28.8.08

Media: Ku dhemb dhembi, vete gjuha!

Qoshja e shtypit
Media shqiptare ka kapur një gjendje të palëvizshme, të fjetur, ri-përsëritëse, krejtësisht të ezauruar, aspak krijuese dhe negative deri në shqetësim për opinionin.

Në vend që politika të ndjejë mbikëqyrjen dhe transparencën e medias, në Shqipëri ndodh e kundërta; media është e tëra e diktuar nga politika. I bindet asaj. I shërben. Politikës dhe biznesit. Interesave të ngushta që kanë të bëjnë me miqësitë dhe shoqërimet me njërin kah apo me tjetrin. Janë krijuar identifikimet e një-anshmërisë që nuk kanë të bëjë fare me detyrimin për informim apo balancën në të.

Media është vegël, jo levë. Përdoret për montim-çmontimin e skenave që i shërbejnë shfaqjes së interesit ose fshehjes së tij. Profesionalizmi është mundur nga egoja dhe tundimi financiar në nivelin e mediatikëve të mesëm (drejtuesit), nga frika e ligjit dhe shërbimi i biznes-politikës në nivelin e lartë (pronarët), dhe nga formimi i papërshtatshëm i të punësuarve për hamallë ose rrufepritës dështimesh në nivelin e ulët (reporterët).

Piktura e plotë nuk paraqet as tranzicion, as krize, por thjesht një gjendje të trishtuar, ku rrethi vicioz i atyre që e kanë krijuar, është më mbytës nga ç’janë në gjendje të kuptojnë të mbyllurit në të.

Ku qëndron faji/dështimi i media?
Të pranosh publikisht dështimet dhe nevojën urgjente për përmirësim është një hap sublim që kaosi mediatik shqiptar nuk është ende në gjendje ta bëjë. Kjo kërkon të pranosh defekte, dhe media nuk e pranon këtë. Provë e pakundërshtueshme janë ripërsëritjet e mërzitshme që televizioni dhe gazetat i bëjnë njëra tjetrës.(financa është mbretëreshë në abuzimin e saj).

Në çdo redaksi televizive puna fillon më shfletimin (nënkupto kopjimin) e shtypit të ditës, dhe në çdo redaksi gazete qëndrojnë të ndezur tre-katër monitorë që nuk lodhen fare as të përpunojnë lajmet që ndjekin çast pas çasti aty.

Pra, media është kthyer në burim të vetvetes. Sado gjenerues të jetë riciklimi i informacionit, një ditë ai shteron. Burimet alternative janë aq të standardizuara sa të trembin me pamjen e tyre të rëndomtë; konferenca shtypi, deklarata për shtyp, promovime të ndjekura nga kokteje, thirrje për intervista të parapërgatitura.

Media shqiptare është viktime e një spontaniteti që vjen nga koka e saj. Përgjumja ndjehet në shumicën e edicioneve. Mungon këndvështrimi kritik, i detajuar, i pasuruar me elementë shpjegues (të mos flasim për aspektin argumentativ, që fatkeqësisht përdoret rrallë dhe është dhunti e një numri shumë të kufizuar mediatikësh).

Media është pothuajse e dështuar në misionin e saj për të informuar, sepse hapësira ku ajo lëviz është shumë e ngushtë, njëlloj si pikëvështrimi që kanë për drejtimin dhe orientimin e saj rreth-viciozët që e bënë të lëvizte me të njëjtën siguri që po e mbyllin fuqinë e saj depërtuese.


Ç’mund të bëhet për të ardhmen e medias?
Të merret në konsideratë se të jesh gazetar nuk mund të jetë më aq e lehtë sa të visheshe polic në 1997-ën.

Puna në ekip është term i huaj për ambientet mediatike dhe kjo do të vazhdojë të rrëzojë ambiciet e pa-lindura për përmirësim të saj.

Komunikimi i cunguar, harbut, përçmues dhe shpërfillës, së bashku me dëshirën për piedestal të përjetshëm, as që i japin mundësi medias ta përjetojë katastrofën në të cilën është zhytur.

Nga ana tjetër, hendekët artificialë në shpërblimin financiar në shkallët e hierarkisë mediatike, shtypin përfundimisht motivimin për ata që përpiqen ta bëjnë të dukshëm ndryshimin që synojnë.

