28.10.08

Vizë-tallja e mirë shitur e Fratinit

“BE do të liberalizojë vizat me Shqipërinë duke filluar që nga Qershori 2009” – Mirë Fratini që po tallej hapur, po gazetarët tanë ç’i gjeti fatlumen ditë që Ministri i Jashtëm italian na vizitonte Tiranën? Do liberalizohen vizat – thoshin groshë-ngrënësit reporterë, e disa (jo të gjithë) aty nga fundi i kronikave, kujtoheshin të thoshin se Fratini nënshkroi edhe nja katër pesë marrëveshje ekonomike.

Përfituesi i tyre kush është? Nuk dihet. Dhe nuk na duhet. Vizat një herë. Prit se do na liberalizohen ato.

Po si iu thà mendja dhe goja të gjithë të hipnotizuarve para Fratinit dhe përrallës së tij të vizave e nuk e pyeti: “ Për ç’fare liberalizmi e ke fjalën ti zotëri, kur shteti yt sapo miratoi dekrete të reja diskriminuese për emigrantët në Itali? Që nga 4 Nëntori, bashkimi familjar në Itali do të jetë pothuajse i pamundur, ti më flet për liberalizim vizash”?

Po për allishverishet e konsullatave italiane në Shqipëri? Ajo e Shkodrës i pranon dosjet vetëm me vulat e kontrollit prej njerëzve të kontraktuar ilegalisht me personelin, kurse ajo e Vlorës NUK KA data për takime vizash që prej MAJIT 2008. 6 muaj që nuk jepen as data, zotëri, në numrin e kuq 0900 të ambasadave e konsullatave tuaja, e ju po flisni për liberalizim?!!!

Shtrëngimi deri në pamundësi i të drejtës për bashkim familjar (prindi duhet të jetë mbi 65 vjeç dhe fëmija të vërtetojë se askush prej vëllezërve apo motrave të tij nuk kanë mundësi ta mbajnë prindin), do të hyjë në fuqi në 4 Nëntor. Ky është vendim i marrë, Fratin fratellin. Kurse liberalizimi i vizave është flluskë që akoma iu pëlqen shqiptarëve zyrtarë e atyre gazetarë.

Përveç saj, protestat në Tiranë kundër racizmit në ndarjen e fëmijëve në shkolla jo vetëm që s’duhet sharë, por duhet ardhur turp përse ishte i vetmi e përse të tjerë njerëz nuk iu bashkuan. Asnjë rëndësi nuk ka kush e ngre zërin në protestë. Kuja duhet vënë sepse të gjithë fryjmë sytë e dëgjojmë pallavrat e liberalizimeve, ndërkohë që shohim radhë të tëra shqiptarësh si pula të lagura para dyerve të konsullatave apo edhe nëpër pikat kufitare.

Fratini erdhi këtu për ato pesë firmat që s’e mori mundimin asnjë gazetar t’i zbërthente, e për ca të tjera që do ta nxjerrin tymin kur të ndizet qymyri në Durrës.

Ky s’është liberalizim vizash; është liberalizim tërësor për të tallur një popull të tërë, viktimë e politikave makiavelistë të brendshme e të jashtme dhe të një tufe reporterësh që as të dëgjojnë nuk dinë.

Turp! Dhe fatkeqësi!

17.10.08

Madhështitë e Tetorit

Një serbo-boshnjak solli vërdallë prokurorinë, qeverinë, presidencën, median, popullsinë e ç’gjeti përpara në Tiranë. E veja e diktatorit bëri lëmsh analistë, politikanë, inatcorë e veteranë me një dalje teka-plotë në ekran. Në Kosovë festuan 100 vjetorin e atij që aq shumë e deshi bashkimin e Shqiptarëve, sa kurrë nuk i doli koha të mendonte as për ata që kish nën thundër.

Në “Qemal Stafa” Milani bëri sikur u mund nga Tirana. Në Hungari kombëtarja shqiptare humbi ndeshjen 2-0 dhe vendin e parë në grup, që më parë i kishte rastisur ta mbante vetëm për hir të hierarkisë alfabetike para se të fillonin ndeshjet kualifikuese të çdo kompeticioni. Kurse pak ditë më pas, kundër të gjitha parashikimeve, me 10 lojtarë për 45 minuta të tëra dhe me një kokëfortësi shqiptare përzier me inatin hanian, kombëtarja barazon me Portugalinë. Në 15 Tetor 2008. Tamam në ditën kur kryeministri mbushi 64 vjeç.

