31.7.08

Fëmija

Elsa vendosi dorën ëmbël mbi bark: “Është çun”. Dhe një buzëqeshje krenarie shkëlqente në sytë e saj që vështronin ngultas nga Visi. Shtatzënia erdhi pas vitesh të tëra martese, pas shpresash, lotësh, përpjekjesh të mëdha për të besuar.

Shkonte në punë përditë. Buzëqeshte më shumë se më parë. Kishte jetë, dritë, dashuri, shpresë...kishte vazhdimësi në sytë e saj plot shkëlqim domethënës. Na bëri të gjithëve ta shihnim botën me ngjyrat e saj të reja. Edhe dosjet shkëlqenin më shumë se më parë.

Elsa u shndërrua në një rrezatuese nuri, bukurie e natyrshmërie aq të vërtetë, sa barku i saj topolak na mahniste e na bënte papritur njerëzorë të gjithëve.

Askush nuk e mori vesh se si, por ajo ruajti përmasat e saj të mëparshme. Vetëm barku vazhdonte të dilte gjithmonë e më shumë në pah. Dhe Elsa dukej gjithmonë e më e bukur. Ndryshimi brenda trupit dukej hapur në fytyrën e saj përherë të gëzuar e pak të skuqur. Vetë e kuptonte e para që kjo ngjarje e re e kishte transformuar tërësisht në mënyrë mrekulluese.

Erdhi dita e parashikuar. “Çunat dalin me vonesë”-qeshnim të gjithë rreth saj, teksa vazhdonte të vinte plot gaz e gjallëri në zyrë.

Kaloi një javë. Anit të vogël iu mbush mendja se kishte ardhur momentin t’i ndjente në fytyrë përkëdheljet pa fund që ndjente sipër lëkurës së barkut për muaj me radhë. I vendosur dhe gjithë siguri, lajmëron Elsën që fillimisht rrudhi sytë nga një dhimbje, pastaj buzëqeshi me vështrimin që një nënë di të bëjë vetëm në atë moment.

Ambulanca e çoi në spital në orën 13.00. Ani vazhdonte përpjekjet e tij të pakthyeshme. Elsa duronte, qeshte, lodronte me dhimbjen dhe dëshirën e saj për të mbajtur në krahë këtë fëmijë kaq të pritur.

Orët kalonin. Mjekët thirrën Visin t’i shtrëngonte dorën. Fytyra e Elsës ishte mbuluar e tëra nga flokët e saj të zinj. I largonte vetë. Buzëqeshte mes lotësh. Kërkoi ta fusnin në sallë.

Mjekët ishin të zënë. Me c’njerzillëkun e tyre tipik. Me sigurinë e pështirë se e dinë vetë gjithçka. Visi mundohej të kuptonte. Dora shtrëngonte portofolin e mbushur plot. Nga dy, mjekët u bënë gjashtë. Asnjëri nuk binte dakord me tjetrin.

Masnin rrahjet e zemrës së fëmijës. Ani kishte filluar të lodhej. Njëra nga mjeket psherëtiu me fytyrë të prishur ta çonin në sallë. Profesorët “e pagabueshëm” me eksperiencë nuk dëgjonin nga ai kah. “Kjo ka ardhur të lindë vetë. Apo jo çun?”-vështronte mjeku dorën në xhepin e Visit.

Ai e la portofolin mbi komodinën ngjitur. Elsa nuk kishte më fuqi t’i largonte flokët e qullur nga fytyra që vazhdonte të ishte e bukur.
Matësi i rrahjeve të zemrës dëgjohej gjithnjë e më pak. “Në sallë doktor. Ta fusim në sallë”

“Atë e dimë ne mor çun. Dil jashtë tani!”

Visin e morën për krahësh. Elsa nuk psherëtinte më. Katër palë duar bënin presion mbi barkun e saj. Të tjerë rrëmbyen ç’mundën të gjenin në sallën e paralindjes; gërshërë, bisturi, doreza të pa-sterilizuara. Jo anestezi.

Por Elsës nuk i dhembte më asgjë.

Matësi i zemrës së Anit kishte pushuar... së bashku me vështrimin e saj ngulur mbi të.