Emërtimet bazuar në gjini, fizik, interes dhe aktivizim afatshkurtër hormonal, do të vazhdojnë me rigorozitet ta lënë median në mediokritetin ku është kapluar prej kohësh. Të paktë janë të përzierit në të që investojnë tek vetja, por janë shumë, vërtet shumë ata që mbjellin dhe rrisin interesat jo-mediatike që përmbush media.

Nëse ftillimi nuk nis nga rivlerësimet personale të gjithsecilit, as nuk mund të pretendohet se roli i medias do të ndryshojë si me magji.

Përkushtimi, komunikimi efektiv, profesionalizmi i vërtetë dhe shpërblimi real për të; vetëm këto mund të sillnin ndonjë ndryshim që dashuruesit e statu-quove nuk kanë gjasa t’a presin me duartrokitje.

22.8.08

Vegim vegjëlie

Më shtrëngoi fort në krahë. Më përqafoi. E shtrëngoja faqen në të sajën dhe ndjeva lotët e gjatë. Të mitë, apo të sajët?

Topuzi i saj krenar ia kishte lënë vendin ca thinjave të shkurtra. Ajo mikeshë, unë pritëse.

E takova si gjithë të tjerët. Pastaj më thanë emrin e saj.
U ktheva ta ripërqafoj. Dhe nuk e lëshoja as nga lotët e nxehtë faqeve të rëna.

Dikur më mbante ajo në krahë. Më ledhatonte flokët, përkëdhelte faqet. Më mbante për dore shpesh. Buzëqeshte, çlirohej, lehtësohej, shplodhej kur më kërkonte të dilja në radhën e parë, të kaloja goglat e numëratorit, të mbaja radhën e skeçeve, të përsërisja tregimet, poezitë, përrallat e saj. Të ushtroja dorën tek vizatimet, të bëja më shumë ushtrime, bashkim figurash. Por më shumë se gjithçka, më nxiste të përsërisja në fund të ditës ç’kishte ndodhur gjatë saj. E më shihte plot siguri kur kërkonte të nxirrja anët e mira dhe pikat ku unë dhe të tjerët duhet të përmirësoheshim të nesërmen...

E përqafoja pas 25 vjetësh. Njëlloj siç më përqafonte triumfuese ajo pas çdo paraqitjeje “dinjitoze” që i falja atëherë kur mësova forcën e motivimit, vlerësimit dhe të dashurisë pa kushte për krenarinë e inteligjencës.

“Ke ngelur po njëlloj” - më thoshte mes përqafimesh ku kërkoja me ngulm të shtrëngoja atë pjesë të fëmijërisë. Mirësia e pafund e saj përcaktoi sjelljet dhe zgjedhjet e mia të mëvonshme.

Ç’pasqyrë e pagabueshme. Edukatorja e parë!
Shtrëngoja fëmijërinë në krahët e saj!

t_red,
Vlore, 21 gusht 2008,

18.8.08

Miqtë e gjëmes gjeorgjiane

Pas shumë ditësh këmbëngulje në e-mail, më në fund mora sot një përgjigje pozitive nga Znj. Jeashvilli. Kemi mbajtur kontakte të rregullta që prej periudhës sonë studentore dhe pas kthimit në Tbilisi e në Tiranë, informonim njëra-tjetrën për përditshmëritë mëmëdhetare. Deri në momentin që predhat ruse shuan mijëra jetë njerëzish në Tbilisi, e njohura ime gjeorgjiane nuk kishte përmendur asnjëherë ndonjë frikë apo rrezik për atë që ndodhi.

Teksa prisja lajme për të mësuar nëse ajo dhe vajza tre vjeçare ishin akoma gjallë, më kujtohej e qeshura e saj e fshehur nën buzë kur detyrohej të fliste rusisht me ndonjë student tjetër të vendeve kaukaze. “Të më dëgjojë ndonjë gjeorgjian që unë flas rusisht, më urren për vdekje”-thoshte. Nga ana tjetër, njëlloj si edhe gjeorgjianët e tjerë që njoha më vonë, ajo fliste jo vetëm mirë, por edhe me pasion një anglishte me theks amerikan, që shprehte në çdo qelizë sigurinë dhe mirënjohjen për “vendim mik dhe të fuqishëm që na mban shumë afër”; Shtetet e Bashkuara. Miqtë e mëdhenj të gjeorgjianëve. Ata që me forcë e përsëritën dëshirën për ta ftuar Gjeorgjinë së bashku me Ukrainën në NATO që në samitin e tyre të ardhshëm. Ata që i kanë dhënë çmim qeverisë së Tbilisit si “më e mira mbështetje që mund të gjejnë amerikanët në Kaukaz”.

