë e dalë mode. Njëlloj si dëshira për të mos e pasur vërdallë në këtë Dhjetor të mbingarkuar me manipulim.

12.12.08

Natyrë(shëm)

Në rrugën e vetme me pemë në Tiranë, era e fortë po merrte me vete gjethet e rëna të dimrit vjeshtak. Po i rrëmbente, ngrinte pezull, bënte grumbull, tërhiqte lart me uturimë, kthente poshtë në gjysmërreth të shpejtë. Po i ngrinte peshë, vërtiste rreth vetes e kthente sërish nën pemë.

C’kishte më përfshirëse se kjo marrëdhënie intensive e gjetheve me erën?

Makina frenoi gozhdë. Një femër kalonte në kahun tjetër me telefon në vesh.
Koka m’u var pak përpara.
Në grykë me ngeci shijimi i të vetmit moment të gjallë e ngjastësor.


Vorbulla e gjetheve u përplas pas xhamit të makinës.
Shijimi im u var kapërcimeve pa asnjë shtysë.


Nuk i pashë më gjethet. Rruga me pemë ngeli pas!

11.12.08

New times

A computer was something on TV
From a science fiction show of note
A window was something you hated to clean
And ram was the cousin of a goat.

An application was for employment
A program was a TV show
A curser used profanity
A keyboard was a piano.

Memory was something that you lost with age
A CD was a bank account
And if you had a 3 inch floppy
You hoped nobody found out.

Compress was something you did to the garbage
Not something you did to a file.
And if you unzipped anything in public
You'd be in jail for awhile.

Log on was adding wood to the fire
Hard drive was a long trip on the road
A mouse pad was where a mouse lived
And a back up happened to your commode.

Cut you did with a pocket knife.
Paste you did with glue
A web was a spider's home
And a virus was the flu.

I guess I'll stick to my pad and paper
And the memory in my head
I hear nobody's been killed in a computer crash
But when it happens, they'll wish they were dead.

Nuk e kam seriozisht, jo. Por me ngjiti sot kjo renditje qe gjeta diku ne net!

9.12.08

Kohë e vjedhur, konvertuar në pará pa kohë

Ora 7.30 e mëngjesit. Administrata publike paraqitet në kafene në 8.00 dhe në zyrë në 08.30, por unë po shpresoj t’i thyej hundët perceptimit tim të paudhë. Nxitoj sot, kështu që shërbimin që kërkoj do ta marr se s’bën brenda 08.30-ës. Më vonë duhet të çaj trafikun unik të Tiranës për të shkuar në zyrë. Shkurt, jam shpejt!

Pa zbritur mirë në tokë, një djalë 12-13 vjeç, më një kapuç në kokë, me majën e hundës flakë të kuqe e duart thellë në xhepa, qëndron mu përballë:

“Goce, është me lekë ky parkimi”

Kthej kokën andej nga thotë ai. Kam parkuar buzë një kanali gjithë baltë, në mes të autostradës, në të vetmin institucion shtetëror në këto anë, mes xhades dhe murit rrethues të ndërtesës. Përreth asnjë shtëpi. As vija e shenja parkimi jo.

“Me lekë? Më jep faturën?”

“E? S’kam faturë”.

“As unë s’kam kesh. Pranon cek?”

“Si the”?

“Pse s’ke vajtur në shkollë sot”?

“Po ja e kam lënë. Më ka lënë daja të rri këtu, më fitu ndonjë lek”.

“Kështu kë bërë plan t’i fitosh lekët, e? Po vitin tjetër, tjetrin, tjetrin? Lekë për parking fushash do marrësh?”

“..... po jo....ti po deshe, ta bëftë Zoti mbarë.....”

“Do ma bëjë se s’bën! Na lekët” – i zgjas stilolapsin e parë që më zë dora. Edhe ca letra të bardha. “Mbaji shënim sa njerëz do të paguajnë sot. Shkruaj edhe sa lekë do mbash ti e sa do të marrë daja. Sa do harxhosh e as do kursesh. Shkruaj në një faqe edhe se sa mendon ti e do të zgjasë kjo punë dhe cila është dita që ti do të mbaroje shkollën po të mos vije këtu”.

Më shihte i çuditur në nxitimin tim. Edhe po qeshte pak, por lekët që s’i dhashë iu dhimbsën.

Në kat të dytë të ndërtesës që nuk u hap asnjë sekondë para orës 8.00, një punonjës kontrollonte dokumentacionin.

“Ka radhë, ka radhë sot. Po me një kafe shtyhen të gjitha”

“Jo o zotëri. Kur s’i dhashë korosan atij që rri në të ftohtë përjashta, s’po të jap ty kafe këtu në të ngrohtë”.