Ia shkulën më në fund nga trupi. Me 10 minuta vonesë. Pa asnjë shprehje në fytyrë.

Përballë sheh përbindëshat pa shpirt, me xhepa edhe në sy.

Përbri ka krevatin bosh me mbulesën e engjëllt ngjyrë blu.

Në krahë...asgjë....

...përreth, nuk sheh më .....

Materniteti i ri i Tiranës, Korrik 2008

30.7.08

Pa asnjë re, për be!

Sot pata një shpërthim. Më mundi. Doli, furishëm, shkëputshëm. Me aq forcë sa më ka lënë bosh. Me ç’farë do ta mbush zbrazjen ?!

Dhuna ndaj femrave…Unë i kam bërë dalje gjinisë sime. Gjendem mirë pa të. Të tjerët jo. Jo për shumë kohë.

Me të, pa të, gjinësisht, mendërisht, punësisht...po është njeriu brenda vetes ai që më mundon. Asnjëra nga përkitjet e tjera që rrinë varur në ajër.

Nuk më pëlqen, as e njoh, as e vras, as e përzë, as e pranoj, as e begenis dhunën gjinore. Atë njerëzoren po…edhe kur është e nxituar.

Rrallë vritem për gjininë. Për qënien pak më shpesh…sinqerisht, profesionalisht, shoqërisht, intelektualisht, idiotisht…isht…me dhe pa arsye. Veçanërisht kur i ushqej vetë.

M’u dukën kuptimet të mbrapshta sot. Edhe kur i ktheva përmbys. Prandaj e ndjej boshësinë e shkuljes.

…shkulja…morfologjikisht emër, trajta e shquar, gjinia femerore, numri njëjës….

e merkure, 30 korrik, 18.24

26.7.08

Përshëndetje Shqipëri

“Ky fshati qenka shumë i madh. Si e ka emrin?” – Tiranë!
Biseda bëhet mes një grupi të rinjsh të ardhur nga vende të krahasueshme në shumë aspekte me Shqipërinë, dhe miqtë e tyre vendas, të zënë në befasi nga reagimi vetjak, shumë mbështetës për vezhgimet me sy të lirë që po bënin të ardhurit. Skepticimzi është i tepërt. Avokatia për kazanët e pafund të plehrave nuk gjen vend. Mbyllja e hundëve mbi “kanalin e Lanës” flet vetë për kundërshtitë e emërtimit të saj “lumë”.
“Të vjetra këto pallatet, po të trishta pse janë? Ky kolorit sikur bërtet: ‘Shikomëni, ja ku jam, me gjithë shëmtinë time.”
Jooo, po kjo është kryevepra moderne e artit për të cilën ne jemi aq krenarë. Nuk e paska efekti që prisnim?! Epo, kanë kaluar vitet e mjaftueshme që si gjithçkaje tjetër, edhe atyre t’ju dalë boja.

Diçka është ngjitur në qiellzë. Qenka edhe nëpër dhëmbë. Shpjegimi i menjëhershëm e siguron të shqetësuarin se është thjesht pluhur që shkaktohet nga gjithçka që ai sheh, ndërtimet, pallatet dhe pemët që janë prerë në masë për t’i ndërtuar ata. Ama cilësia e pluhurit është e lartë. Natyral, njëlloj si ambienti që e krijon atë.
“Kush është ai mesoburri që buzëqesh i vetëkënaqur në disa foto varur gjithandej? Ah, kemi pasur zgjedhje para gjashtë muajsh?!” Jo ai nuk ishte kandidat. Bënte thirrje për mbështetjen e njërit kah që e shpërbleu duke e emërtuar Ministër.
Përse janë akoma varur fotot edhe pas gjysmë viti? Epo, interesi qëndronte vetëm tek vënia e tyre. Zbritja prej aty ku janë varur kërkon më shumë kohë dhe përpjekje se kaq.