Të njëjtët amerikanë që mbështesin revolucionet ngjyra-ngjyra në rrethinat e Rusisë dhe bëjnë sikur nuk dinë për ç’farë flitet kur përballë iu del bluja pa asnjë jetë e syve të Putinit.

Gjeorgjia ra pre e dashurisë së madhe për mbështetësen e saj teorike. Ra pre e besimit të rremë që kishte krijuar a i kishin falur për ca pritshmëri që fatkeqësisht u shkatërruan në mënyrën më tragjikë të mundshme. As dërgimi i 2 mijë trupave në Irak, as amerikanizimi i popullsisë, as politika e hapur përjashtuese ndaj Rusisë për kënaqësinë e miqve të mirë amerikanë, as lobistët e mëdhenj dhe pagat e tyre në majme në Washington nuk mjaftuan që Gjeorgjia të kishte qoftë edhe një ndihmë të vockël konkrete nga SHBA. Qëndrimi i tyre ishte i njëjtë me atë të Francës, Gjermanisë apo edhe Andorrës, që detyra iu kërkon të dënojnë publikisht sulmet nga kushdo dhe ndaj kujtdo.

Por Gjeorgjia amerikane u la zbuluar. Dhe Amerika as që e di këtë, thjesht sepse nuk duket ta ketë parë ndonjëherë veten mbulojë të ndonjë vendi, veçanërisht nëse ai ndodh të jetë bahçe apo kopsht imagjinar i Rusisë.

C’e bëri Gjerogjinë të mendojë se Amerika do merrte armët për ta mbrojtur? Jo vetëm që mercenarët e saj saj shumë të zënë në Irak e Afganistan, por edhe sikur të mos ishin, amerikanët nuk do ta merrnin kurrë përsipër t’i hapnin punë vetes duke vënë në provë Rusinë e sekreteve të mëdha dhe arsenaleve bërthamore.

Por Gjeorgjia e hëngri atë kokërr të shijshme ulliri të besimit të verbër dhe u ngul keq në Osetinë Jugore. E mes armëpushimeve të rreme e situatave fare të pakuptueshme, presidenti Saakshvili dëgjon miqtë tij të mirë amerikanë t’u japin premtime boshe gjeorgjianëve e kërcënime po kaq boshe rusëve.

Situata është dramatike për mikeshën time Tea dhe vajzën e saj tre vjeçare, ashtu si për të gjithë gjeorgjianët që ranë pre e këtyre politikave falso.

Rusia vazhdon të thotë se do të tërhiqet nga Osetia kur Gjeorgjia të ketë marrë dënimin e merituar. Dënimi sigurisht shkon për njerëzit e thjeshtë në Tbilisi, sepse hartuesit e politikave, zbatuesit e tyre dhe aspiruesit për të kontrolluar bërjen dhe zbatimin, si zakonisht nuk ka për t’iu prekur asnjë fije floku.

Më erdhi mirë që e njohura ime është ende mirë, së bashku me fëmijën e saj që e njohu luftën kaq herët, edhe pse ka lindur në shekullin e 21-të.