Thonë se kombëtarja e solli pikën nga Lisbona pikërisht si dhuratë për ditën e shënuar. Po përveç saj, asnjë publicitet nuk pati ditën e lindjes së zotit kryeministër. E bija doli në ekran për të na mbushur mendjen për mirësinë dhe ligjësinë e zotit Fazllic. Kurse Milani në kahun tjetër i dhuroi një ditë më parë një bluzë me shirita kuqezi. Pasi nuk e veshi atë si tifoz në stadium (protokolli nuk lejon shfaqje të huaj preferencash futbollistike kur luan një ekip i vendit që qeveris), kryeministri tha se fitorja e Tiranës ishte e para fitore në vazhdën e madhe që pritet ta përcjellë atë deri në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009.

Premtuese!Të gjitha marrim frymë të lehtësuar. Shqipëria është e mbushur me ngjarje. Të të gjitha natyrave, përmasave e dukurive. Populli ka ushqim viziv, media ka ushqim transmetues, politika ka ushqim për zënka mjaftueshëm sa për të lënë në protagonizëm dy të parat.
Ah po. Për pak ngeli opozita jashtë kornizës. Ca titra lajmesh thoshin “Tirana siç e duam ne.- Edi Rama dëgjon qytetarët”. Në kronikë pashë me mikrofon në dorë gjithë kohës dhe futur sinkron në lajm vetëm fjalët e tij. Mbase po fliste si qytetar. Mbase!

Përveç kësaj dhe dhënies së dy bursave për dy vajza mbetur jetime në Gërdec e vizitës në Romë (edhe presidenti shkoi në Romë. Dashuri shqiptaro-italiane këtë periudhë) nuk është dukur më opozita. U la totalisht në hije ajo. Domosdo, se zhvillimet pozitive, intensive e festive që pati këtë jave prosperuese Shqipëria, u përjetuan paqtë fare nga të gjithë shqiptarët, përfshirë ata të opozitës, që jetojnë të lumtur nën ajrin e pastër statistikor që lajmëroi vetë Xhuveli.

Javë e bekuar kjo e treta e Tetorit në Shqipëri. Mbushur me arsye për të festuar ngado që ta kthesh kokën. Edhe për krizën botërore madje as që pyesim fare në këtë javë të bekuar ne, paçka se brisku i saj therës mbërriti deri ne Greqi. Atje u mblodh shpejt e shpejt qeveria. Kurse ne kemi lindur me këmishë si komb. Asgjë nuk ka për të na gjetur, se “paratë dhe bankat tona janë shume të sigurta”. Kryeministri e tha. Fjala e tij është ligj!

Teksa bëja një veprim bankar herët në mëngjes, pashë se karriget ishin mbushur plot e të tjerë njerëz vazhdonin të vinin duke pritur orën 10.30 “që të vijë kontingjenti i degës”. Disa syresh po nxitonin t’i tërhiqnin të gjitha paratë, me frikën se mos ora 10.30 i binte në vitin 1997.
Po ne kemi përvjetorët. Kemi edhe Fazllic, edhe hetuesit e huaj, edhe reagimet e BE-së, të SHBA-së, të KE-së, e të të gjitha germave të alfabetit që na thonë “të garantojmë mos-cenimin e pavarësisë së organit të akuzës”. Kemi edhe ca “investime” të heshtura për kërkimin e mineraleve nga Tirex në zonën e Rubikut, huazuar me “bujari” nga BERZH, kemi edhe testin që duhet të kalojmë si anëtarë të ardhshëm të NATO-s për gjetjen e autorëve të tragjedisë së Gërdecit dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë.

Por kjo e fundit është pak e hidhur. S’ia vlen të përmendet në këtë javë të bukur përvjetorësh. Edhe mbreti ynë i vetëm në Tetor ka lindur. Po në 8 Tetorin e tij ishim në të gjithë të zënë me Fazllicin. Në Tetor të ketë lindur edhe ai?!