Shumë kafene, të mira, të bukura. Por ora është 15.00, përse janë të gjitha plot? Koha e pushimit? Nuk janë fare në punë? Po më ç’farë e paguajnë këtë kohë të humbur dhe çmimet e larta aty?” Pyetje me vend. Ndoshta as ata vetë nuk e dinë se si. Ama kafeneja është zbavitja e vetme që i drejtohemi në masë. Po, mund të përdoret si identifikues i rinisë dhe administratës së sotme.

Suvenirë. “Kush është simboli i Shqipërisë? Ky burri mbi kalë? Mirë. Sa kushton? Të reja apo të vjetra? Hm, sikur nuk po i gjejmë dot balancën çmimit me pagesën mesatare të vendasve. Një kg portokalle kushton 1 euro apo 10? Më kërkuan 1200 lekë për to dhe kur nuk dita si t’i paguaj, zotëria i zgjati vetë duart në kuletën time dhe mori ato që ju dukën të arsyeshme. Një mijë e dyqind lekë”. Mbrapsht tek shitësi që e shiti sapunin për djathë. Pretendon se nuk i kujtohet veprimi i bërë vetem 10 minuta më parë, por premton duke ngritur zërin se i nxjerr edhe nga xhepi i tij ato lekë, që më fund kujtohet se i paska marrë gabim.

“Nuk kuptojmë asgjë në shqip. Por, përse duket sikur gjithmonë ziheni kur flisni”? Theksi i shqipes. Toni i lartë që përdoret për ta shprehur atë. Nuk është e sigurt nëse është gjuha apo folësit e saj që e japin këtë përshtypje.
Gjuha nuk ka ngjashmëri me asnjë gjuhë tjetër. Gërmat i kemi latine, mbase edhe pak gramatikë mund t’i afrohet asaj, por ngjashmëria mbaron këtu. Kemi gjuhën më të lashtë në Europë. Jo, nuk ka dokumentim.
Kjo në të djathtë? Kjo është kisha e re ortodokse që po ndërtohet në zemër të Tiranës. Përreth? Ministria e Mbrojtjes. Kjo është e Ekonomisë. Ah, jo,kjo nuk është Ministri. Është selia e partisë Socialiste, më e madhja në spektrin e majtë. E madhe mund të duket vërtet kjo kishë. Jo, ortodoksët nuk përbëjnë komunitetin më të madh në Shqipëri, aq më pak në Tiranë. Po ja, pas disa dekadash, gërmimet në të do t’i shtohen kalvarit të gjetjeve helenike në tokën e shqipes, së bashku me ca varre të privatizuara dhe gërmime në më antiket dhe autentiket intitucione të trashëgimisë sonë kulturore. Sot është kontradiktore prezenca e saj mu në qendër të institucioneve shtetërore në kryeqytet, por nesër do të jetë fakt i pakundërshtueshëm historik me pronësi dhe dëshmi “reale” helenistike.

Cili është aspekti më tradicional i këtij qyteti? Hoteli luksoz me çmime europiane (ama më i mirë sesa analogët jashtë), kuzhina e përzier atje, ushqimi i freskët që urojmë të mos blihet në këto marketet e hapuara ku gjethet e spinaqit nuk duken nga pluhuri, apo ky kaos që përfundimisht nuk po lodhemi më të kuptojmë nëse ka sens e drejtim?

Në sallën e leksioneve ekspertët vendas arrijnë shkëlqyeshëm të vënë në gjumë gjithkënd. Ritmi i anglishtes është gërricës dhe efektiv si një gjenerator që punon me ujë. Temat e diskutimit kërcejnë nga njëri cep në tjetrin aq sa as vetë folësit nuk i sjellin dot më në të njëjtën vijë.

Një kompensim duke vizituar qytetin historik të Dyrrahut përmblidhet në një vështrim të shpejtë mbi ca gërmime ku nuk gjendet asnjë notë shpjeguese në anglisht,në një vajtje pa bereqet në vilën e mbyllur të një mbreti të dikurshëm, rezidenca e të cilit mban sot si kurorë dhjetëra antena komunikimi.

Poshtë në Adriatik! “Përse nuk ka një rregull në ndërtimin e kaq shumë hoteleve? Po tani që nuk ka njerëz, në këtë ditë të bukur me diell, përse është kaq i pistë deti? Ç’farë e bën atë të tillë? As guaska nuk paska. Kjo vjen nga papastërtia?!Po frymë sikur u marrka pak më lehtë se në Tiranë. Ama, ende nuk e kuptuam dot filozofinë dhe drejtimin ku po shkon ky vend”.