Bashkë me e-mailin e saj dhe lajmet nga Pekini për fitim medaljesh të tëra ari nga sportistët amerikanë, shpejt e pa ftuar shëtisin në memorien time pritja prej profeti e James Bakerit në 1991-in në Tiranë, entuziazmi i madh shqiptar në Qershor 2007, ora “e humbur” e Bushit në Fushë-Krujë, festimet e pakuptimta për ftesat fillestare për në një organizatë ushtarake, pritja e stërgjatë kosovare për një mëvetësi të monitoruar...dhe sërish buzëqeshja engjëllore e vajzës tre vjeçare që mikesha ime gjeorgjiane mban në portofol. Në të ka dollarë. Në sytë e gjeorgjianëve ka siguri të shuar dhe shpresë për një miqësi që nuk mund të punojë me ujë.

t_red

15.8.08

Dokumentimi 3-14 Gusht 2008

Dhermiu, fshati

Saranda, ende ne ndertim
Perendim ne Dhermi




Plazhi i Llamanit



Porto-Palermo






13.8.08

Greqisht, euro dhe shqiptarizëm në jug

Riviera e këtij viti përshkuhet më shpejt me makinë. Copa-copa, përgjatë cdo segmenti të rrugës nga Dhërmiu deri në Sarandë janë duke u bërë gërmime, punimë, shtrime apo asfaltime. Tirana na bën kështu të besojmë se është mirë të arrijmë një orë e më parë në skajin jugor të Jonit shqiptar. Gjeografikisht të paktën shpresohet se është kështu.

Ndalesat në dy dyqane në Dhërmi janë të parat që japin goditjen e parë fobike që nuk rri rehat brenda guaskës së mirësjelljes moderne ku e kanë caktuar të rrijë. Jo. Ajo ngre krye dhe reflektohet në mimikën e fytyrës kur shtiësja që flet një shqipe më vendce se e imja, kthehet e kuvëndon greqisht me një klient vendas. Cudisë dhe pakënaqësisë sime të hapur i përgjigjet një arrogancë në përgjigje: “Po flasim gjuhën tonë moj cupë. Ty s’të ndalon njeri ta flasësh atë tënden”.

Garë përkitjesh tashmë. “Po mbiemri yt është tipik verior, e dashur origjinë-dashëse. Vërtet e ardhur në Dhërmi, por maksimumi nga veriu mund të kenë rrugëtuar të parët e tu para 600 vjetësh. Po jo nga Greqia”. Klienti që ka përballë ngre zërin më shumë në zënkën e tij hakërryese që e ndjej qartë se është për shqipen e dyqanit, e jo për vonesën në shërbim. “Nuk kam dyqince”,- thotë “minortarja” në një shqipe të pastër vendce që ajo e imja as i përqaset dot, megjithëse 600 e 2600 vjet përpara të parët e mi këtë gjuhë kanë ditur të flasin. Ata në njërin krah të Llogorasë, e greqisht-folësja me origjinë veriore në krahun tjetër të tij.

Shkëmbimeve të vështira në Dhërmi i shtohet edhe një përplasje makinash në njërën nga kthesat e tij njëkalimëshe. Këtë radhë zënka bëhej mes shqiptarësh. Zonja “denbabaden” tiranse e shoferit me furistradë që e kishte marrë kthesën sa gjatë-gjerë, pa e carë kokën se bota asfaltore nuk i përket vetëm makinës së tij, ngre hundën akoma më përpjetë kur një zotëri i moshuar doli nga makina e vet (në radhë me dhjetëra të tjera që u bënë zinxhir në të dyja anët e rrugës): “Po pse mor bir e merr kështu kthesën? Edhe makinën gjithë tangërllëk e nget. Ja c’i bëre këtij djalit të gjorë. Edhe neve na bllokove të gjithëve, se nuk i respektoni rregullat e qarkullimit”, dhe tregonte me dorë shoferin e makinës së dëmtuar, që krejt i shokuar, nuk i hiqte fare duart nga koka. Zonja hidhet gjithë mllef e delikatesë:” Kujt i thua fajtor ti mor plak derdimen. Do ta mbaj hundën përpjetë sa të dua. Jam tironse e vjetër unë. U bëtë ju. Shyqyr që keni një det këtu edhe keni dhe llafe. Hajt qepe aty, plak matuf”.

Bashkë me makinat, ishin bërë grumbull edhe njerëzit. Pranë shoh shitësen e dyqanit që ndiqte gjithë neveri debatin: “Hë, e shikon? Më kërkon të jem edhe shqiptare, pa le. Ja, shqiptarët vetëm të zihen dinë. Pikë kulture nuk kanë. Mirë kaq, po as punë, as lekë nuk japin. Greku të paktën na stimulon cdo muaj, ti më flet edhe për patriotizëm”.