Kurdo që të jetë, madhështia e datave tetoriane na dhuroi një javë të shkëlqyer ngjarjesh kontroversiale, që ia vlen t’i mbyllim nesër me 83 vjetorin e Ramiz Alisë (edhe ai në shtyp këtë javë).

Asgjë më shumë se subjektivizmi i këtyre ngjarjeve nuk mund ta lërë tërësisht në hije objektivizmin e mbytur të javës së tretë në Tetor.

Ngelet vetëm të shpresojmë që kur të kenë mbaruar festimet, kriza financiare të mos e ketë kaluar akoma "ilegalisht" kufirin.

17 Tetor 2008

15.10.08

Forza Milan :P

“Gol. Gol. Goooool. Eshtë e pabesueshme. 1-0. 2-0. Gjen edhe Milan rrugën e rrjetës, por aha, vec 2-1. Tirana mund Milanin. Edhe Milani mund të mundet”….!!!!

Me c’të qeshja më parë? Me stërvitjen e Milanit në Qemal Stafa? Me seriozitetin e tiranasve (vecanerisht pas golit të parë) apo me energjinë foshnjarake që zgjonte diku në hemisferën e vogël të trurit pasditet me ekzaltim të rremë në Radio Tiranën e të dielës “Nga njëra ndeshje në tjetrën”?!

“Ja ky është leksioni bardh e blu” – thoshtë gjithë seriozitet Veli Rada që në cdo dy sekonda, tre herë ia vinte theksin Milanit tek “a’-ja. MilAn-I :D

Po me atë serizitet e ndërpriste Skifter Këllici për t’i thurur lavde lojës prej kampionësh që po bënte “ekipi i pamposhtur i Tiranës”. :D

E në të njëjtin ritëm ekzaltimi bridhte në fushë, anash, jashtë e brenda saj Piro Ruvina me “përcjelljet sekondë pas sekonde të gjithckaje që ndodhte në fushë”.

Kuqezinjtë thanë sic pritej se ishin të lumtur të kontribuonin në këtë ndeshje në ndihmë të UNICEF-it. Trajneri i tyre bëri komentet prej një fjalie për cdo pyetje duke përfunduar se “I pëlqeu stërvitja e skuadrës së tij”. Kapiteni gjithë diplomaci vlerësoi përpjekjen shqiptare për të sjellë në Tiranë për bamirësi Milanin….kurse radio Tirana transmetonte “ndeshjen e shekullit” :D

Pa lidhje: :D
Rreth vizitës së skuadrës kuqezi në Tiranë
- Ekipit milanez iu rezervua një pritje nga kryeministri i vendit.
- Tek cili UNICEF do shkojnë paratë nuk është thënë akoma ( a kanë ato destinacion projekte
tëUNICEFIT në Shqipëri ?!)
- Në disa deklarata u tha se "të gjitha" të ardhurat janë për UNICEFIN, në ca të tjera u shndërruan në “një pjesë e mirë e të ardhurave”.
- Kush dhe sa janë paguar lojtarët e Milanit për këtë “ndeshje bamirësie”?
- Po Sheratoni?

Faqja zyrtare e milanit http://www.acmilan.com/ i përgjigjej një për një entuziamit dhe jehonës që ndeshi në Tiranë :P
P.s. Forza Milan. Forza Flamurtari. Forza të gjithë kuqezinjtë (edhe shqiptarë qofshin) :D
Ah po! Maldini is a hero! ;)

11.10.08

Diktatori mes nesh nëpërmjet të vesë (sipas meje)

A bëri mirë Xhunga që mori në intervistë Nexhmije Hoxhën?

Cështja nuk shtrohet nëse bëri mirë një gazetar apo një tjetër, por, a ka më vlerë të dëgjojmë c’ka për të thënë e veja a diktatorit? Kujtdo mikrofoni t’i flasë ajo, ligjëratat mbërrijnë të gjitha në veshët e shqiptarëve. C’farë të reje ka për të shtuar Nexhmije Hoxha që të justifikojë daljen e saj në ekran? Ka vendosur të kërkojë faljen publike që nuk dihet më se c’vlerë mund të ketë? Kërkon të japë ndonjë kontribut të padhënë? Apo thjesht është aty për të na kujtuar herë pas here se rrënjët e partisë së bashkëshortit të saj janë më të thella nga c’kujtojnë shqiptarët e sotëm?