Shqetësimet e vetme duken ato për t’u rizgjedhur në politikë, për të qenë sa më pak të veshur dhe për t’i shitur shijet në kafene. Mbase pas disa vitesh realizmi do të kalojë edhë këtej pari. Do ta marrim vesh nëse ndodh, sepse do të jetë i fundit lajm për lidhjen e etapave hitorike dhe prejardhjes njerëzore në zemrën e Europës me popullsi pasive myslimane dhe prosperitet të institucionalizuar ortodoks. Identiteti që nuk mund as të kuptojnë, as të mbajnë mend këta të ardhur sporadikë, atëherë do të jetë shkrirë dhe bërë imagjinar edhe për vetë shqiptarët. Me sytë e tyre, jo se ështe e vështirë, por nuk ka vlerë të lodhesh ta kuptosh Shqipërinë. Lumturia e të jetuarit këtu përmblidhet në të gjitha rrjedhojat e kësaj lodhjeje që udhëheq kaosin unik “Përshëndetje, Shqipëri”!

t_red

25.7.08

Perandoria e individualizmit

Perandoria e individualizmit

“T’i ndryshojmë gjërat urgjent në të mirë të Shqipërisë”-rrekeshin t’i mbushnin mendjen vetes një grup të rinjsh të diplomuar jashtë e brenda. “Të mos lëvizim asgjë nga vendi. T’i lëmë gjërat kështu sic kanë qenë përherë. Shumë mirë kanë funksionuar deri tani. Askush nuk mundet t’i bëjë më mirë”-thonin me një siguri frikësuese një grup zyrtarësh në një ambjent ku merren, jepen, transformohen, kthehen, përmbysen e degëdisen vendime që nuk marrin kurrë formë.

Në njërin krah një grup të rinjsh (shumë më të rinj nga c’tregojnë pasqyrat e tyre); dhe në krahun tjetër, një grup lëkurë-regjurish, më shumë nga c’mund ta ndiejnë regjien ata vetë. Të parët i kanë akoma sytë të hapur përtej syzeve rozë; të dytët as vetë nuk mund të pretendojnë se argumentet e tyre janë të tilla edhe pas qindra mijëra orësh shpenzuar pas dyerve të adminstratës. Në njërin kah aspirimet politike stilizuar në perëndim, në kahun tjetër indoktrinimet e dejëzuara të politikës së lindjes, që rrallë mund të mendojë se ndonjë fjalor përmban fjalën “alternativë”.

Njëra i ngjantë një seance trajnimi me uri të dëshpëruar e të paushqyer idesh; tjetra me një mbledhje dikasteri ku George Orwell do të kishte shkruar sërish fermën e tij.
Ekstremet nga ku e shihnin Shqipërinë të dyja palët e njerëzve të përfshirë në interesin publik ishte e dukshme po aq sa edhe e frikshme.
Pala e drejtuar nga motivet dhe diktuar nga marshi unik i burokracisë (që ka lindur bashkë me administratën e parë që është shpikur para emërtimit të saj), ngrinte zërin kundër ekzistencës së vetë burokracisë. Kjo bëhej me një freski të ëmbël servilizmi ndaj institucionit dhe interesit që i shërbehej.

E mira publike?! Këtu është fjalë e huaj. Po ja të shohim palën tjetër, që synon t’i shohë gjërat ndryshe.

Përpjekjeve të mirë-artikuluara të organizatorëve që kërkonin të vinin në punë makinën e ideve, i përgjigjej vetëm një pjesëmarrje surreale diskutimesh, që në vend të Orwellit, do të kishin sjellë aty J.K. Rowland për sërinë ekskluzive të Harry Poterit.