Pas 45 minutash debat, shoferët dhe zonja denbabadense nga kryeqyteti morën më në fund vendimin të lëvizin nga 30 cm secili makinën dhe të provojnë aftësitë drejtuese të automjeteve të të gjithë atyre që po piqeshin në diell.

Ndalesa tjetër në Porto Palermo. Në restorant dëgjohej muzikë shqiptare nga jugu. Përshëndesim veprimin, shijojmë peshk të fresket servirur mrekullueshëm në lokalin më të ri në zonë, dëgjojmë ankesat e pronarit për mungesën e ndihmës shtetëore në tregëtimin e koces, që konkurohet me atë të ardhur nga Greqia. Gjithkca është shqiptare; ushqimi, biseda, afrimiteti, muzika dhe shakaja në këtë restorant të ri. “Nga jeni ju”-vjen natyrshëm pyetja që nuk zë vend në breg. “Jam vorio-qepariot”-thotë mes të qeshurash pronari gazmor. “Shqiptar o vëllezër, shqiptar jam. Në Qeparo ashtu jemi të gjithë. Po greku jep ca euro në muaj për ata që pretendojnë se janë vorio-epiriotë. Ka edhe kurse gjashtë mujore për t’u bërë i tillë po deshët”,-përfundon gjithë duke qeshur ai. Duket më i lodhur se udhëtarët me bisedën e origjinës, prandaj ka shpikur prezantimin tallës për bashkë-rivierasit e tij.

Saranda pret e betonuar. Ndërtesat shumëkatëshe kanë mbirë në cdo cep të saj. Agresive, të crregullta, armiqësore përballë detit stoik në blunë e tij. Qyteti është plot. Asnjë dhomë hoteli e lirë. Gjithandej nëpër rrugët e tij dëgjon të flitet maqedonishtja e turistëve të rinj që po zbulojnë Shqipërisë. Gjithandej dëgjohet një greqishte e shtirur (tamam si ajo në Dhërmi). Nganjëherë dëgjohet edhe shqip.

Qyteti ka gjallërinë më të madhe që ka pasur ndonjëherë vitet e fundit. Policët bashkiakë kontrollojnë shitësit ambulantë. Nga ana tjetër, asnjë hotel nuk preu faturë për pagesat 40 apo 50 euroshe të paguara cdo natë për qëndrimin pranë tyre. Leku vërshon i pakontrolluar. Fitimi është neto. Asnjë deklarim në shtet. Asnjë i vërtetë të paktën, përderisa edhe në restorant, fatura vjen e shkruar me dorë dhe krejt informale.

Ama kushtet në Sarandë janë të shkëlqyera. Qyteti të ofron pastërtinë e detit, shtëtitjet e qeta në mbremje, qetësinë edhe nga muzika e lartë, për të cilën na thuhet se është ndaluar në zona të caktuara. Vërtet shijon plazhi përgjatë bregut të rregulluar edhe me rërë të hedhur rishtas dhe pa shqetësimin e muzikës së lartë e acaruese që të prish kuptimin e fjalës “pushime” tjetërkund.

Në not e sipër, tre fëmijë 12-13 vjecarë prishin qetsinë e mezi-gjetur në Sarandë. “Llëkë-llëkë-llëkë-llëk”. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë dhe e thartë në shqip:”C’farë ju bën të ndjeheni mirë kur flisni greqisht mor cuna e goca”?!
“Unë jam grek”-më përgjigjet gjithë kapadaillëk në shqip, me nerva dhe fjali të para-përgatitur njëri prej tyre. “Ne jemi nga Saranda, po ai kushëriri jonë është grek, se jeton në Greqi”,-thotë tjetra. “Kur e ka Greqia festën kombëtare mor cun?”. Rreptësia e tij shprehet me një të kthyer të kokës. “Po në Shqipëri, kur është ngritur flamuri”?
Vajzat hidhen të parat: “Po atë e dimë ne, se e kemi mësuar” Normalisht, normalisht që e keni mësuar. Në Shqipëri akoma mësohet shqip. Akoma përmendet Shqipëria dhe historia e saj.