Pres radhën. Dokumentacioni plotësohet me dorë. Fletët kalojnë nga njëra dorë në tjetrën, nga njëra tryezë në tjetrën. Të gjithë hedhin firma. Të gjithë me ngadalësinë që mundin. Asgjë nuk kompjuterizohet, edhe pse unë dhe gjithë të tjerët aty, do detyrohemi të vimë sërish këtu vitin tjetër. Dhe procedura e shkrimit me dorë do fillojë nga e para....

Bo sa nxitoj!

Pas shumë minutash lufte të heshtur mes qesëndisë dhe vrapit, më përcjellin me një buzëqeshje të mundur:

“Eja në orën katër për ta marrë dokumentin”.

Jashtë më pret cuni me letrat në dorë. Stilolapsi sec po e tërhiqte me sustën e tij. Por i ngriti sytë sa dëgjoi zhurmë makine:

“Bëji llogaritë mirë. Kur të vij pasdite, do krahasojmë fitimin,-i thashë”.

S’do më vijë çudi nëse ai do ketë futur në xhep më shumë se unë. Vetëm për sot!

4.12.08

Unë s’e di mire si jetoj, por dikush e di

Në 12 muajt intensivë që kërkoja një hyrje në Tiranë, makina, këmbët, autobuzët, sekserët, miqtë (të brendshëm e të jashtëm), lajmërimet (në print dhe online) më çuan në çdo cep të kryeqytetit tim të dashur.

Kudo ku shkoja ngecja në trafik; ose në rrugët një kalimëshe me nga dy makina në secilin krah; ose në baltën e ëmbël të Tiranës; ose në pellgjet me ujë; ose parkoja aq larg sa nuk e mbaja mend se ku.

Në të gjitha shtëpitë me qera që ndërrova, parkimi ishte problemi më i madh. Zemërohesha me kë mundja për vendet e zëna prej atyre që ktheheshin më herët se unë nga puna. Më i shkathëti, më i shpejti, por për ta lënë punën herët s’para ia them shumë.

Parkimi, trafiku dhe vonesat e pamëshirshme të tij u bënë aq shqetësuese, sa vendosa ta bëj zemrën gur e të marr vesh se c’zgjidhje ka menduar Bashkia ime për të më lehtësuar ndopak këtë mbingarkesë njerëzore.

Dhe Bashkia më shpalosi mua dhe qytetarëve të tjerë të saj planin rregullues për kryeqytetin.

Në përpjekjen për t’i mbushur mendjen vetes se nuk po ndiqja televizionet qeveritare me shpëlarjet e trurit për kilometrat e rrugëve të shtruara, më ngeli goja hapur tek dëgjoja se Bashkia ime mendon se unë kam jo vetëm parking, por edhe 4.5 m2 gjelbërim si njëri prej frymorëve të qytetit të saj. Mësova se Tirana e 2008-ës ka vetëm 600 mijë banorë, dhe numri është nxjerrë nga listat e votuesve dhe nga regjistrat e zyrave në gjendjet civile.

Pastaj mësova se Bashkia ime ka ndër mend të bëjë tre parqe të mëdha për mua; një në Farkë, një në Paskuqan e një në Sauk. Këtë parkun që kemi nuk e zumë në gojë. As kur u dëgjuan ca gojë të liga për gjoja tharjen e tij, që sipër t’i ndërtojnë ca pallate.

Pastaj Bashkia tha se është shumë e shqetësuar se disa lavaxhinj i kanë prishur bukurinë hyrjes në park nga rruga e Elbasanit dhe se është e padurueshme të dëgjosh motorrat që shëtisin aty bashkë me njerëzit.

Kurse unë thashë se në të vërtetë, më shqetëson pak zhurma e pafund çak e çuk tek ai pallati i ri që sapo ka mbirë pas vilës mbi gardë. Më shqetëson edhe zgjerimi gjithmonë e më i madh i kështjellës me pica të kripura, i parkingut të pangopur që zhvat ajo, i murit rrethues që mbin themele të reja. Po se mos ka faj Bashkia për këto!

Më shqetëson pak edhe prishja e varrit të Konicës apo të vëllezërve Frashëri e më vjen hëm mirë, hëm keq që ato varrezat e ushtarëve amerikanë, gjermanë, grekë, italianë apo kinezë që janë aty, shkëlqejnë nga bardhësia e rikonstruksioni.

Por Bashkia më qetësoi. Më paraqiti planin e saj rregullues, që duhet t’i binden se s’bën ata fshatarët e Farkës. U bënë ata të shesin toka për ndërtim. Na duhet për park Farka, se ndërtimet i bëjmë ne. Edhe lejet i marrim pak më shpejt kështu.

Posi!

Ndërtuesit, inxhinierët, arkitektët e pallateve plot ngjyra, forma e trajta ngrenë zërin në mbështetje të Bashkisë. Bashkia xhan, se duhet të na japë leje ndërtimi. Po për ku më? Ku ka ngelur ai cep ku duhet ndërtuar akoma?