Në një institucion qeveritar u hap dhe u mbyll me dinjitet administrativ një cështje që ka për t’u tërhequr e mos u këputur edhe për shumë vite të tjera. Në një ambient modern dhe të ndryshëm politikash, flitej trembshëm me tonin dhe idetë që pas disa vitesh, do ta shohim të transferuar. Jo të trasnformuar, por thjesht të transferuar nga lokali jo-formal, në ambientet e institucioneve për të cilat sot kritikat nuk kishin fund.

Dy breza kundërshtarë, me kundërshtime pikëpamjesh edhe brenda tyre. Njëra palë e djegur, tjetra akoma aguridhe që hidhëron me mos-bërjen e saj.

Shqipëria është sot fatkeqe se Berisha është autokrat, se Rama është natyralist, se Nano na shiti për një lek, se Meta nga zhyti në errësirë, se Balla i ka nënë e motër tërheqëse (sipas burimeve direkte të kryemininstrisë), se Topalli ka shkrirë të tërë kufinjtë e kompetencave, se ministrat nesër nuk gdhihen më të tillë, se dinastitë kanë dalë nga moda e biznesit e janë shtrirë në politikë, se gjithkush me një pozicion të vockël synon të shohë edhe një cikë më përtej zonës së së tij, se askush nuk thellohet në punën, përkushtimin, detyrimin apo aq më keq, përgjegjësinë tij.

Mbase, vërtet mbase është kështu. Dhe në takimet zyrtare hasen rëndom shërbëtorët e denjë të burokracisë, vetë-kënaqësisë, servilizmit dhe mykjes së origjinalitetit e vizionit të përbashkët; po në ambientin mbushur me të rinj, as autokratë, as burokratë, as demokratë dite e as teknokratë nate nuk kishte që të diktonte idetë e reja që vetëm të tilla nuk ishin.

Dëshira për ndikim, për futje brenda kallëpëve imagjinarë pa pasur nevojë të komplikohet edhe ndërgjegjia në proces, ishte e njëjtë në të dy grupimet. Mbase nuk ka të bëjë shumë me kombësinë. Mbase është edhe ndikimi i brezit dhe mendësisë që kërkon të luftohet. Por dëshira për protagonizëm të mbi-ajrosur ishte identike në të dyja ambjentet.

Ngushëllimi mund të jetë tek drejtimi i të dyjave. Shpesh vihej re përpjekja për ta sjellë audiencën në fokus dhe për të bërë të qartë me përmbledhje të shkurtra e të qarta idetë që shpërndaheshin në turmë me biseda të shfokusuara e pa forcë argumenti apo pa sfond njohjeje. Por, që në një grup të rinjsh aspirues të gjesh kaq të qarta mendësitë, perceptimet, ndarjet, përjashtimet dhe vullnetarizmin acarues për protagonizëm të njëjtë me atë që buron lumë në një grup burokratësh aktivë, është vërtet shumë e frikshme. Eshtë tunduese për dështimin e shpresave për ndryshimin e Shqipërisë.

Noli, Konica, Frashëri, Merxhani,Koliqi, të gjithë ankoheshin po njëlloj këtu e 100 vjet më parë për mos-përshtatjet e mendësisë së brezave, pastaj për frikën e ngjashmërisë që të rinjtë shfaqnin akoma më tepër se ata që ishin në pushtet.

Pas përpjekjesh të kota brenda e jashtë vendit, të gjithë këta “recolucionarë” të mendimit shqiptar vdiqën gjithë shpresa shekullin e kaluar. Sa mirë që e kanë caktuar të fundit në radhë këtë shpresën, që të paktën të mos shohim nëse edhe kjo e jona do të ketë të njëjtin fat si ajo e ndryshimit, kthimit dhe zhvillimit me të cilën flirtuan keq shqiptarët që kërkonin ndryshimin.

Të gjithë e duam dhe e kërkojmë tek të tjerët. Por ndryshimi i vërtetë fillon vetëm kur kontribuimi për të nis nga ndryshimi i dëshirës vetjake për të qenë protagonist individual. Kjo kërkon akoma punë edhe mes të rinjsh, se mes ekipit të burokratëve drejtues, kjo ëndërr ka marrë fund vite e vite më parë. Shpresa e ngelur është që e njëjta gjë të mos përsëritet sërish edhe disa vite më pas.

t_red