Në njërin nga lokalet e Sarandës shkruhej “Live greek music”. Përtej, duke parë dritat vezulluese të Korfuzit, imagjinoja në sa vende flitet shqip dhe sa lokale kanë shkruar “Live Albanian Music”.

Kënga e fortë jugore që shpërtheu sa erdhën dritat në një dyqan suveniresh në shëtitore, i fashiti të gjitha pakënaqësitë gjuhësore dhe mendësore të ditës. Një grup kosovaresh dhe shqiptarësh të maqedonisë po blinin disqe dhe kartolina nga Saranda. “Mireseërdhem në Shqipëri”!

2.8.08

charging....


Po marr ca energji, por do e kontrolloj situaten here pas here :)

1.8.08

Stop dhunës ndaj grave

Revolta numer 2

Tre femra ishin viktima të dhunës ose të vrasjes brenda kësaj jave. Fatkeqësitë në emër të marrëzisë duket se nuk kanë fund në Shqipëri.

Pas vulave të zeza që solli në tetë vjet martesë nga Librazhdi një 24 vjevare, dy të tjera u bënë pre e cmendurisë së xhelozisë dhe pamendësisë mashkullore. Një bashkëshorte Pogradecare u vra në burg dhe një tjetër nga Skrapari u vra në mes të ditës me diell mu në kryeqytetin shqiptar, pranë një stacioni autobuzi.

Dhuna fizike ndaj gruas së parë është rast i përsëritur, refren që tingëllon shëmtuar sa herë që dëgjohet. Kurse vrasjet e dyfishta brenda tre ditësh ishin jo vetëm reflektim i mendësisë patriarkale mashkullore, por edhe ndikim i papërgjegjshëm i transmetimit të këtyre lajmeve sikur ato të jenë ngjarjet e mezipritura në publik.

Dhuna ndaj femrave mori përmasa të frikshme publike këtë javë. Në vend që të shohim përmirësim në respektmin e të drejtave ndaj grave, cuditërisht po ndodh e kundërta. Po ndodh hapur. Dhe po ndodh në mënyrë të përsëritur.

Nëse faji më i madh bie sigurisht mbi agresorët, një ushqim negativ dhe i pafalshëm për ta vjen nga media.Teksa gazetat e djeshme e emërtonin rastin fatkeq të vrasjes në burgun e Peqinit si “vrasje shekspiriane”, për policin e Komisariatit numër dy, e shtëna me armë mbi gruan me të cilën bashkëjetonte është dukur edhe më e lehtë, shtyrë nga notat letrare dhe zbukurimet që lexohen për të tilla ngjarje në media.

Nga ana tjetër, numri i madh i shoqatave që kanë përsipër të mbrojnë e të promovojnë mbrojtjen e të drejtave të grave, duket sikur e kanë marrë pak lehtë Korrikun e Gushtin bashkë, e as që po kujtohen të bëjnë dicka publikisht. Edhe ato po në mënyrë shekspiriane mund të promovojnë dashurinë njerëzore pa qenë nevoja të zënë në gojë aktet fatale, që duket sikur janë plot barut e të gatshme për të shpërthyer në cdo moment.

Dhuna ndaj grave është fenomen tipik i shoqërive në tranzicion. Por më tepër se kaq, në Shqipëri ajo shoqërohet edhe me një shoqëri në krizë të plotë identiteti. Nga njëra anë xhelozia ka dalë së tepërmi në modë kohët e fundit. Nga ana tjetër, forca e zakonit ngre krye mbi njerëzit e gjinisë mashkullore në Shqipëri, duke i bërë ata ndjekës të cuditshëm të ligjeve të shkruara e të pashkruara në mendësinë për trajtimin e femrës.

Femra vazhdon të shihet si pronë, si objekt, si frymore që i ka dhënë zoti gjininë për të qenë vetëm e atillë. Femrat vazhdojnë të vuajnë diskiminimin njerëzor, intelektual, inferioritetin shtetëror, shtëpiak, shoqëror, politik. Ato vazhdojnë të jenë të përfaqësuara vetëm në profesionet e lehta,teksa në krahun tjetër vazhdojnë të bëjnë punët më të rënda. Në shtëpi, në redaksi, në depratament. Drejtuesit janë të gjithë meshkuj. Vendosësit janë të gjithë meshkuj. Ose femra të kthyera në të tillë mendërisht.