Personalisht ndjeva dëshirë të menjëhershme për të ndërruar kanal, kohë dhe ngjarje kur znj. Hoxha doli në ekran. Më shumë se cdo herë tjetër, fiziku i saj më ngjau me atë të bashkëshortit që mbajti peng Shqipërinë, pa iu dridhur qerpiku për koston që pagoi në njerëz, në kulturë, në formim e në identitetin shqiptar.
M’u duk se pas 23 vjetësh, pashë versionin femër të diktatorit që shkatërroi deri në gen personalitetin dhe njeriun shqiptar.

Pse nuk kërkon falje N. Hoxha dhe si guxon që ta quajë bashkështortin e vet figurë pozitive?
C’mund te presësh tjetër nga e veja e një diktatori? Të thotë se burri i saj ishte protagonisti i shfarosjes së besimit tek vlera e njeriut në Shqipëri? Falë tij kemi ende sot në qarkullim me shumice manipulues të një cilësie të lartë, abuzues, tradhëtarë të besimit njerëzor, shërbyes interesash, njerëz që kanë frikë edhe nga fryma që marrin, jo më nga “udhëheqja” që janë mësuar të mitizojnë. Kemi në administratë burokratë të denjë për të jetuar 20 vjet mbrapa, vrasës së ideve, pengues të zhvillimit dhe shërbyes të izolimit militant. Të gjitha këto janë pasojë e punës së lavdërueshme 45 vjecare që bëri bashkëshorti i kësaj zonje në crrënjosjen e vlerave njerëzore, shplarjen e trurit dhe krijimin e “njeriut të ri”.
Figurë pozitive?! Posi, ashtu është, po të marrësh parasysh se sot ende fryma e tij drejtuese, asgjësuese dhe shkatërruese e risisë, vazhdon të lulëzojë në Tiranën e madhe. Nën këndvështrimin e saj, Enver Hoxha ia ka arritur qëllimit shumë më mirë nga c’e kishte parashikuar. Për bashkëshorten e tij ky nuk mund të përkthehet ndryshe vecse “ndikim i suksesshëm”, që në sinonimet e shqipes shumë lehtë zëvendësohet me pozitiv. Njëlloj si asgjësimi i mijëra intelektualëve që rrezikonin vënien në jetë të planit fatzi për krijimin e njeriut të ri.

A janë të besueshme akuzat e N. Hoxhës ndaj kryeminstrit aktual dhe ndaj kadaresë?
Asgjë nuk është më e besueshme në Shqipëri. Sali Berisha ka të gjitha të drejtat të jetojë në delirin e pa-mposhtjes, përderisa në atë piedestal ka arritur me meritën e tij dhe me pasivitetin, mungesën e përgatitjes dhe të nervit reagues të popullit që qeveris. Ismail Kadare shkruan shqip në mënyrë të papërsëritshme. Politikën dhe mbijetesën i ka pasur anë plotësuese në jetën e tij, kështu që nuk mund të bëhet fjalë për të besuar asnjë akuzë të zonjës Hoxha. Aq më tepër që ajo flet në pozicionin “Kapeni hajdutin”, kur vetë, së bashku me burrin e saj, i vodhën popullit shqiptar të vetmen pasuri:të qenit njeri funskional e me vlera.
Perdja e familjes Hoxha ka rënë një herë. Thjesht, pas saj nuk ka ngelur më asgjë!

10 Tetor 2008

7.10.08

Back here













Ok, it is nice, yes! :)










6.10.08

Dy ndodhi shqiptare

Delegacioni u fut ne radhën e kontrollit të pasaportave në Rinas. Zëri autoritar i njërit prej pjesëmarrësve më kërkoi të kaloja në zonën VIP… !!!...

Që në hyrje më morën gjithë mirësjellje pasaportën, bagazhin, pallton. Më shërbyen brenda sekondës kafen shoqëruar me biskota. Më pyesnin vazhdimisht nëse isha mirë … !!!..Unë vazhdoja të isha aq njëlloj sa c’kam qenë në 8 vitet e fundit që udhëtoj.