“Jo, ju nuk e njihni Tiranën,-më thotë Bashkia.-Vetëm unë e njoh. Edhe do e zgjeroj hapësirën e gjelbër. Edhe do shtoj edhe ndërtimet në qytet, se ku do i çoj njerëzit?!!! Banorët kërkojnë pallate në qendër”.

Po, po dhe po. Banorët kërkojnë pallate. Ndërtuesit kërkojnë pallate. Edhe Bashkia kërkon pallate. Edhe qeveria po ashtu. Zonat për pallate zvogëlohen, lufta për to zmadhohet, çmimi i dhënies së lejes kripet ku e ku më keq se tek pica dhe banori blen hyrjen cilësore me suva në rënie po aq shtrenjtë sa në Paris.

3000 eurom2 tek ai pallati i çak e çuk-ut tek liqeni. Hyrjet, se dyqanet janë 5-7 mijë për metër. Aty do banojnë elitat; njëlloj si tek kopshti botanik pa bimë e tek ai zoologjiku pa kafshë.

- Po parking, o bashki, do na bësh ndonjë?!

- Do të bëj. Tre kate nën tokë.

- Po rrugë, do hapësh ndonjë lehtësuese?

- Do bëjmë metro, se kështu e ka bota.

- Po ti nën tokë do bësh parkingje. Si do ia bësh për metronë?

- Metronë do ta bëj nën parkingje! Edhe hapësirë të gjelbër mes pallateve do bëj. 40% të sipërfaqes së ndërtimit do ta bëj të gjelbër. Nga 4.5 do ta çoj në 8m2 për frymë gjelbërimin.

Do na thithin bimët. Do kujtojnë se jemi edhe ne pjesë e tyre e fotosintezës.

-Të bëjmë një park pyjor edhe një park sportiv e olimpik në Paskuqan.
-Paskuqani bie në Kukës. Pak në Dibër e pak në Tropojë.
- Po pra, çështje politike është kjo, e dimë ne. Nuk do AI që të bëjmë parqe ne, prandaj s’na e lë Paskuqanin.
-Po Paskuqanin nuk e ke ti Bashki në administrim. As Farkën. Merru me këto pronat e tua ti.
-Jo, dëgjo, ca gjëra nuk i kuptoni ju. Jo! Se ndërtuesit e duan Tiranën. Pallatet tona janë shuam cilësore. Edhe italianët na i kanë zili. Pallati është zhvillim, është emancipim, është qytetërim. Tirana është akoma me densitet të ulët ndërtimi. Do ndërtojmë, do ndërtojmë në çdo centimetër të saj mbi tokë, se parkingjet dhe rrugët do t’i bëjmë nën tokë.
- Po metrat e gjelbra?
-Në Dajt pra. Edhe në Farkë, edhe në Paskuqan. Do ia marrim jabanxhinjve.
-Që t’ua shisni hyrje pallatesh me tre mijë euro m2?
-Jo. Po s’i kuptoni ju. Rrethinat janë në vijën e interesit të përbashkët.
-Kurse qendra është në vijën e interesit tuaj?
-Edhe të miqve të mi ndërtues, që po e zbukurojnë Tiranën kaq shumë. Metropol po e bëjnë.
-Po, po, po. Metropol me paratë e mia, se është rritur pazari mes jush.
-Epo ky është çmimi i një jetë të gjelbër. As New Yorku nuk ka tre parqe. Njw copw Central Park ka. E kam parw me sytw e mi New Yourkun. Njw park. Kurse Tirana do ketë TRE. Po të prishim këtë që kemi një herë, se nuk është më i bukur. Edhe pastaj të presim të na japë leje KRTRSH-ja që t’u marrim tokën fshatarëve të Farkës, Paskuqanit e Saukut, e do t’i kthejmë ato në ca parqe që do t’iu heqin trurin e kokës.
-Të hequr e kemi. S’kam as ku të parkoj, as ku të kaloj, as ku të rri. Ti më thua kam 4.5 metra jeshillëk edhe parking.
-I ke, po nuk i sheh, se s’të lënë paragjykimet.
......
Mbase. Më morën në qafë këto të zeza paragjykime. As katër metrat e mia bashkë më gjysmën nga pas e as parkingun nuk i gjej dot...ashtu si nuk gjej dot energjinë e miliardave gjatë ditës, rrugët e shtruara, investimet, sukseset në luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e jetës sime, që qeveria dhe bashkia ime e shohin, kurse unë jo.

As që ma var fare kjo jeta ime. S’m’i raporton hiç përparimet e saj. Po shyqyr që kam qeverinë e bashkinë që më tregojnë sa mirë jetoj, se do kisha ngelur akoma pa shtëpi sot e kësaj dite.