Edhe për jetën e femrave vendosin po meshkujt. Për tre të tilla, ata vendosën keto ditë. Dy vdiqën, njëra nuk e di c’e pret nesër, me fëmijën larg dhe pa asnjë të ardhme të sigurtë në një shtet ku siguria e jetës është disa shkallë më poshtë sesa forca e zakonit, opinioni i përqarkut dhe neglizhimi i masës.

Dhuna ndaj femrës po bërtet përditë me zërin më të lartë që ka. Askush nuk e dëgjon. As femra që kemi vënë në krye të ligj-vënësit.Nuk po e bën cështje më vete dhunën dhe diskriminimin ndaj gjinisë së saj. Të nxisë nisma në mbrojtje të tyre dhe ndëshkime për dhunuesit e të drejtave.

As shoqatat e grave nuk po e ngrenë zërin. Mbase po përpiqen. Por 24 vjecarja në Librazhd nuk e ka dëgjuar thirrjen e tyre. Zhurma duhet të shkojë cep me dep, aty ku shkojnë valët e TVSH-së, aty ku shkon cdo e përditshme shqiptare.

Publiku mashkullor duhet sensibilizuar, jo nxitur për dhunën ndaj grave. Hartimet letrare me vdekjet shekspiriane vetëm sa e bëjnë më të lehtë idenë e tyre vrastare, dhunuese apo diskriminuese. Duhen shkruar artikuj të tërë, gjithandej në media, ku të tregohen masat ndëshkuese ndaj dhunës.

Por mbi të gjitha, duhen sensibilizuar si femrat,ashtu edhe meshkujt, se e drejta e jetës, e drejta për të mos u rrahur, torturuar apo denigruar, janë të drejta themelore të të gjithë njerëzve, pa dallim gjinie, race, feje apo kombësie. Askush nuk ka të drejtë të marrë jetën e dikujt. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë mbi askënd.

Disa të drejta janë vendosur, mbrohen dhe sigurohen më ligj. Shkelësit e tyre, në mos vetë-ndëshkohen, do të bien patjetër nën fhsikullimën e ligjit.

Ja këto duhen promovuar; së bashku me numrat e telefonit ku këto viktima mund të drejtohen për ndihmë. Këtu munda ta nisim më disa prej këtyre numrave telefoni, ku gratë e dhunuara mund të kërkojnë ndihmë:

Shoqata në dobi të gruas: 04 2223 001 ; Nisma për të drejtat e grave: 04 222 56296; Qendra e Këshillimit për gra dhe vajza: 04 22 33 409; Qendra për nisma ligjore qytetare; 04 2259 795; Shoqata për gratë dhe fëmijët: 04 2352 830; Qendra shqiptare për të drejtat e njeriut; 04 2271 875.

Jo dhunës. Jo dhunës sot e përgjithmonë!

Mjekesisht i refuzuar (versioni revoltues)

Një nënë e re doli krahë-bosh nga materniteti i Tiranës këtë javë. Ishte fëmija i saj i parë. Ishte kontakti i saj i parë me humbjen. Ishte kontakti i saj i parë me neglizhencën e pafytyrë, me shtyrjen e veprimeve në emër të parasë, në emër të kryeneçësisë fodulle të mjekëve tanë. Me mungesën totale të përgjegjësisë të njerëzve në duart e të cilëve vendosim jetën përditë.

Pati edhe ngjarje të tjera këtë javë; një grua rrihet harbutërisht nga bashkëshorti; një tjetër vritet prej tij nga xhelozia. Të tjera vuajnë kush e di se sa me fjalët nën gjuhë.
Pati edhe zhvillime politike, ndërrime në qeveri, surpriza në Kashar, delire në Tiranë, zhgënjime në Tiranë. Por asgjë nuk i ngjante vdekjes së një jete të panisur.

Nëna e re shkoi në spital në gjendje të mirë shëndetësore. Fëmija po ashtu. Edhe portofoli i babait të ri sigurisht që ishte plot. Por mjekët u ndjenë shumë të sigurt se ndërhyrja e tyre nuk ishte e nevojshme. As në fillim, as në fund të dhimbjeve që shkulën nga barku një jetë të humbur për pakujdesitë ç’njerëzore të mjekëve që vetëm bluzat kanë të bardha.