Kur avioni donte vetëm dhe 10 minuta të ngrihej, unë isha akoma e vetme në dhomën e « Vipave » !!!, kurse zyrtari autoritar akoma nuk kishte ardhur. E shqetësuar e marr në telefon.
« Po pi kafe këtu ngjitur »
Kafe? Stjuardesa përtej receptorit e lëshoi shumë të lartë piskamën.

Në castet e fundit, bashkë me rëndësinë e tij artificiale, mbërriti edhe zyrtari i lartë. Në avion u ngatërruan vendet dhe ai përfundoi në radhën 7. Gjithë siklet e pashë veten pre të falsitetit të tepruar 5 radhë para tij.

Në Tiranë kërkesat ishin për prenotime taksish dhe luksi në takime. Me të shkelur në tokën e huaj, as taksixhiu nuk ishte në gjendje të kuptonte kapadaillëkun në gjuhën e padëgjuar.

Në vizitat zyrtare, autoriteti i VIP-it shqiptar u zhduk si me magji. Anglishtja e calë e la në baltë, njohuritë e cunguara mbi cështjet që diskutoheshin gjithashtu.

Gjatë drekës zyrtare, pashë clirimin që ndjente të rrintë lirshëm, pa qenë nevoja të respektojë kapadaillëkun e shtrirë gjithandej në administratën nga vjen, me dyert e blinduara e rojet e pafund.

Pa titull, pa status, pa komunikim e pa roje, vendi i tij në radhën 7 edhe në kthim, m’u duk mëse i mjaftueshëm.

5 Tetor 2008

Numer 2
Ora 17.15. Në daljen e një rrugice të mbipopulluar në Copenhagen, një grup i madh njerëzish kishin ngulur sytë në tokë, mbi tre kuti të vogla shkrepësesh që mbulonin një top prej letre. « Here’s a go, here’s a ball. Here’s a move, here’s the stop. Where is the ball?” – pyeste me syte lart një djalë i ri që lëvizte kutitë e shkrepëses me topin e vogël nën njërën prej tyre. Tre-katër të tjerë jepnin e merrnin nga 500 krona për një hamendësim; disa fitonin, të tjerë bënin sikur nuk e dallonin ku ishte topi.

Gjithcka bëhej me shpejtësinë e erës. Më të tillë shpejtësi ndjeva edhe cantën e vogël të më shkëputej nga dora.
E trembur hidhem përpjetë dhe reagoj me sy më shumë sesa me zë. E tek përpij me zemërimin tim “atentatorin”, tjetri futi duart në kuletën që mbaja në dorën tjetër. Sapo kisha dalë nga dyqani e akoma e mbaja kuletën në dorë.
“Don’t touch my wallet”- dhe sytë më lëshuan xixa.
“Not touching it, not touching it. Just helping you to play madam. Where is the ball? Guess where is the ball and will give you back the wallet”
Sytë më përcëllonin. Mendja po ashtu. Një 500 kronëshe doli nga portofoli im, së bashku me disa euro që i nxirrte ndihmësi i”magjistarit”.
“Give me my money back or I will call the police. NOW!”
Thirrja e fundit duhet të ketë qenë jo vetëm më sy të kuq, por edhe me zë te zi, shoqëruar me një fytyrë kërcënuese, që më shumë ishte inerci e karakterit sesa besim se kërcënimi kishte vend. Por përsërita sërish fort:
“NOW”!
……Jepja, jepja lekët….!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
…..!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!..............................
“Si dreqi do m’i japësh lekët, ju marrtë djalli ju marrtë”
…..!!!!!!!!!!!!!!......!!!!!!!!!!!!!!!!.....

Tetë palë sy drejtohen njëherësh tek unë. “Pse shqiptare je ti a”?

« Po, që mos qofsha. Si ju » !

« Jepja të gjitha lekët, jepja. Edhe ik tash, na ler të luajmë”… !!!

Copenhageni m’u duk më i zymtë se kurrë.

E lashë Tiranën nga VIP-at, e i gjeta ata të ulur këmbëkryq duke vjedhur në mes të Danimarkës.

Kapadaillëku i atjeshëm pak ndryshonte nga mizerllëku i këtushëm. Në të dyja rastet, sjellja, veprimi dhe tjetërsimi shqiptar më therën në palcë. Për dreq!

6 Tetor 2008