E mora apartamentin në fakt. Edhe po të përdor shkallën e zvogëlimit 1:1000, shoh me sy të lirë hapësirën time prej 4.5 metrash që ndodhet diku në Dajt. Është pak larg nga unë, ama më ka thënë bashkia që e meritoj.

...dhe jetuam të lumtur e të gëzuar përgjithmonë.

1.12.08

Nata e bardhë e lirisë

Gërmova shumë në garderobën time. Mezi e gjeta një bluzë të bardhë. Ngjyrë qumështi në fakt, por nuk po zihem për ngjyrat këtë radhë. Ishte edhe e ngrohtë. Nuk e di pse e kisha harruar fare butësinë dhe bardhësinë e saj. E vesha gjithë qejf. Nuk do ta prishja kërkesën e Bashkisë. Nata e bardhë kërkonte veshje të bardha.

Iu vura edhe kërkimit të palltos. Që pas kthimit në baltën të ëmbël si mjalta në Shqipëri, nuk e kisha përdorur pallton time të ngrohtë e të bardhë bashkë.
Nata po bëhej ditë, kështu që pas tre minutash kërkimi nëpër rafte, hoqa dorë. Vesha një pothuajse të bardhë nga nuancat e ngjyrë-vjollcës.

Ora 23.00. Trafiku fillonte që jashtë unazës. Telefonat e miqve tanë ishin të gjithë të fikur. Milleniumi po shfaq 007-ën. Unë e kam shtyrë parjen e tij deri sa 007 të jetë femër.

Në bulevard nuk kaloje dot nga njerëzit. Ishte si 14 shkurti, por natën. Dorë për dorë, krah për krah, të gjithë dyndeshin lart e poshtë “Dëshmorëve të Kombit”, për të cilin nuk kishte asnjë flamur. Jo, kishte një. E nxora unë nga çanta, siç kisha bërë ditën e pavarësisë tek “Karameli’. Ishte i vetmi lokal tërësisht kuqezi, edhe pse muzika nuk ishte tamam ajo që do të kishte zgjedhur Ismail Beu.

Sërish në natën e bardhë. Mbi njërën nga urat e Lanës kishin ndezur një zjarr që më tundoi t’i hidhja brenda ca gështenja. Aq të mirë e kishte prushin. Flakë hiç.

M’u kujtuan zjarret partizane që ndiznim në 29 Nëntorëve tek kodrat mbi shtëpi. Sot vetëm flakët e gushtit i konkurrojnë.

Nata e bardhë vazhdonte mbi kryeqytet. 007-a mbaroi. Mendova ta sfidoj frikën aventureske në katër pjesë e t’i hipja një tip imitimi të trenit të vdekjes, që e kishin vënë përpara Universitetit Qendror. Asnjë s’iu përgjigj entuziazmit tim. Siguria me të cilin ishin ngulur ato lojëra në Tiranë mund të rezultonin vërtet në tren të vdekjes. Por deri tani, me c’kam parë në lajme, asnjë nuk vdiq dje.

Të lodhur nga karaokja e një nate më parë ku i kënduam Shqipërisë sa na u ngjir zëri, vendosëm që natën e bardhë ta linim të kalonte disi më qetë. Prandaj iu drejtuam kohë-takimit tonë klasik.

Tek njëri nga baret, radha për t’u ulur e kalonte kërshërinë time. Tek tjetri po ashtu. Ora pas 12-ës. Por shqiptarët po e zbardhnin ditën e çlirimit. Në pritje të vendeve bosh ulem në një tavolinë që sapo u lirua. Kamerieri vjen të shprehë mos-aprovimin e tij, “se do vijnë të tjerë njerëz të ulen”.

Në fakt ne po kërkonim në pije të ngrohtë dhe ishim veshur me bluza e pallto. Jo shumë njëlloj me c’kishte e ç’pihej vërdallë, por si për natë të bardhë, s’ishim edhe aq keq.

Çajin tonë të mesnatës e të çlirimit të Shqipërisë e pimë në holl. Nuk ishte ajër i mbytur dhe nuk pinte njeri cigare. Duhani vret!

Kur gjumi na erdhi mbi qepalla e kur u bindëm se e bëmë pjesën tonë të respektit në kujtim të partizanëve tanë trima, thamë “natën e mirë” dhe u larguam të lumtur që kontribuuam në veçantinë magjike të natës së bardhë, shpikur, mirëmbajtur dhe organizuar me shumë kujdes nga Bashkia jonë.

Ecëm përgjatë bulevardit plot njerëz, zhurmë e rrëmujë e pa asnjë flamur të vetëm. Shihja vetëm atë copëzën e vogël flaumri kuqezi që e pata blerë vite më parë, larg, që ishte rrudhosur të mbrëmshmen, teksa na udhëhiqte në karaoken e pavarësisë, kur kërcenim “Se thelo-n”