Nuk është irrituese kjo ndodhi. Është shokuese, tronditëse. Është shqetësuese, për të vënë duart në kokë, në zemër e në kuletë me këmbët drejt agjencisë më të parë të udhëtimeve që mund të të shohin sytë. Përgjegjësia zero. Humanizmi zero. Sytë e mjekëve shohin egër, shohin me shpërfillje, me inat, me mllef, me përçmim.

Si në çdo cep të jetës rastësore që shëtit në Shqipëri, edhe mjekët shohin me vështrimin “Unë jam Zoti. Mos të ta dëgjoj zërin”. Dhe nuk ia dëgjuan zërin lutës vajzës së re, që pas kaq vitesh, priste me padurim krijesën që kishte përkëdhelur në bark për nëntë muaj të tërë. Muaj ëndrrash, shpresash, dëshirash...të flakura klinikisht nga c’profsionalizmi i tërbuar mjekësor në Shqipëri.

Statistikat thonë se në të gjithë botën, përfundimi i pasuksesshëm i shtatzënisë në kurriz të nënës apo të fëmijës ndodh në mbi 90% të rasteve për keq-menaxhim të procesit të lindjes nga personeli mjekësor.

Në rastin e vajzës së re tiranase shkaku ishte vetëm ai; fudullëku i mjekëve në procesin e panumërt për ta, por të parin dhe më të rëndësishmin në jetën e kësaj nëne të mohuar.
Rasti nuk është aspak i izoluar. As nuk duket se ka gjasa të synohet për ta kthyer në të tillë.

A do të ndryshojë gjë në mjekësi, përveç personit që do të ulet në krye të saj? Është dhimbshëm e pamundur për t’u besuar. Vetëm tre ditë pas arrestimit të një mjeku urolog për mitmarrje, teksa media dhe opinioni akoma nuk e kishin marrë veten nga jehona përcjellëse e lajmit, tre herë pashë të nxirreshin kuletat nga xhepi për vizita në një ambient shëndetësor publik. Asnjë mjek nuk kërkonte para. Po as një minutë përqendrim nuk kishte mbi pacientët, nëse nuk bëhej lëvizja për ta ndryshuar situatën.
Po edhe në mos qoftë korrupsioni, nuk është fare paraja ajo që klinikisht po i përjashton jetët e shqiptarëve; është përgjegjësia, humanizmi, përpjekja e vëmendshme, komunikimi, dashuria e munguar në ushtrimin e profesionit të tyre.

E sëmurë tjetërkund fillimisht më mësuan ta njoh sëmundjen, pastaj ta luftoj atë. Shtatzënë në Tiranë, të thonë të pushosh, se “e dinë ata” ç’farë po bëjnë me shëndetin tënd dhe me jetën e pa nisur të një vocërraku fatkeq që i ra për pjesë të ngjizet e të shuhet në Shqipëri.

Kur mania e protagonzimit, shpërfilljes, mungesa totale e përgjegjësisë, morali dhe humanizmi kanë bërë dalje edhe nga mjekësia, ç’mund të pretendojmë për pazaret lart e poshtë tavolinave politike?

Askush nuk e mori vesh se një vajze të re mjekët i shkatërruan ëndrrën, s’i dhanë fëmijën, i dhunuan jetën. Kjo nuk përbën lajm. As fenomeni që vërtitet rreth tij jo. Por rreziku i hapur që na pret në dyert e çdo spitali, pas duarve të pangopura e fytyrave jo-miqësore e të padepërtueshme të shumë bluzë-bardhëve, përbën lajm, shqetësim e burim hetimi që ç’ke me të.

Po ç’ligj mund ta kthejë në jetë një fëmijë që po lindte normalisht e nuk e pati pakëz ndihmë në momentin që e kërkoi atë? Ç’hetim mund të gjente arsyet e c’humanizmit të babëzitur që është ulur këmbëkryq ambienteve shëndetësore? Ç’ndëshkim mund ta risillte në jetë njerëzillëkun?

Sa frikë. Sa turp. Ç’mallkim të jetosh kur mjekësisht je i pashpresë. Ç’mallkim!

31 Korrik 2008